Më indinjoi jashtëzakonisht shumë akti i vrasjes barbare të motrës sonë, Liridona Ademi. Fillimisht na u prezantua si një vrasje nga kriminelë ordinerë, por duket se qenka ndryshe, duket se xhelozia, egoizmi, mentaliteti i mykur dhe i vjetërsuar burrëror ka qenë shkak i kësaj vrasje kriminale dhe të përbindshme. Një grua, një nënë e dy fëmijëve, ra viktimë e një krim që indinjon sot të madh e të vogël në Kosovë, por dhe në botë. Pavarësisht se do të thotë drejtësia se cili është vrasësi dhe cilat janë motivet e vrasjes, ne vajzat, gratë, nënat, gjyshet duhet të ngrihemi dhe t`i themi fuqishëm “Ndal!” dhunës barbare ndaj grave!
Gratë, duke u ngritur në demonstrata të fuqishme të tregojnë fuqinë e tyre, fuqinë emancipuese dhe trimërinë, të demaskojnë çdo lloj aspekti dhune dhe presioni ndaj grave, që ngjarje të tilla të mos përsëriten, ndërkohë që kriminelët, kushdo qofshin ata, të demaskohen dhe të dënohen me burgimin më të rëndë, ligji të veprojë mbi ta me të gjithë forcën, me të gjithë fuqinë kundër akteve dhe krimeve të tilla çnjerëzore.
Ç’janë këta njerëz pa kurrfarë ndjenjash njerëzore, ndjenja që në këtë rruzull tokësor i kanë edhe kafshët më të egra të globit?
Si mund të flitet për qytetërim dhe civilizim, kur krime të tilla ndjekin njëri- tjetrin, kur gratë shikohen si dytësore, si njerëz pa rëndësi, ku burrat mund t`i trajtojnë ato si të duan me forcë dhe me urdhra, me shëmtinë dhe kalbësinë e ndërgjegjes së tyre, që s`është ndërgjegje, por një ndjenjë egërsie primitive, që s`duhet të ekzistojë kurrë mbi dheun tonë të shenjtë.
Qytetërimi bën përpjekje t`i mbrojë gratë, por gjer më sot mbrojtja e tyre ka qenë e pamjaftueshme, përderisa akte të tillë përsëriten e përsëriten nga burra dhe bashkëshortë mizorë dhe të egër në mendime dhe me ndjenja antinjerëzore. Nënat dhe baballarët kanë detyrë të trajtojnë që në fëmijëri me të drejta të barabarta fëmijët, edhe kur lind djalë, edhe kur lind vajzë. Fëmijët janë njëlloj, s’duhet të ketë asnjë lloj diferencimi të tyre në favor të meshkujve, sepse kështu, që në fëmijëri edukohen ndjenja të padrejta, edukohet një ndërgjegje poshtëruese për femrat dhe superioritet i padrejtë i meshkujve mbi to.
Është detyrë e shoqërisë, që të bëj më shumë për këtë edukimi dhe trajtim; është detyrë e shtetit, që t`i trajtojë njëlloj dhe në mënyrë të barabartë, si femrat edhe meshkujt; është detyrë e shkollës, t`u rrënjos koncepte sa më të drejta të rinjve dhe të rejave që në bankat e shkollës; është detyrë e të gjithëve ne që të respektojmë dhe t`u japim femrave të drejtat, që atyre u takojnë, të mos lejojë që ato të nëpërkëmben. Të bëjmë që meshkujt, sa herë që janë përpara femrave, le të kujtojnë se janë përpara bijave të tyre, përpara bashkëshorteve të tyre, përpara nënave të tyre.
Ne femrat sot, vajza dhe gra, nëna dhe gjyshe të shenjta le të bëhemi barrikadë e fuqishme për t`u thënë ndal krimeve të tilla çnjerëzore!
Të bëhemi të zonjat e vetes sonë, të mbrojmë gjininë tonë të mrekullueshme, të ngremë zërin kundër çdo krimi dhe akti të tillë kriminal që në nisje, të mos lejojmë farën e keqe të na mbulojë dhe të na poshtërojë!
Ky akt çnjerëzor të mos ndodh kurrë më!
Liridona, motra jonë, është zëri, është dhembja e madhe e të gjitha femrave në Kosovë e në botë, është thirrja dhe kambana e fuqishme që t`u jepet fund njëherë e përgjithmonë krimeve të tilla!
Ngushëllime familjes se Liridonës, heroinës që u përball me kriminelin dhe luftoi me krimin, duke dhënë jetën e saj të re!
Liri dhe emancipim i pandalshëm për vajzat dhe gratë kudo në botë!
Të mbrojmë me vepra, vajzat, motrat, gratë, nënat dhe gjyshet tona!