Kohërat moderne janë vërtet më të zhvilluara nga pikëpamja e teknologjisë dhe zhvillimit njerëzor, por të gjitha historitë e humanitetit kanë një “zemër antike”, ndaj dhe qasja ndaj mërgimeve dhe shpërnguljeve biblike prej luftrave, që po plagosin popujt kohëve të fundit, nuk duhet t’i shmanget edhe sot “mësimeve që na jep kjo zemër antike”. Njëri nga mësimet më kryesore është ndenja e solidaritetit njerëzor, dhe sidomos për popujt e vegjël, ndjenja e vendosjes së vetes në vendin e tjetrit. Është ky parim bazë jo vetëm i çdo marrëdhënie njerëzore, por edhe i çdo marrëdhënie ndër-shtetërore, veçanërisht në ratin e tragjedive të tilla humanitare.
Ndoshta nën këtë parim-ombrellë do të duhej të supozohej i përfshirë edhe prononcimi i figurës më të njohur ndërkombëtarisht të kombit shqiptar, shkrimtarit Ismail Kadare, në raport me ndërtimin e kampit të refugjatëve, si simbol i fisnikërisë së solidaritetit njerëzor, që s’duhet të habisë askënd, aq më tepër ne shqiptarët, të njohur për zakone të tilla në shekuj. Ajo që të habit është diçka tjetër: manipulimi si përkrahje e drejtpërdrejtë dhe korruptimi i këtij parimi në një pozicionim politik, në favor të një lideri po kaq të madh e fisnik, njerëzor e shpirtmadh si i yni Edi Rama. Askush si ai, asnjë me vizion si ai, dëgjohej nga mëngjesi deri në darkë, pa pikën e ndërgjegjiies profesionale, kambana e të gjitha mediave pushtetare. Dhe kjo muzikë daullesh shpëtimtare do të na duhet të na “çajë” veshët” edhe për shumë kohë tani që u tonifikua nga Kadareja i madh.
Vetëm se ka shumë gjëra nuk përkojnë. Kadare ka mjaft kohë që është tërhequr nga prania publike, në mungesë të deklaratave për probleme të ndryshme. E aq më pak, nga jeta e dikurshme, ku tek tuk afrohej të shfaqte mendimin e vet për situatat dhe gjëndjen shqiptare. Pse vallë, kur vitet po i rëndojnë mbi supe, duhet të shfaqej tani dhe të mbronte Edi Ramën akoma dhe më të kërrusur se ai nga bëmat e korrupsionit të tij.
Po kaq e pakuptueshme është mbrojtja që supozohet t’i ketë bërë Europës pragmatiste për emigrantët. Nuk qëndron diçka e tillë në themel të qënies kadareiane, ndaj dhe nuk mund të konsiderohet si konkluzion. Kadare ka folur me zërin e thjeshtë e të natyrshëm të zemrës antike të njerëzimit solidar. Kaq, asgjë më shumë. Përkundrazi, ta vendosësh si anëmbajtje këtë qëndrim siç po e zbukuron propaganda paranojake e regjimit, zbulon lakuriq vobekësinë e tezave mbrojtëse të pushtetit për rëndësinë e kësaj inisiative. Nuk mund ta mendoj kurrën e kurrës, që Kadareja i vargjeve të Laokontit, i Nënpunësit të Palltit të Endrrave, i personazhit të famshëm shkrimtarit Ardian Gurma që priste vdekjen, i tregimit Roja i Famullisë, i personazhit të novelës Ura Me Tri Harqe etj ,etj të mbrojë diktaturën e sotme që është instaluar në Shqipëri.
Ismail Kadare e ka urryer diktaturën dhe ka luftuar me mataforat e tij letrare kundra saj, duke parashikuar edhe humnerën për veten e tij.
Por çdo njeri ka edhe dobësit e tij njerëzore që lidhen edhe me moshën dhe nuk mund të presësh të ikij nga kjo jetë me mustaqe dhe jatagan në brez. Dikush mund ta ketë shfrytëzuar edhe më parë emrin dhe monomentin e tij të pushtetshëm të vlerave dhe diktatori i sotëm , që dikur ska lënë gjë pa thënë, duke mohuar dhe keqinterpretuar vlerat e tij sot ka nevoja të mëdha për pushtetin më shumë se kurrë dhe është shumë i interesuar për këtë pushtet të Kadaresë.
Dikush tjetër sipas mendimit tim, abuzon me emrin e tij dhe dhe në këtë kohë intrigash mcgonigaliane të këtij regjimi nuk përjashtohet mundësia, që këto ndodhin lehtësisht. E them këtë me dyshimin, se njeriu i ndërgjegjes sonë kombëtare, që i ka dënuar dhe ka denoncuar si askush tjetër planifikimet e çfarosjes sonë kombëtare të përkrahë në këtë moshë, ku i ka fituar të gjitha betejat intelektuale dhe morale edhe ndaj diktaturës, zbatuesin e politikave të çfarosjes kombëtare, duke zbuar nga vëndi i tyre mbi 1 milion shqiptarë. Për mua shkrimtari Kadare, avokat i parimeve dhe vlerave njerëzore është e pa mundur të mbrojë hakmarrësin e verbër dhe ushtrues i luftës së rikthyer të klasave, kryeministrin e sotëm Edi Rama.
Po më e keqja e të gjithë asaj që ajo do të proçesojë në të ardhmen është “ripërsëritja e precedentit”. Një ofrim i tillë kaq “lakuriq dhe pa kushte” si ky i yni, që anashkalon president dhe parlament, bëhet një mollë e lakmuar për çdo vend të madh e të vogël të Europës. Ja, p.sh. për të fillon e flet si një ”proçedurë pragmatike” kancelari Sholz, i vendit më të fuqishëm të Eurpës. Vetëm se këtu dalim krejtësisht nga korniza e solidariteti fisnik apo e prestigjit, sepse nuk bëhet fjalë më për një rast të vetëm e të izoluar. Tanimë, në kuadrin e familjes europiane ku “Tirana do të bëhet pjesë një ditë”, Europa mund ta mendojë vërtet si një mundësi shumë të favorshme përdorimin e Shqipërisë si një “bazë tranzite” për azilantët. Nëse futemi në Europë, bregdeti ynë, po njëlloj si i Italisë, do të jetë kufiri i parë i Europës për kontinentin afrikan dhe pjesën e popujve të vuajtur të Mesdheut. Pse vallë ky precedent të mos kthehet në një normë, në një kuotë kontribuese, në një kooprim të ndërsjelltë në mes popujve të Europës? Kjo është perspektiva gjeopolitike e një precedenti të tillë.
Mirëpo, siç e përcaktuam edhe në fillim, njëri nga mësimet e “zemrës antike të njerëzimit” është edhe vendosja e vetes në vëndin e tjetrit. Si do të flisnin vallë krerët e të gjithë vendeve europiane, nëse kishim për prizëm të situatës këtë lloj parimi? Si mundet vallë t’i besohet dhe t’i jepet mbështetje për të mbajktur pushtetin një autokrati të tillë si Edi Rama? A mund të ndodhë vallë një gjë e tillë me udhëheqësit e demokracive europiane? A s’duhet ta vënë vallë veten, parlamentin, demokracinë dhe popullin e tyre në vendin e popullit dhe demokracisë sonë? A mund t’i vënë mbi supe një barrë që ai s’mund ta mbajë dot, vetëm për hir të një njeriu që si arrogant dhe hakmarrës, nuk pyet për askënd, dhe vendos veton, duke e fshehur arsyen e vërtetë pas fisnikërisë së një parimi humanitar. Po sa fisnike, sa solidare do tingëllojë për ju europianë, në kërkim të “zgjidhjes finale” pragmatike, britma e padëgjuar e opozitës që flet për një regjim tashmë të instaluar dhe e pafuqisë së një populli të tërë opozitar që nuk beson se ka votuar e do të votojë ndonjëherë i lirë!
A nuk ju ngjan kjo britëm e ky vajtim demokracie i po njëllojtë për nga pamundësia e një zgjidhjeje, me një detyrim fisnik të solidaritetit në mes popujve të Europës, për të ndihmuar njëri-tjetrin në po të njejtën mënyrë. Mendoni njëherë ju lutem për popullin shqiptar të cilit po i hapni kampe rrefugjatësh në gji të tij, e pastaj për azilantët e shumtë që do mbushin vazhdimisht këto kampe. Ekportojeni empatinë, demokracinë, solidaritetin tuaj në vendin e tij, dhe do të shihni se ai do tua shpërblejë shumë më tepër se ofertat me të cilat ju lëpihet Rama. Vëre veten në vëndin e tij, Europë e lirive dhe të drejtave demokratike, dhe pastaj bëj hesapet e tua.
Një gjë e tillë do të jetë një çlirim mendor e shpirtëror në çdo drejtim e perspektivë, edhe për strategjinë tënde. Asnjë vendim nuk i shpëton drejtësisë së mësimeve të “zemrës antike” të njerëzimit.