Nga Zak Garner-Purkis, DAILY EXPRESS
Paratë e thata, të fituara nga tregtarët londinezë të drogës, po deformojnë ekonominë shqiptare dhe po bëjnë që çmimet e pronave në vendin ballkanik të futen në spirale. Kështu thotë një ekonomist kryesor vendas.
Kontabilisti i autorizuar, Armand Mala, tha për DAILY EXPRESS, se bumi i banesave në vend po shfrytëzohet nga kriminelët për shkak të mungesave të rregullave.
“Sektori i ndërtimit ka qenë një mënyrë e mirë për të investuar për kriminelët, sepse ju duhet të vërtetoni burimin e një sasie të vogël parash kur blini një pronë. Pjesa tjetër mund të paguhet në dorë, pa dhënë arsye se ku e ke marrë,” shpjegoi ai.
“Pra, kjo ka qenë një zgjidhje e mirë për ata që investojnë para të fituara në mënyrë ilegale jashtë vendit. Tregu ndihmon edhe me pastrimin e parave, sepse pas një periudhe të caktuar, ata mund ta rishesin pronën me një çmim më të lartë dhe të fitojnë”.
Gjatë një udhëtimi raportues në Shqipëri, DAILY EXPRESS pa se si vendi ish-komunist po transformohet nga zhvillimet e reja.
Resorte të shumta po ndërtohen në të gjithë Rivierën Shqiptare dhe blloqe vezulluese kullash po i shtohen horizontit të Tiranës me shpejtësi.
Ne dëgjuam gjithashtu shumë histori nga vendasit se si të rinjtë që kanë udhëtuar në Londër për të punuar në fermat e kanabisit, kanë investuar në prona qindra mijëra që fituan.
Megjithatë, Mala tha se për shkak të mënyrave të shumta se si mund të lëvizin paratë në internet këto ditë, është e vështirë të vlerësohej përmasa e saktë e këtij bumi. Ai beson se paratë e huaja janë një faktor, siç dëshmohet nga shumë shtëpi boshe në ndërtesat e reja.
Një aspekt që ndihet nga shqiptarët mesatarë është rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të banesave. Vitin e kaluar, kostoja e pronave në Shqipëri u rrit me 39 përqind.
Nuk është për t’u habitur që në një vend ku paga mesatare është vetëm 300 sterlina në muaj, ëndrra për të pasur një shtëpi është e paarritshme për shumë njerëz.
“Çmimet janë shumë të larta në krahasim me standardin tonë të jetesës,” vazhdoi Mala. “Të bësh një gjë të tillë është e pamundur ose të paktën shumë, shumë e vështirë për dikë që fiton një rrogë këtu”.
“Duke qenë se ekonomia jonë është e vogël, ne kemi qenë gjithmonë të prekur nga dërgesat e emigrantëve jashtë vendit. Fillimisht ishin tregje si Greqia dhe Italia dhe më pas, vitet e fundit, harta është zgjeruar, veçanërisht në Britaninë e Madhe”.
Mala tha se ai beson se rritja dramatike e emigrimit të paligjshëm në vitin 2022 nga shqiptarët drejt Mbretërisë së Bashkuar, kur 2 përqind e popullsisë mashkullore kaloi kanalin e rrezikshëm të La Manshit, ishte pjesërisht e nxitur nga mediat sociale.
“U promovua nga mediat sociale, njerëzit menduan se shkruaja në Britani do zgjidhte çështjet e tyre. Por tani kemi shumë raste të tjera, ku njerëz u kthyen nga Mbretëria e Bashkuar, pasi e kuptuan se nuk ishte një vend mrekullish,” thotë Mala.
Ky është një nga faktorët që e shtyn ekonomistin të besojë se emigrimi nga Shqipëria do të njohë ulje në vitet e ardhshme.
“Sidomos duke pasur parasysh emigracionin masiv në tre vitet e fundit, mendoj se po arrin kulmin. Kështu që ndoshta pas kësaj, do të ndale dhe në terma afatgjatë, nuk do të ketë më një ndryshim kaq të madh. Kushdo që donte të largohej nga këtu, tashmë është larguar”.