1.
Pranë teje
Jam duke t’i shikuar gjethet e verdha
Që nga vjeshta pak të kanë ngelur
Në degët e praruara
Me fjalën e poetit
Me dhembjet e njeriut
Me lumturinë
Që nganjëherë dot nuk arrihet
E si t’ia bëjmë tani
Kur dimri s’na lë të jemi bashkë
Po të rrija pranë teje
Acari m’i ngrinë duart
E m’i skuq faqet e thata
2.
Ti, sikur nuk më flet
Se tash i druan vetmisë
Sikurse unë mallit për ty
E si t’ia bëjmë
O “Blini i Poetit”
Do ngelemi memecë
Por duke i kujtuar
Fjalët e ëmbla
Edhe ndonjë varg
Që zemrën na bënte mal
Dhe ndonjëherë
Na bënte edhe të qajmë
Unë ulur në tavolinë pranë teje
E ti me ato gjethet krenare
Dhe me aromën mahnitëse
Të luleve tuaja
Që ma çmendëshe muzën
3.
Unë dhe Ti
Do t’i kujtojmë ato ndejat
E poetëve dhe të krijuesve
Ju tuboheshin si bletët
Përreth tavolinës pranë trupit tënd
Do t’i kujtojmë ato vargjet edhe mendimet
Që na fisnikëronin ose na zinin ngushtë
E ti ndoshta nuk e di
E unë fshehtas ta lëshoja shikimin
E dashurisë që kam për ty
4.
More “Blini i Poetit”
Pranë teje sa herë këndova
Sa herë unë dhe Ti e zumë në gojë
Fatin dhe lumturinë e atdheut
E ti vetëm i lëkundje degët
Dhe më gjethet plot gjelbërim
Ma flladitshe zemrën e ballin
Me shumë fjalë memece
Që ti i ke shndërruar në histori
Edhe krenare edhe të dhembshme
E kush di t’i lexojë ato
Ty, o “Blini i Poetit”
Do të dojë edhe më shumë
5.
Pranë teje e me ty
Që bashku kemi qeshur e kemi qarë
Kemi folur për dashuri të shkuara
Edhe për gëzimin dhe hidhërimin e qytetit
Edhe për Lumëbardhin dhe madhështinë e tij
Edhe për ujin dhe zemërimin e tij
Dhe unë dhe krijuesit përreth nesh
Pas kafesë që kishte veçanti
Iknim diku ku muza na priste
Me shpatën e qumështit të nënës
Për të na i urtësuar emocionet
Për të na mbushur me ndijime
Si bleta me nektar bukurinë e natyrës
6.
E di
Ti ngeleshe vetëm e pa ne
Por pranë teje
Aty në tavolinën plot shkronja
Plot lot gaz e lumturi
Të gjithë kishin dëshirë të pushonin
Kurse ti vazhdoje me freskinë tënde
Në heshtje për të rrëfyer shumëçka
7.
Sa madhështor je or “Blini i Poetit”
Ti nuk ke treguar
Por të gjitha kuvendimet e poetëve
I ke regjistruar dhe i ke bërë libër
Që ballinën e saj e ke lënë
Që ne ta qëndisim
Me ngjyrën e shpirtit tënd
Dhe me fjalët që kurrë nuk na i ke thënë
8.
E tash o “Blini i Poetit”
Stina e dimrit sikur na sjell ndarjen
Ti në acarin e vetmisë
E unë në trishtimin e jetës
Por tavolinën pranë teje ruaje
Se vjen pranvera
Përsëri do jam aty te Ti
Dhe çdo gjë do e qëndisim me vargje të reja
Edhe me bukurinë e gjetheve tuaja
Sërish do kuvendojmë së bashku
Pranë teje do tubohen shumë poetë
Edhe krijues të tjerë
Sepse ti je frymëzimi ynë
Je kujtimi i këndimit poetik
9.
Monologu pranë teje
O “Blini i Poetit”
E di se nuk ka të sosur
Sepse ti je frymëzim që çmend mendjen
Që fisnikëron mendimin
Prandaj këtu po e përfundoj
Këtë monolog që m’i lëkundi
Ata hapat e rrugëtimit nëpër kalldrëm jete
10.
“Blini i Poetit”
Pritem deri sa të vjen pranvera
Rriti degët dhe përgatitu
Për gjethet dhe lulet e reja
Tash është dimër
E nuk dua të them gjë tjetër
Veç se do të takohemi së bashku
Dhe do t’i rrëfejmë njëri-tjetrit
Për përrallat e jetës duke shfletuar libra
Ndoshta edhe duke shkruar diçka
Por edhe do t’i këndojmë bashkë
Poezitë që i kemi shkruar
Ti në acar e unë në ngrica kujtimi
11.
Dua ta them edhe këtë:
O “Blini i Poetit”
Sa shumë kohë kalova pranë teje
Sa shumë mendime i murosem së bashku
Si ta bëjmë lumturinë lapidar
Por e di
Se edhe kur të takohemi në pranverë
Nuk do e shoh në atë shtatin tënd
Një mbishkrim as për ty as për poetin
12.
Ti, “Blini i Poetit”
A do të jemi sërish së bashku
Kur të vijë pranvera…
(©S. B.)
(E premte, 17 nëntor 2023)