Kryetarja e Komiteti të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në “Lajmet e Fundit” në RTK ka folur për zgjedhjet në Serbi, të mbajtura më 17 dhjetor.
Ajo tha se rezultatet e zgjedhjeve janë të tmerrshme për opozitën dhe në përgjithësi për Serbinë, duke qenë se SNS-ja ka fituar një shumice të madhe, madje nuk ka nevojë as për ndonjë parti për koalicione.
“Këto zgjedhje ishin të lira, por nuk ishin të drejta”, deklaroi Biserko, në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Ajo më tej vuri në pah se partia e cila fitoi zgjedhjet ka dominim të plotë në medie e në resurse shtetërore, pastaj presionet, frikësimet, që kanë dhënë këtë rezultat në zgjedhjet e fundit.
Biserko tutje theksoi se këto zgjedhje i ka kërkuar vetë opozita, të cilat Vuçiqi i pranoi, me idenë se Perëndimi nuk mund të bëjë asgjë pa të.
Ajo shtoi se zgjedhjet në Beograd janë kontestuese, sepse mendohet se kanë pasur vjedhje të mëdha në vota.
Biserko, mes tjerash, bëri të ditur se Vuçiqi në Beograd fitoi me një rezultat të ngushtë.
Ajo vuri në dukje se koalicioni opozitar serb “Serbia kundër dhunës”, po proteston para Komisionit Zgjedhor në Beograd.
Biserko: Serbia, larg përmbushjes së detyrimeve të BE-së në raport me Kosovën
Biserko foli edhe për Kosovën, që, sipas saj, Serbia ka marrë një detyrim nga BE, që “duket se është i largët”.
Ajo u shpreh skeptike për zbatimin e reformave për një Serbi evropiane. Fitorja e Vuçiqit nënkupton se nacionalizmi dhe populizmi është i fortë në Serbi.
“Asnjë parti nuk e ka mohuar “botën serbe”, e, mbi të gjitha, të gjitha ato janë deklaruar në mënyrë të keqe për Kosovën, askush nuk e ka mbështetur ‘Marrëveshjen franko-gjermane’. Pra nuk kam ndonjë pritje të madhe që dialogu mes Kosovës e Serbisë të lëvizë në një drejtim pozitiv, përveç nëse Amerika të mos ketë letër në dorë ose një mënyrë për të shtyrë Vuçiqin që ta implementojë marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit”, deklaroi Biserko.
Për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Biserko shtoi se nuk ka dëgjuar ndonjë ide për këtë çështje.
“Nuk dëgjova ndonjë ide se si të kthehet Kosova në Serbi. Ata janë të vetëdijshëm se është e pamundur dhe, në fakt, ky është një instrument për të qëndruar në pushtet”, deklaroi Biserko, derisa shtoi se në Beograd ende mendohet për idenë e ndarjes së Kosovës e që, sipas saj, kjo shpresohet të arrihet nëse presidenti Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ajo theksoi se Perëndimi do të përpiqet ta shpejtojë këtë dinamikë për të arritur një rezultat, por që nuk precizoi se si do të arrihet deri aty.
Biserko: Serbia ka lëvizur prapa, janë rrënuar të gjitha standardet demokratike
Biserko tutje ka thënë se derisa Serbia nuk integrohet në NATO dhe të garantojë një lloj stabiliteti për rajonin, rajoni do të jetë jostabil.
Ajo tha se Serbia ka lëvizur prapa dhe të gjitha standardet dhe kriteret që e kualifikojnë vendin si demokratik, janë rrënuar.
“Pra përfundimisht Serbia nuk është vend demokratik, është vend autokratik i cili ka problem me media, me mendimin kritik, me të drejtat e njeriut dhe me respektimin e pakicave”, tha Biserko duke shtuar se në Serbi është krijuar një atmosferë shumë e pashëndetshme dhe vendi po zbrazet nga të rinjtë dhe jo vetëm nga ta, por nga të gjitha moshat.