Në çdo vend demokratik, në mënyrë që të ruhen tejkalimet e pushteteve në fushat e njëri-tjetrit, që të mbrohen njerëzit nga abuzimet e pushtetit, që të mos i shtypë arroganca e oligarkisë dhe të mos i dërmojë e vrasë vrazhdësia e paskrupullt e krimit, ajo që bëhet barrierë është drejtësia.
Por në një regjim, që i ka uzurpuar në sqetullën e vet të gjitha këto pushtete që sapo përmendëm dhe në esencën e vet ka shkrirë të gjithë cilësorët e mësipërm, kush mund të bëhet vallë hendeku që regjimi nuk duhet ta kalojë për të mos e kthyer vendin në diktaturë, përveçse sistemi i drejtësisë?
Besuam shumë se drejtësia e re do të ishte ndryshimi, por tani çdo ditë e më tepër ajo po shfaq si fytyrë të saj tiparet e njërës palë.
Nuk mund të kishim asnjë pritshmëri të skajshme ose revolucionare prej saj, as që do të katapultonte menjëherë botën shqiptare në barazi, por që të na zhyste akoma dhe më keq në pabarazi dhe të na shërbente përkundrazi, si instrument për mbylljen dhe anashkalimin e dosjeve më të nxehta, këtë jo, nuk na e kishte pritur mendja.
Njëherë filloi të veprojë me avazin e drejtësisë së vjetër, duke i goditur shumë më vonë të akuzuarit, jo atëherë kur duhej, duke u kthyer kështu në shërbimin më të madh të pushtetit, të cilit individi nuk i intereson, por veç mbajtja në këmbë e sistemit. Ky qe rasti i ministrit Tahiri apo i Zv/kryeministrit Ahmetaj, më të lavdëruarit e qeverisë.
Atëherë si mund të qëndrojë propaganda e Kryeministrit se çdo dënim i drejtësisë është çështje individësh?
Si ka mundësi që inceneratorët ku kanë firmosur gati të gjitha ministritë të jetë çështje individesh dhe jo sistemi, qeverisje dhe regjimi?!
Askush me mend në kokë se beson dhe pranon, përveç SPAK që jo vetëm nuk e çon çështjen deri në fund, por bën dhe makinacione për ta mbyllur.
Pse e themi këtë?! – Të mos harrojmë se gjithçka që SPAK bëri për inceneratorët erdhi si pasojë e rrëfimit publik dhe cilësisë së komisionit parlamentar të kryer nga opozita, që ia përplasi faktet në fytyrë të gjithë popullit, për vjedhjen e shekullit nga e gjithë administrata e qeverisë, me Edi Ramën në krye si përgjegjësin kryesor. Po si u soll SPAK? – Si garanti i kryeministrit! Të dënohen të gjithë, përveç tij.
A ka krim më të madh që mund të bëjë drejtësia përveç kësaj?!
Si mund t’i besojmë atëherë kësaj drejtësie, që nuk është hakmarrëse, që nuk sillet si revanshiste e historisë?!
Ka shpërthyer një histeri e tërë, nëpër të gjitha mediat e pushtetit, për të ndryshuar edhe ligjin e komisioneve hetimore( tipike kjo për diktaturat), pikërisht pse kanë frikë një efekt bumerangu, që as drejtësia e re sorosiane nuk do të mund t’i bëhej dot digë, pa përfshirë nga dallgët e provave dhe fakteve edhe vetë Kryeministrin. Atëherë përse na duhet drejtësia e re, kur ka frikë të dënojë edhe ata që mundet?! Pse, nuk ishte rasti i Beqajt një 2-standardësi arrogante e SPAK kur gjykata ia jep të qartë provën e zbuluar që duhet të hetojë?!
E si mund të presim ne që ajo të guxojë të godasë të pagoditshmin, kokën e regjimit?
Jo, nuk është tamam kështu. SPAK di të trimërohet e të godasë pabesisht, pamoralisht, veç për shoë, një person që nuk ka kurrfarë me akuzat që po i bëhen Jo, SPAK di dhe të hiqet si premtimi i madh i drejtësisë së re përpara popullit shqiptar dhe të ndalojë politikisht kryetarin e opozitës Sali Berishën. Pastaj, të gjitha mediat të trumbetojnë pse nuk vepron deri në fund e kështu me radhë me tam-tamin e gjuetisë së shtrigave.
Pse na duket kështu?
Berisha është vërtet njëra nga figurat qendrore të politikës shqiptare të gjithë këtyre 30 e ca viteve, por ama nuk duhet harruar se ka 10 e ca vjet që nuk ka rol në pushtet.
Çfarë pengonte ai për demokracinë që u godit me “non-grata”?!E
kundërta është në realitet. A nuk është kjo një hakmarrje e pastër politike e inskenuar nga Kryeministri shqiptar siç loboi edhe me “non grata”-n për të dobësuar rivalin e tij të frikshëm politik për interesa të pushtetit të tij?!
Po tani, çfarë pengon, kur çdokush nga pushtetarët, dërdëllit se opozita është e ndarë dhe e copëtuar në katërsh?!
Pse nuk ka ngut SPAK për ngjarjet e mëdha si McGonigal që është thembra e Akilit për përçarjen e opozitës?!
Pse nuk ka ngut SPAK për aferën e inceneratorëve që është gati 1miliard dollarë ose çereku i Buxhetit të Shtetit, për portin e Durrësit, për “Sky ECC” etj, etj. por krijon kapituj hakmarrjeje politike për dhëndrin e Berishës, me histori të konfirmuara nga drejtësia shumë vite më pare?!
Akuza ndaj dhëndrit të Berishës, z. Malltezi, është thjesht një represion politik dhe asgjë më tepër. Nuk do shumë argumente për të kuptuar mjegullën e burgosjes dhe izolimit të tij politik që po të krijon regjimi autokratik me drejtësinë që ka plotësisht nën tutelë, qëllimi e veprimeve të së cilës është të prishë imazhin e mire të luftës politike që ka nisur opozita e vërtetë me qëllimin final, zgjedhjet e 2025-ës.
Z. Malltezi në këtë histeri hakmarrjeje nuk ka fare dallim nga kundërshtarët politikë që burgos dhe dënon Putini në Rusi apo Llukashenko në Bjellorusi.
Nëse do të kishte goditje bëmash pa alibi në këtë drejtim do të bëheshim të gjithë mbështetës së kësaj drejtësie të re. Por kur shohim shoë për të rënduar njërën anë, opozitën dhe drejtuesit e saj, pa fakte dhe pa prova, kur shohim mbyllje dosjesh aferash të tmerrshme apo dënime njerëzish periferikë, kur shohim përndjekje të pastra politike të opozitës siç po ndodh hapur me z. Berisha, që nuk po lënë gur pa lëvizur ta ndalojnë pa ligj dhe në të ardhmen ta bëjnë fajtor pa faj, atëherë dyfytyrësia e SPAK na kthehet në gjëmë.
Po, po, e madhe është kjo gjëmë e mëkatit që ai po i vendos mbi shpinë, Shqipërisë me këto lloj kallëzimesh dhe moskallzimesh që po bën.
Innstucionet e drejtësisë së re sorosiane po duket qartë se nuk kanë si qëllim shërbimin ndaj popullit, por shërbimin ndaj qeverisë në luftën e pandalshme për shkatërrimin e opozitës.
Dëgjoni pak pafytyrësinë shembullore të Kryeministrit kur pyetet për të. “Unë nuk flas e diskutoj fare për “non gratan” dhe zëdhënësit e tij (zotin Bardhi e me radhë).”
Po mirë, do thoshte ciniku i Ramës, po Bardhi, “non grata” është që nuk merret me të Kryeministri?! Po kushdo tjetër të zgjidhet në PD i bie të jetë “non grata”, pavarësisht se përfaqëson 700 mijë votues shqiptarë.
A ka shprehje më cilësuese të regjimit që mbron dhe mbështet drejtësia e re me tollovinë e vulës së PD që ka shpikur e po vazhdon, vetëm e vetëm që të mos ushtrojë opozita gjithë fuqinë e vet?!
Le të vazhdojmë pak t’i nxjerrim kallajin edhe cinikut të Ramës kur thotë: “Është Basha, kryetari de jure i PD.”
Po çfarë thotë Edi Rama pa: Basha, po ky ku është, ku ka humbur, si mund të bisedohet me të?!
Atëherë çfarë duhet të themi më shumë për këtë lloj shpellari të arrogancës dhe dyfytyrësisë që na ka rënë për hise tash 10 vjet? Vetëm një gjë. Ai e ka frikën në palcë, ka kompleks inferioriteti nga fuqia e Berishës që s’e merr dot peng, ndaj sillet si superior.
Ai trimërohet vetëm nga fuqia që i jep drejtësia e re, me premtimin se do të jetë i dënuari i fundit i saj, në të gjithë klasën politike shqiptare.
Ai shpreson se drejtësia amerikane që do dënojë McGonigal nuk do arrijë të mbërrijë dhe tek ai, po gabohet. Tashmë gjërat kanë dialektikën e tyre dhe në të ardhmen do përmbysen dhe do gjykohen. Po, po do gjykohen! Jo për hakmarrje, por për ta nxjerrë të keqen jashtë dhe të ecet përpara.
Kështu demokracia e verifikon politikën në rrjedhën e saj.
Këto janë mësime të historisë dhe jo profeci të dikujt.
Askujt nuk duhet t’i shkojë ndërmend se të këqijat që i ka bërë demokracisë do t’i mbulojë brenda karrierës së tij.
Kjo vlen edhe për padrejtësitë e SPAK-ut sot në kurriz të opozitës. Prandaj tani duhet që SPAK duhet të hyjë në rrugën e misionit të taksapaguesëve shqiptarë. Mjaft më me gjueti të specializuar shtrigash dhe përndjekje të qarta politike! Qelbja e kokës së peshkut të pushtetit ka kutërbuar me erën e vet të gjitha kancelaritë perëndimore, përveçse në SPAK nuk ndihet kalbësira e tij.
Sa më shpejt të freskohet drejtësia e re nga ky kutërbim, aq më shpejt do të shpëtojë Shqipëria nga qelbja dhe shkatërrimi i indit të saj social, që po i bën SPAK-u me 2-standardësinë dhe pabarazinë në individë, vepra dhe përmasa ngjarjesh, të dënimeve apo mosdënimeve që ai po jep.