Autoriteti i dosjeve thotë se ka deklasifikuar rreth 30 mijë dokumente që lidhen me vdekjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu.
Reagimi:
Këto që po lexoni janë disa nga mendimet e diplomatëve të përfaqësive perëndimore, të cilët janë survejuar nga ish-Sigurimi i Shtetit. Bisedat e bëra mes tyre i shoqëron shqetësimi se nuk po tërheqin dot konkluzione të sakta mbi shkaqet e ngjarjes dhe dilemat e tyre ia komunikojnë shtetasve shqiptarë me të cilët mbanin kontakte pune e shërbimi.
Sot 42 vjet nga vdekja e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, krahu i djathtë i diktatorit në Shqipërinë komuniste, bashkëpunëtor në krime, por edhe viktimë e pushtetit, Autoriteti deklasifikon mbi 30 mijë faqe dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat janë krijuar për të dhe familjarët e tij. Vdekja tragjike e tij u pasua nga ajo e djalit Vladimir dhe bashkëshortes, Fiqerete Shehu. Të gjitha vdekje të errëta, me hijen e rëndë të dyshimit se ishin vrasje me urdhër nga lart, por që në dokumente zyrtare u paraqitën si vetëvrasje. Deklarimet e mbledhura, mes të cilave dallohen edhe tezat e hedhura nga vetë strukturat e pushtetit për të lëshuar sa më shumë mjegull mbi të vërtetën, një mjegull që ende nuk është daravitur pas katër dekadash mister mbi vdekjen tragjike të ish-Kryeministrit të vendit, gjenden në dokumentet e deklasifikuara së fundmi dhe janë gati t’i shërbehen studiuesve në zbatim të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar.
Përveç dokumenteve të proceseve hetimore e gjyqësore të gruas dhe fëmijëve të ish-Kryeministrit, dokumentet që deklasifikohen sot mbajnë informacione të krijuara nga Drejtoria e Parë e ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me aktivitetin e ish-Kryeministrit, komente rreth vetëvrasjes, regjistra të internim-dëbimeve, të krijuara pas vdekjes së Kryeministrit, në janarin e vitit 1982 dhe të mbyllura në vitit 1990. Për ish-Kryeministrin ka 18 volume me dokumentet ndërsa për gruan e tij 5 volume.
Për historiografinë komuniste Mehmet Shehu, Kryeministri i Shqipërisë prej më shumë se 3 dekada besnik i partisë, u kthye brenda natës në agjentin e disa agjenturave të huaja. Nga kjo ngjarje kanë kaluar 42 vjet. Për të është shkruar shumë, ish-drejtues të strukturave të Policisë Sekrete të kohës kanë nisur të flasin me siguri për vrasjen e tij, e megjithatë misteri vijon. Heqja e sekretit nga këto dokumente, 30 vjet pas rënies së komunizmit është një nevojë historike që ndihmon historianët dhe publikun të kuptojnë më mirë të shkuarën e errët. Autoriteti inkurajon studiuesit të njihen me këto dokumente dhe t’i ballafaqojnë ato me dëshmi dhe dokumente nga arkivat e tjera, brenda dhe jashtë vendit.