Një dokument i pazbuluar që lidhet me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët afrikanë është publikuar nga mediat italiane. Bëhet fjalë për raportin teknik të kampit të emigrantëve, i nënshkruar nga Biagio Mazzotta, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit, që zbulon me detaje çfarë përmban marrëveshja e firmosur nga Rama dhe Meloni në Itali.
Protokolli i nënshkruar nga Italia dhe Shqipëria ka një vlerë prej 230 milionë eurosh. Për më tepër, janë edhe 75 milionë të tjera për eksportin dhe lidhjen e sistemit gjyqësor italian me Shqipërinë. Fatura totale shkon më shumë se 300 milionë euro.
Sipas dokumentit, e terë zona ku do të ngrihet kampi i refugjatëve nuk është e pajisur me kanalizim publik. Për kanalizimin e ujerave të zeza, është e nevojshme të ndërtohet një rezervuar me kapacitet të përshtatshëm për të zbrazur periodikisht me një mjet përpunimi ose është e nevojshme të ndërtohet një impiant për pastrimin e tyre.
Zona është e lidhur me rrjetin elektrik publik në tension të mesëm përmes kabllove ajrore. Në dokument theksohet se rastet e mungesës së energjisë elektrike janë të shpeshta, prandaj është e nevojshme të furnizohet zona me gjeneratorë për furnizimin me energji elektrike dhe funksionimin e vazhdueshëm të kompjuterëve dhe serverave.
Uji i pijshëm merret nga një depo me një pompë, që nuk është e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë qendrën. Është e nevojshme të parashikohet ndërtimi i rezervuarëve për të siguruar ujin në kamp.
Zona në tërësi nuk është urbanizuar, prandaj është e nevojshme të ndërmerren hapa për largimin e dherave, prerjen e pemëve, shembjen e rrënojave ekzistuese, si dhe ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës, për hyrjen në zonë dhe brenda saj. Po ashtu, sipas marrëveshjes, përdorimi i personelit të Ministrive të Brendshme, të Drejtësisë, e të Shëndetësisë në Shqipëri, përfshirë udhëtime, ushqim dhe strehim, kërkon fonde shtesë prej 57,7 milionë eurosh. Sipas gazetës italiane l’Espresso, 10 Qendrat e Përhershme të emigrantëve në territorin italian kanë kushtuar 52 milionë euro për katër vjet, ndërsa transformimi i Shëngjinit dhe veçanërisht Gjadrit do të kushtojë të paktën pesë herë më shumë për pesë vitet e ardhshme.
Gazeta L’Espresso paralajmëron se do të ketë një shërbim të dedikuar tërësisht për marrëveshjen me Shqipërinë dhe çdo ditë do të publikojë ato që i cilëson si anët e errëta të paktit Rama-Meloni.
(BalkanWeb)