Ish diplomati kosovar Ylber Hysa, së fundmi ambasador në Malin e Zi, tha se fjalimi i kryeministrit malazias Abazovic në përkujtimin e masakrës së Srebrenicës, gabim retorik dhe i pa qëllimtë ose jo, do të shihet si një tentim relativizmi i krimit. Një huqje e madhe politike e Abazovic dhe dështim i madh i tij madje për të çuar Malin e Zi drejt BE’së me konsensusin politik që ishte siguruar për qeverinë e tij, transmeton Gazeta Metro.
Ish ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, tha në emisionin Edicioni Special në televizionin Klan Kosova të hënën se ishte një zhgënjim dhe gabim i dyfishtë i kryeministrit malazias Dritan Abazovic, fjalimi në Potocari, ku u përkujtuan viktimat e masakrës së Srebrenicës. Pasi Abazovic u ngrit në karrierë dhe e shfrytëzoi konstelacionin dhe fatin politik dhe konsensusin në Mal të Zi për qeverinë e pakicës, Abazovic e qoi dëm me kryeneçësi atë me insistimin e tij të arrijë marrëveshje themeltare me Kishën Ortodokse Serbe dhe tani me fjalimin relativizues të krimit në Srebrenicë, një gabim retorik apo jo, edhe pas kërkim faljes së Abazovic.
“Po të ishte i mençur zoti Abazovic, pas asaj çka ka bërë një ditë më herët, duke e votuar një çështje shumë sensitive për identitetin malazias, duke e vënë në rrezik qeverinë e tij, duke shkelur një vijë të kuqe dhe konsensus që ishte dakorduar e thoshte që prioritet është Bashkimi Evropian ai kurrë nuk do ta bënte gafën e radhës. Me këtë gafë ai të gjithë i ka bindur edhe nëse kanë qenë më të distancuar e që konsideronin se ai zhvillon politikë diskutabile, më këtë i bindi kritikët e tij të vulosin këtë.”
Hysa tha se tashmë Abazovic ka humbur konsensusin dhe rastin të shtyjë para procesin e integrimit evropian të Malit të Zi me politikat multi-etnike e qytetare që vet i ka paraqitur si platformë e tij politike gjatë karrierës së tij. Skepticizmi i shprehur për të tashmë është thelluar me veprimet e tij, nëse jo vulosur, tha Hysa.
“Dy hapat politik të zotit Abazovic, që së pari targetuan pjesën malaziase, të nesërmen atë boshnjake, e vënë atë në një pozitë e cila është gati e pambrojtshme. Nëse ai tenton të ruajë multietnicitetin në atë vend dhe njëkohësisht i bie një grupit më të madh etnik dhe një pakice jo vetëm kombëtare por edhe fetare ai e ka shumë vështirë të mbrojë veten se nuk po mbron një pozicion por-serb, pa marrë parasysh nëse ai kishte këtë intencë apo jo. Ky gabim i dytë i radhës do t’i kushtojë shumë shtrenjtë në karrierën e tij politike.”
Një krizë edhe më e thellë politike e pret Abazovic dhe Malin e Zi pas kësaj huqje të kryeministrit Abazovic tha Hysa.
“Është e pamundur të falet. U pa reagimi i partisë DPS që u detyrua të reagojë. Nëse nuk reagohet ndaj një çështje si marrëveshja themeltare me Kishën, atëherë substanca e DPS që është kryesisht sovereniste malaziase do të reagonte. E njëjta gjë me partinë boshnjake, nëse thuhet se në Srebrenicë u vranë njerëz e boshnjakë, nuk ka sesi të mos reagoj komponenti boshnjak ndaj një pretendimi të tillë”.
I pyetur rreth figurës së Abazovic që u ngrit aq lart në fillim në opinion publik shqiptar, Hysa shtoi se do të duhej të kishte më shumë kujdes pasi lideri malazias nuk kishte asnjëherë platformë etnike në politik bërjen e tij. Hysa ishte cinik me zhurmën populliste madje duke sfiduar ata që krenoheshin me ‘kryeministrat’ shqiptarë në rajon.
“Nuk e di ku mbetën ata komentatorë që krenoheshin se cili shqiptar do të bëhet kryeministër, s’di ku mbetën ata komentatorë tash. E kam thënë dhe po e përsëris se zoti Abazovic erdhi në politikë dhe ka bërë një karrierë politike në një parti që nuk ka qenë kurrë etnike. Karriera e tij ishte mbietnike, siç po pretendon ai ta zhvillojë. I mbetet ta shpjegojë se përse dështoi ai ta shfrytëzojë një rast historik, ta kujtojmë një qeveri u rrëzua që erdhi atje pas 30 gushtit, që ishte një konglomerat i partive të ndryshme përfshi edhe atyre pro-serbe dhe pro-ruse, iu dha shansi nga komponenti sovranist një qeveri të pakicës përfshi edhe pakicat, pra një parti e madhe malazeze që ndenji në opozitë që ta përkrahë me një veprim konsensual që thoshte që duhet bërë përpjekje reformuese sidomos në adresimin e drejtësisë dhe në këtë mënyrë Mali i Zi të ishte vendi i parë i rajonit të cilit mund t’i jepej drita e gjelbër për integrim në Evropë. Pse e ka bërë këtë ai do të ketë kohë ta shpjegojë, është i ri zoti Abazovic, të na tregojë si e bëri huqjen më të madhe të karrierës.”
Hysa shtoi se është e çuditshme se si para një mundësie për të çuar vendin drejt Evropës ai zgjodhi me nguti dhe e inat ta shtyjë para një marrëveshje me Kishësn Ortodokse Serbe që është edhe shkaktari i krizës në Mal të Zi, prej të cilës nuk po mund të këndellet ende. Një antagonizim shtesë i një shoqërie të përçarë që rihap debatin për çështje të identitet që mund ta përcjellë shumë gjatë. Kjo është një kthim prapa në integrimin evropian dhe pasojat e veprimit të Abazovic tek do t’i shohim vlerëson ish diplomati kosovar.
Ishte aspekti politik që duhet parë tha Hysa duke shtjelluar edhe çështjen e ngërçit të mundshëm në parlamentin malazias pasi nuk ka vota të mjaftueshme as për ta rrëzuar por as për zotin Abazovic që të vazhdojë qeverisjen e tij me çfarëdo lloj legjitimiteti.
I pyetur nëse partitë pro-serbe do të veprojnë në parlament për ta mbajtur në pushtet, Hysa tha se është e mundshme por “atëherë zoti Abazoovic duhet të shpjegojë kush është ai në të vërtetë”. Tashmë ka zëra që thonë se kjo po shkon në favor të presidentit serb Aleksandar Vucic, dhuratë madje për të, kur pritet një krizë politike e thellë në Mal të Zi.
“Për më tepër, të kujtojmë në pakon politike kanë qenë disa pika që ndërlidhen dhe njëra nga to që është shumë e rëndësishme edhe për integrimin evropian është adresimi i gjyqit kushtetues, i cili vazhdon të jetë vakant. PA të as mund të ketë as zgjedhje, as ankesa. Nuk është e zgjidhur as çështja e prokurorisë së shtetit, as e datës për zgjedhje lokale, kështu që Mali i Zi mund të hyjë në një vakum serioz dhe aso zërash që mendojnë se kjo është me të vërtetë një dhuratë për zotin Vucic dhe Beogradin, i cili frikësohej se Mali i Zi mund të shkëputej nga hapësira e ballkanike si vendi i parë anëtar i BE’së.”
I pyetur nëse Abazovic si një politikan i ri kishte tentuar të tregohej gjeneroz e pa inate dhe i paanshëm me kompromis edhe ndaj Kishës Ortodokse Serbe, madje edhe një implikim i naivitetit në refuzimin e popullizmit me veprimtarinë e tij, Hysa ishte skeptik në përgjigje. Ai tha se është evidente se Abazovic ka dështuar të kuptojë ndjeshmërinë e çështjeve qenësore për pavarësinë e Malit të Zi.
“Leximi i tillë si mos mbajtje inati për dikë mund të shihet si mungesë principesh, njësoj si për dikë tjetër. Për një malazez që e përjeton si një tragjedi kombëtare kur më 1918’n e ka humbur sovranitetin, humbur kishën, e të cilit i mohohet të ketë një denominim malazez, një gjë e tillë është sensitive, pa marrë parasysh se kush ka të drejtë. Është një përjetim shumë emocional i cili e ka sjellë Malin e Zi në këtë ndarje të madhe me një lutje dhe një kërkesë që kjo çështje të mos shtrohet tani por të ketë një koncentrim të forcave drejt integrimit evropian e pastaj si një produkt i një debati të nxirret një lloj dokumenti që sipas një leximi malazez nuk e cenon as kushtetutën as ligjin po as edhe vet identitetin historik të kishës e as trashëgiminë kulturore.”
I pyetur edhe nëse ka nguti për të atakuar Abazovic tani pas një entuziazmi që u pa në opinionin publik për zgjedhjen të edhe një shqiptari në krye të një qeverie në Ballkan, Hysa ishte skeptik nëse kishte nguti asokohe dhe tani pasi duhet një epilog për analizë dhe përshtypjen për Abazovic tani që është kryesisht negativ posaçërisht në rrjete sociale. Hysa u sfidua edhe nëse ka dyshime për përkatësinë e Abazovic.
“Të qënurit shqiptar nuk vjen vetëm nga etnia, vjen ndoshta edhe nga bindja. Tek e fundit, dikush edhe mund të bëjë edhe pyetje pse shqiptarët duhet të kenë sufiksin vic, nëse ndjehen si të tillë. Me sa e di unë me ligje të Malit të Zi, kushton pesë euro ta kthesh mbiemrin siç e ke pasur. Me këtë nuk po sugjeroj se dikush nuk është shqiptar nëse e ka kështu mbiemrin por është çështje perceptimi i etnisë. Absolutish nuk kam dyshime të tilla. Por kur bëhen debate të tilla në rrjete sociale nganjëherë edhe banalizohen e nguti, e në analiza politika më shumë duhet racionalitet se sa emocion i rrjeteve sociale.”
Duhet të mbështetet Abazovoic apo jo ishte pyetja tjetër me radhë për Hysën duke shtuar se është një shqiptar. Hysa i sfidoi gazetarët që të përgjigjen vet ata në këtë pyetje.
“Ma thoni ju, nëse duhet mbështetur një kryeministër që në vend se ta zgjedhë integrimin në Evropë zgjedhë që për inat të bëjë marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe, e cila përjetohet nga gjysma e vendit si cenim identiteti. A duhet përkrahur dikush që mendon se në Srebrenicë nuk janë vrarë boshnjakët por janë vrarë qytetarët, pa marrë parasysh që a ka bërë këtë me qëllim apo jo”.
Çfarë pasojash mund të jenë konkretisht për Abazovic u sfidua Hysa të shpjegojë se do të jenë tash pas humbjes së mbështetjes konsensuale të tij në parlament dhe çmimi i mundshëm politik për kryeministrin malazias Abazovic. Hysa i veçoi ato për vet Abazovic dhe ato për shtetin malazez dhe rajonin përreth.
“Definitivisht një rreshtim kah opsioni politik serb në Mal të Zi dhe defintivisht një rreshtim kundër një blloku pro sovranitetit malazez i cili ka qenë aty për të përkrahur politika euro-atlantike, për të përkrahur pavarësinë e Kosovës e në momente të caktuara për të ruajtur stabilitetin rajonal”./gazetametro.net
12.07.2022