Vendosa të rifreskoj regjistrimin në Bibliotekën Kombëtare.
Sapo ngjit shkallët qetësia e mendimet të pushtojnë shpirtin e sikur pret që pas skedarëve me mijëra tituj librash e ese autorësh, të gjesh formulën magjike të shpëtimit nga rrumpalla që le pas hyrjes.
Kësaj here gjeta kllapinë jo qetësinë.
Mu duk sikur hyra në një magazinë frutash, apo në një repart të Guardia di Finanza ku ishin kapur me dhjetra kuti bananesh me mall kontrabandë, produkte të jashtë ligjshme e po prisnin ekspertizën e ekspertëve.
Kapicë kuti mbi kuti banane nga hyrja e deri në ambientet e brendshme kishin pushtuar hapësirën.
Disa prej tyre mbanin mbishkrimin ; “teprica për dhurim”. “teprica për libraritë”, “libra të listuar”, “kuti 4″,”…Korçë”.
Dyshemeja dikur një parket shkëlqyes që kërciste lehtë pas cdo hapi sikur të uronte mirëseardhjen, sot ishte shndërruar në dërrasa të c’ngjyrosura, të vjetra e të çara.
Raftet e skedarëve ishin pozicionuar si dikur; pranë xhamave nën dritën natyrale që të ndihmon shumë për leximin e skedave prej kartoni. Qëndrojnë në kurriz me njëri tjetrin, peshuae nga emra autorësh.
Në sfond pas xhamave një grup ciganësh këndojnë një këngë italiane, e shoh veç bazamentin e Sahatit e këmbët e punonjëses së tij që po ngrohej në diell.
Sportelli i zonjave bibliotekare, dikur pozicionuar në fund të skedarëve, sot ishte në hyrje, aty pranë kutive të bananeve.
Profesionalisht të hijshme e të qeta më erdhën në ndihmë.(Ndoshta perceptuan habinë- kllapinë time).
“Dua të rifreskoj kartelën time në bibliotekë, u thashë.
E ke hapur pas e Albania?, më pyetën.
Jo , shumë vite më parë. ”
Oh atëherë duhet ta bësh regjistrimin përmes e-Albania!”
Shtanga.
E kisha parë e përdorur këtë portal, por që të kishte dhe opsion anëtarësimi bibliotekar s’më kishte shkuar mendja.
Emri i e-Albania po kthehej si makthi i Frontit të lagjes në sistemin komunist.
Zonja e sjellshme kuptoi nervozizmin tim e u ofrua ta bënim bashkë regjistrimin.
“Por më parë dua të bëj disa pyetje”, tha.
Ok.
“Pse po regjistrohesh?”
Shtanga përsëri.
“Po pêr cfarë ju intereson më shumë? Të pyes se dua të të shpjegoj se si funksionon përdorimi”, vazhdonte ajo.
“Dua të lexoj, që të mos më kap kllapia e të kuptoj si mbërritëm nga Komisia Letrare Shqipe e 1916 e formuar nga Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, dhe At Ambroz Marlaskaj me misionin e çështjes e gjuhës shqipe, e bërthama e lindjes së Bibliotekës Kombëtare, tek këto kuti bananesh mbush me libra “me tepricë”të një institucioni shtetëror mbrojtës i Letërsisë e Kulturës botërore e shqiptare dhe i drejtuar nga Pirro Misha”, … këtë doja të thoja, por mirësjellja e bibliotekares nuk e meritonte.
Vec i buzëqesha, e kjo i mjaftojë për përgjigje.
Hapi portalin e e-Albania e nisi të bëj anëtarësimin.
Karta e identitetit, adresa, numri telefonit, profesioni, etj etj.
Japim ok, por e-Albania e kthen pas.
E ribëjmë…
Karta e identitetit, adresa, numri telefonit, profesioni, etj etj.
Japim ok, por e-Albania e kthen pas përsëri… e përsêri.
Karta e identitetit, adresa, numri telefonit, profesioni, etj etj.
Japim ok, por e-Albania e kthen pas.
E ribëjmë…
Karta e identitetit, adresa, numri telefonit, profesioni, etj etj.
Japim ok, por e-Albania e kthen pas përsëri… e përsêri.
“Nuk është faji ynë, por i AKSH-it”, thotë zonja.
E riprovuam përsëri deri sa dy vajza të reja të sektorit të IT, thanë se do e zgjidhnin.
Me kartën time të identitetit u mbyllën në një dhomë e pas 10 minutash u kthyen e thanë; “regjistrimi u krye”!
E-Albania nuk funksionoi, AKSHI ishte fajtori, kutitë e bananeve u bënë dëshmitarë.