Pamjet që shihni tregojnë pikërisht vendin ku u vra 22-vjeçari mbrëmë në Vlorë. Gazetari Enrik Mehmeti ka siguruar për BalkanWeb pamjet nga ballkoni i banesës së viktimës. Gëzim Sinomati ishte duke pirë cigare në ballkon kur është qëlluar nga një distancë e afërt me snajper. Policia ka gjetur edhe një makinë të tipit BMW, të djegur në brendësi të lagjes “24 Maji”. Mësohet se rreth 10-15 persona janë pyetur në polici për ngjarjen që ndodhi të dielën në mbrëmje. Ata janë kryesisht familjarë të viktimës, por edhe persona që mund të kenë parë autorin. Në dëshminë e tyre nuk është se kanë treguar diçka reale që mund të ndihmojë për ngjarjen në fjalë. Autori ngjarjes ka qenë thuajse i padukshëm në kryerjen e këtij krimi.
22-vjeçari Gëzim Sinomati kishte pak kohë që ishte rikthyer në Vlorë në fund të dhjetorit për festat e fundvitit dhe do të largohej sërish në drejtim të Belgjikës. Ai qëndronte i vetëm në banesën në katin e tretë në një pallat në lagjen “Hajro Cakërri” pranë bulevardit të Vlorës. Autorët e kanë goditur me snajper nga shumë pranë, ndërsa dyshohet se goditja erdhi nga godinat e banimit shumë pranë shtëpisë së tij, pallate banimi disa katësh një i përfunduar prej kohësh dhe tjetri në ndërtim e sipër. Nga grupi hetimor mësohet se ndaj objektivit është qëlluar vetëm një herë, ndërsa plumbi e ka goditur në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhur në një zonë të populluar që ka biznese dhe kamera sigurie krahas banesave. Kamerat mund të kenë fiksuar lëvizjet e autorit apo autorëve të mundshëm të ngjarjes. Gjatë momentit kur ndodhi vrasja lagjja “Hajro Cakërri” ka qenë pa drita, ndërsa nuk dihet nëse kjo është një rastësi apo ka të bëj me krimin.
Mjeti i llojit BMW që u gjend i djegur është lënë pranë shinave të trenit në lagjen “24 Maji” në një zonë të mirëmenduar në errësirë, veçmas bllokut të banimit çka tregon se autorët e kanë njohur zonën dhe atentatin e kanë mirëmenduar. Po ashtu bëhet e ditur se brenda mjetit të djegur që mendohet se përdorën autorët, nuk është gjetur arma e krimit.
Ngjarja dyshohet për larje hesapesh. Gëzim Sinomati, është djali i Sokol Sinomatit i njohur me pseudonimin Sokol Buzëderri anëtar i bandës së Gaxhait. Ndaj duket se saga e hakmarrjes dhe përplasjes së bandave vazhdon. Gëzim Sinomati dyshohet i ekzekutuar për llogari të babait të tij, por nuk përjashtohen as prishje e pazareve të drogës. Xhaxhait të viktimës Benard Sinomatit vëllait të Sokolit në 4 janar 2022 i vunë tritolin pikërisht në një automjet poshtë ballkonit të shtëpisë ku ndodhi kjo ngjarje. Edhe Benardi aso kohe sapo ishte kthyer nga Belgjika. Benard dhe Sokol Sinomati të dy vëllezër, janë figura të njohura për policinë, ndërkohë viktima nuk figuron person me precedent penal.
Policia ka ngritur postobllok në pikat kyçe të qytetit, por pa mundur të arrestojë apo identifikojë autorët e ngjarjes. Pjesë e kontrolleve kanë qenë edhe strukturat FNSH dhe RENEA.bw