Një analiste e zhvillimeve politike në Kosovë thotë se megjithë shtytjen e Perëndimit për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e këtij viti mes Kosovës dhe Serbisë, shanset për përparim “janë zero” nëse nuk ndryshon formati i dialogut. Donika Emini, drejtore e platformës CiviKos i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se angazhimi i BE-së dhe SHBA-së nuk ka qenë koherent dhe nuk ka pasur një mesazh të qartë për Ballkanin, por edhe për Kosovën dhe Serbinë. Zonja Emini, që ndodhet në Uashington për takime, si pjesëtare e Grupit Këshillimor Ballkani në Evropë, BiEPAG i tha koleges Keida Kostreci se kërkesa e zbatimit të Asociacionit është problematike, nëse Kosova nuk merr garanci për njohjen de-facto nga Serbia.
Zëri i Amerikës: Të flasim për pritshmëritë që ka Perëndimi lidhur me bisedimet Kosovë – Serbi. Sa realiste janë këto pritshmëri duke pasur parasysh që deri tani nuk kemi pasur ndonjë arritje apo përparim në bisedimet, pikërisht për këtë çështje?
Donika Emini: Mund të themi që pritshmëritë janë gati zero nëse dialogu vazhdon me formatin e tillë. Dihet shumë mirë që lufta në Ukrainë ka qenë shtytësi kryesor i ndoshta rikthimit të SHBA-së në rajon duke e parë gjithë rajonin nga këndvështrimi i sigurisë, jo nga nevoja për t’u reformuar dhe për të vazhduar reformat demokratike në rajon.
Në raportin Kosovë – Serbi ka pasur një angazhim shumë të madh nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, mirëpo ka qenë një angazhim që nuk ka qenë koherent, nuk ka pasur një mesazh i cili ka qenë i qartë për Ballkanin, por edhe për Kosovën dhe Serbinë.
Palët janë shtyrë që të bien dakord për një dokument më 2023 i cili ka qenë shumë i ngjashëm me atë të vitit 2013 dhe i cili ka dështuar të zbatohet dhe nuk ka pasur një plan të qartë implementimi se si të vazhdojmë nga pika A deri në pikën B dhe çfarë do ketë në pas, implikimet e kësaj marrëveshjeje.
Duke parë emergjencën në rajon për ta mbyllur një zbrazëtirë sigurie për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndikimit rus në rajon, është arritur një marrëveshje me të cilën insistohet që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo hapi i radhës nuk është qartësuar.
Kishim edhe në takimet tona me Departamentin e Shtetit ku kërkohet nga Kosova që të themelohet Asociacioni që të lëvizim në hapin tjetër, mirëpo hapi tjetër është i padefinuar.
E dyta është se çfarë merr Kosova në raport me Serbinë e cila mund të jetë një njohje de-facto, e cila është shumë problematike të merret. Mirëpo, ndoshta do të kishte qenë ofrimi i një garancie që Kosova do e marrë këtë pas themelimit të Asociacionit.
Komuniteti ndërkombëtar shihet se është në urgjencë për ta kthyer Serbinë nga Perëndimi dhe për ta larguar nga Rusia duke insistuar që Kosova të bëjë hapin e radhës në dialog, mirëpo pa plan të qartë se si do të vazhdohet më tutje. Kjo edhe më shumë komplikohet me faktin që në Serbi ka zgjedhje me pas një muaji kohë, pastaj janë zgjedhjet në BE dhe zgjedhjet në SHBA.
Kjo do të thotë Kosova po futet në një proces ku ka nevojë për shumë ndihmë për ta themeluar si të tillë pasi megjithatë Asociacioni është një proces kompleks, mirëpo pa ndihmën dhe ndoshta pa rikthimin e aktorëve të njëjtë në dialog nga BE-ja dhe SHBA-ja. Në Serbi është gjithmonë i njëjti dhe nuk dihet se si do të vazhdojë më tej pas gjithë këtyre proceseve.
Zëri i Amerikës: Duke e pasur parasysh këto shqetësime që ju identifikoni sa janë gjasat që të ketë sukses kjo lloj trysnie? Ju flisni për paqartësi në planin e ndërkombëtarëve, por nga ana e vetë palëve për ta parë këtë marrëveshje, me syrin që normalizimi është i rëndësishëm dhe po kërkohet pikërisht për ato faktorë që thoni juve?
Donika Emini: Absolutisht. Është shumë komplekse sepse ne kërkojmë ndihmë nga SHBA dhe BE-ja sepse e kanë fuqinë politike që t’i shtyjnë proceset politike përpara dhe unë konsideroj që ende e kanë një fuqi të tillë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Problemi ka qenë që trysnia është bërë vetëm në raport me Kosovën dhe jo në raport me Serbinë. Deri më tash ka pasur një presion të hatashëm kundrejt Kosovës për t’i akomoduar kërkesat e Presidentit Vuçiç pa e qartësuar se cili është plani më pas
Zëri i Amerikës: Në fakt, po kërkohet njohja de-facto e Kosovës?
Donika Emini: Dhe e cila është shumë problematike me u marrë dhe shumë problematike edhe të implementohet andaj nëse themelohet Asociacioni duhet patjetër që BE-ja së bashku me Kosovën të instalojnë mekanizmat të cilat do të siguronin që ky nuk do të jetë thjesht edhe një dorë e zgjatur e sistemit autokratik të Serbisë në Kosovë, por do të jetë diçka që vërtetë iu shërben qytetarëve serbë në Kosovë.
Në anën tjetër është mjaft zhgënjyese qasja e kryeministrit Kurti në proces sepse Kurti është votuar si një udhëheqës mjaft progresiv dhe ka pasur pritshmëri që qasja e tij do të ndërrojë, nuk do të vazhdojë ta luajë lojën e stabilitetit me Vuçiçin duke shkaktuar tensione që pastaj t’i ndalojë ato për të përfituar në terren.
Mirëpo, ka pasur disa llogaritje të gabuara në disa hapa sidomos me zgjedhjet në katër komunat në veri që solli tensione të njëpasnjëshme. Kurti ka pasur mundësi që të vendos një shembull të mirë të udhëheqësve në rajon, jo vetëm në implementimin e reformave, por edhe marrjen e rolit udhëheqës në raport me Asociacionin, të draftohet statuti nga Kosova.
Ka qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 që ka dhënë një bazë solide për një draft-statut i cili do të vijë duke i njohur të gjitha kompleksitetet e brendshme dhe jo të presim që ky dokument të vijë nga jashtë dhe pastaj të jetë ajo pika nisëse e negociatave.
Këtu ka qenë problemi dhe e dyta është që kemi një administratë të SHBA-së, sidomos Departamenti i Shtetit në Serbi e cila tash e ka në politikë të jashtme qëllimin që ta përdor ndoshta momentin kur Rusia është e zënë me luftën në Ukrainë, sidomos nëse e shohim se çfarë ndodhi me Nagorno-Karabak, që ka pak kapacitet dhe kapital politik që t’i mbajë këto sferat e interesit, që ta shfrytëzojë këtë momentum që Serbinë ta bëjë më perëndimore bashkë me Vuçiçin dhe në këtë rast duke e mbyllur këtë problematikën mes Kosovës dhe Serbisë…