Të deklarosh në një takim ndërkombëtar se Shqipëria; “… synon të bëhet lider energjetik në rajon dhe eksportues neto energjie deri ne 2030, por duhet ta dini që Shqipëria është një prej vendeve të rralla që nuk ka emetime të dioksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë“, siç bëri kryeministri Rama më 2 Dhjetor në COP 28- Samiti i Klimës, Dubai, EBA, kjo njëanshmëri e shikimit të çështjes tregon se ai nuk mban aspak përgjegjësi për vendin e tij sot së pari dhe së dyti ai shtyn një propagandë shumë e rrezikshme e cila nuk sheh as parandalim dhe as zgjidhje në problematikën e gjerë mjedisore për uljen e niveleve të CO2.
Çfarë lidhje ka energjia elektrike e prodhuar nga burimet hidrike me ndotjen e CO2-shit kur ky i fundit dihet që është rezultat i lëndëve djegëse (fosileve)?
Si është e mundur që një takim i nivelit ndërkombëtar politikat zhvilluese duartrokasin të tilla deklarata që më shumë duket se sigurojnë rritjen e numrit të pjesëmarrësve se sa përballjen me sfidat e mjedisit dhe të klimës?
Ku janë parashikimet dhe vlerësimet e ndryshme shkencore të studiuesve vendas si dhe leximi i drejtë i monitorimeve mbi gjendjen reale të një vendi si Shqipëria që sjellin problemet dhe jo përmbledhjen politike të një burokrati?
Sipas qëndrimeve ndryshe nga sa u bënë pyetjet më lart lind e drejta të studiohen faktet, të mos fshehim realitetin dhe çdo investim dhe fond i hedhur duhet të jetë i pastër dhe transparent në mënyrë që të punohet me përgjegjësi pa i lënë shteg abuzimeve dhe mbulimit të tyre me propagandë.
Përmes një treguesi grafik dhe krahasimor do të mund të gjeni një tjetër vlerësim të gjendjes në Shqipëri për mjedisin dhe rrjedhimisht për pjesën e kontributeve të saj në ngrohjen globale.
(grafiku)
Këtë farsë dhe mashtrim mbi publikun dhe me dëshirën e informimit krahasues të disa fakteve UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës) ua ka paraqitur përmes tre-katër çështjeve që janë shtjelluar edhe në disa nga qëndrimet e mëparshme, por sot pyetjet duhen bërë edhe më konkrete.
Përse nuk dilet në tribunat e këtyre samiteve dhe të thuhet se Shqipëria ka punuar keq dhe vjen ndër të fundit për nga renditja?
A është kjo një qeverisje përgjegjëse për keq menaxhim, mungesën e ideve, pa shkuar tek më e rënda shkatërrimi i natyrës?
Faktet janë tronditëse dhe alarmi bie mbi qeverisjen dhe faktorët e tjerë të pushteteve në Shqipëri.
Shqipëria ndodhet mbi nivelet kritike të cilësive bazë të ajrit, ujit, ndotjeve etj. sepse; Një aeroport ndërtohet pa kokëçarje mu në zemër të një zone të mbrojtur të njohur botërisht siç është “Laguna e Nartës” duke kërcënuar me zhdukje 90 speciet e shpendëve migrator. Betonizohet bregdeti dhe objektet e ndërtimeve kudo pluhurosin ajrin. Jepen me koncesion portet dhe hapësirat e territoreve për zhvillim turistik të cilat i meritojnë jo pronarët, por i përfitojnë klientët pranë qeverisjes. Tymosin rëndë automjetet dhe çmimet e karburantit dy-trefishohen duke konkuruar çdo sipërmarrje vendase, por ama prodhojnë flakë dhe tym në mes të një sezoni turistik pyjet dhe të gjitha fushat e plehrave pasi kosto e djegies është më e lirë se projektet e investuara për përpunim, impiante që nuk ekzistojnë. Por nga kjo qeverisje dalin po ashtu papritur edhe investitorë strategjikë që e marrin falas truallin dhe rrezen e diellit për t’ia shitur energjinë elektrike popullsisë vendase deri sa ata të pasurohen dhe të shndërrohen një ditë në pronarë të paluajtshëm.
Kur vetëm këto pak fakte shtrohen si të tilla, njerëzit mund ta kuptojnë se kjo është marrëdhënia më e parë e të kuptuarit të mjedisit dhe burimeve natyrore nga kjo qeverisje,. Pra vetëm përfitimi ose një shkallë e pangopur përmes korrupsionit.
Ndërsa kur i shikojmë burimet natyrore si të begata që mund t’i siguronin cilësi jetese popullsisë pa folur për furnizimin e pandërprerë me ujë të pijshëm, energjinë elektrike, hapësirat e gjelbërta apo cilësinë e ajrit përpunimin e mbetjeve urbane dhe të plehrave, kjo begati nuk mund t’u ofrohet shtetasve shqiptarë.
Këto pra janë mungesa e ideve dhe mos përgjegjësitë e qeverisjes përballë shëndetit të natyrës së vendit përkundrejt angazhimeve për planetin dhe që bëhen mjaft të dukshme në këto dhjetë vite qeverisje nga Partia Socialiste, një “elitë” përfituesish të veshur me pushtet që tashmë janë të zbuluar nga korrupsioni dhe fshihen pas ideologjive globaliste dhe propagandës.
Pra një tjetër samit ndërkombëtar ku qeveria shqiptare u bë pjesëmarrëse dhe jo organizatore, është ai i klimës COP 28 i mbajtur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe (30 Nëntor-12 Dhjetor). Kryeministri, zv/kryeministri, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bëhen përfaqësuesit kryesorë të hapjes së Shqipërisë në këtë nivel dhe me të tyren ndjekin me interesim strategjinë globale prej të cilës njerëzimit i është vënë një kufi. 2030 do të jetë viti ndarës i rrezikut nga katastrofa, planeti mund “të shkrijë” në qoftë se temperaturat do të rriten edhe me 1.5 gradë celsius. Ky pra është alarmi i ngritur dhe s’ka se si që kjo qeveri e rijësive shqiptare të mos e përqafojë krizën. Ta përqafojë, ta mbrojë dhe sigurisht ta ideologjizojë atë fort për përfitime materiale dhe politike njëherësh. Megjithëse takimet e COP28 vazhdojnë edhe për pak ditë në Dubai, për qeverinë shqiptare CO2 ka tani më pak rëndësi. Përfaqësuesit e shtetit fluturojnë vajtje ardhje (rreth 8000 km), për të mos i munguar jurisë për të vlerësuar se kush do të jetë fituesi i konkursit ndërkombëtar të dizajnit për Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit për Parkun Kombëtar “Lumi Vjosa”, pjesë e pandashme në kompleksin natyror të së cilës është “Laguna e Nartës” me një ndër biodiversitetet më të pasura të gjallesës të Mesdheut, aty ku mbi foletë e mijëra zogjve shtegtarë vazhdon ndërtimet një aeroport.
A ka më therëse se sa kjo hipokrizi?
Fluturimet me mijëra km, vajtje-ardhjet me avionë dhe çartera privatë janë ndotësit. Sipas sistemit të matjes nga mbrojtësit e tezës së ngrohjes globale transporti ajror lë më shumë gjurmë të CO2 në atmosferë dhe ndikon ndjeshëm në rritmet e ngritjes së temperaturës me 1.5 °C.
Këtë detaj na duhet ta shpjegojmë se klima, mjedisi, gjallesa, uji, ajri dhe toka, njerëzit janë hallkat e pandashme të shëndetit të planetit. Së pari secila prej tyre si dhe pjesëmarrja dhe ndërgjegjësimi i publikut janë ato që tregojnë se e gjithë kjo bashkësi faktorësh duhen monitoruar dhe provuar shkencërisht. Në Shqipëri në vitin 2023 mund të gjinden aq sa gishtat e dorës stacionet e vrojtimit kaq komplekse për të mos thënë se edhe ekzistuesit janë të vërtetuar se ndodhen jashtë kushteve të punës dhe se njerëzit që duhet t’i drejtojnë ato profesionalisht janë të pamjaftueshëm.
Monitorues të ndryshëm dhe të pavarur japin të dhëna dhe pasqyrime kritike duke treguar se duhen marrë masa dhe duhet vepruar pasi faktet publiku as që nuk mundet t’i dëgjojë dhe as t’i marrë lehtësisht nga burimet zyrtare të qeverisjeve apo respektimi i transparencës.
Sigurisht që PS në pushtet po synon të ritheksojë “sukseset” e arritura për një periudhë të pandërprerë dhjetëvjeçare. Por në pak histori mund të sillnim në vëmendje se shënimet e para të regjistruara për temperaturën janë ato Britanike të vitit 1659 (Central England Temperature Data Series) dhe më tej pas kësaj hershmërie janë vitet 1850-1880, pra 200-300 vite më parë kur metereologët po ndërtonin një sistematikë matjesh të temperaturës. Ndërsa sot njerëzimi pas fazës industriale ndodhet përballë ballafaqimit të platformave mjedisore që e monitorojnë imtësisht planetin, shëndetin e tij për ujin, ajrin, tokën gjallesën, rrezatimin diellor, burimet e energjisë, prodhimin ekonomik, dhe kushtet e jetesës së popullsisë. Pra pavarësisht rëndësisë dhe kundërshtimeve që ndeshin platformat e vërteta shkencore me ato të tezave që ushqejnë e platformat globaliste, s’ka se si që qeveria shqiptare të mos jetë e pranishme në qoftë se nuk bëhet fjalë për të shfrytëzuar pozicionin gjeografik strategjik të vendit në Evropë si një ofrim “tregu” për partneritet. Qeveria shqiptare i ka bërë dhe po i bën këto lehtësisht. Ajo është aq e ndjeshme sa që treguesit e “dhjetë vjeçarit më të nxehtë historikisht” të monitoruar 2011-2021, (së paku 8 vite prej ku ajo e kishte pushtetin), rritja me 1.5 gradë celsius e temperaturës deri në 2030 po i shton asaj oreksin për ta vazhduar qeverisjen. Ajo gjen rastet dhe shprehet se është garante jo vetëm për ta përmirësuar gjendjen brenda vendit, por po ashtu edhe për ta parandaluar ndërkombëtarisht “ngrohjen globale”. Pikërisht në të tilla samite ku shtrohen debate dhe hidhen fonde, qeveria shqiptare patjetër që do të bëhet e pranishme dhe prej andej do ta e shumëfishojë propagandën e saj.
Por cilat janë kushtet e vërteta të natyrës dhe mjedisit, burimeve energjitike dhe të profesionalizmit të fushave në Shqipëri?
Specialistët sot janë në gjendje të japin shpjegime ndërsa media mund ta bëjë të kuptueshme problematikën në mënyrë që së fundi edhe publiku të ndërgjegjësohet dhe qytetarisht të reagojë që qeverisja-qeverisjet ta ndalin korrupsionin dhe t’i mbyllin shfaqjet e madhështisë dhe propagandën për sukses zgjedhor.
Drejt kësaj mënyre tregimi fillimisht dy duken rezultatet; 1- propaganda siguron burimet financiare me projektet dhe 2- ndërsa përfitimet përfundojnë me masakërn mjedisore dhe kjo forcë politike tregon se investon dhe është e interesuar për qëndrimin elitar mundësisht të përjetshëm në pushtet.
Përse nuk dilet në tribunat e këtyre samiteve dhe të thuhet se Shqipëria është ndër të fundit për nga renditja?
Përse nuk pranohet se në Shqipëri ka një qeverisje përgjegjëse, që keq menaxhon, ka mungesë profesionale dhe mungesë të ideve që po shpien tek më e rënda shkatërrimi i natyrës?
Faktet që po jetojmë janë tronditëse dhe alarmi bie mbi qeverisjen dhe mbi të gjithë pushtetet në Shqipëri.
A e dinë shqiptarët se përse i kanë këta tregues të varfër ?
Shfaqjet e samiteve të tilla janë bërë sa të lodhshme nga propaganda dhe po aq të kushtueshme për nga shpenzimet. Krerët qeveritarë dhe ideologët globalistë janë ata që më vete me fluturimet e tyre private ndotin, lënë gjurmët e karbonit (carbon footprints), aq sa 2/3 e popullsisë së planetit, sipas disa monitorimeve të fundit.
Të tilla krahasime direkte duhen provuar dhe besojmë se ato do ta ndihmonin më mirë debatin dhe prurjet e profesionistëve nga të gjitha fushat të pa lidhura me interesat klienteliste dhe me politikën.
1.5 gradë celsius është alarmi. Faktet shkencërisht duhet të përballen, por kërcënues mbetet korrupsioni, sepse investimet e kthyera në propagandë mund të përbëjnë një tjetër rrezik. Shtjellimi së fundi i tezave pro ngrohjes globale, pra që temperatura e rritur me 1.5 gradë celsius bëhet treguesi i rrëfimit të katastrofave ka nevojë të thellohet. Shkrirjet masive, përmbytjet, thatësirat janë të pranishme jo vetëm si fatkeqësi natyrore, por ato do të shkaktojnë edhe rritjen e nivelit të oqeaneve që mendohet se mund ta ndryshojë edhe relievin tokësor të planetit. Çka do të thotë përforcimi i një teze pak a shumë të hershme se sipërfaqet e tokës do të mbeten nën ujë dhe popullsia e tyre do të jetë e detyruar të shpërngulet, pra të emigrojë për të mbijetuar. Pra në një fill përshkuar, qëndrojnë tre katastrofa shkak-pasojë bashkë prej klimës që janë; uria, energjia dhe migrimi i detyruar.
Ngrohja globale e ngritur dhe e përqafuar si ideologji dhe e përforcuar me propagandë apo me mohim kulturor të kundërshtarit (canceled culture), janë vetë alarmi pasi po krijojnë fuzionin/shkrirjen shoqërore në një të vetme, kushtet e varfërisë së jetesës së popullatave, me urinë, me shterimin e burimeve të energjisë, si edhe shkaktimin e luftërave. Të gjitha bashkë paralajmërojnë për lëvizje dhe migrim masiv të popullatave, të përkatësive të ndryshme etnike për të mbijetuar. Ndërsa për t’u përshtatur, integruar apo rrezikshëm edhe për t’u asimiluar në kushte të tjera ndër vende fqinje apo të tjerë më të largët, ky shtegtim i popullatave provon qëndrueshmërinë në mjedis të vendeve pritëse, humanizmin, liritë, demokracinë, frontet e punës dhe veprimtaritë e shëndosha ekonomike që përtërijnë nevojat e jetesës dhe mirëqenien e popullsisë.
6 DHJETOR, 2023
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionnels Albanaise de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGAPD)