Publikohen dokumentet e para gjyqësore për Jeffrey Epstein, të cilat do të tronditin botën. Në listën e emrave në dosjen e pedofilit të dënuar, i cili kreu vetëvrasje në qeli, janë emra të tillë si Bill Clinton, Donald Trump, Michael Jackson, por edhe princi Andrew i Britanisë. Ky i fundit thuhet se ka marrë pjesë në një orgji me minorene në ishullin privat të Epstein, i njohur ndryshe me nofkën ‘Ishulli i Mëkateve’
BILD
Tani e gjithë bota po zbulon se cilët personazhe të famshme kishin kontakte të ngushta me pedofilin e dënuar për krime seksuale.
Në një nga skandalet më të mëdha të abuzimit në botë, rreth bankierit të investimeve, Jeffrey Epstein, një gjykatë amerikane ka publikuar tani emrat e më shumë se 170 personave që më parë trajtoheshin kryesisht në mënyrë anonime.
Emrat e tyre dolën pas një padie civile mes amerikanes Virginia Giuffre dhe partneres për një kohë të gjatë të Epstein, Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim me 20 vite burg për trafik njerëzish.
40 dokumentet e para nga 943 faqe në total janë bërë publike.
Në dosje përmenden kryesisht emrat e atyre që ishin pak a shumë të njohur, duke përfshirë miqtë në nivele të larta të Epstein, mes tyre ish-presidentët amerikanë Bill Clinton dhe Donald Trump si dhe princin Andrew të Britanisë.
Sipas medieve, Clinton, të cilit në gjyq i referohen si ‘John Doe 36’, nuk e kundërshton përdorimin e emrit të tij. Dokumentet e publikuara deri më tani përmbajnë dhjetëra herë emrin e Clinton, duke përfshirë deklaratat e dëshmitarëve që e vendosin atë pranë krimeve të Epstein.
Sipas dokumenteve të majit 2016, akuzuesja e Epstein, Johanna Sjoberg u mor në pyetje në lidhje me komentet e Epstein për Clinton. “Epstein njëherë tha se Clinton pëlqen vajzat e reja,” dëshmoi ajo ndër të tjera. Sjoberg u rekrutua në moshën 20-vjeçare për të punuar për Epstein si ‘masazhuese’.
Emri i princit Andrew shfaqet po aq shpesh dhe ndonjëherë në kontekste të ngjashme. Ai ishte në gjendje të shmangte një padi civile në lidhje me rrjetin e abuzimeve të Epstein në vitin 2022. Pavarësisht akuzave të paditëses Virginia Giuffre kundër tij, ai nuk e pranoi kurrë publikisht se kishte pasur marrëdhënie seksuale me 17-vjeçaren në atë kohë.
Në dosje përmendet edhe emri i ish-presidentit Donald Trump- në kontekstin e marrjes në pyetje të një dëshmitareje, e cila deklaroi se nuk kishte pasur kurrë kontakt seksual me Trump.
Përmendja e Mbretit të Popit, Michael Jackson dhe astrofizikanit Stephen Hawking janë diçka e re. Duket se kjo vjen për faktin se ata ishin të pranishëm në një festë të Epstein. Edhe George Lucas i ‘Star Wars’ mori pjesë gjithashtu në të paktën një nga festat e Epstein.
Në dosje shfaqet edhe emri i magjistarit David Copperfield. Akuzuesja e Epstein, Sjoberg, dëshmoi në vitin 2016 se magjistari e dinte se vajzat e reja paguheshin për të rekrutuar vajza të tjera.
Sjoberg më tej pohon se ajo ishte takuar me Copperfield në një darkë në shtëpinë e Epstein. Magjistari ishte mik me Epstein, tha ajo.sn