Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.46% në terma realë, në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa deklaratat e qeverisë për bum turistik me 10 milionë turistë duken se nuk përputhen me rritjen ekonomike reale as të turizmit dhe as të ekonomisë në tërësi.
Rritja ekonomike prej 3.46% në tremujorin e dytë 2023 pason rritjen 3.23 për qind në tremujorin e dytë dhe 2.72% në tremujorin e parë. Kjo e çon rritjen mesatare ekonomike të vendit në rreth 3 për qind për periudhën 9-mujore.
Këto shifra janë në linjë me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare, por dukshëm më të ulëta se potenciali i ekonomisë, e cila këtë vit po përballet me një rritje të ngadaltë.
Por rritja e ngadaltë është vetëm njëra anë e problemit.
Ana tjetër ka të bëjë me faktin se sektorët që shpërndajnë mirëqënie në popullatën e gjerë si bujqësia apo industria janë në trend të gjatë dhe të pandalshëm rënieje.
Rritje betoni
Dega “Tregti, Transport, Akomodimi dhe Shërbimi Ushqimor” ku përfshihet pjesa më e madhe e shërbimeve turistike kontribuoi me 0.24 për qind në rritjen ekonomike të tremujorit që lamë pas. Një tjetër degë, e cila po ashtu lidhet me aktivitetin e turizmit, ajo e “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera”, u rrit po me 0.24 për qind.
Në total, kontributi i turizmit në ekonominë shqiptare, në tremujorin e tretë të vitit që përkon dhe me pikun e sezonit, rezulton më pak se 0.5 pikë përqindje. Kjo është shumë pak për një bum.
Në fakt, sektorët që kanë ndikuar më shumë janë Ndërtimi dhe Aktivitete të pasurisë së patundëshme. Sipas llogaritjeve të INSTAT, nga rritja ekonomike prej 3.46%, këto dy sektorë së bashku kanë sjellë mbi 1.1 për qind.
Me një fjalë, mbi 30 për qind e të gjithë rritjes ekonomike të vendit vjen nga ekonomia e betonit, ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm për mirëqenien reale të popullsisë, të tilla si bujqësia dhe manifaktura, janë në fakt në rënie. Madje bujqësia vazhdon një rënie të stërgjatë, me disa tremujorë rresht.
Sektori i bujqësisë pësoi një rënie me 0.5% në krahasim me një vit më parë. Sektori tjetër i goditur është manifaktura, e cila punëson dhjetëramijëra qytetarë dhe që në tremujorin e tretë pati rënie me gati 3% në krahasim me një vit më parë.
Manifaktura duket se është goditur në veçanti nga forcimi i lekut përballë euros, gjë që gjerësisht besohet se është pasojë e parave me origjinë të dyshimtë të investuara në ndërtim dhe prona të patundshme.