Presidenti i Republikës, Bajram Begaj gjatë një pritjeje me ambasadorë të akredituar në Tiranë, thotë se shpreson që Bashkimi Evropian do vijojë t’i kushtojë vëmendjen e duhur e të veçantë Ballkanit Perëndimor.
“Për shqiptarët në rajon, anëtarësimi në BE është çështje e interesit kombëtar. Faktori shqiptar ka kontribuar dhe do të vijojë të kontribuojë për paqen dhe sigurinë e rajonit”, thekson Presidenti, ndërsa shton se Shqipëria mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe integrimin e saj Euro-Atlantik. Në këtë linjë, kreu i shtetit përshëndeti vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave me qytetarët e Kosovës!”, theksoi ai. Në këtë këndvështrim, Begaj u bëri apel vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta njohin sa më parë atë, “si një realitet të pakthyeshëm”.
Duke u ndal tek situata në botë si lufta në Ukraina, Begaj tha se populli dhe qeveria ukrainase janë heronjtë e përditshëm të një qëndrese në emër të sovranitetit dhe dinjitetit njerëzor, ndërsa për luftën në Gaza, u shpreh se Shqipëria mbështet zgjidhjen e konfliktit dhe nisjen e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes me dy shtete, në paqe dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Si vatër krizash në rajon, presidenti kujtoi sulmin terrorist në Banjskë sipas të cilit janë shenja të një status-quo-je të brishtë dhe të një situate që mund të sillte pasoja të rënda për rajonin, ndërsa situata në Bosnje-Hercegovinë, tha Begaj është delikate dhe kërkon vëmendje, pasi ka ende aktorë politikë, të cilët nuk janë shkëputur nga e kaluara konfliktuale.
“Këtyre situatave u shtohen dhe zhvillimet dramatike në vende të tjera. Rreziqet dhe kërcënimet potenciale të lidhura me: ekstremizmin e dhunshëm, emigracionin e paligjshem, kriza ekonomike, kriza ushqimore, kriza energjetike, sfidat e sulmeve kibernetike, kontrollin e inteligjencës artificiale, pasojat e pandemisë dhe ndryshimet klimatike janë çështje që duhen përballuar e për të cilat duhet angazhim dhe zgjidhje”, tha ai.bw