* * *
Ti fundi je i pritjes që s’ka fund,
Je prehja e shqetësimit që s’qetohet,
Sapo të shoh mërzia krahët shkund
Trishtimi i trishtuar larg largohet.
.
Aq shumë të dashkam sa as vetë s’e di,
O dashuri! O dritë e kësaj bote!
Sa herë dal në pasqyrë, për çudi,
Veten kërkoj, më del fytyra jote!
1967
NESËR
.
Gjithmonë më ka trishtuar fjala “nesër”
Kushdi ç’sjell… gëzim a lemeri,
E prapë si plak i urtë unë kam fjetur
Me shpresën se do zgjohem përsëri.
.
Se ç’bie koha… askush s’e ka gjetur,
Bën ca shaka që kurrë s’i pranoni,
Por mos u tall për një dashuri tjetër,
Askush s’e zbret Marien dot nga froni.
.
Por koha s’di të bëjë asgjë tjetër,
E unë në shtrat i qetë kam për të shkuar.
Dhe prapë buzagaz do zgjohem nesër,
Se nuk e le dot këngën pa mbaruar…
gusht, 2014
IKJA NGA QYTETI IM
.
Kam lënë atje dy portokaj të sapombjellë
Dhe nuk më lanë të shkoj për t’i rritur,
.
Ika… dhe të githa ëndrrat e mia
Rënkimi i tyre çdo natë m’i ka tronditur,
.
Ika dhe s’di si janë, a po rriten?!
As fëshfërimën e gjetheve s’ua dëgjoj dot…
.
Dëgjoj vetëm një sharrë e ulurimë shtrigash
Jetë e mot…
tetor, 2014
xxx
Jam një portokall i plakur,
I braktisur nga gjethet,
Lëkundem nëpër krahët
E katër stinëve
E ku të zbres nuk e di,
Por nuk do të vdes kurrë
Në atë zjarr që më ke ndezur ti…
Do të fluturoj, do të tundem
Stinë më stinë
Atje
Ku kam mbjellë këngët e mia
Atje
Ku nuk do të digjem asnjëherë
Dhe, i rinuar,
mund të ngjallem përsëri
Në degën që më përkundi
Gjer në përjetësi…
2019
MOS E KTHE KOKËN PAS
(Mikut tim Fatos Arapi)
.
Mos e kthe kokën pas edhe në qofsh i fundit!
Do të të vijë turp nga gjurmët që mbolle pa lavdi.
Mos i jep dorën kurrë dinakut që të mundi!
Mos qaj, nëse ke dhembje! S’të mëshiron njeri.
.
Mos e kthe kokën pas! Asgjë s’ke lënë pa parë!
Ato, që dot s’i bëre, janë tretur përgjithnjë.
Një dashuri të shkelur a një premtim të vrarë
Do t’i kesh pas si hije e s’i largon dot më.
.
S’do ta mësosh kurrë tradhëtinë që të mundi!
Nga mijëra pikëpyetje qielli me zjarr u mbush.
Edhe kur ta kuptosh, që je përherë i fundit
Duhet ta dish përjetë që pas të ndjek dikush.
.
MOLLA
Në autobus shëtis unë me tim bir
Dhe si fëmijë ai zë shpejt një shok,
Shokun që zuri sot unë e njoh mirë,
Është djali i asaj që e kam dashur fort.
.
E desha, por ajo donte një tjetër
Dhe kaq se jeta s’mori fund.
I lumtur jam në shtëpinë e shtrenjtë
Asnjë gjurmë dhimbjeje s’duket asgjëkund.
.
Dhe më vjen mirë, oh, sa më vjen mirë,
Që tani është e lumtur edhe ajo.
I biri bisedon sot me tim bir,
Për lodrat, për makinat, për ҫfarëdo.
.
Nuk ia urrej aspak burrin që mori,
Jam gati që ta njoh e ta zë mik,
Të bisedoj me të dhe disa orë
Për vitet tona që ikën vërtik.
.
Jam gati. Jeta është kaq e mirë,
Ai që do shpejt lumturinë e gjen.
Kënaqet djali i saj sot me tim bir
Nga lumturia syri u shkëlqen.
.
Ai në sy i përngjason asaj,
I lumur qofsh! Me shpirt i bëj urim.
Nga xhepi nxjerr një mollë e ua ndaj
Gjysmën atij, gjysmën djalit tim.