Në vitet ‘90-të poeti i pavdekshëm
AGIM SHEHU, shkroi baladën për
ILIA DILO SHEPERI-N, baladë e bukur, shkruar plot ndjenjë dhe admirim për këtë kolos të patriotizmës shqiptare.
Vargjet rrjedhin sa thjeshtë aq embëlsisht, dhe shpalosin jetën e këtij kolosi.
Buza me fjalët e paka
Te Mëmëdheu i mbeti
Thellë në sy i ndrinte flaka
E qirinjve t’alfabetit.
Gjaku i trimërisë së urtë
Me dallgë ia mbushte trupin.
Mbi çdo thinjë, i dridhej butë
Bari i hollë i Çajupit*.
O ju, gjithë armiqtë,të gjithë
Mjeshtra helmi, hije thike,
Vramëni! Fyti i prerë do klithë
Germën ”a” të gjuhës shqipe.
Te çdo bulë e kuqe gjaku
Do mbijnë qershi Kokojke.
E ç’ka bota më të dashur
Se një grusht të kësaj toke?!
Alarmet mbi botë binin.
Atij, me librat për dore
Rrudhat përmbi ballë i rrinin
Si vija në katërshore.
Ecte e retë përkëdhelte
Me vështrimin përtej kohe.
Lulja e parë që molla çelte
I ndillte një zile shkolle.
Për kombin, për gjithë shqiptarët
Grushti i mblidhej si guri.
Gjaku që i frynte damarët
E kish syrin te flamuri.
Botës në kohrat kritike
I pa dhe luanë, dhe kone.
Ai fletët e qerpikve
I mbajti si krahë shqiponje.
Në çdo kollë të pleqërisë
Tek hapte e mbyllte portën,
I shkundej blozë e shtëpisë,
Nxirmin tym librat që iu dogjën.
Ç’më rëndoi pleqëria,
Paqè, moj jetë, se më lodhe!
Balta, veç, eshtrat e mia
I gatoftë një themel shkolle!
Mbi gjumin e tij te koka,
Dhëmshurisht, një dorë njeriu,
Erë e ëmbël nga Kokojka
I fryn Fyellit të Bariut.
Zbuluar të mbeti balli.
Brezat të shohin në sy.
Mbi Dhëmbel, koha stërrallin
Po e pjek në bronx pèr ty.
*Çajupi-Mal në Zagorie
Është fakt që ashtu si Poeti parashikoi që “ Mbi Dhëmbel, koha stërrallin
Po e pjek në bronx për ty”,
e poqi dhe busti i ILIA DILO SHEPERIT, zbukuron Sheperin e tij, krah Poetit të madh të Rilindjes Kombëtare ANDON ZAKO ÇAJUPIT dhe Luftëtarit të Lirisë, trimit PANO XHAMBALLO.
Në Sheper, fshat historik e i shquar, në të ardhmen koha do sjellë buste të tjerë krahas këtyre personaliteteve kombëtarë.