Suzana, Handani dhe Nermini, sot janë të shtyra në moshë, por dikur, vajza nga një familje e kamur, ato kishin secila nga një dhunti: në tenis, muzikë dhe gjuhë të huaja. Edhe pse fis me ish-diktatorin Enver Hoxha, pas arratisjes së të vëllait, ato do të internoheshin në fshatin Savër të Lushnjes.
Nga aq pak sa kujtojnë, ato tregojnë kohët, kur Enver Hoxha hynte e dilte në shtëpinë e tyre, derë më derë në lagjen Palorto në Gjirokastër, për të dëgjuar radion në stacionet e huaja.
Ndërsa babai i tij, xha Mullai, u administronte pronat që kishin në qytetin e gurtë. Edhe sot, ajo që është më e moshuara ndër tri motra, Handan Hoxha, tenistja e parë femër në Shqipëri, vazhdon të jetë në qendër, të të gjitha lëvizjeve në shtëpi.
Suzana, Handani dhe Nermini
******
Sado që i ka kaluar 85 vite jetë, ka mbetur më e shkathëta. Është ajo që ngrihet e para nëse duhet mbyllur një derë, nëse duhen sajdisur miqtë me qerasje, nëse duhet gjetur ndonjë foto e vjetër nëpër sëndukët e vegjëlisë… është më elegantja. Ato 15 vitet që është marrë me sport, kanë lënë ende shenja në fizikun e saj. Motra më e madhe, Suzana, ndryshe Suzi, siç e thërrasin të gjithë, ka qenë dikur mësuese e teorisë së solfezhit, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Më e vogla, Nermini, është marrë gjithnjë me gjuhët e huaja.
Ende sot që është në prag të të 80-ave, vazhdon të ketë 2 nxënës, të cilëve u mëson anglishten. Të tria motrat, dikur, aq vite larg, sa e kanë të zorshme ta kujtojnë, jetonin të lumtura në shtëpinë e tyre të madhe, fare pranë Liceut Artistik. Mësonin gjuhë të huaja, me mësues privat, merrnin mësime sporti, kalonin pushimet në një nga 4 vilat e vetme në plazhin e Durrësit, derisa gjithçka u ndërpre, si me thikë. Çifligjet e trashëguara nga i gjyshi, e patën kohën e artë për shumë pak kohë!
Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpi e çifligje, sado që, siç mund të hamendet nga mbiemri i tyre, Hoxha, ishin të afërmet e ish-diktatorit komunist shqiptar. Me shtëpitë përballë në Gjirokastër, prejardhjen e përbashkët, e me hyrje-dalje familjare, prej tij morën “pajën” e vetme, që të tria patën në jetë, 30 vite e, 6 muaj internim. Asnjëra prej tyre nuk u martua kurrë. Jetojnë prej 23 vitesh, që kur u kthyen nga fshati Savër i Lushnjës, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai kishte ndërtuar. Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu.
Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, pranojnë të flasin, duke thënë vazhdimisht që; “kemi nevojë për qetësi, nuk duam intervista”. Sidoqoftë, rikthehen edhe një herë në ato vite që tashmë u shfaqen mjegullt, sepse datojnë që në kohën e Zogut…, kur jeta e tyre ishte e ndritur. Pyetjeve u përgjigjet kryesisht më e madhja, Suzi. Në rast se nuk e ka dëgjuar mirë, Nermini ndërhyn, t’ia përsërisë edhe një herë. Ndërsa Handani, rri thuajse pa folur në kolltukun e saj të rehatshëm. Gjallërohet vetëm, kur fjala shkon te sporti, kryesisht tenisi, dashuria e saj e parë dhe e vetme.
“Ç’bëmë” ishte ajo e të parëve tuaj, që ju dënoi për 30 vite?
Ishin 30 vite e 6 muaj (ndërhyjnë të saktësojnë të tria thuajse një zëri). Ishte fundi i vitit ’59-të, kur erdhi kamioni me policë në shtëpi, e na ngarkoi për të na transferuar në Savër të Lushnjës.
Nga ju erdhi persekutimi, nga babai, gjyshi…
Në fakt, historia nis që nga gjyshi, sado që arsyeja e fundit ishte prej vëllait. Gjyshi ynë kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babain në Janinë, në shkollën “Zosimea”. Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ish-diktatori (Enver Hoxha) e përmend edhe në kujtimet e tij, që mësimet e para i ka marrë prej babait: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë.
Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte”, siç shkruan fjalë për fjalë. Mandej, babai u zhvendos në Korçë, ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ’30-të, më pas erdhi në Tiranë, si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare, ku ishte përgjegjës i Thesarit.
Nga ç’shkruhet e nga ç’thoni ju, pasuria ka qenë “dëmi” i parë…?!
Po, por nuk u shfaq menjëherë. Jetuam për pak vite mirë, ashtu siç ishim mësuar gjithnjë. Mësonim gjuhë të huaja, me mësues privatë, shkonim gjithnjë për pushime, luanim sport. Handani ka qenë shumë e mirë në tenis, e para femër shqiptare që e ka ushtruar këtë sport, stërvitej më Sali Nallbanin.
Vetëm atë ëndërr kishte, që të bëhej tenistja më e mirë dhe të përfaqësonte vendin e saj, nëpër gara ndërkombëtare. Por, përveç kësaj, luante edhe basketboll, volejboll, ping-pong. Aq sa vëllai ynë, sajoi një fushë të vogël ping-pongu, që e vumë në oborrin e shtëpisë.
A nuk ishte shumë për kohën gjithë kjo liri që ju jepte babai?
Kuptoni, që njerëzit përreth babait, ishin të gjithë aristokratë, edhe ata që luanin tenis po ashtu. Tenisi ende edhe sot konsiderohet, si sporti i shtresave të larta, jo të gjithë e luajnë. Asgjë s’i pengon në këto kohëra, por fakti që nuk e bëjnë, do të thotë diçka. Të gjithë kanë luajtur qoftë edhe një herë basketboll apo volejboll, tenis jo. Duke qenë të rrethuar gjithnjë nga njerëz të tillë, nuk ndihej se bënim ndonjë të “pabërë”.
Natyrisht që mund të kishte ndonjë rast që i çonte fjalë babait, se ç’ishin gjithë këto lukse, që po na mësonte, por ai ishte krejt indiferent. Babai ynë ishte “modernisimo” (nga italishtja, shumë modern), nxiton të shtojë Handani, meqenëse biseda ishte fokusuar te sporti, e vetmja pikë ku indiferentizmi i saj, tashmë edhe prej moshës, ngacmohej}
Gjithë këto, kanë ndodhur përpara ’44-s, apo jo?
Po, por edhe pak vite më vonë, me gjithë që nuk luanim sport, jetuam mirë. Unë (Suzi) studiova në Lice dhe arrita të diplomohem. Po aty nisa më pas të jap mësim dhe të realizoj me shumë vështirësi, librin e parë të mësimeve të solfezhit në Shqipëri. Libër që natyrisht, kur u internuam, u hoq nga qarkullimi.
Kam takuar ish-studentë të mi pas ’90-ës, që më kanë falënderuar, për mundësinë që u dhashë me atë libër. Pastaj mësoja me sovjetikët, sepse Nermini, dinte mirë rusisht dhe më ndihmonte me përkthimet.
Kur ndodhën tronditjet e para?
Menjëherë pas ardhjes së komunizmit. Babai atë kohë kishte ardhur në Tiranë, në Bankën Kombëtare. Tentuan qysh në atë kohë ta fusnin dy herë në burg, por nuk ia dolën. Ishim të padëshiruar që në ato fillime, sepse nuk ishim familje e varfër, kjo ishte e “meta” jonë. Më kujtohet që drejtor i Bankës Kombëtare, atë kohë ka qenë një Italian, që i thoshte babait “eja në Itali, mjaft ndenje këtu, sepse ke prona e, do të të kenë përherë në sy”, dhe në fakt ashtu ndodhi. E hoqën menjëherë nga pozicioni që kishte dhe e lanë llogaritar si fillim. Pastaj, në ’51-shin, erdhën na hoqën nga vila që babai kishte ndërtuar, e na çuan te hauret e Ali Begesë.
Kujtoj që erdhi në shtëpi i ati Enverit, i shkreti xha Mulla, si sot e kujtoj. I merrej goja, madje kur nervozohej, i ikte fare. “Ku, ku, ku, po i çoni”, u thoshte. Xha Mullai ka qenë njeri shumë i mirë, ishte ai që ka administruar edhe atë pasuri që kishim në Gjirokastër, përpara se të na e merrnin. Shtëpinë tonë në lagjen “Palorto”, përballë me të tijën, që në ato kohëra ka qenë krejt njësoj si të tjerat, pastaj kur i erdhi radha të hipte në fron, e bëri ashtu siç deshi. Nejse, ai s’pyeste ç’i thosh i ati, vrau e preu njerëzit e derës së tij, jo ne.
Po edhe ju fis me të ishit, a kishit pasur hyrje-dalje familjare?
Në kohën që babai ka punuar drejtor banke në Korçë, Enveri ishte në Liceun Francez. Natyrisht që njohja mes të dyve, kishte qenë që kur Enveri ishte fëmijë, për këtë arsye e, meqenëse ishim të afërt dhe sidoqoftë ishte djalë nga Gjirokastra, vinte gjithnjë në shtëpi, na tregonte mamaja.
Ajo gatuante për të, e për djemtë e tjerë, si; Vedat Kokona, djali i hallës sonë, Asllan Beja (babi i Fatos Bejës, ish deputet e nënkryetar i Parlamentit, para pak vitesh), vëllai i Liri Gegës, etj., që vizitonin shtëpinë për të lexuar, marrë ndonjë libër apo, për të dëgjuar stacionet e huaja në radio. Ata flisnin frëngjisht e italisht, edhe radiot, në këto sinjale stacionoheshin.
Kur ju internuan, në Savër…?
Siç ju thamë, jetuam për disa vite në hauret e Ali Begesë, këtu në Tiranë, më pas, pati një ngjarje tjetër. Vëllai ynë, që s’pranonte, ashtu si të gjitha ne, asgjë prej atij regjimi, u arratis. Bleu si fillim një motor, që t’ia vinte ndonjë varke të vogël e, të ikte nga deti por, meqë ashtu rrezikohej të spiunohej, iku në këmbë. Siç na tregoi, kur u takuam pas ’90-s, kishte ikur nga mali i Dajtit, në këmbë, deri në Jugosllavi. Nuk na çuan menjëherë në Savër. Na lanë 2 muaj, sepse përpiqeshin të përdornin babain, për ndonjë informacion. E panë që s’doli gjë, na hipën në kamion e, na çuan në Lushnje.
Kushdo do të tentonte, të paktën për njohjet e miqësinë që kishin pasur, të ndërhynte për t’i shpëtuar gjithë kësaj, edhe sikur të dështonte. A e bëri babai juaj këtë gjë?
Jo, asnjëherë, iu dorëzua fatit të tij dhe as që e mori mundimin. Sidomos, pasi mori vesh që vëllai kishte mbërritur mirë te daja ynë, në Amerikë, që kishte ikur që përpara Çlirimit.
Si e mori vesh, nga ju vinin informacionet?
Daja dërgonte letra të koduara dhe ne e kuptonim. Për shembull, njoftimi për mbërritjen e Asafit (kështu quhej vëllai, kishte marrë emrin e gjyshit) ishte: “Drita lindi djalë, është i shëndoshë”. Bashkë me copat e letrave, na vinin edhe të holla, çka bënë që, të mos e vuanim internimin njësoj si të tjerët, por të jetonim relativisht mirë. Me ato që kemi dëgjuar më vonë apo, edhe në atë kohë, për kampet e Tepelenës e të Porto Palermos, themi se me siguri, do të kishim vdekur.
A punonit në internim?
Babai jo, tentoi një herë të mbillte grurë, po nuk dinte dhe nuk u morën më. Mamaja jo. Handani, doli një ditë të vetme dhe në darkë tha, le të vijë Enver Hoxha vetë këtu, të më pushkatojë, unë nuk dal më në punë. Unë me Nerminin, pamë ç’pamë, se po na tërhiqesh edhe vërejtje, pse familja Hoxha nuk punonte, dhe dolëm në punë, por jo sepse kishim nevojë për para.
Punuam në rrallim pambuku, punë që unë nuk e pata të vështirë, sepse i kisha të shkathëta lëvizjet e gishtave, prej pianos. Më pas në rregullim arkash e, kështu me radhë… punë jo të vështira.
Nga këto që tregoni, ndihet një farë tolerance. Po të donin, pas arratisjes, mund t’ju kishin bërë shumë më shumë. Ka të bëjë kjo me mbiemrin që mbani?
(Të tria motrat qeshin. Kush më herët e kush më vonë, sepse jo të tria mundën ta dëgjojnë pyetjen për shkak të dëgjimit të dobët. Ama kur e kuptuan, reagimet i patën të menjëhershme dhe krejt njësoj, për shkak të kujtimit që iu rikthye, si të ishte dje.)
Nisur nga mbiemri, babain e pyesnin dhe thoshin përherë, se ai ishte xhaxhai i Enver Hoxhës dhe se i biri, nuk ishte i arratisur, por ishte i dërguar nga shteti në Amerikë, prandaj edhe ne kishim lehtësira. Babai kundërshtoi sa kundërshtoi, pastaj tha; “Po, xhaxhai i tij jam”. Kur e pyetëm ç’ish ajo që tha, u përgjigj: “Epo mirë bëra, le të turpërohet edhe ai, siç na turpëroi ne”.
Në 30 vite, nuk pati asnjë ngjarje që të lëvizte ujërat, t’ju jepte një shpresë?
Pati, pas 6 vitesh. Demek na liruan, na dhanë një pasaportë që tregonte, se mund të lëviznim në të gjitha qytetet, përveç Tiranës. Suzi (tregon Nermini) shkoi në Durrës, ku filloi sërish mësuese muzike dhe ndërkaq, po përpiqej të gjente shtëpi të na tërhiqte edhe ne. Në këto përpjekje, unë pata një dhimbje dhëmbi dhe dentisti më thotë, se duhet të bëja një radiografi, çka ishte e mundur vetëm në Tiranë. Të mos e zgjas, pas shumë peripecish, e marr lejen dhe nisem. Rrugës, diku nga Rrogozhina, më ndalin e më thërrasin në Degë të Brendshme.
Më kërkuan të bëhesha pjesë e Shërbimeve Sekrete komuniste (Sigurimit të Shtetit). Ç’të dëgjoja lart e poshtë, ta raportoja. Pasi ma thanë mua dhe e refuzova, mësova se kishin bërë të njëjtën gjë, edhe me babanë, prandaj po bënin sikur na nxirrnin nga internimi. Kjo ishte ngjarja e vetme, Suzin e rikthyen në Savër, babai vdiq një vit më vonë, e ne ngelëm 4 femra aty. Por të paktën, nuk kishim nevojë për të holla. Po të 4-ta, dolëm nga internimi dhe erdhëm në këtë shtëpi që jetojmë sot. Mamaja vdiq në ’94-ën.
Po villain, kur e takuat?
Menjëherë sapo u krijuan mundësitë, pas vitit 1991, ai erdhi bashkë me familjen. Shkuam, ashtu të gjithë bashkë edhe në Savër, sepse donte të shihte, ku kishim jetuar gjithë ato vite. Pastaj, më vonë, kemi vajtur e kemi ardhur shpesh në Amerikë, si ne, si ai.
Kur ju internuan, të tria ju keni qenë vajza të reja, të bukura e të shkolluara. A latë përgjysmë ndonjë histori dashurie në Tiranë?
Jo, atëherë mendonim se ishte herët, pikërisht për këtë emancipimin që kishim, ndryshe nga të tjerat. I kushtoheshim punëve, argëtimit.
Po atje, në Lushnjë? 30 vite, janë një jetë…! Nuk krijoi asnjëra prej jush, asnjë lidhje…?!
Jo, jo. Atje, jo që jo. Ne ishim të mësuara ndryshe, niveli i bashkëvuajtësve tanë, ishte krejt tjetër me atë tonin. Ka ndodhur edhe të na kenë kërkuar, për t’u martuar në internim, por asnjëra nuk ka pranuar. E mblodhëm mendjen, që do të jetojmë vetëm dhe, siç e shihni, ashtu kemi bërë.
Meshkujt, martesa, iu duk tema më e largët nga gjithë ato ç’kishim folur. Po aq e largët, u është edhe rinia, kur me siguri, për secilën, pak apo shumë qoftë, stomaku është ngushtuar e, mendja bën numra. Asgjë më s’kujtojnë. Jetojnë të tria me huqet e njëra-tjetrës. Handan-i, emri i së cilës, prej arabishtes, përkthehet “optimiste, e qeshur”, është vërtet më e qeshura ndër të tria. Nermin-i, është qibarja, ndërsa Suzan-a, e zjarrta (të tri emrat janë pa nyjë shquese, pra pa zanore fundore). Babai, u zgjodhi emra arabë, nga ata që për herë të parë, tingëllojnë si meshkujsh, por kuptimet e të cilëve, sikur u parashkruan jetën. Cilësitë e njërës, kompensuan mangësitë e tjetrës. Ndryshe, bashkëjetesa për më shumë se 80 vite, nuk do të kishte. /Memorie.al Nga Ani Jaupaj