Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe në testin e PISA 2022, që monitoron performancën e nxënësve në nivel parauniversitar.
Në renditjen e publikuar sot, Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe në mbarë planetin, në krahasim me rezultatet e PISA 2018.
Testi i “PISA” është testi kryesor ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm.
Rezultati i testit për vitin 2022 dëshmon që Shqipëria është në nivele të ulëta në arsim.
Shqipëria ka humbur plot 47 vende në lexim, 41 vende në shkencë dhe 69 vende në matematikë në krahasim me rezultatet e viti 2018, duke shënuar përkeqësimet më të mëdha në krahasim me të gjitha vendet e marra në konsideratë në nivel global.
Nxënësit shqiptarë janë poshtë nivelit mesatar të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.
Rënien më të madhe Shqipëria e ka pasuar në matematikë. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit, së pashku me Autoritetin Palestinez dhe Xhamajkën. Shqipëria ka humbur plo 69 pikë, duke shënuar rënien më të madhe në të gjithë globin.
Sa i përket leximit, Shqipëria është sërish ndër vendet e fundit në nivel global, duke u renditur njësoj si Republika Domenikane, Autoriteti Palestinez dhe Filipinet. Në këtë fushë, Shqipëria ka humbur 47 pikë, duke shënuar sërish rënien më të madhe në botë.
Edhe kur bie fjala te shkenca, Shqipëria është ndër vendet e fundit, njësoj si Jordania apo El Salvadori dhe Guatemala. Shqipëria ka humbur 41 pikë në këtë drejtim.
Testi i PISA-s bëhet me nxënësit 15-vjeçarë, duke eksploruar se sa të aftë janë ata në matematikë, shkencë apo lexim.
Në përgjithësi, në mbarë planetin janë shënuar rënie në krahasim me vitin 2018, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ndërkohë PISA thekson se një tjetër problem që mund të ketë ndikuar në këtë rëne në Shqipëri ka qenë edhe tërmeti i vitit 2019.
PISA shton po ashtu se vetë nxënësit shqiptarë thonë se nuk e kanë marrë shumë seriozisht testin në krahasim me vitin 2018. Sipas ekspertëve, edhe të dhënat tregojnë se ata nuk janë përfshirë seriozisht në testim dhe pyetësor.