Me poezinë “Përcjellja e vargjeve” Kadare hap librin “Shekulli im”, si më i bujshmi në historinë e poezisë shqipe. Askush s`ia mori për narcizëm pse shekullin po e quante të tijin, edhe pse i përkiste një vendi të izoluar. Në fakt, me përcjelljen e vargjeve, 25 vjeçari po parathoshte fatin e tij. Mu kujtua kjo poezi, kur vendosa në raftin e librave kompletin e librave të Kadaresë botuar nga “Onufri” i Bujar Hudhrit. E shpejtoi idenë për të shkruar për këtë poezi një informacion, që, po qarkullon në rrjetet sociale për mijëra letra denoncuese (mall me shumicë) dërguar jurisë së Nobelit kundër Kadaresë i propozuar për çmimin Nobel në vitin 1993. E turpshme, sikur edhe një letër e vetme të ishte. (Në Kushtetutën amerikane ka një amendament, ku thuhet se askush nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtin faj. Romani “Dimri i madh” u sulmua në diktaturë si libër kundër vijës së partisë, kujtoni shkrimin e një Shalsi në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe tani në demokraci, kujtoni së fundi A. Vehbiun, që, e “kryqëzon” autorin si himnizues të diktatorit?!) Sulmet pas përmbysjes së regjimit kundër shkrimtarit duken si një ndjenjë revanshi: ju na rrëzuat “të lavdishmin”, ne do t`ju rrëzojmë “të famshmin”. Ilir Ikonomi në librin “Apostulli” shkruan se me iniciativën e Nolit në Boston u hartua një memorandum, i cili, iu dërgua presidentit Uillson, udhëheqësve të Fuqive Aleate në Evropë, Papës së Romës, etj, ku ndër të tjerave, shkruhej: “Grekët, pas një shekulli jete kombëtare, e kanë patur të pamundur të krijojnë një mjedis letrar, ndërsa shqiptarët kanë nxjerrë poetë e shkrimtarë të fuqishëm, si At Fishta, Andon Zako dhe Faik bej Konica, me të cilët nuk krahasohet dot asnjë autor modern i Ballkanit.” Edhe në Shqipërinë e analfabetëve, ende pa shtet, botës së qytetruar i afrohen si shembuj njehësimi me të, shkrimtarët. Nuk mund të mos bëj përshtypje, që, Noli, si hartues i saj përmend: Konicën. “Vdiq Naimi po kush mbeti?/Si Naimi s`ka të tjerë.”-do vajtojë Çajupi. (Me Kadarenë ndodhi krejt ndryshe: e promovuan evropianët dhe po duan ta “çmitizojnë” ca shkrimtarucë, që po t`i lexosh: të hiqen si korifenj. “Xhuxh nga vlerat dhe luan nga dëshirat”-do i cilësonte të tillët, Noli.
Ishim mësuar të lexonim poezi, se si përcillej djali në luftë, vajza nuse, burri në emigrim, por, një përcjellje vargjesh nga poeti, zgjoi habi. Por ajo që i kthen këto vargje në profeci është arritja e tyre në panteonin e vlerave, pikërisht ky komplet librash, prania e shkrimtarit tonë në pritje të Nobelit. Si të presësh një anije kozmike të rikthehet shëndosh e mirë nga hapsira. Nuk po them për asteroidë, që godasin tokën.
Më ndiqni për ta shijuar këtë poezi nisur qysh nga viti 1961 për tek e sotmja drejt një udhëtimi që s`ndalet. “U nisët,/Rruga është e gjatë/Në të ka dhe diell dhe ujq dhe natë/Shkëlqejnë vetëtima të rreme lavdije.” Autori i përkiste një vendi të vogël, një rrugë kaq e gjatë shkonte përtej kufijve, andej nga pritej t`i vinte fama. Njësoj e rrezikshme për këtë udhëtim të gjatë, si vetëtima të rreme lavdije dhe thatësira, asketizmi i skematizimit, shterpëzimi. “Do të jepni shpirt, duke më mallkuar./Që më të fortë nuk iu bëra?” Në fakt, mallkimet do t`i merrte nga kritizerët, që s`di pse më ngjajnë me ato kanaçet, që dasmorët vënë pas veturës. “Në secilin jush/Ca gjak dhe copa nervash vura/Dhe një dorë baltë Shqipërie/Që mbi dhe,/Kushdo që t`ju pjekë vendeve të huaja/Mos guxoj t`ju quajë/Person pa atdhe.” Nuk thotë person pa parti, por, pa atdhe, o baltarakë! “Nuk desha që rimat në fund të fjalëve/T`ju thërrasin “Gatitu!”/“Eja në radhë!”/Siç u thërrasin rreshterët ushtarëve.” (Kapterët hanë gjerneralët.) Këshilla, që në diktaturë jepej më shpesh, ishte: “Aty me shokët! Futu në rresht!” Kadare s`ishte si shokët dhe në rresht s`u fut kurrë! “Shtegtoni me kryet lart,/Kasketën mënjanë/Të fortë, sypatrembur, të dëlirë!/Rrugës në pjekshi/Migjenin, Majakovskin dhe Uollt Uitmanë/“Salut!” u thoni/“Salut”, o të mirë!” Mirë Migjenin po e takonin në Shkodër, Majakovskin e takoi kur ishte me studime në Moskë, po Uollt Uitmanin? Nëse shtegtimi i vargjeve do pasqyrohej në hartë i bie, që arti i tij të “pushtonte” botën, sikurse dhe ndodhi. “Në pafshi si vdes rrugës ndonjë strofë e brengosur/Ikni më tej/Ajo le të vdesë/Mëkati për të mbi mua le të mbesë.” Dhe ja ku jemi, kompletit të librave i mungon romani “Dasma” dhe disa poezi, që P. K-ja i përmblodhi në librin “Autobiografia në vargje e Ismail Kadaresë”. (Edhe në trupin e femrës më të bukur gjen zorrë, shkruan një i ditur duke iu referuar zorraxhinjëve.) Në 7000 faqe përmblidhet e gjithë krijimtaria e Kadaresë dhe autobiografia e tij qënka në ca poezi e në ndonjë roman?! Djaloshi Kadare e kishte parashikuar rënien e disa prej tyre për shkak të thatësirës së skematizmit, çakrnjëve cmirëzinjë dhe ujqërve të censurës. Kur shkruaj kështu për Kadarenë e di që armiqtë e tij bëhen njëherësh dhe armiqtë e mi. Nuk më ndodh vetëm me Ismailin kjo dukuri. Ngaqë s`kanë ç`t`i bëjnë atij, ndodh ta tërheqësh ti zjarrin mbi vete. Janë mësuar: t`ia hapin rrugën vetes, duke ia mbyllur të tjerëve. Vetëm kaq do u thosha: nëse i keni përcjellë edhe ju vargjet për rrugë të gjatë, dilni dhe i prisni…