Dalëngadalë po mbyllim një vit kalendarik të mbushur me ngjarje që në një mënyrë ose një tjetër kanë ndikuar në përditshmëritë tona. Newsport.al ka nisur sondazhin për personazhin e vitit. Ata janë njerëz që kanë lënë gjurmët e veta përmes arritjeve dhe ndikimit të tyre në shoqërinë shqiptare.
Emocionet nuk kanë munguar, qoftë pozitive apo edhe negative duke krijuar tablonë e këtij viti kalendarik. Newsport.al ka zgjedhur të gjithë ata që spikatën dhe shënjuan emrat e tyre në këtë 2023-sh që po “soset” dalëngadalë.
Kjo tablo nis padyshim me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Jo vetëm arriti të bëhej zëvendës president i UEFA-s, por zgjodhi një trajner si Sylvinho për kombëtaren shqiptare që tashmë suksesi i tij njihet anë e mbanë botës.
Një vend të rëndësishëm zë pikërisht “timonieri” i ekipit tonë kuqezi, Sylvinho Campos. Ndryshoi fytyrën e Kombëtares me të marrë në dorë çelësat e skuadrës përfaqësuese. Lojë brilante dhe arritje e madhe, kualifikimi në europianin “Gjermani 2024”.
Padyshim nuk mund të mungonte në personazhin e vitit “zbulimi” i këtyre eleminatoreve të Kombëtares, Jasir Asani. Mëngjërashi që mori “përsipër” kualifikimin e kuqezinjve duke shpërblyer në mënyrën më të mirë të mundshme besimin e stafit teknik.
Ndoshta është për të disatin vit radhazi, por jo pa meritë. Ilir Daja është një nga ata trajnerë që kanë shkruar historinë kudo që ka shkelur. Dhe për të dytin vit radhazi kualifikoi Ballkanin e tij në grupet e Conference League.
E “vogla” Luizë shkëlqen çdo vit duke çuar shumë lart flamurin shqiptar. Kampionia jonë e botës nuk di të ndalet, por vrapon pa pushim për të arritur e para suksesin. Paçka se shpesh është ngacmuar nga dëmtimet, medaljet nga ajo nuk i munguan as këtë vit Shqipërisë.
Vijojmë me Eklent Kaçin, ku shumë pak flasin për të në vendin tonë, por që e njeh gjithë bota. “Snajperisti” i bilardos është kampion bote. Fati e tradhëtoi për disa kohë, por ia doli dhe tashmë ka nisur nga puna për të sjellë trofeun e radhës në Shqipëri.
Superliga shqiptare nuk mund të mos jetë markëtuesja më e mirë e mundshme për talentët e futbollit, por kjo nuk do të thotë që yjet mungojnë në vendin tonë. Elita e vendit tonë, pati fatin të shijonte spektaklin dhe golat e rrallë të një lojtari të madh si Raphael Dwamena. Në fushë kishte vënë pasionin dhe luajti deri në frymën e fundit. Humbi jetën aty ku ai e deshi më shumë, teksa sfidoi shëndetin me gjithë paralajmërimet e njëpasnjëshme.
Edhe Gersi Troka, si njeri me aftësi të veçanta, na dhuroi emocione në këtë vit kalendarik teksa u shpall kampion Noti për kategorinë e tij. Djaloshi kryeqytetas ia doli të merrte vendin e parë duke ngritur lart flamurin shqiptar.
Nuk mund të ishin jashtë listës edhe shahistja e talentuar Kler Çako, kampione e Europës dhe mundësi Zelimkhan Abakarov që u shpall kampion bote në kompeticionin e zhvilluar në Serbi. (VOTO KËTU)
Sezoni i parë në stadiumin “Arena e Demave” dhe Partizani u shpall kampion në majin e këtij viti. Gazment Demi është presidenti i Partizanit që bëri realitet ëndrrën e tifozëve, për të parë ndeshjet e Partizanit në shtëpi. Investimet e Demit te një prej klubeve më të dashura në Shqipëri, bëjnë që të jetë ai përfaqësuesi i Partizanit kampion në listën e Newsport.al.
Kreshnik Leka ka mbajtur lart pedanin e peshëngritjes shqiptare duke u shpallur kampion bote në stilin e shkëputjes, ndërsa Anxhela Çoba është volejbollistja shqiptare që ka shkëlqyer në kampionatin italian duke u shpallur kampione me ekipin e Imocos.
I fundit që mbyll këtë tablo është Këpuca e Artë e Superiores. Florent Hasani shkëlqeu në sezonin e shkuar me skuadrën e Tiranës duke arritur të mbajë majën e golashënuesve me 16 rrjeta të tundura.