Intervistoi: Mira Tuci
Eliza Dushku nuk është vetëm aktorja e famshme me origjinë shqiptare që ka bërë sukses në Hollivud. Ajo në fakt nuk e konsideron veten as njeri të famshëm, por e sheh veten si një njeri. Ndonëse ne njohim veç aspektin fashion, apo dimë përmendësh titujt e filmave në të cilët ka luajtur, pak dimë për njeriun që është brenda saj, si arriti të plotësojë kujtimet e babait dhe pemën e familjes Dushku. Çfarë e josh, çfarë ëndërron, çfarë dashuron, kujt ia kushton kohën dhe cili është angazhimi i saj më i madh përtej studiove të produksionit dhe sheshit të xhirimit. Rikthimet e saj në Tiranë mund të kalojnë edhe pa shumë bujë mediatike, sepse siç rrëfen ajo, tashmë ndihet si në shtëpinë e saj të dytë. E jo thjesht sepse zotëron edhe pasaportën shqiptare, por sepse tashmë ka firmosur në fund letrën e saj të dashurisë ndaj këtij vendi, me titull “Dear Albania”.
Versioni final i dokumentarit është gati dhe ajo bashkë me të vëllain, regjisorin Nate Dushku kanë vendosur të bëjnë disa premiera të vogla, ku publiku shqiptar të ketë akses dhe të preket nga sinqeriteti me të cilin ata e sjellin Shqipërinë para nesh!
Përshëndetje Eliza, mirëserdhe në shtëpi! Është një klishe, por a ndihesh vërtet si në shtëpi kur vjen në Shqipëri?
Ndihem sikur Shqipëria është shtëpia ime larg shtëpisë, kam dy shtëpi tani.
Ke shkruar diçka në “Twitter” dhe në llogarinë tënde në “Facebook” se po vije këtu, se po vije në shtëpi?
Po, shkrova se po vija në shtëpi dhe disa njerëz në Shtetet e Bashkuara u shqetësuan dhe më shkruajtën: “vërtet mendon se Shqipëria është shtëpia jote?”, dhe unë u përgjigja “po, shtëpia ime larg shtëpisë” dhe tashmë me dyshtetësinë time mund të jem dy njerëz, d.m.th. kam opsione, pasaportën time amerikane dhe pasaportën shqiptare.
Fakti që tashmë ke edhe shtetësinë shqiptare, a të obligon që të bësh pak më tepër për këtë vendin tënd të vogël?
Mendoj se detyrimi dhe pasioni filloi shumë kohë më parë sesa të kisha në duar pasaportën shqiptare. Ndërsa pasaporta shqiptare vetëm sa e certifikoi faktin që jam nominuar si ambasadore e Shqipërisë për kulturë dhe turizëm. Kam punuar 4 vjet për këtë projekt dhe kjo është dhurata ime e parë për këtë vend, por një nga të shumtat që do ta ndjekin.
Ti sapo ke sjellë këtu versionin final të dokumentarit “Dear Albania”. A ishte ky dokumentar jo thjesht një mënyrë për të njohur një vend të vogël, por edhe një rrugëtim në gjenet e tua?
Po, është pak nga të dyja gjërat, thuajse 2 të tretat është kështu. E kam përshkruar këtë gjithnjë si një letër dashurie që unë i shkruaja këtij vendi, “Dear Albania”, që ngërthen dy kuptime. Në fillim ishte diçka si gjetja e paraardhësve të mi dhe eksplorimi i rrënjëve të mia. Vëllai im dhe unë kemi dashur gjithmonë të vinim këtu dhe së bashku me babain tonë erdhëm gati 10 vjet më parë. E më pas Fadil Berisha që është një mik i mirë dhe një artist i njohur na ftoi dhe na tha OK, koha është tani për të bërë diçka. Ne nuk kishim një skenar kur e nisëm punën, por ndërsa filmi vijonte, u bë kombinimi i shumë gjërave.
Unë e kam parë dokumentarin dhe më prekën sinqeriteti, freskia dhe fakti që nuk kishte asgjë të sforcuar të tipit “Shqipëria is the best”, por për mua ishte fytyra e vërtetë e Shqipërisë përmes syve të tu dhe të vëllait tënd Nejt (që është regjisori i filmit).
Faleminderit, është domethënëse për mua ta dëgjoj këtë, sepse që kur erdhëm herën e parë këtu, gjithnjë kemi dashur të rikthehemi. Dhe me këto projeksione gjatë kësaj jave thuajse kemi jetuar me këtë film këto vite, kemi bërë montazh, ndryshuar gjëra, kemi hequr, kemi shtuar gjëra. Dhe qëllimi ynë i vetëm është që shqiptarët ta ndjejnë se ka ndjesi të vërteta dhe se flitet me zërin e tyre të vërtetë. Ne nuk donim të ndiheshim të imponuar apo të sforcuar. Dhe reagimi ka qenë më tepër se përmbushës; ka pasur njerëz që kanë qarë prej gëzimit apo mallëngjimit dhe ata janë të lumtur dhe krenarë që janë shqiptarë.
Dua të shtoj edhe një fakt që thuhet në film. “OK, ne jemi shqiptarë, nuk po themi që jemi më të mirët, por po themi që ne ekzistojmë”. Dhe kjo është diçka shumë e fuqishme, dhe kështu ndihem edhe unë.
Ti dhe vëllai yt keni punuar shumë dhe për një kohë të gjatë për këtë dokumentar. A ishte e vështirë të bënit përtej pjesës turistike gjithashtu një rrugëtim nëpër histori?
Nuk është e lehtë të njohësh Puzzle-in ballkanik!
Oh po, ka qenë një sfidë e vërtetë, e do ta them nga sot e deri ditën që do vdes se vëllai im Nejt ka qenë në një kuptim, heroi i këtij projekti, se puna që ai ka bërë është e pamatë. Njohjet dhe lidhjet që ai ka krijuar si dhe jemi kaq mirënjohës ndaj njerëzve dhe institucioneve që na kanë ndihmuar, si Arkivi Kombëtar i Filmit. Ai e nisi këtë histori kaq thellë sa edhe unë kam mësuar shumë gjëra për vendin ndërkohë që ai mësonte. Dhe si regjisori ynë, ishte ai që e mblodhi çdo detaj bashkë, duke e bërë të duket si një histori, por jo si një leksion i rëndë dhe i mërzitshëm historie.
Ne lundruam në disa gjetje kinematografike dhe besoj se kjo është pjesa më e bukur për t’u celebruar nga ky film, pra talenti i tij në këtë drejtim.
A mendon se përdorimi i disa fragmenteve të animuara e ka ndihmuar historinë të mos duket si leksion i mërzitshëm historie, të flitet edhe për gjëra të thella e të komplikuara në historinë shqiptare por në një mënyrë të lehtë?
Po, po, dhe kur sheh se sa shumë media kanë ndryshuar, ndjen një lloj detyrimi që montazhi dhe ritmi duhet të jetë i shpejtë, duhet të shfaqësh disa lloj imazhesh dhe nuk mund të qëndrosh në një lloj imazhi për një kohë të gjatë. E kështu ne përdorëm harta të ndryshme, përdorëm “google map”, dhe ishim duke lëvizur me shkallë zmadhuese në male të ndryshme apo në qytete të ndryshme.
Po ashtu, për ne ka qenë argëtuese të shtonim plot ritme muzikore, duke bërë edhe një prezantim të artistëve modernë nga Shqipëria dhe Kosova, artistë hip-hopi, këngëtarë popi dhe besoj se kjo është një nga gjërat më të rëndësishme, që të shfaqim për brezat e ndryshëm një pamje dhe të gjithë të jenë të aftë ta pëlqejnë.
“Dear Albania” fillon si një letër dashurie, nuk është një qëndrim politik, por mendoj se është një libër i hapur për një komb të vogël. Fakti që keni tashmë një kontratë transmetimi me një nga televizionet publike amerikane, a hap një derë të re dhe jo vetëm në terma turistikë?
Po, më duhet ta theksoj edhe një herë, është diçka që kemi bërë që nuk është realizuar më parë dhe e dinim që shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara do thoshin: “Shqipëria… pse Shqipëria… pse të blejmë një film një orë të gjatë për një vend i cili është interesant, por na trego më tepër se për çfarë bëhet fjalë.”
Ne ia dolëm që t’ua tregonim këtë produkt, versionin final të tij televizionit “PBS”, televizionit publik amerikan; ata ishin kaq të mahnitur dhe menjëherë e morën dhe tashmë ne kemi një kontratë me ta dhe filmi do të shfaqet këtë shtator në më tepër se 270 milionë shtëpi amerikane. Ne mendojmë se kushdo që do e shohë filmin, do ta kuptojë menjëherë pse Shqipëria.
Por ka edhe një lidhje tjetër; ju doni që ky film të shkojë në shtëpitë amerikane, por po ashtu ju dëshironi që edhe vetë shqiptarët ta shohin, apo jo?
Absolutisht po! Hapi i parë ishte për shkak të televizionit amerikan, “PBS” ishte në Europë dhe morën pjesë në tregun e Filmit në Kanë për shitjet ndërkombëtare si dhe në tregun e filmit në fluturim, p.sh. kur njerëzit janë në fluturim e gjejnë filmin që duan të shohin në ekran. Dhe këtu në Shqipëri qëllimi ynë është të gjejmë distributorë në ditët në vijim.
Është interesant fakti që ti ke aktruar përkrah thuajse yjve më të njohur të Hollivudit dhe ke folur hapur për rrënjët e tua shqiptare! Më kujtohet një dalje e jotja në “David Letterman Show”, i cili edhe këtu është shumë i njohur. Faktikisht, kush e ka ndezur atë zjarr brenda teje; ishte babai yt, deklaratë e Robert de Niros që ai ishte gjysmë shqiptar apo Nënë Tereza?
Që të jem e sinqertë, babai ynë është rritur si brezi i parë i emigrantëve shqiptarë në Amerikë dhe ai gjithnjë na ka thënë fraza të vogla, fjalë të shkëputura (të cilat janë edhe në film), si p.sh.: Rroftë Shqipëria. Ne e përsërisnim, por nuk e kuptonim krejtësisht se çfarë domethënieje kishte pas saj. Babai ynë ishte dhe është krenar që është shqiptar, por ka qenë shumë e vështirë për të të rritej, ishte shumë i varfër, prindërit e tij ishin emigrantë, pastaj ata lëvizën në Jug, në Boston, një qytet i cili ishte i pushtuar nga irlandezet dhe italianët, dhe ai thoshte gjithnjë se “nuk mund të ishe minoritet më i vogël sesa të rriteshe si shqiptar në lagjen në të cilën jam rritur”. E ato kohë kanë qenë, unë imagjinoj se kur ka qenë i vogël, ai nuk është ndjerë shumë krenar, sepse shqiptarët ishin shumë të margjinalizuar. Por sot, kur bija e tij dhe djali i tij kanë qenë të aftë të bëjnë këtë film me të cilin shpreson po ashtu që shqiptarët të ndihen krenarë për atë që janë, kjo ka qenë një dhuratë e vërtetë për të. Sigurisht, nuk mund të mos them që Nënë Tereza ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm. Ajo është absolutisht një nga modelet e mia në jetë, sepse përtej të qenit një aktore, ajo ka ndikuar në jetën time shumë dhe përtej të qenit një filantropiste dhe bamirëse, ajo për mua është një mbretëreshë.
Të kam dëgjuar të thuash se si në familjen tënde ke mësuar si të bësh byrekun shqiptar…
Po, nëna ime kishte mësuar ta bënte byrekun nga gjyshja jonë Vilermini, dhe ua mësoi gjithë fëmijëve si ta bënin, sidomos në prag të Vitit të Ri. Ajo i kishte mësuar si ta shtronin dhe të fshihnin monedha të vogla nëpër të, dhe ishte shumë argëtuese, e prisnim dhe gjithnjë vinim shenja kur kishim miq, kujdes kur han se mund të thyesh ndonjë dhemb.
Dhe pastaj kishte shumë gëzim kur e gjenim atë monedhën e fshehur, duke uruar të kishim fat të mbarë përgjatë vitit.
A mendon se jeta përbëhet nga gjërat e vogla, se ato bëjnë diferencën, sepse ajo që më tregove është i njëjti tregim që Jim Belushi më ka thënë disa vite më parë, se ajo çka ai kujtonte nga paraardhësit e tij ishte byreku…
Mendoj se tradita dhe kultura janë gjithçka kur vjen te pyetja se kush jemi. Ne jetojmë në një shoqëri që është unifikuar, ka një prirje që të dukemi njëlloj, por kjo gjë nuk shkon, sepse gjërat që na bëjnë ne unikë, të ndryshëm dhe të veçantë janë gjërat prej të cilave jemi bërë. Për shembull, unë jam gjysmë shqiptare, gjysmë daneze; unë marr përvoja nga familja e nënës dhe nga familja e babait dhe dua t’ua kaloj këtë pasuri edhe fëmijëve të mi ose mbesave dhe nipërve të mi. Sepse janë të vetmet gjëra të cilat janë pjesë e ADN-së së tyre, janë ato çka jemi. Dhe unë e dashuroj këtë gjë.
Elisa Patrizia Dushku, aktore shumë e njohur, por edhe një studente në degën e sociologjisë. Ku bashkohen aktrimi dhe sociologjia? Pse kjo sfidë?
Eliza Patrizia Dushku nuk ka dashur kurrë të bëhet një aktore. Jam mirënjohëse për këtë mundësi që ka ardhur në rrugën time, por nëna ime ishte një profesoreshë kolegji. Ajo ka dhënë mësime Politika krahasuese, Politika afrikane, Studime mbi gratë, dhe nëna ime është një person që i përket botës, i dashuron njerëzit, të studiojë brenda grupe njerëzish të ndryshëm, dhe kjo ka qenë gjithmonë brenda meje. Aktrimi ka ndodhur gabimisht ose rastësisht, por kjo ka qenë diçka që unë gjithnjë kam dashur ta bëj. Unë e lashë universitetin kur startova xhirimet e serialit “Bethi the Vampire”, dhe thashë, “po e lë shkollën, por do të kthehem përsëri në ndonjë pikë që të diplomohem”. M’u deshën 15 vite, por tani jam e ekzaltuar që jam kthyer në shkollë, më pëlqen sociologjia, më pëlqen të studioj njerëzit dhe jam një 34-vjeçare e freskët në universitet, një botë krejt ndryshe, por jam shumë entuziaste dhe e ekzaltuar që jam kthyer.
Të jesh e famshme, a është pengesë, sepse për ndonjë student mund të jetë: oh, Eliza Dushku studion në të njëjtën klasë me mua?!
Mendoj se gjithçka ka të bëjë me mënyrën si e mban veten, ka disa njerëz të famshëm dhe është e pamohueshme që janë të tillë, por unë nuk e kam konsideruar kurrë veten një njeri të famshëm, unë e konsideroj veten një person. Jam aty që të mësoj dhe nuk e konsideroj veten ndryshe, sepse unë kam qenë veç një peshkope që ulej në rreshtin e parë dhe gjithnjë ngrinte dorën për t’u përgjigjur sepse kisha lexuar gjithë ditën. Për mua është e rëndësishme të jem atje që të mësoj dhe jo të jem një celebrity. Dhe unë kam marrë tashmë një “A” dhe nëna ime ishte shumë krenare për mua.
Është mallëngjyes fakti që ti e konsideron veten një njeri, jo një njeri të famshëm. Ti ke qenë në Uganda; na trego pak më tepër, ke parë varfërinë dhe konfliktet me sytë e tu, dhe a ishte kjo edhe një përvojë shpirtërore e thellë?
Nëna jonë, siç e përmenda më parë, ka dhënë mësime për shumë vite mbi Politikën afrikane, ajo ka qenë thuajse në të gjitha vendet afrikane. Ajo shkoi në Uganda, dhe kishte një kurs mbi fëmijët ushtarë dhe luftën në Uganda. Fëmijët rrëmbeheshin nga rebelët dhe nga Xhosef Koni dhe detyroheshin të ktheheshin në skllevër seksi apo ushtarë skllevër, dhe ajo pati atë shkëndijën këtu është vendi dhe momenti dhe themeloi një organizatë në Uganda 6 vjet më parë dhe unë isha me të në atë udhëtim.
Unë isha në bord dhe e gjithë kjo është të themi një shërues traumash dhe qendër rehabilitimi për këta fëmijë. Shiko, nuk jemi aq të ndryshëm kur zbresim me këmbë në tokë. Këta njerëz kishin pasur kohë tmerrësisht të vështira në jetët e tyre, këta më shumë se të tjerët. Por të shërohesh nga traumat dhe vështirësitë, në një farë mënyre humb pak nga identiteti, dhe qëllimi ynë është t’i bëjmë të ndihen të dëgjuar dhe që dikush përkujdeset për to. Ne përdorim tërësisht metoda të mjekësisë alternative, që përfshin joga, leksione kompjuteri, iu mësojmë atyre të përdorin kompjuterat, sepse duan një llogari në “gmail” sepse kjo i bën të ndihen njerëz të rëndësishëm.
Xho Sweden, me të cilin kam punuar në “Buffy the Vampire” dhe “Dollhouse” dhe tani është regjisori i “Avengers”, i cili është një fondmbledhës yni, erdhi atje dhe na tha se, sigurisht duhen përmbushur nevojat bazike të njerëzve, ke nevojë për ujë apo për ilaçet e malaries, por nëse një person ka humbur identitetin e tij dhe nuk e di më se kush është, atëherë jeta është një burg dhe nuk ke arsye për të jetuar. Edhe kjo është një nga arsyet pse kam filluar të studioj sociologji dhe besoj shumë shpejt do bëhem një instruktore joge në vjeshtë, ndërsa vijoj studimet, sepse thjesht i dua njerëzit dhe nuk duroj dot të shoh njerëz që vuajnë apo që ndihen të margjinalizuar. Dhe nëse ka diçka që unë mund ta bëj për të ndihmuar, do e bëj. Sepse kam bërë shumë gjëra “cool” në jetën time, kam qenë aktore, kam mbledhur fonde, por asgjë nuk është më shpërblyese për mua sesa të ndihmoj një grua të re të ngrihet në këmbët e saj ose të ndihet mirë për veten e saj.
Si ndikon jeta reale në faktin që ti je një aktore, apo si e ndihmon aktrimin tënd, ose si arti ndikon në jetën reale. Ti e the më parë që një artist duhet ta përdorë artin e tij për të bërë gjëra të mira në jetë, jo vetëm thjesht të krijojë zhurmë apo marrë vëmendje, apo jo?
Absolutisht! Arti imiton jetën dhe jeta imiton artin. Për mua, të jem aktore është sikur të më ishte dhuruar një platformë, më është dhënë mua një vend, të them… oh, gjithmonë qesh, sepse mendoj se ka kaq shumë njerëz që janë shumë më tepër interesantë sesa unë në sytë e mi, nëna ime është një prej tyre, dhe jo domosdoshmërisht marrin këtë vëmendje që më është dhënë mua. Kështu përpiqem që të krijoj një kanal për njerëzit që më frymëzojnë mua dhe ta bej këtë përmes artit tim, sepse mendoj se jam shumatorja e gjithë këtyre gjërave që më inspirojnë mua kur unë jam artiste. Nëse nuk i njoh njerëzit, si mund të luaj njerëz të ndryshëm në punën time?! Pra jam shumë e interesuar për njerëzit, si jetojnë, cilat janë mendimet e tyre, çfarë ëndërrojnë dhe si arrijnë ta administrojnë këte gjë, si e përballojnë dhimbjen dhe trishtimin, i cili është pjesë e jetës po aq sa edhe e artit.
Pas Shqipërisë do të shkoni në Kosovë; a është kjo, pjesë e dimensionit që thatë më parë, që arti mund të nxisë disa gjëra të mira?
Sigurisht, arti i kombinuar me edukimin, një tjetër gjë e cila më frymëzon dhe Fondi Amerikan – Kosovar i Edukimit është një organizatë e jashtëzakonshme, sepse ata po mbledhin fonde që të dërgojnë të rinj të talentuar nga Kosova në shkollat më të mira amerikane, që të vijojnë edukimin e tyre dhe të kthehen në Kosovë dhe të bëhen liderë të shkëlqyer. Është diçka që e konsideroj të një rëndësie shumë të veçantë dhe kur më kërkuan të vija, isha mjaft e nderuar që të isha mikpritëse e një galaje hollivudiane dhe gjithashtu do të shfaqim filmin “Dear Albania”. Jam e nderuar që shihem si një artiste që mbështet edukimin dhe këto vende.
Nga Kosova do kthehesh në shtëpinë tënde të madhe dhe në xhirime. Mund të na thuash diçka më tepër për projektin tënd të ardhshëm?
Projekti im i ardhshëm është një show i titulluar “Benchi”, një serial në televizion kabllor, është hera ime e parë që marr pjesë në një show kabllor. Është një show fantastik, pjesërisht i krijuar nga Alan Boyle, dikush që e kam admiruar për një kohë të gjatë, një artist kreativ i jashtëzakonshëm! Do luaj në 5 episode si guest star, ndërkohë që ata janë në sezonin e katërt. Luaj rolin e një agjenteje speciale e cila është shumë e fortë dhe e zgjuar, por edhe seksi, sigurisht. Ajo jep shumë grushte dhe do xhirojmë gjatë gjithë verës, tamam në kohë për të filluar shkollën.
Ah, kjo është arsyeja pse po ushtrohesh kaq shumë edhe këto ditë?
Po, sapo u ktheva nga palestra këtu, po ushtrohem që të më kthehen muskujt sërish dhe të shkelmojmë disa djelmosha!
Dhe për të gjitha femrat që të admirojnë, cili është sekreti i bukurisë së Elizës?
Oh Zot, kam pasur një stil jetese tmerrësisht të shëndetshëm dhe e vlerësoj akoma më tepër këtë, e sidomos në vitet e fundit mendoj se thjesht kam ndryshuar fokusin dhe objektivat e mi. Kam kapërcyer veten duke u përpjekur të gjej një ekuilibër me veten në të gjitha drejtimet; nuk obsesionohem më me asgjë, as me atë që ha dhe as me sa kohë ushtrohem. Përpiqem të gjej një balancë, përpiqem të shpenzoj kohën e duhur me familjen, kohën tjetër e kam të fokusuar në punë dhe në studimet e mia. Po ashtu jam e fokusuar në trupin, mendjen dhe shpirtin tim dhe mendoj se bukuria, nëse i vëmë një emër, vjen nga brendësia, nga mënyra si ndihesh për veten dhe si u drejtohesh të tjerëve.
Përveç “përshëndetje” dhe “faleminderit”, a ka mësuar Eliza diçka të re nga gjuha shqipe? Unë e di, por ti duhet ta thuash…
Lulebukur… Është një shprehje e gdhendur në gurin e varrit të gjyshes sime që gjendet në Boston. Është një shprehje që e dashuroj, pasi gjyshi ynë e thërriste gjyshen kështu….
Komentet