Përveç syve të gjelbër dhe dashurisë për artin pamor, Renea Gashin dhe Luiza Thaqin i bashkon edhe viti i lindjes: 1998. Ky fat ka bërë që dy artistet të ndiqen gjatë gjithë jetës nga etiketimi si “fëmijë të luftës”.
Kjo e përbashkët ka shtyrë Luizën dhe Renean të diskutojnë shpeshherë për ndikimin e luftës së fundit në Kosovë në jetën e përditshme. Së voni, ky interesim i tyre rezultoi edhe në një ekspozitë, të titulluar: “Thuaje për të më kujtuar, që të mos harrojmë”.
Në këtë ekspozitë, që zë vend në një hapësirë të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, shfaqen rrëfimet e grave që u bënë nëna gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe tregohen vështirësitë në të cilat ato kaluan. E gjitha kjo për një arsye: Luiza dhe Renea ndiejnë se historitë e grave shpesh përjashtohen nga diskutimet lidhur me luftën në vend.
“Gjithmonë dëgjojmë histori të luftës për luftëtarët, për tragjedi të ndryshme – histori këto që qëndrojnë. Por, e kemi parë që historitë e grave kanë qenë diskutim veç brenda shtëpive dhe mes grave”, thotë Luiza për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë përgatitjes së ekspozitës, ato intervistuan dhjetë gra. Qëllimi i tyre ishte që historitë e grave dhe vështirësitë e tyre të dëgjohen edhe jashtë katër mureve të shtëpisë.
“Kemi dashur ta krijojmë një vepër që u dedikohet nënave tona. Sepse, e kemi parë që edhe nëpër shtëpi, normalizohet kjo temë dhe minimizohet rëndësia e këtyre rrëfimeve. Dhe, për këtë arsye, kemi dashur ta nxisim një diskutim më të gjerë”, thotë Renea për Radion Evropa e Lirë.
Se si do të dukej ekspozita, u vendos nga rrëfimet e grave të intervistuara. Këto rrëfime dëgjohen vazhdimisht në ekspozitë.
Përmendja e shpeshtë e perdeve si mjet për t’i mbajtur dhomat e errëta dhe atë që ndodhte brenda shtëpive jashtë syve të publikut, bëri që dy 25-vjeçaret të përdornin perde si material për instalacionin.
Meqë gratë përmendnin se ato kishin kaluar nëpër nivele të ndryshme të vështirësive, perdet janë kapur me penj për të simbolizuar një rrugëtim nëpër nivele të ndryshme.
Për Renean dhe Luizën, citatet e grave të intervistuara janë pjesa më e rëndësishme e ekspozitës dhe, për këtë arsye, ato kanë tentuar që instalacioni të shërbejë vetëm si një mjet për ta qetësuar audiencën teksa i dëgjon rrëfimet.
Rrëfimet e padëgjuara të grave
“Lufta për krejt ka qenë e rëndë. Për askënd nuk ka qenë e lehtë, sepse vetë fjala luftë të tmerron. Por, për gratë shtatzëna ka qenë edhe një herë më e tmerrshme”, thuhet në një pjesë të audios që dëgjohet në atë hapësirë.
Kjo fjali ka mbetur në mendje të Luizës, për shkak se ajo simbolizon pikërisht rëndësinë e projektit, i cili ka nisur me nënën e saj dhe atë të Reneas.
Që në fëmijëri, të dyja mbajnë mend t’i kenë dëgjuar shpeshherë nënat e tyre duke treguar se si ka qenë e vështirë të sigurohen gjërat e nevojshme për rritjen e fëmijëve gjatë luftës.
Por, intervistat e realizuara këtë vit zbuluan shumë më shumë për përjetimet e dy nënave. Ato shpalosen në një libër të shkurtër, të publikuar bashkë me ekspozitën.
Kur nëna e Luizës, Vera, kishte shkuar për herë të parë për t’u kontrolluar gjatë shtatzënisë, më 1998, mjeku e kishte pritur me pyetjen: “A ke menduar për abort?”
“Kurrë jo, njerëzit po vdesin përjashta e unë ta vras fëmijën tim me dorën time…”, mban mend të jetë përgjigjur ajo.
Por, përkundër sigurisë se donte ta mbante fëmijën dhe ta rriste atë, Vera nuk ishte imune ndaj frikës.
“Prej vitit 1998 e tutje, ti nuk e ke ditur se çfarë të pret ditën e nesërme. Kur ka ardhur nata [në spitalin e Prizrenit, pas lindjes] ka pasur shumë pasiguri”, thotë ajo.
Gjatë kohës sa ishte në spital, rreth 30 kilometra larg, në Rahovec kishte ndodhur një masakër.
Sipas të dhënave të organizatës Human Rights Watch, bëhej fjalë për sulmet e zhvilluara në korrik të vitit 1998, kur ishin vrarë e plagosur shumë shqiptarë që kishin kërkuar strehim në Tehqen e Sheh Myhedinit në Rahovec.
Ndërkohë, rreth 80 kilometra larg Verës jetonte nëna e Reneas, Arijeta, e cila po përjetonte për herë të parë mëmësinë.
Shtatzënia dhe procesi i lindjes nuk kishin shkaktuar shumë telashe për të, pasi që, siç thotë, “edhe pse vinte era luftë, Prishtinën hala s’e kishte kapluar”.
Situata ndryshoi më 1999, veçanërisht pas 24 marsit të atij viti, kur filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë së atëhershme serbe.
“Atë natë kemi qenë tepër të shqetësuar. I kishin afër këtu do rezerva të naftës dhe një fabrikë. Gjuajtja e parë ka qenë e tmerrshme, u dridh krejt banesa edhe thamë me vete: ‘shkuam…’”, kujton Arijeta.
Ajo mban mend se e kishte veshur Renean dhe e kishte bërë gati, në rast se do t’i duhej të iknin nga shtëpia shpejt e shpejt.
“Unë nuk isha edhe aq mirë për shkak të stresit të madh. Tepër u lodha, u lodhëm krejt”, thotë ajo.
Tani, gati 25 vjet më vonë, vajzës së saj i pëlqen të mendojë edhe për aspektet pozitive që ka nxjerrë nga rrëfimet e grave të intervistuara.
“Nuk përmendet sa duhet se qysh janë gjendur gratë në ato momente. Për shembull, diçka që e përmendin shumica, është lidhja që e kanë pasur me gratë e tjera: me motrën, kunatën, nënën, vjehrrën… Sa shumë i kanë ndihmuar njëra-tjetrës për t’i kaluar momentet e vështira, si fizikisht, ashtu edhe psiqikisht”, thotë Renea.
Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka të dhëna për lindjet në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, mirëpo në vitin 1997 kishin lindur gati 43 mijë foshnje, ndërsa një vit më parë mbi 46 mijë.
Ekspozita – e përkrahur nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme – u hap më 15 dhjetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 20 janar.
Hyrja është falas për publikun, ndërsa dy artistet rekomandojnë që vizitorët të qëndrojnë 25 minuta në ekspozitë për ta dëgjuar gjithë audion e rrëfimeve.
Nga të gjitha reagimet e marra deri më tani, Luiza veçon mesazhet që ka marrë nga gratë e intervistuara.
“Na kanë thënë që po u vjen shumë mirë që e kemi marrë iniciativën për ta diskutuar këtë temë. As atyre s’iu kishte shkuar në mendje të flisnin për të. Por, pasi i kemi kontaktuar, e kanë kuptuar që njëmend është temë e rëndësishme”, thotë Luiza.