XVI
Ajy Imam’ i-vërtetë,
burri trim pa gjë të-metë,
ishte veshurë si pylli,
edhe ndrinte posi ylli,
armëtë i vetëtinin,
armikëvet frik u shtinin,
mburronjën e Hamzajt mori
dhe kordhën e t’ et përdori,
qëndroj kundrejt ushtërisë
s’ armikut të Perëndisë,
andej ish Jezitërija
këtej vetë Perëndija
qëndroj kundrejt ushtërisë
nder i gjithë njerëzisë,
pa u tha: O ju të parë!
dhe ju gjithë ushtëtarë!
që më shkruat e më prutë
pastaj luftënë më zutë,
gjithë punët ju i prishtë
këtu mua ju më grishtë,
tani më rat e më vratë,
njeri gjall nukë më latë!
U thashë, që të më lini,
më qafë të mos më bini,
pa të dal e të mar dhenë,
edhe ju të kini mbrenë!
të ikënj nga Arabija,
nga vëndi e nga shtëpija
dhe këtë nukë ma dhatë
po më pshuallt e s’ më latë,
ç’ faj u paç e ç’ u kam bërë
q’ u bët armikë të-tërë!
s’ kini turp të turpërohi?
edhe tani po s’ pendohi?
s’ më din i kujt bir jam unë
ç’ është kjo pun e përdhunë
e harruatë Alinë?
e latë pas Perëndinë?
më s’ e doni Muhammenë?
të bijënë Fatimenë?
nuk ësht ajo mëma ime?
pse s’ pattë turp as therime
gjyshi im vall u vu besë?
a i at’ i Mavijesë?
Turpëruatë dhe fenë,
dhe Kombin e mëmëdhenë,
edhe besënë e latë,
n’ arrati të-madhe ratë,
latë edhe Perëndinë,
edhe Muhammet-Alinë,
bëtë besë djallëzitë,
edhe gjithë ligësitë,
u ndatë nga njerëzija,
e nga gjithë mirësija!
Harruatë Perëndinë!
bëtë zot jezitërinë!
lat Alin e Muhammenë,
edhe zutë Mavijenë,
dhe t’ an e-tija Syfjanë,
edhe Jezitn e Mervanë,
mos s’ na shat’ a mos s’ na vratë
gjë pa bërë nukë latë.
S’ më vjen keq për derët t’ ënë
se nga Zoti kshu qe thënë,
po më vjen për Mëmëdhenë
dhe për besën’ e për fenë,
më vjen keq për njerëzinë,
që i dhatë arratinë.
Unë kurrë nukë donja,
me njerëzit të lëftonja,
as mizë s’ donja të ngisnja
jo njerëzinë të vrisnja,
vetë ju këtu më prutë,
n’ idhërim të-keq më shtutë.
Po edhe juve s’ e dini,
ç’ gjë bëni e kë godini,
se zoti u ka verbuar,
veshët ua ka shurdhuar
ju as shihni, as dëgjoni,
as e dini ç’ gjë punoni,
zëmrën e kini të-vdirë,
s’ u ka mbetur gjë e-mirë,
më vjen keq për j’ u të-mjerë
që po vini në skëterrë.
Pandehni që Muhammeti
t’ i ndihnjë këti rrëmeti,
q’ i vret fëmijën e tija,
dhe me kaqë të këqija,
kur të vini n’ atë jetë,
tek ajy zot i-vërtetë?
Kjo punë kurrë s’ harrohet
gjithënjë dotë kujtohet,
sa të jetë këjo jetë
bota nër mënt dota ketë,
kjo të liqtë dot’ i ndanjë,
të mirëtë dot’ i mbanjë,
dotë mbesë nj’ e vërtetë,
të jetë dritë për jetë,
këtë ditë neve lëmë
një nder për jet e një nëmë,
një drit e një errësirë,
një të-lig e një të-mirë.
Zoti e dha këtë dritë,
për njerinë këtë ditë,
për jet udhë t’ i rrëfenjë
me atë udhë të gjenjë.
Zoti gjetkë s’ e ka dhënë
gjer sot këtë nderë t’ ënë
vdesim për një të vërtetë
më ç’ na duhetë në jetë,
vritemi për njerëzinë
për të shpëtuar njerinë
për të mundur ligësitë,
për të nxjerrë ju në dritë
që jini në errësirë,
po vini në shkretëtirë!
Pandehni ju se fitoni!
e thoni t’ a trashëgoni!
mos e kini atë shpresë!
kjo pa shpagë s’ munt të mbesë!
për-së çpejti dota shihni,
të-drejtënë dota njihni,
këtë s’ e le Perëndija,
nuk u a la njerëzija,
ju shumë dotë pendohi,
fare dotë turpërohi,
mbajeni mënt këtë fjalë,
se së-shpejti do të dalë,
ky zjar që ndestë ju s’ shuhet,
dotë jet e dotë thuhet,
juve shtrënjt dot’ u qëndronjë,
se Zoti dot’ u mundonjë,
s’ më ngjan që t’ a trashëgoni,
po fjalën mos e harroni.
Tani pa shtini pa shtini,
ju mua gjall mos më lini,
se unë më s’ rronj në jetë,
hithni, pa hithni shigjetë!
Shokëtë gjithë m’ i vratë
mua të vetëm më latë,
pa shok unë nukë kthehem,
dotë vdes këtu të ndehem,
po bini, se unë s’ bije,
e më parë nga ju s’ shtije.
Kshu the, më të lumtë goja,
armikët i zu nevoja,
kur e pan Imam-Hysenë
u mahnitnë gjithë ç’ qenë,
shumë syresh u pendohnë,
se të vërtetën e njohnë,
ishte në shesht e-vërteta,
gënjeshtra njihej e-shkreta!
ushtëtarët u përzjenë,
kur e pan’ Imam-Hysenë,
i dëgjuan ato fjalë,
lott u vanë posi valë.
Shimr i lik me Bahterinë
edhe me gjith-faqezinë
e me shumë djaj të-tjerë,
q’ ishin armikë për herë,
ushtëtarët i qërtuan,
edhe për luft i shtrënguan,
urdhër ushtërisë i dhanë
bini të gjithë u thanë.
Ajo ushtëri e-shkretë
e-tër i-hodhë shigjetë.
Zot i math shumë durove!
armikëtë pse s’ i shove!
shigjetatë posi retë
ranë mbi trimn e-vërtetë,
diellin ato e zunë,
pa hije sipër i shtunë
po as një ng’ ato s’ e zuri,
Perëndija dorë vuri!
Kur në atë errësirë
po na vjen një trim i-mirë
kaluar ju afërua
Imam-Hysejn! s’ më njeh mua,
tha ajy trim i-vërtetë,
që s’ kish shok në këtë jetë.
Imam Hysejni e shihte,
edh’ e njihte dhe s’ e njihte!
vall ish trim pej njerëzije,
a ëngjëll pej Perëndije?
Ajy s’ ndënj, po u lëshua
mbi armikët si fajkua,
dhe u tha: o të-pabesë,
të birë e Fatimesë
juve doni t’ a godini,
dhe shigjeta i vërvini?
s’ patë turp nga njerëzija?
a u shoftë Perëndija!
Prit-më-ni, o të pabesë,
trimi sot këtu të vdesë,
tha, dhe i hyn ushtërisë
si rrebesh i Perëndisë
armikëtë u përndanë,
Zoti e di sa u vranë.
Si mbaroj ajy, që xbriti
dhe armikët i sfiliti,
u hap ajo errësirë,
mbeti vetëm Zot i mirë,
Imami i Perëndisë,
shpres’ e gjithë njerëzisë,
thirri: Delni, luftëtarë,
papo dolli një i parë
ishte Temim-Kahtabeja,
nga Shami jo nga Qofeja,
ju qas i-paudh i Shamit,
duke thënë kshu Imamit:
Këjo kurrë s’ është bërë,
me një ushtëri të-tërë
një i vetëm të lëftonjë,
të dal e t’ i turpëronjë!
Këta gjith armikë janë,
se Siffin e Nehrivanë
nuk e kanë dhe harruar,
se shumë kohë s’ ka shkuar,
të gjitha armikësitë
i përsëriti kjo ditë,
pa vështo, se ç’ janë vrarë
sot kaqe mij ushtëtarë,
njëri humbi të vëllanë,
tjatëri të bir a t’ anë,
njëri mikn a kushërinë,
sicili humbi të tinë.
Këto fjalë tha Temimi,
pa ju kthye i tha Trimi:
O i bir i-Kahtabesë,
pse u bëtë të pabesë?
dhe të-liq e dorë gjatë,
pa na shuat e na vratë!
unë s’ desha të lëftonja,
vëllazërinë kërkonja,
ju vetë këtu më prutë,
edhe j’ u luftën e zutë,
dhe im atë luftë s’ donte,
miqësinë u kërkonte,
juve punëtë i prishtë,
të këqijatë i grishtë,
i ratë pas Mavijesë,
e dualltë të-pabesë,
Jezitnë për zot e zutë,
neve shigjetë na shtutë,
dhe t’ im vëlla e t’ im atë
juve po desht’ e i vratë,
ata juve gjë s’ u bënë
shpirtin për ju kanë dhënë
juve më qafë u ratë,
me të pabes i vratë,
për mirësi u përpoqnë,
nga e mira dorë s’ hoqnë.
Pandeh ti të më tremç mua
me këto fjalë që thua?
a e di një her im atë
q’ u dha uj e ju s’ i dhatë?
pyet ahere ç’ ka thënë,
ç’ fjal për sot u ka lënë?
dritënë me sy e patë,
pasdaj ikët edh’ e latë,
u futtë në errësirë,
fort bukurë bët e mirë!
Pse më zë ngoje Siffinë!
vallë bota nuk e dinë
ahere kush e kish fajnë?
edhe sot nër mënt e mbajnë.
Në Nehrivan ju na ratë
faj nuk u kishte im atë,
ju shokët e Mavijesë
që s’ kini as turp, as besë
ju vetë e kini bërë
këtë myxyrë të-tërë.
Djemt e ati, q’ e besoni,
i vrisni e i helmoni,
juve sot jini në gjumë,
po nukë shkon kohë shumë,
kur të xgjohi, dot’ a shihni
fajnë t’ uaj dot’ a njihni,
ahere e kupëtoni,
ç’ është puna që punoni,
se kjo punë dot’ u shpjerë
në mundim të math t’ u shtjerë.
Këtë e ndan Perëndija,
edhe pas nesh njerëzija;
po tani s’ arçë për fjalë;
Këtu për vdekje kam dalë.
Kshu tha dhe kordhën e qiti
pa u hoth posi hastriti,
preu Temim Kahtabenë,
gjaku i-tij mori dhenë
gjith armikët u tmerruan,
të-tërë u turpëruan.
Ish një burrë trim me fletë
që nukë kish shok në jetë.
Zejd-Ebtahu, ajy dolli
e-thëna atje e solli,
Imamit me shpat’ i shturi
sa mundi po nuk e zuri.
Dor e-shkret’ o dor e-thatë,
e kujt i shtije me shpatë.
Imami një her i shturi,
dhe atë në dhet e vuri.
Armikëtë u mahnitnë,
edhe të-tër u çuditnë
kur e pan atë myxyrë,
gjak s’ u mbeti në fytyrë,
u tmerruanë nga frika
të gjithëve u ra pika,
njeri më nukë kuxonte,
t’ i dil kundrejt të lëftonte!
than’ Aliu u ngjall prapë,
erdhi dërrmë të na japë!
të gjithë u frikësuan,
edhe ca u turpëruan,
se fajnë që bën e njohnë,
dhe me zëmër u pendohnë!
Ymer i shtërngoj të-parët,
edhe gjithë luftëtarët,
u dha shpres e frik e fjalë,
po njeri s’ deshi të dalë,
as një s’ deshi të gënjehej,
se e dij që nuku kthehej,
s’ vij nër shokë tjatrë herë,
nisej drejt për në skëterrë;
nukë pat duk as një fjalë,
pa njeri s’ kuxoj të dalë!
Imam-Hysejni po rrinte,
njeri kundrejt nuk i vinte,
Ymeri shokët i mblodhi,
e më të-parëtë xgjodhi,
thirri Shimrë-dhil-xevshenë,
dhe të tjerëtë, sa qenë
të-liq e të-mallëkuar,
pa besë në krahruar,
u mblodhë djajtë të-tërë,
edhe fjalë duke bërë,
thanë: ësht Aliu vetë,
është trim, burr’ i-vërtetë,
sot e-tërë trimërija
është mbi vethet të-tija,
nga gjith ajy fis’ i-çquar
përmbi këto ka qëndruar!
është trim me të vërtetë,
s’ ja del dot njeri në jetë,
të mos ish tani pa ujë,
neve na bënte rrëmujë,
të mos kishte edhe zjarrë,
q’ i lanë sa kanë ngjarë,
ajy neve s’ na peshonte,
po të gjithë na shkurtonte,
udhën e lumit t’ a zëmë
me vrap pa ujë t’ a lëmë,
se në pift uj’ o të-mjerë!
një gjall nukë dotë lerë,
njeri vetëm të mos dalë,
as më këmbë as më kalë,
duhet e-tërë t’ i bjerë
ushtërija me një herë!
Këto fjal armikët thanë,
dhe ushtërin e përndanë,
një fuqi të madhe shpunë,
anën’ e lumit e zunë!
Pa Imami u lëshua
për mbi ata si fajkua.
Të keqen o kordh e-larë!
ç’ e nderove kordhëtarë!
Kali duke hingëllitur,
dhe mi ta duke vërtitur,
gjithë përpara i vuri,
kordha s’ e la gjall kë zuri!
U bë gjaku si kënetë!
si shiu, që rrjeth nga retë!
të-shumët’ atje u vranë,
të-tjerëtë u përndanë,
pa j’ u afërua lumit,
vrrap-madhit e fjalë-shumit,
ajy vinte gjithë valë,
duke thënë shumë fjalë.
Ah! O Frat! o Frat i-shkretë!
të kishe shtrohur për jetë!
Lumi vij me shumë bujë,
po s’ ish thënë të pij ujë!
një djall! mos i qoftë thënë!
thirri: Tëndët plaçk i bënë!
Imami u kthye prapë
me etj’ e me shumë vapë!
ajo s’ ish fjal e-vërtetë,
po e çpiku djalli vetë,
e-thëna dotë mbarohej,
as shtohej as pakësohej,
me zjar të-math duke kthyer,
në gjak i-tërë i-ngjyer,
vrau dhe shumë të-tjerë
Zot’ i math zëmërë-gjerë,
pa erdhi posi shkëndija,
me mall e priti fëmija!
–
XVII
Zot i-math e i-vërtetë!
ç’ qe kjo kaq e-keq e-shkretë!
Zëmëra më mallëngjehet,
kjo herë nukë rrëfehet!
s’ ngjan dhe më herët e tjera!
popo! ç’ panë grat e-mjera!
Veç ti, Zot, u dhe durime,
zëmratë i bëre trime,
kjo s’ ish punë, që durohej,
zëmra soje përvëlohej!
E pritnë me shumë shpresë!
dh’ e rrethuan posi shpesë,
me lot t’ idhur duke qarë,
kush t’ a qafonjë më parë,
një shpresë si vetëtima,
kur duket nër kërcëllima,
nga Zot i-vërtet’ u xbriti,
e nër zëmëra u ndriti,
edhe një gas patnë ndjerë
m’ e parë gjall dhe një herë.
Jetë; o e-shkreta jetë,
je e-rremë, s’ j’ e vërtetë!
gazi dhe helmi që vinë,
shkojnë prapë, shumë s’ rrinë.
Kthehen ndër na duke shkuar
po t’ i presim pa rënduar,
gjithë ç’ pjell e-shkreta jetë,
i ha prapë ajo vetë.
Kshu dhe njerëzit e-mjerë
i ha shtriga s’ do t’ i lerë,
i ha po vet i pjell prapë,
atë që mer, dot’ a apë;
hëna hahet’ e më s’ shihet,
po zë prap e përsërihet.
Dhe Imami këtë herë
nga ajo zëmër e gjerë
nxori ah e psherëtimë,
mallëngjim e gashërimë,
e lottë si shi i derdhi,
se po shumë keq i erdhi,
shum armikët e munduan,
zëmërënë j’ a lënduan,
paçin nëm e Mallëkime,
dhe mundim e hidhërime.
Ëngjëlli i mirësisë,
që vjen ng’ an’ e Perëndisë,
xbriti e durim i pruri,
pa fjalënë prapë zuri,
ngushëlleu grarërinë,
edhe Zejnel Abidinë,
nga zëmr’ e tij, q’ ishte trime,
u dha durim nër mundime,
u tha ç’ u kish për të thënë,
u mësoj ç’ udhë të zënë,
pa u ngrit, u nis të dalë,
duke thënë shumë fjalë,
gratë nër këmbë i ranë,
e të-gjitha pas i vanë,
edhe Zejnel Abidini.
Imami u tha, ku vini?
i thanë me ty, të vdesim,
nukë duam më të mbesim,
po Imami u tha, rrini,
ju në luftë s’ bën të vini,
Shehrëbanuja tha, mua
këtë fjalë mos ma thua,
dotë vinj bashkë të vdesim,
neve më s’ mundim të presim
të mbes unë bijë mbreti,
në mest të këti rrëmeti!
nukë jam nga kombi juaj,
pa më kanë për të huaj.
Imami u tha: Ju rrini,
të-tilla nër mënt mos vini,
mbi ju njeri s’ vë dot dorë,
kini Zotn e-math këmborë.
Tek po thoshin këto fjalë,
e derthnin lottë si valë,
kur u dha me vrap një burrë
e një Hexin duke prrurë,
q’ ikën si rrufe ndë rërë,
edhe plumbi s’ munt t’ a zërë,
Imami i tha: pa hipë,
edhe ik’ o buk e kripë,
ler-i gratë, i sjell unë,
po hiq vet’ e mbaro punë.
Imami i dha uratë,
pa i tha: Ki kujdes gratë,
edhe Zejnel-Abidinë,
e mos i lerë të vinë;
un arçë për të mos kthyer
Zot’ i math s’ më ka gënjyer.
Më nukë tha tjatrë fjalë,
po me vrap hipi në kalë,
hyri në mest të ushtërisë,
si dragoj i-Perëndisë,
posi zjar’ i-math kur bije
në pyllt e lisat i shtije
me të-madhe kërcëllimë,
e me shumë oshëtimë
nukë le as bar, as fletë,
ashtu dhe trim i-vërtetë
i shoj, i shkurtoj të-tërë,
Qerbelaja det ish bërë,
e po kërkonte Ymerë,
edhe të parët’ e tjerë!
Do t’ i kish të-gjithë shuar,
po për uj’ ish përvëluar!
te lumi u afërua,
pa ndënj pakëz’ u mejtua,
shokëtë nër mënt i erdhë,
lottë si lumi j’ u derdhë!
Atje tek rrij e mejtohej,
e zëmëra i përvëlohej,
Hasir i-bir’ i-Temimit
një shigjet i shtije trimit!
në buzët e zu shigjeta!
dhëmbët i shturi e shkreta!
Opopo! zot i-vërtetë!
s’ e përmbysnje dhen e shkretë.
Armikët e-mallëkuar
e psholl’ Imamn’ e uruar,
gjithë ç’ ishte ushtërija,
kalori e këmbësija,
posi galat u lëshuan,
papo në mest e rrethuan,
shtunë ushtë e shigjetë
kundrejt Zotit të vërtetë!
Një shigjet e shkret e mori
në ballë pa kur e nxorri,
gjaku rrodhi posi krua!
popo! me gjak u mbulua!
Mos më keq! se s’ mer më shumë
djall o punë! fat o lumë.
Pas asaj posi dragua
mi armikët u lëshua,
me kordhët të larë shturi,
dhe kë zu në dhet e vuri
fluturonte si fajkua
lëshohej posi dragua,
armikët të gjith’ i-binin,
shigjetat në trupt e zinin,
plagë kishte shtatë-dhjetë
edhe ky trim i vërtetë!
në gjak ish mbytur i-tërë
o armikë ç’ kini bërë,
mallëkim paçi për jetë
nga Zot i-math i-vërtetë,
i ra i-tërë rrëmeti,
pa fuqi më nuk i mbeti,
armikëtë e rrethuan,
më tepërë e shtërnguan.
Imami prap u lëshua,
ushtërija u tmerrua,
u përhapn e prap u mblodhë
të gjithë shigjet i hodhë,
shumë shigjeta i shtunë
edhe të shumat e zunë.
Kali kishte plagë shumë,
gjaku i rrithte si lumë,
pa rënkoj e psherëtiti
Imami Hyseni i xbriti
armikët më këmb e panë,
të-tërë sipër i ranë
Ymeri j’ u afërua,
e pa dhe u turpërua,
Shimr’ i-lik i-mallëkuar
u derth si qen i tërbuar,
po Imami si dragua,
me kordhë drejt j’ u lëshua,
posa pa Imam Hysenë
iku me vrap, mori dhenë.
Pasdaj mbloth Shimri të-titë
edhe të tjerë Jezitë,
së-largu të tër i shtijen,
shigjetat si breshrë bijen.
Kali rreth të zot i vinte,
dhe sa muntte hingëllinte.
Armikët gjith u përmblodhë
pa shigjeta shumë hodhë
gjithë së-largu i shtinin,
po afërë nuk i vinin,
Imam i-zotit të jetës,
q’ ish burim i së-vërtetës,
kish marrë plagë me mijë,
gjaku i vij posi vijë,
po prap ajy poshtë s’ binte,
me kordhë në dorë rrinte,
shigjetatë, që i shtinin,
si gjëmba në trup i rrinin.
Zot i math ti qysh e prure?
në mest të djajet e shture.
Me gjith ato të këqija,
i dha fuqi Perëndija,
armikëtë prap i ndoqi,
dhe kë preku kordh i hoqi.
Armikëtë u përndanë,
po prap u mblodh e i ranë,
pa Shimri i mallëkuar,
ajy djall i-tëmërruar,
me shokët’ e tij thërriste,
posi qeni angulliste,
u thoshte pse nuk u bini?
edhe më të-gjall’ e lini.
Ata gjithë e rrethuan
po prapë s’ ju afëruan,
u zunë gjithë nga hargu,
e goditninë së largu,
shumë djaj të mallëkuar
u nisnë për t’ afëruar,
j’ u qasn e u turpëruan,
papo prapë u mërguan,
kishinë të-gjithë shpresë
nga i-bir i-Mavijesë
që t’ u ipte pun e mitë,
kshu i mësonin djallëzitë!
Imam-Hysejni po rrinte
gjaku posi lum i vinte!
donte dhe më të qëndronte,
e plagëtë t’ i duronte!
po fuqija j’ u mbarua!
dhe zëmra j’ u përvëlua!
Ajy Zot ç’ plagë kish marrë
zëmra qysh i ish tharë!
mushkërit i ishin djegur,
atë ditë ç’ kishte hequr,
sa të-këqija kish parë,
ç’ myxyra i kishin ngjarë,
opopo, Zot i-vërtetë,
ç’ ishte kjo e thën e shkretë.
Ng’ ajy komb i Mavijesë
Dira-shtrigu i-pabesë
me një shigjet e goditi,
krahn e djathtë j’ a drobiti
Sinan-Enesi së prapi,
duke nahitur si çapi,
sa mundi shtu qen i qetë,
pa ajo shigjet e-shkretë
nënë kraht të-djatht e mori
dhe i del nga krahrori,
pa ra shtyll e njerëzisë,
e drejtëz e Perëndisë,
u tunt fush e Qerbelasë,
qielli zu të kërcasë,
tërmet ra ndë gjithë jetë,
kur ra Imam i-vërtetë,
u tunt gjithësi e-tërë.
Kjo punë më s’ ishte bërë,
Havli bashkë me të birrë
u lëshuanë me dëshirë,
j’ u qasnë, po kur e panë,
u trëmpn e shkuan dh’ e lanë
një tjatrë j’ u afërua,
Imam i tha me mua
ç’ ke ti? o njeri i mjerë,
pse nise për në skëterrë?
Kur ati nga Perëndija
i erth gjithë mirësija,
tha, ç’ bët’ o të-mallëkuar,
vratë njerin e-uruar,
paçi nëm o të-pabesë,
ky ësht’ i bir i Fatimesë,
dhe i nip i Muhametit,
kshu tha dhe j’ u derth rrëmetit
shturi me shpatët të gjatë,
la në vënt nja gjasht a shtatë
pa gjithë sipër i ranë,
e vran e gjall nuk e lanë.
Pasdaj të-tërë sa qenë
e pshollë Imam-Hysenë,
sicili t’ i qasej donte,
po prapë nukë kuxonte,
veç Shimr i lik i tmerruar,
dhe Sinan i mallëkuar,
qent’ e skëterrës së shkretë
j’ u qasnë të dy të-qetë,
Shimri, djall i mallëkuar,
e shkeli në krahëruar.
Mos më keq, Zot i vërtetë,
gjer këtu kjo pun e-shkretë.
Ëngjëlli i-Perëndisë
xbriti me rrobët të zisë,
Shimrin e-nëmur e shtyti,
pa s’ e shkeli për-së-dyti.
Popo, Shimr’ i-mallëkuar
ishte shum i shëmëtuar,
dhëmbëtë pej derr i kishte,
ajy ish djall, njeri s’ ishte
kishte dalë pej skëterre,
si derri kur del pej ferre,
kish fytyrënë myxyrë,
dhe menyrënë të-ndyrë.
Kordhënë e nxori qeni,
hapi syt Imam-Hyseni,
pa i tha: Në këtë hënë
njerëzija luftë s’ zënë,
ësht e premte këjo ditë,
që i lenë djallëzitë,
i falenë Perëndisë
pas udhës së njerëzisë;
edhe t’ im gjysh e lëvdojnë,
e ndihmë soje kërkojnë,
edhe fëmijës së tija
urat’ i ep njerëzija,
ju kuxuat’ e na shatë
dhe na shuat e na vratë,
po këtë të-madhe plagë
Zoti nuk e le pa shpagë!
Kshu tha dhe nga zëmr’ e-gjerë
psherëtiti fort një herë!
pa zu ngoje Perëndinë,
dhe mblodhi gjithë fuqinë,
unji kokën, j’ u fal Zotit,
fuqi-math mëshirë-plotit.
Shimri i ra! pastë nëmë!
Opopo! e madhe gjëmë!
e pa Zoti kokë prerë,
qiejtë i bëri sterrë.
Armikëtë edhe t’ anë
kshu në falj’ e sipër e vranë,
koka që ishte e-prerë,
duke folur tha një herë
me një zë shumë të-qetë:
Zot i-math ësht’ i vërtetë.
–
XVIII
Diell’ ish duke përmbysur,
dita ishte më të ngrysur,
qiell i tër ishte nxirë,
jeta ish bër’ errësirë,
e-vërteta ish drobitur,
gënjeshtra ishte rritur.
Kështu dukej në të parë,
dhe nga punë, që kish ngjarë
mbretëronte Mavijeja,
s’ kish të bënte Fatimeja,
Imam-Hysejni ish vrarë,
Jezitit i vinte mbarë,
kishte mundurë Syfjani,
edhe Shimri e Mervani,
kishin mundur Perëndinë,
edhe Muhamet Alinë.
Po kjo nuk ish e-vërtetë,
ishte nj’ e-rreme ndë jetë,
Imam-Hysejni fitonte,
dh’ e-vërteta mbretëronte,
Imam-Hysen’ ish nderuar,
Jeziti ishte shkretuar,
Hysejni mir nder për jetë,
Jeziti nëmën e-shkretë,
Hysejni kish Perëndinë,
e Jeziti djallëzinë,
për Hysejnë përgjërohen,
në dashurit afërohen,
edhe sonte njerëzija
qajnë për ngjarjet e-tija,
Jeziti me gjithë shokë
nëmënë kanë mbi kokë
dhe këtu dhe nd’ atë jetë,
dhe ndaj Zotit të-vërtetë.
Kush do Muhamet-Alinë,
edhe beson Perëndinë,
do Hasan e Fatimenë,
dhe qan për Imam-Hysenë,
nukë bën jezitërinë,
djallëzin’ e ligësinë,
se ata, që janë vrarë,
e ranë dëshmimëtarë,
ranë për një të vërtetë,
q’ ajo na nderon në jetë.
Armikët e-mallëkuar
s’ e kishinë kupëtuar,
q’ ata Zotërinj, q’ u vranë
e nderuan Qerbelanë.
Atje tek ra zoti ynë,
edhe gjithë gjak e mbynë,
vete dhe sot njerëzija,
falet nër këmbët të-tija.
O lule! moj e-vërtetë!
të qofshim falë për jetë!
Zotërinj, ju kini vuar,
neve na kini nderuar.
O vëllezrë Shqipëtarë!
pa qasuni duke qarë,
dhe mbani zi këtë ditë,
t’ u xbresë nga Zoti dritë.
Pa kujtoni Qerbelanë!
gjithë Zotërinjtë t’ anë!
Me të lënë këtë jetë
Imami, Zot i vërtetë,
Shpirt i math vate te Zoti,
tek kish qënë dhe qëmoti,
gjeti atje Perëndinë,
edhe Muhammet-Alinë,
dhe Fatimmen’ e Hasanë,
e të mirët anë mb’ anë!
të-liqtë s’ ishin përzjerë,
ishin gjithë në skëterrë,
në shum ishinë mundime,
ndë nëm’ e në mallëkime,
si cili kish një myxyrë,
e një fytyrë të-ndyrë,
njër’ ish gomar i xgjebosur,
tjatëri qen’ i kromosur,
se njerëzi s’ u kish mbetur,
vetë posht’ e kishin hedhur!
Kshu ish n’ atë të-vërtetë,
po këtu në këtë jetë
armikët ishin gëzuar,
punën e kishin mbaruar,
kishin nga Jeziti shpresë
ndaj u bënë të-pabesë!
Oh! mëndja sa i gënjente!
s’e dininë ç’ dot’ i gjente!
Imamit kali s’ i ndahej,
hingëllinte sa mënt çahej,
aqë shumë hingëllintte
sa Qerbelan e trondintte,
armikëtë gjith’ i ranë,
e goditn’ e dot s’ e vranë,
pa iku me gulçim shumë,
i-plagosur e për lumë,
erdhi e qëndroj më derë,
hingëlliti dhe një herë,
grat e varfëra e panë,
edhe të qarit j’ a dhanë!
ndënj i-qarëth e i-qetë,
i rrithte gjak tatëpjetë!
fëmija gjith u tmerrua,
dhe drejt kalit u lëshua,
me të math mallëngjim qanë,
edhe kalit kshu i thanë:
Ore kal o kal’ i-shkretë!
ç’ e bëre trimn’ e-vërtetë
ku është nder i njerëzisë!
shtyll e gjithë mirësisë!
mjerë neve! se si mbemë
edhe këtu ç’ dotë lemë!
qysh erth kjo e zezë ditë,
q’ u harruan mirësitë!
koh e-shkretë si u ndrua!
e-mira gjith’ u mërgua!
Ah! o mit’ e zeza mitë,
i bëre gjithë jezitë!
njeri mik sot-për-sot s’ mbeti!
u harua Muhammeti!
Aliu me Fatimenë!
e Hasani me Hysenë!
ç’ ka bërë makutërija!
dh’ e nëmura djallëzija!
qysh e paskemi thënë!
ç’ qe kjo për derëzët t’ ënë!
kaqe burra këtu lamë!
mjerë neve me sy ç’ pamë!
këtë mall si t’ a durojmë!
ç’ na duhetë më të rrojmë
Zot i math! o Zot i-mirë!
fal-na durim e mëshirë.
Kshu qanë me gashërima
me lot e me psherëtima.
Kali dëgjoj këto fjalë,
dhe iku e mori malë,
njeri se pa tjatrë herë
atë kalëthin e mjerë!
Grat ishinë tëmërruar
as në gjum ishinë as xgjuar,
pa thirrë: Neve ku jemi!
paskëtaj të gjallë s’ vemi!
dhe j’ u derth ushtërisë!
si rrebesh i Perëndisë!
I-huaji grat i zuri,
brënda në tëndët i shpuri,
u tha: Hyni brënda, rrini
ju dhe Zejnel-Abidini.
Ajy vetë ndënj më derë,
njeri atje të mos lerë.
Gratë donin të lëftonin,
zëmrënë dot s’ e pushonin!
Armikëtë gjith u dhanë,
bënë plaçkë gjithë ç’ panë,
s’ lanë gjë, po gjith i mblodhë,
i rropnë djajt e vodhë.
Shimri me shokë të tjerë
u lëshuan me një herë,
të-huajnë shum e shanë,
dhe atë ngadish e vranë!
po Ajy vdekjen s’ e dinte,
dor e vdekjesë s’ e zinte.
Zejnel-Abidini ku’ shtë?
than’ apo s’ del, s’ e pa ngushtë.
Nuk e kishin për të lënë,
po Zoti s’ e kishte thënë,
pa ata, q’ ishin pendohur,
fajn e math e kishin njohur,
thanë: Mjaft këto që bëmë
këta që mbenë, t’ i lemë,
në mos po dotë qëndrojmë
në mest t’ ënë të lëftojmë;
armikët u trëmpn ahere,
se mos bëheshin lëvere.
Kshu i mësoj Perëndija,
pa shpëtoj syresh fëmija.
Pasdaj u ngrit ushtërija,
pas atyre dhe fëmija,
dh’ ajy njeriu me besë,
muarr udhën e Qofesë.
Fëmija fort shumë qanë,
kur e lanë Qerbelanë.
Ç’ la atje fëmij e mjerë!
burra m’ emër e të ndjerë!
la shpresën e njerëzisë!
gjithë miqt’ e Perëndisë
gjalljenë nukë e donin!
ato vdekjenë kërkonin!
Zejnel-Abidini qante,
me gratë bashk e zi mbante
mallëngjimnë s’ e duronte,
doj të vdis e të mos shkonte.
Po ajy, që pru Hezhinë,
e zu Zejnel-Abidinë,
t’ i prure tha, Zotit besë
kushdo që lint, dotë vdesë.
Kshu tha dhe gjithë kaluar
muarr udhë duke shkuar
me zëmrë cop e thërrime,
me helm e me mallëngjime.
Ky Zot fëmijën’ e shihte,
po atë njeri s’ e njihte!
i shërbente gjithë vetë,
si shërbëtor i-vërtetë
në kohët të ligësisë
kish njeri të Perëndisë!
fëmija s’ e njeh njerinë
vallë ëngjëllit e xbrinë!
a e kish dërguar vetë
Zot’ i math e i vërtetë!
se zogut, që mbetet shkretë
dhe i varfërë në jetë,
ja bën vetëzë folenë,
mirësit e tij s’ e lenë.
U tha Zejnel-Abidini
armikëvet: Ku na shpini?
Në Qofe e në Sham, thanë,
dhe i muarr e s’ i lanë.
Unjet nga mali ndë rëza,
e vjen në fushët thëllëza,
Imamit j’ u afërua,
pa qau e u helmua,
qepnë me gjak duke ngjyer,
e këmbëtë duke lyer,
iku me vrap mori dhenë,
duke qar’ Imam-Hysenë,
i ra pas edhe pëllumbi
duke ikurë si plumbi,
me vaj e me ulërimë,
me të madhe psherëtimë,
më të-gjith’ anëtë vanë
gjëmënë miqet u dhanë.
Pëllump i-bukur me besë,
ndënj mi varrt të Fatimesë
papo qant’ e nëmëronte
nat’ e dit’ e më s’ pushonte!
Me shumë shok erth Ymeri,
po me pak u kthye derri,
se të-shumëtë u vranë,
p’ andaj shumë shokë lanë,
të vinin ndë dhet të vrarët,
q’ ishin nderë si trarët;
djajt e tyre i mbuluan,
të mirët i lan e shkuan!
Po pshattarëtë dëgjuan,
u ngrinë gjith e s’ mënuan,
burra, gra e foshnja vanë,
i mblodhë tok e i qanë,
pa me të-math nder i vunë
opopo ndë dhet se ç’ shtunë.
Armikëtë e mallëkuar
kishin marrë duke shkuar
kryethitë e Imamit!
j’ a shpinin derrit të Shamit
edhe shokëvet të tjerë
kryet’ u’ a kishin prerë,
pa dhe ato bashk i shpunë,
opopo e madhe punë.
Ymeri natën e-parë
atje tek kishinë rarë
pa n’ ëndërrë Muhammenë,
Hadixhen e Fatimenë,
Alinë edhe Musanë,
Merjemenë e Isanë,
Imam-Hasan e Abasnë,
dhe t’ anë Sadi Vekasnë.
Erdhë gjithë të-helmuar,
kokët i ngrinë nër duar,
pa i puthn e i fërkuan,
shumë qan e mallëkuan,
u dha dhe nj’ e madhe dritë,
e nata u bë si ditë,
Muhammeti duke qarë,
e kokëtë duke parë,
gjith armikët i qërtonte
u ip nëm i mallëkonte,
të-mirëtë gjithë ç’ janë,
i rrininë atje pranë
dhe një kordhëtar i-parë,
shpagë kërkonte të marë
vij një zë nga Perëndija,
edhe thosh si vetëdija:
Zoti është me të mirën
nuk është me egërsirën,
do të-drejtën, të-vërtetën,
se me ato e mban jetën
të-ligënë kush t’ a bënjë,
më së fundi dota gjenjë,
të drejtënë kush t’ a lerë,
n’ errësirë dota bjerë.
Udhën’ e-drejtë e patë,
pse s’ e mbajttë po e latë?
ajy, që bën ligësitë,
bije në të madhe shkitë,
djallëzi e ligësija
është lark nga Perëndija,
edhe gjithë djallëzitë,
s’ dalënë kurrë në dritë.
Zoti u tha të gjykoni,
me të-drejtë të punoni,
u tha të kini mëshirë,
të bëni nga-herë mirë,
të-drejtënë mos e lini,
në arrati të mos bini,
të mos lini njerëzinë,
të mos e ngisni njerinë,
mizën u tha të mos ngisni,
e ju njerëzinë vrisni!
s’ dëgjuatë Perëndinë
po bëtë zot djallëzinë
latë më nj’ anë uratën,
muartë dëmn e mëkatën
lat’ udhën e Perëndisë,
i ratë pas djallëzisë
i vajttë pas Mavijesë,
nëmënë muartë pjesë!
me djallëzi e me mitë
u bëtë gjithë Jezitë,
latë Musan’ e Harunë,
e u bëtë Firaunë,
të-tër’ u bëtë Nemrutë,
në zjart Ibrahmin’ e shtutë,
Isufnë për pak e shittë,
edhe sytë tuaj qittë.
Ajy që shet të vëllanë,
dhe vret t’ ëmënë e t’ anë,
s’ ka pjesë pej njerëzije,
edhe ndjesë Perëndije,
latë Merjemn’ e Isanë,
u bëtë ng’ ata që vranë,
latë Muhammet-Alinë,
pa bëtë Jezitërinë,
harruatë mëmëdhenë,
u bëtë me Mavijenë,
të-mirënë posht e hodhtë,
të-ligënë zut e xgjodhtë.
Po mëndja mos u gënjenjë,
Zot i-math dota çpërblenjë.
Kshu pa ëndërr atë natë,
pa u ngrit me shumë datë
dhe fjala i ndenj si thikë
në zëmër e i dha frikë.
Ushtëri e-mallëkuar
u ngrit edhe duke shkuar
vate në Qofet të shkretë,
që dotë shuhej për jetë;
bij përpara ushtërija,
pas asaj vinte fëmija.
Ybejdi, qen i skëterrës,
kishte dalë jashtë derës
jashtë derës’ së qytetit,
marë mënyrën’ e mbretit
bashkë me qen’ e-pabesë
ish njerëzi e Qofesë,
ca armik’ e të-gëzuar,
dhe ca miq e të-helmuar.
Me të-madhe kërcëllimë,
me poh’ e me shumë sqimë
hyn në Qofe ushtërija,
pastaj hyri dhe fëmija
në qytet të-mallëkuar,
që ishte për të rrëzuar.
E pa Zejnel-Abidinë
Ybejdi, që ngjan m’ Alinë,
pa shumë uzemërua,
tha, popo, fara s’ ushua.
Vat’ e ndenj në vënt të-tija
djalli vet’ e djallëzija
dhe tha, Zejnel-Abidinë
thirr-ma-ni këtu taninë.
Imami yn’ atë donte
se po vdekjenë kërkonte,
vate dhe pas shërbëtori,
nuk e la vetëm i gjori
Zejnepa u nis të vdesë
më s’ i mbeti fare shpresë
te Ybejd’ i nëmur vanë,
dhe ndenjn’ e fjalë s’ i thanë.
Ybejdi i tha: Ti grua
ç’ deshe këtu pa më thua?
Zejnepa q’ ish grua trime,
j’ u përgjiq me mallëngjime.
O ti! qen i-bir’ i qenit
jam motr’ e-Imam-Hysenit
paske dhe fjal’ e më thua!
më nëmëron mua grua!
nuk’ u pi dheu të tërë
më ç’ punë, që kini bërë
edhe më nukë pendohi
s’ kini turp të turpërohi!
djalli ju u ka verbuar!
mëndjen u ka turbulluar
pa bëni kshu të këqija!
a u shoftë Perëndija!
Kshu the! Zonj e gjithë grave
s’ at ëm’ e t’ yt et’ i ngjave.
Ishin mbledhur njerëzija
bërë posi mizërija.
Ybejdi u zëmërua,
pa shumë u sgurdullua,
dhe i tha Imamit t’ ënë:
Po ti djalë ku ke qënë?
në Qerbela pse s’ të vranë
gjall në jetë pse të lanë?
Djali pakëz u mejtua,
i tha: Pse më pyet mua?
unë vdekjenë kërkonja,
nukë donja më të rronja,
desh të më vrit ushtërija,
po më shpëtoj Perëndija,
është dor e Perëndisë,
mi duart të njerëzisë!
po pse të bëhej kjo punë?
vallë ç’ faj kisha bër’ unë?
njeriu të jet i mirë,
pa kur të jet egërsirë,
si ju e si mbreti juaj,
mirësin e ka të huaj!
mua zëmëra s’ më trëmbet,
dhe shpirti aqe s’ më dhëmbet,
gjyshn’ e t’ im ati e vratë,
dhe gjyshnë t’ im e t’ im atë!
unë, i-bir’ i-atyre!
rri kundrejt kësaj myxyre!
kini gojë, të më flisni!
këtu jam përse s’ më vrisni!
S’ qenë mjaft ata, që ranë
pa ke keq se pse më lanë?
Kshu tha djali me të qetë!
Zot i-math e i vërtetë!
bënë çudi njerëzija
nga mëndj’ e nga fjal’ e-tija.
Ybejdi u ashpërua,
edhe shum u egërsua!
thirri, merr-e-ni dh’ e vrisni!
e tani ndë dhet t’ a kllisni!
Armikët e-nëmur erdhë,
Imamit siprë j’ u derdhë!
Zejnepa me vrap e zuri,
dhe dorën sipër i vuri,
pa thirri: O të pabesë!
Komb’ i-ndyr’ i-Mavijesë!
vris-më-ni, vris-më-ni mua!
se më rrojtje nukë dua!
bini! të-paudhë! bini!
djalëthinë mos e ngini!
Tek thoshte Zejnepa fjalën,
dh’ e kish pushtuarë djalën,
pleqt’ e-vjetër e të-ndjerë,
si Erkami me të tjerë,
edhe shumë miq e trima,
që i mbuloj gashërima,
se besonin Perëndinë,
të-tërë më këmb’ u ngrinë!
në mest të tyre një burrë
thirri: Kjo s’ bënetë kurrë!
ish një djal i-holl i-gjatë,
pa vu dorënë në shpatë,
njerëzija u përzjenë,
Ybejdi e doj Qofenë,
pa u trëmp e dorë hoqi,
edhe pleqësin e ndoqi!
Zejnepa me pleqësinë
dhe me Zejnel-Abidinë
e me shërbëtorë shkuan,
nga rrezik i-math shpëtuan!
Shtëpi gati kishin bërë,
të rrij fëmija e-tërë,
n’ atë shtëpi i dërguan,
dhe botënë e ndaluan,
vunë njerës të mos lenë,
as gra as burra të venë,
pa erth u përzje qyteti,
u ngrit më këmbë rrëmeti;
Ybejdi për të qetuar
botën e për të pushuar,
Zejnel-Abidin e gratë
i nxorri gjithë me natë,
nisi pesë mijë vetë,
i dërgoj në Shamt të shkretë,
mi gjith’ ata ushtëtarë
Shimrinë vuri të-parë!
edhe Hasin’ e Zehirë
dy armikë të pështirë!
–
XIX
Fjala posi zokth’ i shkruar
me vrap duke fluturuar
u përhap e mori dhenë
mësuanë gjithë ç’ qenë,
qau gjithë njerëzija
për gjith ato të këqija,
pa miqt e asaj fëmije,
q’ ishin njerës Perëndije,
miqtë e Aliut zinë
zun’ e Muhamet-Alinë,
bot’ e-tër u ngrit më këmbë
donin t’ a hanin me dhëmbë
gjithë tufën e Syfjanit,
të Jezitit, të Mervanit,
më shum Ybejd-faqe-zinë,
e të-tërë ushtërinë.
Edhe ata miqt’ e-tija,
edhe vetë jezitërija
e-tërë bota Jezitnë
pas kësaj shum e mërzitnë,
edhe njerëzin e tija,
po i munte djallëzija!
këtë ditë u mbarruan
punëtë gjith u ç’ quan,
më nj’ anë mbet Perëndija,
m’ anët tjatrë djallëzija,
kush desh Muhamet-Alinë,
zu besën e Perëndinë,
i bëri nder njerëzisë,
i vate pas mirësisë,
edhe u bë mik me besë
për Hysejn e Fatimesë,
të-tjerët zunë Syfjanë,
edhe Jezitn e Mervanë,
me të gjitha ligësitë,
e të tëra djallëzitë!
njëri xgjodhi të vërtetën,
la gënjeshtrën e të-metën,
tjatëri mori të rremën,
vu përpara thash e themën,
njëri i pat Zotit mallë,
e tjatëri xgjodhi djallë,
një desh Zejnel Abidinë,
një u bë me mbretërinë!
Në Sham po vinte fëmija,
dhe kokët e ushtërija,
ato kokë nga do shkonin,
çudi të mbëdha tregonin!
po armikëtë s’ besojnë,
djallëzitë i ndalojnë!
Tek shkonin udhës’ së Shamit,
thoshte kryet e Imamit:
Mjer’ ajy q’ ësht i-pabesë!
e s’ ka njerëzije pjesë,
mos pandeh, se Perëndija
s’ e di ç’ bëjnë njerëzija,
mirësinë ka pëlqyer,
ç’ do punë e ka çpërblyer,
ajy, që ësht egërsirë,
s’ munt të gjenjë kurrë mirë,
kush ti ndihnjë njerëzisë,
miku ësht i Perëndisë,
ajy, që zë djallëzinë,
s’ piqetë me Perëndinë,
njeriu në këtë jetë
duhet të jet i-vërtetë,
mirë duhet të punonjë,
sa të jet e sa të rronjë,
atë, që bën, dotë gjenjë,
se Zotnë s’ munt t’ a gënjenjë.
Këto fjalëzë nga-herë
thoshte kryethit e-prerë
po vetëm miqt’ i dëgjonin,
dhe zëmrën e fortësonin,
miqtë shtonin dashurinë,
armikëtë djallëzinë,
djallëzija po u shtohej,
e shkreta frik po madhohej.
Ata, që mbaninë besën,
deshnë udhënë t’ u presën,
t’ a shuajnë ushtërinë,
e të vinte në greminë,
po fëmijënë kujtonin,
pa s’ muntninë të kuxonin.
Jeziti i-mallëkuar
punën e kish kupëtuar,
q’ u bë sa s’ qe për të bërë
se u ftoh një komp i-tërë,
e pa që kish tepëruar,
po isht’ e bërë dh’ e-shkruar,
më nj’ anë shum gëzohej,
më nj’ anë frika i shtohej,
dhe thosh të tjerit i vranë,
po një syresh pse e lanë!
Kshu thosh me vehtet të-tija,
po kur vinte pleqësija
e-tërë shum e mejtuar,
e gjithë të zemëruar,
u thosh: Deshnë vet’ e bënë,
të till urdhër s’ pata dhënë!
Shimr’ i lik i-mallëkuar
q’ ish fare jezitëruar,
këtë vesh e kishte marrë,
pa dërgoj njerës më parë.
Beshir-Maliq i-pabesë
që kish nga Jeziti shpresë,
kryet’ e Imamit shpije
te Jeziti shpirt Mavije,
pa i thotë: Derth florinjtë!
më mbush grushtin e pëqinjtë!
se një njeri kemi vrarë!
q’ ish i-math shum e i-parë!
i-parë nga mëm e atë
edhe burrë trim me shpatë!
ish m’ i-mir i njerëzisë
ndaj nesh e ndaj Perëndisë.
Kështu tha Beshir-armiku,
edhe ndenj më këmb e s’ iku,
Jeziti i-mallëkuar
kishte një shufrë nër duar,
kokën e vuri re mirë,
q’ ish si dita më të gdhirë,
me purtekët e goditi
mallëkim-shum’ Jeziti!
Në të-liqt ishte i miri,
plaku i vjetërë, Nemiri,
vdekjenë nër sy e mori,
pa i tha me fort i gjori:
ç’ bën ashtu dora t’ u thaftë
Zot’ i-vërtetë të vraftë
atë kokë, q’ është prerë
e kisha parë nga-herë,
që e putht’ edh’ e fërkonte
i-pari ynë dh’ e donte
nuk e pashë Muhammenë
kurrë pa Imam-Hysenë,
gjithënjë më krah’ e mbante!
e kurrë soje s’ e ndante,
e puthte dhe psherëtinte,
se ç’ dotë bëhej e dinte,
pa më thosh: Për këtë djalë,
Nemir të thuash një fjalë
mallëngjimi nuk e linte,
më tej fjalënë s’ e shpinte,
i-ziu s’ e kupëtonja,
rrinja i qet e dëgjonja;
thoshte: Kushdo të kuxonjë,
të m’ i flas’ a t’ a mundonjë,
nga Zot’ i-math dot’ a gjenjë,
vet’ ajy dot’ a ç’ përblenjë.
Kështu rrëfeu Nemiri,
qau dhe tha i-pavdiri,
për se më la Perëndija
të shoh këto të këqija
Nemiri kshu tha i-gjori,
pa Jeziti jasht’ e nxorri!
pleqt’ e-tjerë gjithë qanë,
e Nemirit pas i ranë.
Jeziti i mallëkuar
fajn’ e tij për të mbuluar,
s’ mundi të vriste Nemirë,
pa vu e vranë Beshirë!
se punën e pa q’ e prishi,
rrezik përmi krye grishi,
pa djallëzitë përmblodhi,
fajnë në të tjerë e hodhi,
Mavijeja me Mervanë
kshu nuk’ e varrë Esmanë.
Beshiri tha: Ne s’ i vramë,
na dërguatë pa vamë,
bëmë atë, që na thatë,
ne s’ i vramë, ju i vratë.
Këto tha p’ andaj e vranë,
e bënë cop’ e s’ e lanë!
Pa Shimri i-mallëkuar
ngjarjenë me të dëgjuar,
i la shokëtë dhe iku,
e u arratis armiku
dhe të parët gjithë ç’ qenë
të-tërë muarrë dhenë,
të-pakëtë dhe fëmija,
djalli edhe Perëndija,
erdhë në Qytett të-shkretë,
pastë nëmënë për jetë.
Ish bërë gati shtëpia,
që dotë rrinte fëmija,
me nat shum atje i shpunë,
dhe njerës më derë vunë,
ndaluanë njerëzinë,
s’ lanë të ven e të vinë.
Eslemi, q’ ish plak i ndjerë,
edhe shumë pleq të tjerë,
gjithë Jezitit i vanë,
edhe ndëjnë pa i thanë:
Pun e-madhe është bërë!
u rrëzua jet’ e-tërë.
Këtë punë qysh e bënë?
vallë kush u kishte thënë,
t’ a sjellën në këtë shkallë?
kush u dha urdhërë vallë?
Ybejdi i mallëkuar
kshu u tha duke dërguar?
fati ynë sot u thye!
këta i kishim mi krye!
pleqt e gjorë kështu thanë,
dhe me lot të gjithë qanë.
Nem-na kokët, tha Eslemi,
të nisemi e të vemi,
në Qerbela, t’ i mbulojmë,
sa të mundim, të nxitojmë
se neve trupat i njohim,
po pa të vemi t’ i shohim.
Gjithë kokët u’ a dhanë,
Eslemi me shokët vanë,
në Qerbela i mbuluan,
punë të-mirë punuan.
Më pasdaj dhe lejë dhanë,
fëmijën van’ edh’ e panë,
po me Zejnel Abidinë
njerëzija u çudinë,
se vërtet nga goj’ e tija,
fliste vetë Perëndija!
Pleqt’ e urtë më s’ mënuan
fëmijëzën e dërguan
në qytett të Medinesë,
se s’ ishin gjithë pa besë,
u dhanë Numan-Beshirë,
q’ i shpuri bukur e mirë.
Ishte mbledhur njerëzija
në qytett si mizërija,
gjithë bota duke qarë
kish ardhurë më të parë.
Në Medine erth fëmija,
q’ e prit gjithë miqësija,
pa të-tërë erdh’ i xbrinë
me Muhammet-Hanifinë.
Ishte përmbysurë jeta,
kish rënë posht e-vërteta!
koh e shkretë ishte ndruar
jeta ishte shëmëtuar
zëmëratë ishin djegur!
shpresë gjëkundi s’ kish mbetur
e mori vesh njerëzija,
q’ e mbyti jezitërija.
Bota më këmbë u ngrinë,
Imam Zejnel Abidinë
gjith’ e njohnë për të parë,
dhe i vanë duke qarë
dorënë të-tër i zunë,
dhe mi krye e vunë.
Imami u tha: U dua,
si më doni dhe ju mua,
po s’ e mbanj dot këtë barrë
pa nukë bëhem i parë,
se sot u ngjall djallëzija,
s’ ka të bënjë Perëndija,
unë zura Perëndinë
nuk’ e qas dot djallëzinë,
është pun e shëmëtuar,
do kohë për të qerruar,
ndaj u lutem, të më lini,
nër djallëzi mos më shtini.
Njeriu ësht’ i mahnitur
sot shumë dhe i paditur,
mëndjenë gjersa t’ a mbledhë
shumë ujë do të rjedhë,
unë s’ zë dot madhëritë,
dhe dëmet e djallëzitë,
në punë kaqe të marë!
qysh munt të bëhem i parë
punëratë, që më ngjanë,
në jetë shpresë s’ më lanë,
pa lashë plakn e shtëpinë,
zura dhen’ e Perëndinë,
dot’ i falem Perëndisë,
t’ i ap udhë njerëzisë.
Kshu tha, po ata s’ e linin,
të parë donin t’ a vinin,
sa u dha e kupëtuan,
i vuri mbë udh’ e shkuan.
Këtej shpresën duke prerë,
vunë Abdullllah-Zyberë
në Meqe gjithë të parë,
pleqësi e luftëtarë.
Ubë nj’ e madhe rrëmujë,
lufta mori shumë bujë,
Jeziti prishi Meqenë,
përvëloj dhe Medinenë!
ishte ngritur njerëzija,
parësi e vegëlija,
gjakn’ e Hysejnit kërkonin,
Jezitnë e mallëkonin.
Jeziti i-mallëkuar
fjalëtë me të dëgjuar,
u sëmur, ra në rënkime,
e në të mbëdha lëngime,
se Zoti, q’ ësht i-vërtetë,
s’ le gjë pa shpagë në jetë.
Ngordhi, pa çpejt njerëzija
shpëtoj nga duart e tija,
vate drejt e në skëterrë,
atje mbet për kurdo-herë,
gjeti atje Mavijenë,
dhe gjithë të-titë ç’ qenë,
pa atëhere u xgjua
edhe ndënj e u mejtua,
mundonjësit e përpshinë,
edh’ e hodhë në greminë!
me vehte vallë ç’ ka marë
nëm’ e mallëkim me barrë,
veç atë nëmën e-shkretë,
ka fituarë për jetë!
O njeri! mba Perëndinë!
hidhe poshtë djallëzinë!
Djall’ i-ndyr’ i-mallëkuar,
q’ ishte si qen’ i tërbuar,
la të-birrë Mavijenë,
e j’ a dha në dorë frenë.
Ndenj Mavijeja i dytë
në front edhe hapi sytë,
po kur i tfaqet një hije,
trëmbet e nga froni bije,
pasdaj mblodhi njerëzinë,
parësin e pleqësinë,
u tha: Mua të më ndjeni,
një mbret tjatërë të gjeni,
në një fron të-gjakëtuar,
të nëmur, të-mallëkuar,
të-ngrehur pej djallëzije,
unë s’ rri, se s’ më ka hije,
pa im gjysh edhe im atë
qenë shumë dorë-gjatë,
vranë Alin e Hasanë,
q’ ishin Zotërinjtë t’ anë,
vranë djemt e Fatimesë,
q’ u pru gjithë bota besë,
gjithë këto të këqija
s’ i ndjen kurrë Perëndija,
është fron i-mallëkuar,
ngrehur me gjak të-uruar,
ç’ bën’ ata s’ e bënj dot unë
s’ është për mua kjo punë
kur e mejtonj ç’ kanë bërë,
zëmra më dridhet e-tërë!
Kshu tha dhe u hoq më nj’ anë
po djajtë gjall nuk’ e lanë,
më nesëret e helmuan,
të-gjorënë dh’ e mbuluan!
ferra bëri trëndafilë,
gal’ e egërë bilbilë!
për atë fron të pëgërë
shumë punë ishin bërë,
pa s’ rrij dot njeri i-mirë,
se kish nëm, ish i-fështirë!
Të-parëtë gjith’ u zunë,
pa u bënë shumë punë,
më ç’ do çip të ç’ do qyteti
ish bërë një farë mbreti;
Ybejdi me shumë shokë
u mblodhë kokë për kokë,
kishin keq për djallëzinë,
mos humpnin jezitërinë!
papo u mblodh e u lodhë,
dhe djall e vërtetë xgjodhë!
në mest të tyre u vranë,
e kë vunë mbret? Mervanë.
Opopo! Mervan-qafoku
ndënj në front posi maçoku.
–
XX
Ëngjëll! xbrit nga Perëndija
e jakë nër mënt të-mija,
se dotë rrëfenj Myhtarë,
kordhëtarë trim të-parë,
Ibrahim-Maliq-Eshterë,
dhe Sylejman’ e të-tjerë,
q’ ishin burra të vërtetë,
dhe pa shok në këtë jetë,
pa pasdaj dh’ Eba-Myslimnë
burrën e-vërtetë, trimnë,
po jakë me ëmbëlsirë,
e m’ i sill në mëndje mirë.
Ishte shuarë Syfjani,
po kish mbeturë Mervani,
q’ ishte rrënj e djallëzisë
ngaj e gjithë ligësisë,
mbretëronte vetë djalli,
prapësin ajy e kalli.
Ishte shumë i-pabesë,
mos pastë nga Zoti ndjesë
po njeri nuk e dëgjonte,
se sicili mbretëronte.
Abdullllahu i Zyberit,
q’ i kish këmbët si të drerit,
kishte marrë shumë bujë,
ish bërë vëndi rrëmujë.
Ata që donin Alinë,
dhe ishin me Perëndinë,
gjakn e Imamit kërkonin,
më të gjith anët lëftonin,
po Zotn e-mirë, Myhtarë,
q’ ish nga të-gjithë mi parë,
armikët e kishin zënë,
brënda e kishin vënë,
edhe kur vranë Myslimnë
mbyllur e kishin trimnë,
dhe në myxyrët të shkretë
e mbyllë, pa s’ rrij i qetë,
ndë hekura ish ngarkuar!
e mbanin brënda në quar,
posi dragoj shkrefëtinte!
në t’ errët e sokëllinte!
Mbani mënt Maliq Eshterë?
u ngjall prapë këtë herë,
ish i-biri, Ibrahimi,
burrë si i ati trimi!
Hëna hahet e venitet,
pasdaj prapë përsëritet,
pa i ati tek i biri
pshihetë, ka thën i-miri.
Ibrahimi ishte rritur,
edhe nd’ arm ishte stërvitur,
me zëmrët të-tija fliste,
për Imamët doj të vdiste.
Sylejmani burr’ i-ndjerë,
plak mbi gjithë pleqt e tjerë
q’ ish i urt e fort i mirë,
edhe me shpirt të-pavdirë,
nat’ e dit’ ajy zot qante,
për Imamëtë zi mbante;
ky plak ishte bër i-parë
për mbi gjithë kordhëtarë,
Sylejman Sardi! o lule!
kordhën e larë ç’ e shkule!
armikëtë i përndave,
më të shumëtë i vrave!
e rrëfeve dashurinë,
që më kishe për Alinë,
dhe për mëmë-Fatimenë,
për Hasan e për Hysenë.
Njëzet mij’ u mblodhë trima,
me armë si vetëtima,
dhjetë mij ish kalorija,
edhe dhjetë këmbësija,
gjithë burra të shëndoshë,
dhe djalosh e bukuroshë,
gjithë kordhëtë i xhveshnë,
rrojtjenë më nuk e deshnë,
pa e bënë besa besë,
sicili deshi të vdesë,
së-pari të-tërë vanë,
të shininë Qerbelanë,
të shihnin vëndin e varrë,
e gjaknë, që dhe s’ ish tharrë.
Së-largu posa e panë
me sy burrat Qerbelanë,
gjithë nga kuajtë xbritnë,
edhe thirr e ulëritnë,
me gashërim shumë qanë,
puthnë dhen e përmbys ranë
me mallëngjim gjith u verdhë,
edhe kokë jasht u derdhë
gjithë ata trima shokë
hodhë pluhurë mbi kokë,
duke qar e duke vrarë,
po vininë më të parë!
Zëmëra sa vij u ngrohej,
dhe dashurija u shtohej,
kur u qasn e panë varrë
ata trima kordhëtarë,
thirrë gjith e ulëritnë,
ëngjëllitë posht i xbritnë!
rreth varrit të-tërë ranë,
e me vaj të gjithë qanë!
Sylejmani duke qarë,
u derth’ e puthi varrë,
pa tha: Djal’ i Fatimesë!
o trëndafili me vesë!
armikëtë qysh kuxuan!
të zunë e të munduan
edhe të pren e të vranë
kurcim pikë nukë lanë!
të vrau komp i pabesë
këlyshët e Mavijesë
për ne të-zest’ u përpoqe
të këqija shumë hoqe!
të la gjithë njerëzija!
i mbyti makutërija
lanë Muhamet Alinë!
edhe ty e Perëndinë!
të dhanë shumë mundime!
të-këqija hidhërime!
pse s’ u ndoth një trim me besë
për derët të Fatimesë!
t’ ishte trim, burr i-vërtetë,
të bëhej me shumë vetë,
armikëtë t’ i shkurrtonte!
edhe ty të të gëzonte!
po gjithë bota të lanë!
e armikëtë të vranë!
myxyr e madhe na gjeti!
sy e faqe më s’ na mbeti.
O ëngjëlli i vërtetë
të qofshim falë për jetë
për këtë të madhe plagë
neve sot kërkojmë shpagë
dotë vdesimë të-tërë
për këto që janë bërë
sa të vejë më gju gjaku.
Këto fjalëzë tha plaku,
ajy plaku i-uruar
me zemrë të përvëluar
nëmëronte duke qarë,
e duke puthurë varrë
lottë si krua i vinin,
nga mjekr’ e bardh i binin,
dhe shokët të-tërë qanin,
lotët s’ muntninë t’ i mbanin!
Një dit’ e një natë qanë,
pasdaj u ngrinë dhe vanë,
e lanë varr e Imamit,
muarrë udhën e Shamit,
gjithë tok e bënë benë,
as një armik të mos lenë.
Mervanit van’ e i thanë,
të madhe frikë i dhanë,
pa mbleth gjithë djallëzinë
e përhapi ushtërinë,
dolli posi mizërija
ushtëri e shkret e-tija.
Ata trimatë me besë
sipr’ u hodhë posi shpesë,
të gjithë shpatat i xhveshnë,
i dhan’ armikut rrebeshnë!
bënë fort të madhe punë
gjaknë gjer më gjut e shpunë!
mijëra herë lëftuan,
të-tër’ armikët i shuan!
me trimëri i përlanë,
pa dhe ata vetë ranë!
ra dhe Sylejmani vetë,
plaku trim, burr’ i vërtetë,
dhe ata trima që mbenë,
prapë e zunë Qofenë.
Pas këtyre dhe të-tjerë
burra, trima e të-ndjerë
duallë, si Nati-burri,
e si Muhammet Maxhuri,
dhe të-tjerë, që lëftuan,
armikëtë gjith i shuan.
Mervani nat’ edhe ditë,
po mejtonte djallëzitë,
gruanë që kish më parë
Jeziti, ky e kish marë,
kjo grua kish dhe një djalë
nga Jeziti, q’ ish i çalë,
Mervani djalën s’ e donte,
e kërkonte t’ a helmonte,
pa i mblidhen gjithë gratë,
edh’ e mbytnë një natë!
vate shpirt i-zi, i errët,
u fut brenda në skëterrët!
hyri në dhet djalli vetë,
mallëkim pastë për jetë!
Ngordhi djalli, la të birë!
q’ ish dhelpër edh’ egërsirë!
Abdul-Meliq’ i pabesë
zu këmbën e Mavijesë!
Myhtari brënda po rrinte,
si dragoj po shkrefëtinte,
këto pun’ i kish dëgjuar,
dhe shum ishte ashpëruar,
papo zëmëra i zjente,
e pushim s’ muntte të gjente,
pruri nër mënt Qerbelanë,
edhe lottë çurk i vanë!
i vanë lottë si lumi,
pa u pre dh’ e zuri gjumi.
Pugjalli i trimërisë
veshi rrobazët e zisë,
pa i erdhi përmbi krye,
në ëndërrë j’ u rrëfye,
Myhtar! Myhtar! i tha, ngrehu!
se nev’ e-zeza na preu!
oh! ç’ na ka bërë armiku!
Kështu tha dhe me vrap iku.
Myhtari u tëmërrua!
si i-ndërkryer u xgjua!
po hekurat e rrëndonin,
s’ tundej dot, se e ndalonin!
Thirri Muhammet-Alinë,
pa mblodhi gjithë fuqinë,
i ndihu dhe trimërija,
edhe vetë Perëndija.
Hekuratë duke thyer,
e muretë duke çqyer,
dolli jashtë si dragua,
fluturoj posi fajkua.
Posa e pa njerëzija,
i ra pas si mizërija.
Dhe Muhamet-Anifinë,
q’ e kishte atë Alinë,
armikët e kishin zënë,
dhe në burk e kishin vënë;
Myhtari me shok arriti,
me vrap nga burgu e qiti,
pa i tha: Ne kemi dalë,
po pej teje duam fjalë,
të-gjithë dotë lëftojmë,
sa të jemi e të rrojmë,
shpagënë s’ e le pa marë,
gjer sa të më bëjnë varrë,
gjaknë më gjut dot’ a shpije,
kalënë më not t’ a shtije,
kur e kujtonj Qerbelanë,
edhe Zotërinjtë t’ anë,
me shpatë më vjen t’ u bije
dhe yjtë përdhe t’ i shtije!
Kështu tha trim i-vërtetë!
të qofsha falë për jetë!
Muhammeti vu të parë
mi gjithë trima Myhtarë,
me Muhammet Anifinë
panë Zejnel-Abidinë,
q’ ishte drit e Perëndisë
në mesthit të njerëzisë,
e puthi në krahruar
me zëmrë të-përvëluar;
Imami i dha uratë
ati trimit jetë-gjatë.
Myhtarë tekdo e panë,
gjithë trimat pas i ranë,
kish trim mi trimat e-tjerë
Ibrahim-Maliq-Eshterë
Ibrahim! O jetë-gjatë!
se ç’ e nderove t’ ët atë!
kush besonte tjatrë herë,
t’ a shih gjall Maliq-Eshterë!
veç ajy Zot’ i-vërtetë,
që i bën punëtë vetë.
Ibrahimi me Myhtarë,
burratë trima të-parë,
me shumë shokë të-tjerë,
të gjithë trima të ndjerë,
rrojtjenë më nuk’ e donin,
gjakn e Imamit kërkonin,
fluturuanë si shpesë,
edhe ju derdhë Qofesë,
papandehurë i ranë
edh’ e zunë an e mb’ anë,
u bë rrëmujë qyteti,
u ngrit më këmbë rrëmeti,
qaninë foshnjat e gratë,
sterr ish bër e shkreta natë!
gjaku vinte posi krua,
rrith udhëvet si përrua!
erth mëngjezi, u bë dita,
e dhenë e mbuloj drita,
armikët në dhet i vunë!
qytetnë në dor e shtunë;
kshu dhe qytetet’ e-tjerë
i muarrë me një herë.
Ndënj j’ u fal Zotit së pari,
pa tha me zëmrë Myhtari:
Zot i-math! o Zot i-mirë!
mua paskëtaj mëshirë
në zëmërë mos më lerë,
urdhëri yt të m’ a ngrerë!
dua të mar mirë shpagë,
për këtë të-madhe plagë!
dotë bënj ato, që bënë
armikët për Zotnë t’ ënë!
atë, që bënë, t’ a gjejnë,
bres pas brezi t’ a rrëfejnë;
qysh i ç’ përblen Perëndija
gjithë ç’ bëjnë njerëzija!
Kshu tha dhe kërkoj uratë,
pa shturi dorën mi shpatë,
dhe tha: Shokë! më ç’ mënojmë,
tani shpagë të kërkojmë
nga gjithë ata, që vanë
në Qerbela, e gjall janë,
së pari dua Ymerë,
q’ ish i-parë mbi të-tjerë,
edhe Shimrë-Dylxhevshenë,
pa dhe të tjerët sa qenë!
Mori urdhërin’ e-tija,
dhe u përhap njerëzija.
Ymerë në dor’ e vunë!
popo lidhurë j’ a prunë!
nëpër trekt trimat e shkonin
njerëzija e vështonin.
Ku e ke, o djall i thanë
Rijën e Taberistanë?
se ti nga makutërija
bëre aqe të-këqija
lakëmimetë të tallë
s’ dinje se jeta ka shkallë
ishnje shum i math një herë!
po sot të shohëm të-mjerë!
s’ lënka gjë Zot’ i vërtetë
pa shpagë në këtë jetë.
Shum ajy, që bëka mirë
mirësija ësht’ e-pavdirë.
Ymerit këto i thanë,
gjithë bota kur e panë.
Trimat Myhtarit j’ a prunë
Ymerë dhe posht’ e vunë,
e di se ç’ ke bër’ i thanë,
edh’ e therrë posi kanë.
Pas ati Shimrinë prunë,
nëmë-madhë posht e shtunë,
pa të-tër e mallëkuan,
ç’ kishte bërë j’ a kujtuan,
pasdaj datë duke dhënë,
mijëra copë e bënë.
Pas ati Sinanë therrë
e shtrinë mbë dhe si derrë
më s’ u lanë fis e farë
s’ mbet as një syresh pa vrarë.
Pasdaj të-tjerëtë zunë,
me radhë në dhet i vunë
në Qerbela sa u ndodhë,
po-thua të-gjith i mblodhë,
dhe të-tër’ ata që qenë
bërë miq me Mavijenë,
anën e Jezitit mbanin,
edhe Imamët i shanin,
i shkurtoj Myhtari vetë,
trim’ i math e i-vërtetë
edhe prapë rrinte e qante,
mafesnë në dor e mbante,
thosh s’ lahet me gjakt të qenit
gjaku i Imam-Hysenit
pa nga Zoti mir e gjenë
më qaf e paçin vehtenë,
kush e nistë ligësinë,
e gjettë më Perëndinë,
me ato që kanë bërë,
duhet të vdesin të-tërë
as një donja, të mos linja,
të tërë në dhet t’ i vinja
Zot i math’ e i-vërtetë
të më lesh në këtë jetë
gjer sa as një të mos mbesë
nga ajy komb’ i-pabesë!
në zëmrë mos m’ ep mëshirë
se u bën të liqet mirë,
po sa t’ i mbaronj më lerë,
pasdaj vdekjenë të më ngrerë.
Këto fjalë thosh Myhtari,
i dridhej buza së qari
Qerbelanë e kujtonte!
zëmëra nuk’ i duronte!
me lot shumë duke qarë,
të-paudhët i ka vrarë.
Më të-gjith anët lëftuan,
armikëtë i shkurtuan,
të-tërë në dhet i shtunë
gjaknë për mi gjut e shpunë
mbuloj gjaku gjithë dhenë
të-tër armikët’ i prenë!
u shua far e Syfjanit
e Jezitit dh’ e Mervanit
humpnë miqt e Mavijesë,
gjithë ç’ qenë të pabesë.
Zot i math thoshte Myhtari
trim i-mir e punë-mbari,
të qofsha falë për jetë
Ti je vërtet i-vërtetë
nukë le gjë pa ç’ përblyer,
edhe zëmërë të-thyer
të-mirënë e nxjerr mirë,
mirësija ësht’ e-pavdirë,
i ligu gjen ligësinë,
edhe vete në greminë!
Ësht’ e-mirë urtësija,
mirësi e njerëzija,
është udh e Perëndisë
mirësi e njerëzisë,
po kur shtohet ligësija,
sa s’ e duron Perëndija,
bënet jeta errësirë
dhe syri s’ të sheh të mirë,
e s’ bën punë urtësija,
ësht’ e mirë trimërija,
bujku sheh gjëmbatë n’ arë,
pa i tharr sa munt më parë.
Se punënë kshu e zunë,
gjer më këtë shkall e prunë,
kshu e nisnë kshu e sosnë,
gjithë kombin e brengosnë,
i bër’ i-bir i Syfjanit,
dhe qenëri e Mervanit,
edhe të tjerë më parë
hapn’ ugar’ e hodhë farë,
hapn’ ugar ligësije
hodhë farë djallëzije,
pa e rritnë Mavijenë
madhuanë Mervan-qenë
që nga kreji kshu e nisnë,
sepo nga besa lëvisnë
fajëtor e tradhëtorë
kanë qënë nënë dorë
kushdo, q’ u bë i-pabesë,
mallëkimnë pastë pjesë.
Kështu thoshte edhe qante,
për Imamëtë zi mbante.
–