Në vitin 1992, qeveria e atëhershme, e pagëzuar me emrin “Meksi”, mbyllte në mënyrë arbitrare Fakultetin e Filozofisë dhe të Sociologjisë . Ky hap ndërmerrej në prag të vitit të ri shkollor. Po cili ishte shkaku apo më saktë preteksti ? Thuhej se gjithçka bëhej për hir të “ reformave” që lipseshin të bëheshin në atë fakultet , sa ” rebel ” aq dhe ” i indoktrinuar” , sipas përcaktimeve të artikuluara nga krerë të ndryshëm demokratikas . Pa ç’ka se pedagogët e këtij fakulteti , të përgatitur prej vitesh dhe me kulturë të gjithanshme , kishin kohë që po realizonin hap pas hapi reformën e vërtetë të institucionit të tyre . Pa harruar se nga gjiri i këtij fakulteti kishin dalë tashmë e po spikasnin shumë politikanë që ishin vënë në shërbim të proceseve demokratizuese të vendit , si nga krahu i majtë , ashtu dhe ai i djathtë . Deviza që udhëhiqte profesoratin e atij fakulteti përmblidhej në shprehjen e njohur të Ovidit: “Tempora mutantur, et nos mutamus in illis. ”- “Kohët ndryshojnë, bashkë me to ndryshojmë edhe vetë ne ”. Kjo ide qendrore përshkonte dhe deklaratën e protestës që i dërgoi qeverisë në atë kohë , në 15.09.1992 , Shoqata e Filozofisë së Shqipёrisë . Në të vërtetë, e gjithë kjo sipërmarrje “demokratike” , ndër më injorantet dhe më absurdet në rrafshin pedagogjiko-shkencor , kishte një domethënie kryekëput politike . Duheshin spastruar nga fakulteti të gjithë pedagogët me pikëpamje e bindje të majta , që përbënin pjesën dërrmuese të stafit të tij. Nismave të tilla miope dhe hakmarrëse s’vonoi që t’u jepej dhe mbështetja formalo-ligjore. Doli famëkeqi nen 24/1, që u shtri dhe u zbatua ndaj të gjithë atyre kuadrove e intelektualëve , që karakterizoheshin nga pikëpamje dhe bindje të kundërta me ato të Partisë Demokratike , që kishte marrë frenat e qeverisjes së vendit.
Në këtë kryqëzatë kishte diçka që s’duhet lënë aspak në harresë. Frymëzues dhe realizues i nismave të kësaj natyre ishte vetë presidenti i atëhershëm Sali Berisha , njëherazi dhe kryetar i PD-së. Një ndër kuadrot e dikurshëm komunistë dhe më fanatike të Fakultetit të Mjekësisë , që ishte konvertuar në një qënie , që zor se mund t’ia vije epitetin “demokratike”. Ky politikan karakterizohej nga një natyrë e paempancipuar politike, prej nga shpërthente haptazi një frymë e tejskajshme inatçore dhe hakmarrëse. Si ndaj atyre pedagogëve, që kishin guximin ta kritikonin me fakte dhe argumente nëpër organet e ndryshme të medias, ashtu dhe ndaj gjithë fakultetit, që ishte bërë shumë shpesh humorprishës për të. “Ndonëse termat “liri”, “pluralizëm” e “demokraci” ishin ndër më të përdorurat në fjalorin e tij politik, ato mbeteshin thjesht slogane, që s’arrinin të bëheshin pjesë e pandarë e vetëdijes dhe e botëkuptimit të tij. Si përfundim, duhet vënë në dukje se Fakulteti i Filozofisë dhe i Sociologjisë, pasi u përfshi në orbitën e rrufeve berishiane , do të kuadratohej në objektivat e strategjisë asgjësuese të “nivelit zero”. Pra , do të shpërndahej e do të shkatërrohej me një të rënë të lapsit. S’do të vononte dhe përmes hosanave e barabave, do të sajohej një fakultet i “ri” . Në të do të strehoheshin e do të vegjetonin qenie, kryesisht, “demokratike” . Fobia ndaj filozofisë dhe misionit të saj emancipues prej krerëve ” demokratikas ” , do të shpinte në një rezultat tepër vajtues e të mjerueshëm : Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë , që privohej nga një fakultet i mirëfilltë filozofie ! Këtej e tutje , Shqipëria duhej të mjaftohej vetëm me një departament liliput të filozofisë , që duhej të ishte një apendiks i Fakultetit të Shkencave Sociale e Psikologjike.
Në ato rrethana , tejet të vështira , kur qeveria me shpirt nihilist dhe frymë “demokratike” , na hidhte si pa të keq në mes të katër udhëve , të tjera mesazhe na ofroheshin prej Evropës së kulturuar . Ajo, pa asnjë paragjykim , s’nguronte të na jepte ndihmë dhe përkrahje në drejtime nga më të ndryshmet . Na ftonte në mbledhje e konferenca , ku na dëgjonte , na vlerësonte dhe , në të njëjtën kohë , na inkurajonte . Mjafton të përmendet Konferenca Ndërkombëtare Ballkanike e Filozofisë , që u zhvillua në Delfi të Greqisë , në 5-8 qershor të vitit 1992 . Pasi ishte njohur e ballafaquar me kumtesat e kolegëve të saj shqiptarë , kryetarja e kësaj veprimtarie , profesoresha e njohur greke Myrto Dragona-Monahu , do të rezervonte , midis të tjerash , jo thjesht për kortezi edhe këto fjalë për delegacionin tonë . “Habitemi që ju vini nga shkolla shqiptare” . Më pas , ndihma do të përvijonte dhe me hapjen e nje kursi special të kualifikimit , posaçërisht për ne shqiptarët të frontit të filozofisë . I tillë ishte kursi i ngritur pranë Universitetit të Athinës në 1993 , dhe për të cilin i ishim mirënjohës ndihmës bujare , ofruar nga autoritetet shtetërore kulturore greke si dhe ndihmesës sё jashtzakonshme , dhënë nga profesori i filozofisë Kostandin Budurisi . Por për të zgjeruar dhe thelluar përgatitjen e profesoratit tonë , në fusha të caktuara të filozofisë dhe të sociologjisë , do të na ofroheshin bursat e para nga organizmat nderkombëtare evropiane . Me këtë rast , do të desha të falenderoj Komisionin e Komunitetit Evropian të Shkences dhe të Teknologjisë për Vendet e Evropës Qendrore e Lindore , me seli në Bruksel. Bursa e akorduar prej tij , për studime e kërkime në Itali , më krijoi mundёsinë që të realizoja disa pikësynime : specializim , kualifikim shkencor e pedagogjik pёr Historinë e Filozofisë së Mesjetës dhe të Rilindjes Evropiane . Krahas tyre , kisha dhe objektivin për të bërë qëmtime e hulumtime për disa filozofë humanistë me origjinë shqiptare . Midis tyre , një vemëndje të posaçme do t’i kushtoja jetës dhe krijimtarisë së Niccolo Leonico TOMEO -s apo nё shqip Nikollё Leonik TOMEUT-s (1556-1531) . Vepra e tij u bënte nder si shqiptarëve , me të cilët e lidhnin rrënjët atërore , arbërore , ashtu dhe italianëve , midis të cilive kishte jetuar dhe realizuar një veprimtari krijuese shkencore e pedagogjike . Kështu do të niste dhe rrugëtimi im për të qëmtuar rreth jetës dhe krijimtarisë së një personaliteti të shquar shqiptar , vepra e të cilit ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në mbarë kulturën evropiane .
***
Është mëse e natyrshme dhe e përligjur për çdo popull që të konfirmojë dhe të bëjë sa më të njohur identitetin e tij. Proceset e shumta integruese që vërehen sot në botë kërkojnë gjithsesi që çdo vend dhe çdo popull të jetë medoemos i pajisur dhe me pasaportën e vet të identitetit . Por kjo e fundit, në dallim nga pasaporta e zakonshme e çdo shtetasi, ka një status tepër të veçantë . Në aspektin sasior, ajo përbёhet prej qindra e mijëra fletësh, kurse në aspektin e përmbajtjes shpalos një larmi të dhënash , që nxjerrin në pah vlera e thesare unikale, të kultivuara, të grumbulluara e të transmetuara deri në ditët tona , përmes ballafaqimesh, luftërash e përpjekjesh të panumërta. Dëshmohen e provohen rrënjët historike të një populli, aftësia, talenti dhe gjenia krijuese e tij , të konkretizuara shpesh në krijimtarinë e individëve të veçantë, që ndryshe quhen personalitete. Krijimtaria e tyre, pasi kapërcen sinoret e atij vendi dhe populli prej nga ata kanë dalë, bëhet pjesë përbërese dhe e pandarë e qytetërimit botëror . Në morinë e fletëve të kësaj pasaporte përballesh dhe me një figure që e ngre dhe e lartëson emrin e shqiptarit.
Fjala eshtë për Leonik TOMEON. Ai ishte një meteor, qё ndriti e shkёlqeu ne qiellin plot yje e kostelacione të Rilindjes Evropiane. Ishte dhe mbeti një urë lidhëse, afrimi e bashkëpunimi midis popujve të të dy brigjeve të Adriatikut – shqiptarëve dhe italianëve. Këta të fundit , duke çmuar e vlerësuar marrëdhëniet e ndërsjella historike me fqinjën e tyre të përtej detit, s’kanë munguar që në momente e rrethana të vështira, t’u gjenden pranë , duke hapur dyert për gjithë ata shqiptarë, që do të trokisnin në trojet e tyre për shkaqe e motive nga më të ndryshmet. Italia është bërë, në këtë mёnyrё, një strehë ku jo vetëm është realizuar jetesa apo mbijetesa e shqiptarit, por dhe një vend ku është lartësuar e nderuar vepra dhe emri i tij. Si provë bindëse e kësaj mund të sillet vetë jeta , krijimtaria e trashëgimia e Leonik Tomeos, familjen e të cilit barka e fatit e kishte detyruar që të lëshonte spirancën në Republikën , që mbante emrin e qytetit të njohur të Venedikut . Ishin një varg faktorësh dhe rrethanash që ma shtuan interesin për ta qëmtuar e studiuar shumë më gjerë e më thellë figurën sa poliedrike , aq dhe simpatike të Tomeut.
Para së gjithash, befasia e këndshme dhe krenaria e ligjshme që zgjohen dhe i shtojnë përmasat tek cilido , sa herë që ndeshet me personazhe të tillë , që nderojnë dhe afirmojnë emrin e popullit prej nga kanë dalë ose prej nga ata e kanë origjinën . Së dyti , për shtimin e interesit, do të ndikonin dhe disa rrethana të veprimtarisë sime pedagogjike e studimore në mjediset universitare . Nga fundi i viteve 80-të të shekullit XX, që lamë pas , jo vetëm në Fakultetin e Filozofisë, por dhe në fakultete të tjerë të Universitetit të Tiranës, nisi t’i kushtohej një vëmendje më e madhe njohjes së studentëve me traditat apo trashëgiminë tonë kulturore-filozofike . Kjo u pasqyrua dhe në zgjerimin e hapësirës së trajtimit të tyre në kuadrin e disiplinës mësimore të Historisë së Filozofisë. Si pikëmbështetje , për trajtimin e këtyre problemeve, fillimisht shërbyen një sërë hulumtimesh e punimesh shkencore , të kryera me kompetencë nga një varg studiuesish shqiptarë . Midis tyre mund të përmendën vepra të tilla si “Mendimtarë të Rilindjes Kombëtare” e prof. Zija Xholit , monografia mbi jetën dhe veprën e Jani Vretos e prof. Alfred Uçit , vepra “Porosia e Madhe” e akademik Rexhep Qoses. Përsa i takon jetës dhe veprimtarisë së N.L.Tomeos e sidomos asaj që bënte fjalë për pozitat dhe pikëpamjet humanisto-filozofike të këtij të fundit , literatura që hasej n’atë kohë në Shqipëri ishte gjithsesi mjaft e pakët. Ajo ç’ka mund të përmendej e të mirrej në konsideratë ishte një libër me autor Mikel Prendushin ku, krahas disa personaliteteve që ishin marrë në analizë , bëhej fjalë dhe për N.L.Tomeon . Mund t’i shtohet kësaj literature ndonjë artikull i shkruar nga prof. Dhimitër Shuteriqi , që kishte gjetur pasqyrimin e vet dhe në ” Historinë e letërsisë shqiptare”.
Figurën e N.L.Tomeos e ndeshje të skicuar me penelata e konsiderata , kryesisht letraro-artistike, në një libërth të shkrimtarit e studiuesit të talentuar Moikom Zeqo me titull ” Mësuesi i Kopernikut”. Së treti, dua të përmënd një rrethanë tepër fatlume që më ndihmoi të njihem më posaçërisht me jetën dhe veprën e këtij humanisti të madh shqiptar të periudhës së Rilindjes Italiane , rrethanë që më shpuri të vizitoja e të njihja së afërmi ato vënde e qytete të Italisë , ku ishte lindur dhe kishte kaluar jetën e tij të begatë N.L.Tomeo . Ajo kishte të bënte me një bursë që arrita të siguroja prej institucioneve të Bashkësisë Evropiane , me qendër në Bruksel . Pas një konkurimi , i realizuar nëpërmjet dërgimit të dokumenteve përkatëse dhe që unë i kisha të specifikuar në fushën e historisë së filozofisë mesjetare dhe asaj të Rilindjes Evropiane . Në rrethin e interesave të mija pedagogjiko-shkencore , krahas shumë autorëve dhe personaliteteve të shquar, ishin të përfshirë dhe ata që ishin me gjak shqiptari apo origjinë të mirëfilltë shqiptare. Midis tyre kisha renditur Marin Biçikemin , Gjon Gazulin, Iohanio Kotunin, Marin Barletin , duke u përqendrurar në menyrë më të posaçme tek N.L.Tomeo. Qëmtimet e nisura nё departamentin e filozofisë të Universitetit të Gjenovës do të vazhdonin më tej në Universitetin e Padovës , në mjediset arkivore e bibliotekare të këtij qyteti , ndër më të spikaturit gjatë gjithë periudhës mesjetare dhe asaj të Rilindjes Italiane . Do të desha të veçoja , me këtë rast , dhe ndihmën e pakursyer që m’u dha nga Biblioteka private Antoniana , me rekomandimin dashamirës të profesorit të filozofisë Antonino Poppi , nga Padova . Me interes e vlerë të veçantë kanë qënë për mua edhe qëmtimet e realizuara në bibliotekën e famshme të Venecias , që njihet ndryshe si Biblioteka Marciana, e më pas , në bibliotekën e Universitetit të Firences si dhe në bibliotekën shumë të pasur të këtij qyteti, ndër më tipikët e më të shquarit e Rilindjes Italiane . Pjesë e pandarë e këtyre vlerave ishte dhe biblioteka unikale e Institutit Kombëtar të Rilindjes së këtij qyteti . Biblioteka e tij ishte e vendosur në mjediset e godinës muze të Palazzo Strossit. Nderimi dhe respekti ndaj figurave të shqiptarëve , që kishin spikatur dukshëm gjatë periudhës së Rilindjes Italiane , kërkonte , para së gjithash, të qëmtoje gjithçka që kishte të bёnte me emrin, jetën dhe krijimtarinë e tyre të begatë . Është diçka emocionuese që, mjaft prej fakteve dhe të dhënave interesante të jetës e të krijimtarisë së këtyre personaliteteve, t’i ndeshje, t’i kundroje dhe t’i studioje ashtu siç qenё trashëguar , origjinale , qysh prej shekullit XVI, prej asaj periudhe kur zhvillimi i shkencës apo rilindja e artit dhe e kulturës arritën në përmasa e nivele të tilla cilёsore, sa me plot të drejtë është konsideruar e vlerësuar si një ndër më titaniket e më magjepset në historinë mijëravjeçare të qytetërimit botëror.
Në këto shënime hyrëse, e ritheksoj se të pushton një krenari më se legjitime sa herë që, midis personaliteteve të shquar të kësaj epoke, ndeshesh dhe me plot figura të nderuara e të respektuara , në rrembat e të cilëve ka rrjedhur gjaku i shqiptarit , gjaku i shprishur i arbërit . Dhe midis këtyre shqiptarëve të spikatur, nuk mund të mos të të bënte për vete sidomos Leonik Tomeo , që është karakterizuar si një prej njerëzve më të ditur e më të kulturuar të kohës së vet . Veprimtaria e mirëfilltë krijuese dhe përkthyese e tij ka rrezatuar qartë erudicionin e madh dhe interesat shumёplanëshe kulturore, që nga filozofia, historia, shkencat natyrore e mjekësore, deri tek letërsia, pedagogjia, piktura, skulptura e numizmatika. Këto dhunti, virtyte dhe arritje, i kanë pohuar e vlerësuar në thëniet, shkrimet epistolare si dhe në përkushtimet që kanë bërë në adresë të tij shumë prej personaliteteve e bashkёkohësve të mëdhenj të epokës së tij . Botës së pasur shpirtërore dhe universit të gjerë kulturor të tij i janë referuar qarqe të shumta mbretërore e princёrore, kishtare e shkencore, letrare e artistike . Emrave të tille, si ato të Pietro Bembos nga Italia, të Reginald Pole nga Anglia, të Nikolla Kopernikut nga Polonia apo të Erazmit të Roterdamit nga Hollanda, mund t’u bashkoheshin , pa më të voglën mëdyshje , dhe ato të dhjetëra të tjerëve që ia kishin njohur, çmuar e vlerësuar arritjet dhe meritat e tij të mëdha . Por sa ç’kemi të drejtën për t’u mburrur me personalitete të tillë si Leonik Tomeo, po aq kemi dhe detyrimin për t’i nxjerrë ata nga thellësia e shekujve , për t’i afruar nga largësia e atyre kohërave dhe vendeve ku kanё jetuar, spikatur e shkëlqyer. U sjellim dhe u përçojmë të gjithëve, sidomos brezave të rinj, mesazhe tepër kuptimplotë. Para së gjithash , mesazhet e rrënjëve të lashta të kombit tonë , si dhe të traditave tona kulturore e qytetёruese, tё kultivuara nё rrjedhёn e shekujve e tё mijёvjeçarёve. Kёto mesazhe e tradita , tё ardhura deri nё ditёt tona, nuk mjafton qё thjesht vetёm tё ruhen dhe tё njihen , por lipset tё shndёrrohen nё stimuj nxitёs e frymёzues nё punёn dhe krijimtarinё e çdo shqiptari , si brёnda dhe jashtё Shqipёrisё.