Sepse deri më tani ka pasur një konsensus të gjerë për atë se ligjet ne i kemi të mira, se prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë nuk se u ka munguar ligji për të bërë drejtësi, por se për këtë ka ndikuar sistemi që korrupton edhe të ndershmit (po perifrazoj Edi Ramën) – që do të thotë një kompleks faktorësh: duke filluar nga ekonomia kriminale që ka kapur partitë, mediet, Drejtësinë, elitat; e që punojnë të gjitha si një sistem i vetëm në një “shtet të kapur”. Dhe kjo pyetje, kuptohet, lidhet me pyetjen tjetër: a ka gjasë vallë që duke ndryshuar disa ligje kushtetuese në kapitujt e Drejtësisë dhe Prokurorisë, që do t’i hapin rrugën disa ndryshimeve strukturore dhe njerëzore në këta institucione, do të fillojmë ta zhbëjmë këtë sistem shteti të kapur, apo reforma po manipulohet nga mafia në pushtet për tu përdorur për qëllime që mund të na çojnë edhe më poshtë humnerës së shtetit të së padrejtës?
Për të sqaruar këtë u ula të lexoj një version të Kushtetutës, që i është dërguar Venecias, që jepte mundësinë e ballafaqimit të së vjetrës me të renë, pasi aty qenë integruar projekt amendamentet në mënyrë të tillë që me germa të zeza ishte shkruar çfarë mbetet e pandryshuar nga kushtetuta e vjetër, me të kuqe çfarë propozohet të shtohet dhe me të kuqe me një vizë në mes çfarë propozohet të hiqet. Këtë e krahasova pastaj edhe me ndryshimet e propozuara pas Venecias.
Disa krahasime
E para gjë që më duhet të them është se në draft gjen shumë pika të shtuara me kërkesat për integritetin, kontrollin e pasurisë, transparencën e procesit të zgjedhjes, profesionalizmin, të qenit pa parti, të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por kushdo që e jeton realitetin shqiptar dhe që e di shumë mirë se sa pak njerëz të pamilitantizuar, të pasuruar me ndershmëri, të aftë profesionalisht, të pashantazhueshëm ka ky vend dhe se sa transparencë bëjnë mediet tona, i lexon këto thjesht si retorikë që bash përsëritja dhe ripërsëritja i bën të pavlefshme – sipas asaj thënies: mos i beso atij që një dy e bën be. Prandaj dhe unë u përqendrova tek çfarë ndryshimesh substanciale ka mbrapa tyre me merakun kryesor: kërkimi i ndryshimeve që do të mund të më tregonin nëse reforma e rrit pavarësinë e Drejtësisë nga politika apo e rrezikon edhe më kapjen e saj.
Në këtë kontekst kërkova pikat ku ka pikuar çatia e vjetër e Drejtësisë sonë. U ndala më së pari tek ndryshimet e propozuara për Këshillin e Lartë të Drejtësisë që ka qenë i fajësuari kryesor. Sipas tekstit në të zeza ai përbëhet nga 15 vetë, ndër të cilët 9 anëtarë zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore, 3 nga Kuvendi, plus Presidenti (që është dhe Kryetari), Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë. Sipas ndryshimeve të propozuara me të kuqe tani ky quhet Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe përbëhet nga 11 vetë. Ndër këta 6 zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve kurse 5 të tjerë përzgjidhen nga radhët e juristëve, avokatëve, pedagogëve, noterëve, shoqërisë civile, por vini re, votohen me 3/5 nga Kuvendi (dmth. politika). Kryetari zgjidhet me votim të 11-shes dhe duhet të jetë njëri prej 5-shes të anëtarëve jo-gjyqtarë të votuar nga politika.
Duke bërë krahasimin, përsa i përket garancisë së pavarësisë nga politika, duke llogaritur se (idealisht) 9 gjyqtarët tek aktuali mund të konsiderohen si të zgjedhur jo politikisht kurse të tjerët, duke përfshirë edhe Presidentin, politikisht, mua më del se kalojmë në një rritje të peshës specifike të politikës në zgjedhjen e këtij Këshilli – nga një formulë 9 – 6 në një formulë 6 – 5. Gjithë duke qëndruar tek krahasimi, përsa i përket Kryetarit nuk di të them se cili variant jep më shumë garanci: Presidenti si një figurë mbipartiake, siç e parashikon ligji të jetë, i zgjedhur nga Kuvendi mundësisht me 3/5, apo një jurist jogjyqtar i zgjedhur edhe ky nga Kuvendi.
Një pikë tjetër e rëndësishme krahasimi ishin ndryshimet në Gjykatën e Lartë për të cilën është thënë gjithnjë se zgjidhej/varej nga politika. Sipas Kushtetutës anëtarët e saj deri tani emërohen nga Presidenti, me miratimin e Kuvendit, dmth. nga politika. Drafti e ka ndryshuar këtë duke ia lënë emërimin e anëtarëve të saj Presidentit, veçse jo me miratim të Kuvendit, por sipas propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Duket si diçka më pavarësuese, por mos harroni se, siç e thashë, Këshilli i Lartë Gjyqësor është ndërtuar mbi një formulë me një peshë më të madhe të politikës në zgjedhje.
Edhe tek ndryshimet në Prokurori bije në sy krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i cili, ashtu si Këshilli i Lartë Gjyqësor, përbëhet nga 11 vetë prej të cilëve 6 zgjidhen nga radhët e prokurorëve kurse 5 të tjerët jo-prokurorë, me të njëjtën formulë si 5-shja e jo-gjyqtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Edhe në këtë Këshill 5-shja votohet nga Kuvendi me 3/5. Po ashtu edhe këtu Kryetari zgjidhet nga radhët e 5-shes dmth. nga ata që i ka zgjedhur politika. Kurse Prokurori i Përgjithshëm, ndryshe nga Kushtetuta ekzistuese, nuk emërohet më nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit, por zgjidhet me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga 3/5 e deputetëve. Prokurorit të Përgjithshëm i është hequr e drejta për të emëruar prokurorët e tjerë të cilën e ka marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Me një fjalë nuk parashikohet një figurë e fuqishme Prokurori dhe bije në sy në këto ndryshime se figura e Presidentit, bëhet edhe më e parëndësishme sesa ç’u bë me ndryshimet kushtetuese të paradokohshme, gjë që, sipas meje, duke pasur parasysh prirjen që kemi trashëguar dhe që vazhdon të përqendrimit të të gjithë pushtetit tek Kryeministri, duhet parë me shqetësim, nëse vërtet kërkojmë balancime pushteti.
Drejtësia e kërcënuar
Deri këtu, pra, nuk gjeta ndonjë të mirë të dukshme në drejtim të balancimit të pushteteve, përkundrazi mu rrit ndjesia se me këto ndryshime rritet kontrolli i politikës ndaj Drejtësisë, veçanërisht duke pasur parasysh situatën aktuale ku maxhoranca ka 3/5. Ma përforcoi këtë edhe fakti se në draft gjyqtarëve u janë hequr disa imunitete që gëzonin ndërkohë që janë futur disa pika në të cilat thuhet: “Gjyqtarët mbajnë përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.” apo “Prokurorët kanë përgjegjësi disiplinore në përputhje me ligjin.”
Por kjo ndjesi më erdhi duke u rritur, deri në idenë se Drejtësia është vënë në bangën e të akuzuarve dhe po i jepen dënime dhe kërcënime, kur u futa ne kapitujt e organizmave kontrollues. Neni 147/d na flet për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë i cili do të merret me: “hetimin e shkeljeve disiplinore dhe ankesave kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm si dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre.” Ky Inspektorat, që kuptohet se është organ shumë i fuqishëm, përbëhet nga 5 vetë që kanë statusin e Anëtarit të Gjykatës së Lartë ndër të cilët 3 vijnë nga Gjyqësori dhe 2 nga Prokuroria. Po kush i emëron këta? Kuvendi me 3/5. Po si zgjidhet Kryeinspektori? Nëse nuk arrihet që 5 anëtarët ta zgjedhin vetë me 2/3 tek e fundit ai zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë. Jo vetëm, por në versionin që i është dërguar Venecias, ku shfaqen më qartë qëllimet e maxhorancës, në pikën 9 të nenit thuhet edhe se “Ministri i Drejtësisë merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e këtij Inspektorati dhe mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkeljet disiplinore kundër gjyqtarëve, prokurorëve…” Kurse më poshtë del se inspektimin e Inspektoratit e bën Ministri i Drejtësisë, dora vetë(!!!) Roli prej superinspektori i Ministrit është zbutur pas vërejtjes së Venecias, por kjo s’ndikon për të ndryshuar, sipas meje, frymën e këtij projekti që nuk e fuqizon, por e dobëson Drejtësinë në raport me pushtetin politik duke e bërë atë të punojë e kërcënuar prej tij.
“In cauda venenum”: gjendja e jashtëzakonshme
Por të gjitha këto nuk janë asgjë përpara asaj që gjeta në fund e që tregon qartë se ku fle lepuri. Në fund të projektit kushtetues që na propozohet – “In cauda venenum” – ka edhe një Aneks shumë të çuditshëm për një Kushtetutë normale i titulluar: “masat për të fituar besimin”. Ky aneks, na thotë se çdo gjyqtar e prokuror do të filtrohet/pastrohet nga një Komision i Pavarur Kualifikimi i cili do të bëjë rivlerësimin e aftësisë, pasurisë, pastërtisë, performancës së tij. Këtë punë Komisioni do ta bëjë sëbashku me një Mision Ndërkombëtar të Monitorimit që do të dalë nga bashkëpunimi i Komisionit Evropian, i SHBA, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe asistencës dypalëshe. Po kush do ta zgjedhë Inkuizitorin e Madh të Kualifikimit, kontrollorin e kontrollorëve? Kuvendi me 3/5!!! Po vëzhguesit e huaj kush i aprovon pas propozimit që bën Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit? Këshilli i Ministrave!!! Me një fjalë e njëjta dorë. (Ve në dukje se i referohem drafteve që kam në dorë jo atij përfundimtar që është ende në përpunim.)
***
Shkurt, ky aneks (që me atë Misionin do t’i shtohet historisë së njollave të turpit që i ka shkaktuar politika shqiptare dinjitetit kombëtar dhe aspiratave për sovranitet dhe demokraci) më krijoi bindjen se operacioni “Reforma në Drejtësi” krijon kushtet e një gjendjeje të jashtëzakonshme, quaje po deshe puçi, ose grushti shteti, që të evokon situatat ku lind nevoja e krijimit të organeve me fuqi të jashtëzakonshme, derisa të konsolidohet pushteti i puçistëve. Dhe këtë nuk e them vetëm unë. Këtë e thotë edhe komenti që i bën draftit Komisioni i Venecias sipas të cilit fakti se drejtësia në Shqipëri është e korruptuar krijon vërtet një klimë që mund të justifikojë rivlerësimin e gjithë gjyqtarëve, pavarësisht nga rrethanat specifike të secilit, por kjo gjë, vazhdon Komisioni: “është një çështje nevoje politike dhe Komisioni i Venecias nuk është në pozicion të deklarohet lidhur me të. Megjithatë, duhet mbajtur në mend se një zgjidhje e tillë radikale do të ishte e pavend në kushte normale, sepse krijon tensione të jashtëzakonshme brenda gjyqësorit, destabilizon punën e tij, rrit mosbesimin publik tek gjyqësori, devijon vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin.” Ja çfarë shkruan Komisioni i Venecias për Misionin (e Turpshëm) Ndërkombëtar: “Është shumë e pazakonshme për një Kushtetutë kombëtare që të prezantojë në sistemin kushtetues të kontrollit dhe balancave një figurë apo organizëm që emërohet nga jashtë vendit dhe që, tekefundit, nuk jep llogari përpara organeve të zgjedhura demokratikisht brenda vendit, por përpara një qeverie të huaj apo një organizate ndërkombëtare. Gjithashtu, ekzistenca dhe funksionimi i duhur i këtij mekanizmi do të varet nga vullneti i mirë i entiteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, dhe kjo nuk është diçka që mund ta garantojë një Kushtetutë kombëtare.”
Po cila është “nevoja politike” që përmend Komisioni i Venecias që justifikon grushtin e shtetit? Dikush po thotë: aspirata e popullit shqiptar për pastrimin e vendit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që nuk kanë lejuar të dënohen e futen në burg politikanët e korruptuar dhe gjithë të korruptuarit e tjerë. Dhe ja më në fund Edi Rama dhe partia e tij do të kryejë me ndihmën amerikane dhe evropiane këtë pastrim të madh të Shqipërisë.
Le të ndalemi pak në analizimin e kësaj “nevoje”. Së pari, nuk duhet të harrojmë se historia na tregon se pushtetet më të korruptuara kanë qenë ata që na kanë premtuar pastrimin e së keqes duke marrë në dorë për këtë qëllim edhe drejtësinë. Në këtë kontekst edhe sikur Edi Rama të kishte zbritur nga qielli në vitin 2015, edhe sikur partia që ai drejton të ishte e përbërë vetëm nga njerëz idealistë, një kapje e Drejtësisë nga një forcë politike do të ishte e rrezikshme, e jo më kur kemi parasysh se kjo parti përbëhet nga banditë dhe kryebanditë të vjetër dhe të rinj që nuk kanë lënë gjë pa bërë në këtë vend që prej vitit 1991 – madje disa prej tyre edhe më parë – e prandaj shumë prej tyre duhet të jenë në radhën e parë të bangës së të akuzuarve nga drejtësia. Së dyti, nëse e mira e një veprimi, sikurse thotë një fjalë e vjetër, përcaktohet nga qëllimi i tij duhet të peshojmë nëse është lufta ndaj korrupsionit qëllimi që e ka vënë në lëvizje këtë reformë apo kapja e Drejtësisë për të tulatur e burgosur kundërshtarët me qëllim forcimin e pushtetit dhe të impunitetit të bandës së Partisë Socialiste dhe Kryetarit të saj, me pasoja edhe më të rrezikshme për të gjithë. Për mua kjo reformë, ku hyn edhe manovra e kërkimit të legjitimimit ndërkombëtar të saj nëpërmjet mbështetjes së amerikanëve e evropianëve, është bërë me laps në dorë për këtë qëllim të dytë të mbrapshtë.
Po garancinë e ndërkombëtarëve sikur e ke nënvleftësuar shumë? – do të shpejtojnë të më thonë. Sipas meje, ata ndërkombëtarët që e mbështesin këtë grusht shteti, atë Mision të turpshëm antidrejtësi, nëse nuk janë nën presionin e lobingjeve të Ramës, jashtë dhe brenda vendit, duhet t’i përgjigjen pyetjes: a mund t’i besohet Drejtësia një partie dhe një Kryetari që, për të marrë pushtetin e mbushi Parlamentin me kriminelë si asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë dhe që thuajse çdo ditë, në aktivitetin e vet, jep shenja të qarta se vetëm me ligjin dhe të drejtën s’ka lidhje?
Komentet