Shqetësime dhe çështje bashkëkohore nga bota e sotme u prekën në premierën absolute të këtij sezoni nga Teatri i Operës dhe Baletit me një nga operat më pak të njohura të Xhuzepe Verdit. Attila është një opera me prolog dhe tre akte me libret nga Temistocle Solera, bazuar në dramën gjermane me të njëjtin emër (Attila, König der Hunnen = Attila, Mbreti i Hunëve) nga Zacharias Werner, e shkruar në vitin 1809.
Dihet se Verdi është një nga figurat e pakta në historinë botërore, emri i të cilit lidhej aq ngushtë me humanizmin. Ai nuk ishte thjesht një artist, në kuptimin e ngushtë të termit që prodhonte vetëm vepra muzikore, por një shpirt i shqetësuar, i cili me artin e tij përcillte pikëpamje politike. Dhe shpesh, ndikimi i veprave të tij përcaktoi masat popullore të Italisë në një masë shumë të madhe ku opera ishte mediumi me të cilin përhapeshin dhe kultivoheshin idetë liberale. Bibliografia thotë se “Nabuko” është ndoshta opera e tij e parë e pastër politike, që nuk ofronte argëtimin e zakonshëm, por drejtoi dhe gjallëroi turmat me karakterin shpengues. Prandaj Verdi do të përsërisë të njëjtën recetë edhe me Attilën.
Attila si vepër ka një dinamikë konfliktuale midis dy forcave rivale në skenë. E para lufton për liri dhe pavarësi, e dyta përpiqet të pushtojë me dhunë dhe me gjak. Njëkohësisht trajton edhe karakteret e meshkujve drejtues, të cilët zgjedhin të shesin parimet e tyre për pushtet, por gjithashtu trajton edhe ndërhyrjen e papritur dhe heroike të një gruaje. Në fakt -pavarësisht ndërhyrjes së censurës- libreti i Attilës përfshin deri më sot pasazhe që çdo spektator bashkëkohor mund të kuptojë jetën e përditshme, fakt që e bën të freskët si vepër, sidomos po të merren parasysh situatat luftarake që po ndodhin në botë dhe dhuna ndaj grave. Kjo e bën menjëherë një vepër operistike me ngjyra të dendura politike dhe me mesazhe shumë të rënda që jehonë edhe sot e kësaj dite.
Megjithatë, do të ishte e padrejtë nëse themi se vënia në skenë me sukses e një vepre si Atilla është një detyrë e lehtë. Ky është ndoshta një nga elementët kryesorë që teatrot në botë tradicionalisht ia shmangin vënien në skenë, duke e bërë Atillan më pak të njohur. Mjaftojnë kritikat e para për këtë vepër që u shfaqën qysh në vitin 1848 në gazetën “The Times” (15/03/1848) ku ndër të tjera i atribuoheshin kompozitorit legjendar shumë papërsosmëri, për sa i përket reputacionit që kishte ndërtuar dhe nivelit muzikor të kësaj vepre operistike. Sipas kritikave të kohës, Tema që trajtonte për pushtuesin barbar, ofronte një numër të madh situatash të forta dramatike që Verdi nuk kishte arritur t’i kapte. Sidomos Ariet sforconin këngëtarët në maksimum, prandaj dhe të gjitha duartrokitjet shkuan për interpretuesit. Madje, Benjamin Lumley, thotë se “Attila u tërhoq pas disa shfaqjeve, por megjithatë i mbeti fama e keqe me të cilën u prit”. U deshën rreth 106 vjet për ta rehabilituar këtë vepër, si pjesë të festivalit të Venecias në vitit 1951, kur u vu në skenë për të përkujtuar pesëdhjetëvjetorin e vdekjes së kompozitor. U vu në skenën e Romës në vitin 1953, ndërsa produksione të tjera të shquara u zhvilluan në Londër më 1963 (me libreto angleze), në Trieste (1965), në Buenos Aires (1966), në Berlin (1971), në Festivalin e Edinburgut, në Firence (1972) dhe në La Scala (1986). Deri sot shumë pak Teatro e zgjedhin atë në repertorin e tyre.
Për ata që pëlqejnë statistikat, vlen të theksohet se në vitin 2023, opera Atilla është shfaqur e plotë vetëm në katër opera të botës (Semperoper në Dresden, Teatro Petruzzelli në Bari, Opera festival at the Chicago dhe Opera Stara Zagora në Bullgari) duke shënuar TKOBAP institucionin e pestë para se Atilla të hapë siparin në koncertet e fundvitit të Moskës. Për të gjitha arsyet e mësipërme, ne duhet të përgëzojmë stafin e TKOBAP për zgjedhjen dhe produksion e denjë që ndoqëm.
Është një bast i madh (dhe mendoj se e fituan aktorët e TKOB) që teatri më i izoluar i Europës, ai teatër që përjetoi censurën më absurde në repertorin e tij, të bëjë hapa kaq të mëdha me dinjitet, duke tejkaluar problemet e shumta që ka përjetuar në të kaluarën. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, nuk është pak të realizosh brenda një periudhe gjashtëmujore Aidën e Verdit, Skënderbeun e Vaso Toles, Oratorion Elijah të Mendelsonit, Samson e Dalila nga Camille Saint Saens, Stabar Mater të Rossinit dhe njëkohësisht dhjetëra koncerte me orkestrën dhe korin. Dhe këtu është një rast i mirë për të uruar dhe falenderuar ngrohtësisht si korin me Dritan Lumshi ashtu edhe orkestrën simfonike që arritën të prodhonin një repertor kaq të gjerë.
Gjithsesi, kthehemi te Atilla i TKOBAP. Duke kuptuar vështirësitë e shumta që mund të hasë dikush në regjinë e një vepre kaq “koncertale”, regjizorja Ada Gurra arriti të na japë një regji të mirë duke krijuar një ambient shumë interesant me tensione dhe dendësi. Për afro tre orë spektatorët u transportuan në mesin e shekullit të 5-të në Aquileia, në lagunat e Adriatikut dhe në periferi të Romës pa u lodhur. Në këtë drejtim, ndihmuan publikun të futej më mirë në shfaqje edhe kostumet e krijuara nga Edlira Qyshka. Klima e epokës u kap më së miri përmes ngjyrave të zbehta dhe të errëta si kafeja, grija dhe e zeza (por edhe nga sende si shpata dhe kurora e artë me pëlhurën e kuqe në ceremoninë e dasmës së Odabellës) që i dhanë shkëlqimin e duhur një shfaqjeje të tillë.
Personalisht ndoqa të dyja kastat e artistëve dhe më duhet të them se diferencat ia kalonin ngjashmërive. Fillimisht duhet theksuar se ishin dy shfaqje shumë të ndryshme mes tyre, si nga mishërimi i personazheve kryesore (fakt që lidhet me llojet e ndryshme të sopranove dhe baritonëve që interpretuan) por edhe përsa i përket energjisë që mbizotëronte gjatë performances në skenë, prandaj për mendimin tim çdo krahasim ndërmjet tyre është i paefektshëm.
Megjithatë, dua të fokusohem vetëm në tre personazhe që në sytë e mi, këngëtarët lirike ia dolën më së miri nga ana interpretative. E para, Odabella që nënkupton besnikërinë dhe virtytet familjare që konsiderohen si të nevojshme për luftën kundër skllavërisë dhe robërisë. Një vajzë që sfidon pushtuesin duke i shprehur ndjenjat e saj patriotike që në aktin e parë “Santo di patria, indefinito amor” dhe shkon përpara si udhëheqëse e një grupi luftëtaresh që preferojnë të përfshihen në betejë me armikun sesa të pranojnë disfatën.
Natën e parë në këtë rol pamë sopranon Eva Golemi (e cila mishëroi rolin e saj të 36-të). Golemi me prezencën e duhur skenike dhe aftësitë e saj vokale, i dha jetë Odabellës duke shprehur dhimbjen dhe fatin e saj tragjik. Odabella e saj nuk e la publikun për asnjë moment të largohej nga drama. Ajo i dha një formë shumë dinamike heroines, interpretimi i saj eksploroi anën e errët të dimensionit të njeriut, dëshirën, irracionalitetin, lidhjet e gjakut dhe botën e hakmarrjes që fshen një vajzë, duke kondensuar në figurën e saj të brishtë gjithë dinamizmin dhe erotizmin e një gruaje të plotë. Ajo e plotësoi “figurën” e Odabelës me fleksibilitetin e zërit dhe teknikën solide, duke krijuar një figurë të kompletuar që pritej nga spektatori të rebelohej dhe në fund të vriste tiranin. Golemi ishte Rebele dhe dinamike në prolog, thellësisht emocionuese si një grua e dashuruar me Foreston në aktin e pare dhe ftohtësisht hakmarrëse në aktin e fundit.
Krejt ndryshe ishte Odabella e krijuar nga Ramona Tullumani. Elementi i parë i kësaj Odabelle është trimëria e vajzës që nuk perceptohet lehtë dhe që asnjë tiran nuk mund ta parashikojë. Ajo krijoi një hijeshi ndryshe me ekspresivitetin e performancës së saj dhe me shpërthimet e saj dramatike në pika të veçanta. Odabella e brishtë dhe sensitive në fund sjell ‘katarsis’ me vrasjen e ftohtë të Attilës, pra është e paparashikueshme edhe për vetë spektatorin. Ajo nuk është as martire, as mbretëreshë, por megjithatë gjen guximin të ndjekë pa devijime rrugën që i ka shkruar fati. Tullumani ishte bindëse me paraqitje të mirë vokale dhe me plasticitetin e kërkuar interpretues. Odebella e saj doli me sukses një personazh rinor, që mund të tërhiqet lehtësisht nga pasioni i dashurisë por më në fund udhëhiqet nga impulset e hakmarrjes.
I qartë ishte edhe kësaj here baritoni Armando Likaj në rolin e Ezio-s. Likaj me vokalin e tij të ngrohtë, melodioz dhe të thellë shkëlqeu si gjeneral romak. Me përsosmëri absolute si në shprehje ashtu edhe në lëvizje, Likaj hyri në procesin e prodhimit performativ, duke dramatizuar dhe prodhuar një figurë të vështirë historike me sukses. Ezio që ai krijoi ishte i pushtuar nga një muzikalitet intensiv përmes trajtimit të veçantë që tërhoqi vëmendjen e publikut. Armando Likaj në skenë dha teatralitetin e nevojshëm për rolin, nëpërmjet lëvizjeve dhe shprehjeve duke na përcjellë shpresën e fshehtë që populli i pushtuar dëshironte për liri.
I denjë për urime ishte edhe tenori italian Amadi Lagha, i cili me daljen e tij në skenë i dha një tjetër dimension Forestos. Sidomos po të kemi parasysh se së bashku me basin bullgar Petar Naydenov, i cili interpretoi rolin e Atillas, performuan në katër shfaqje radhazi dy role kryesore. Duhet përmendur veçanërisht edhe bassi Bledar Domi, i cili interpretoi me vrull dhe ndjeshmëri rolin e rëndësishëm të Papa Leone, duke i përcjellë me sukses publikut tranzicionet e rolit të tij.
Orkestra simfonike e TKOBAP me një përvojë të madhe tashmë nga produksionet e shumta operistike, qëndroi me dinjitet nën drejtimin e dirigjentit italian dhe drejtorit artistik Jacopo Sipari Di Pescasseroli, duke mbështetur efektivisht zhvillimin e veprës me ngjyrat e saj dhe duke nxjerrë në pah virtytet e shkrimit muzikor të Verdit. Udhëheqja e zotit Di Pescasseroli ishte e suksesshme, në komunikim të drejtpërdrejtë me solistët, korin dhe orkestrën.
Me ekstraversion, kalendar të pasur dhe një synim të caktuar për të ardhmen, duket se vitin e fundit në fushën kërkuese të operës po lëviz diçka ndryshe. Edhe me një vonesë prej dekadash, tashmë po krijohen themele të përshtatshme teatrore muzikore edhe në Tiranë. Vitin e fundit po ndjekim produksione cilësore, dëgjojmë për ndërhyrje edukative që fokusohen në përgatitjen e audiencës së ardhshme, muzika lirike po hyn në klasat e shkollave (shfaqje për fëmijë, kori i zërave të bardhë etj), zhvillohen konkurse, përgatiten festivale ndërkombëtare duke na dhënë mesazhin e një përpjekjeje të vazhdueshme. Për mendimin tim janë japa të mëdha që duhen theksuar.