Një muaj kaloi nga eventi “Jorganxhi story” që ndoqëm me një bollëk emocionesh, tingujsh dhe aromash në qytetin e Korçës. Një event që personalisht e prita me padurim (dhe jo pa arsye) pasi ishte një shfaqje fantastike e veshur me tri horizontet e jetës, të shkuarën për ata që nuk ndodhen “fizikisht” mes nesh, të tashmen për ata që ende vazhdojnë të falin me zemërgjerësi dhe të ardhmen për gjeneratat e reja që na dhanë fjalën se do vazhdojnë misionin e historisë të Jorganxhinjve.
Sa për syrin e historisë, na duhet thenë se kaloi një shekull që kur kjo familje e veçantë filloi t’i jepte emocione Shqipërisë përmes muzikës.
Sa u hap sipari i eventit para nesh dolën modele me skena të ndryshme muzikore që shkëmbeheshin me njëra-tjetrën, faza të ndryshme të historisë, me tinguj bardh e zi por dhe me ngjyra të rralla në sytë e spektatorëve shpalosën sekretet misterioze të një deti plot emocionesh ku lundruan Jorganxhinjtë.
Baza e kësaj premierë absolute dhe përbërësi kryesor ishte muzika. Një fjalë kaq e thellë dhe e rëndësishme, sidomos për qytetin e Korçës. Koncept që përfshin në vetvete mijëra koncepte, zhanre të ndryshme dhe mënyra shprehjeje. Ndonjëherë arti është kompleks. Ai përmban vullnetin e artistit dhe shpesh jeton i hutuar në mendjen e tij. Por sa më kompleks bëhet ky koncept kur ka të bëjë me qytetin tonë? Sa më komplekse bëhet kur përfshin historinë së bashku me katër breza artistësh që po i japin ende artit? Shumë, pasi Muzika në vetvete është emocion dhe nxjerr emocione.
Kjo familje mban në gjirin e saj shumë lloje muzikore. Që nga këngët patriotike, serenatat, ariet operistike, romancat, këngët e lehta, shoqërimet muzikore në teatër e deri në xhaz e në rok. Një familje që ka shpërndarë bujarisht për rreth një shekull në vend terma të vështira si: ndjenjën patriotike, trishtimin, dashurinë, romancën demokracinë, etj. Një familje që numëron ndër pasuritë e saj kantautorë, këngëtarë, kompozitorë, dirigjentë duke dhuruar një vorbull krijimi.
Një muaj më parë, familja jorganxhi rinovoi takimin e saj me historinë në “skenën e shtëpisë së tyre”, në teatrin e Korçës, duke ringjallur një mozaik artistësh, të përbërë nga 4 personalitetet Jorganxhi që secili shërbeu si pionier në zhanrin e vet duke lidhur madje dhe jetën e tyre personale ngushtë me historinë muzikore të këtij vendi pothuajse në çdo aspekt të tij. Shikime herë me gëzim e herë me lot, rrahje zemre herë në kariget por dhe herë në skenën e Teatrit na mbushën për një kohë të gjatë.
Rrëfimi i përzemërt i muzikës në historinë muzikore nisi me pionierin e familjes në muzikë, Gaqo Jorganxhi (Artist i Merituar). Një bas/bariton që la gjurmë të rëndësishme në historinë e qytetit, si me veprimin e tij patriotik në periudhën e luftës, ashtu edhe me referencat e tij muzikore. Gaqo, mbeti në memorjen kolektive si një Krijues i disa këngëve patriotike të kënduara deri më sot por dhe baba i shumë serenatave dhe këngëve qytetare korçare. Artist i lindur me dhunti të jashtëzakonshme që nuk arriti të studionte për kanto për shkak të kohës që jetoi, pa e penguar ky fakt të bënte karrierë.
Anëtar themelues i shoqërisë së Arteve të Bukura dhe i korit Lyra, themelues i anketave të radio Korçës, protagonist i Operetës së parë “Agimi” doli në skenën e eventit brënda korit Lyra por dhe përmes zërit të nipit të tij, Hektor Leka (këngëtar lirik bas/bariton në Teatrin Xh. Verdi në trieste) i cili performoi për herë të parë në Shqipëri pas 30 vjetësh, këngën “Nën Skënderbenë” ose ndryshe “Shpatari i Skënderbeut” ku në frazen e trete hyri Hektori mbi regjistrimin origjinal të Gaqos dhe u bashkua zëri i gjyshit me zërin e nipit. Më pas vazhdoi me “këngën e mulirit” dhe “këngën e Çlirimit të Korçës” duke vërtetuar se sa mikpritëse është vendlindja e nënës së tij për të “gjithë fëmijët e saj”.
I “ftuari” i dytë në skenën mikpritëse të teatrit Çajupi ishte kompozitori dhe dirigjenti Rikardo Jorganxhi, i cili hapat e para muzikorë i hodhi në Korçë përpara se të hapte krahët muzikorë për Tiranën. Rikardi ka themeluar orkestrën e parë Filarmonike të Korçës me 1966-67, ka vënë në skenë edhe operën “fletë të kuqe” pjesërisht në atë skenë në vitin 1970 si dhe ka krijuar muzikën e komedisë së Shekspirit ” Nata e 12-të” qe u dha në Korçë dhe në Tiranë me regji të Pirro Manit. Ndërkohë ai ka krijuar rapsodi për piano dhe orkestër, oratorio, romanca etj.
Rikardi u përfaqësua kryesisht nga djali i tij Lambert Jorganxhi me një kolazh muzikor me pjesë simfonike të interpretuara në piano. Pjesa që u ekzekutua për herë të parë absolute titullohej “Requiem” e shkruajtur nga autori vitet e fundit e interpretuar nga Zhulieta Sheremeni me korin e vajzave të shkollës së muzikës Tefta Tashko Koço (Në violonçel shoqëroi Kostika Tanto dhe në pianio Anthi Vrame). Gjithashtu nga veprimtaria dëgjuam edhe një kolazh me romanca të interpretuara nga tenori Denis Skura, të shoqëruara mjeshtërish nga dy balerinj të rinj korçarë nën koreografinë e Bardi Pojanit.
Figura e tretë erdhi ajo e dirigjentes së parë grua në Shqipëri dhe mezosopranos legjendare të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Rozmari Jorganxhi (Mjeshtër i Madh). Një grua, hapat e së cilës në historinë muzikore të këtij vendi janë ende të freskëta dhe të spikatura. Ndoshta një nga të paktat këngëtare shqiptare (në mos jo e vetmja) që dha një betejë të pabarabartë me kohën dhe me “epokën” dhe doli fitimtare. Një grua, ylli i së cilës shkëlqeu në moshë të vogël në qytetin e Korçës, në moshë të re në ish-Bashkimin Sovjetik, në moshën e mesme në Shqipërinë e mbyllur socialiste dhe në moshën e saj më të pjekur në Itali.
Por si mund të vinte një figurë e tillë në skenën e Teatrit? Padyshim mes kujtimeve më të bukura të njerëzve që e njohën dhe punuan me të.
Artistë të ndryshëm, studentë e bashkëpunëtorë të saj e kujtuan përmes një ekrani të madh. Persona të rëndësishëm të artit si: Ermir Krantja, Shqipe Zani, Shqipe Mingomataj, Gjergj Sulioti, Zef Çoba, Dritan Lumshi, Pandi Bello etj. Të gjithë na dhuruan një lule kujtimesh që ruajtën në kujtesë dhe së bashku kompozuan një buqetë që na ktheu në Institutin e Lartë të Arteve, në TKOB, në Triesten e largët por dhe gjetkë.
Djali i saj Hektor Leka serisht performoi “Hej ju male” të Çesk Zadesë duke e shoqëruar në piano Nora Çashku. Këngë që u zgjodh për një seri arsyesh që kanë të bëjnë me Rozmarinë dhe formimin e tij didaktik, sepse Nora ishte ajo që ka bashkëpunuar me Rozmarinë në regjistrimet e fundit të saj në Radio Tirana nga mesi i viteve ’80.
Për mendimin tim, pika kulminante e mbrëmjes është rrethi i katërt tematik. Sidomos kur në skenë u ngjit poetja dhe mbretëresha e vargjeve shqiptare, Zhuliana Jorganxhi (Mjeshtër i Madh).
O Zot, sa thjeshtësi mund t’i përshtatet një gruaje kaq të madhe si ajo? Sa finecë prej Artisti mund të mbajë një legjendë e tillë mbi supet e saja? Zhuliana u ul në një cep të skenës me lot në sy dhe me zë të dridhur nga emocionet, duke përhapur një “korent muzikor” në sallën e mbushur plot me njerëz të të gjitha moshave. Një nga ato momentet kur artdashësi thotë me vete “sa me fat isha” që e kam përjetuar.
Sa art mund të konsumojmë me një vështrim të thjeshtë të saj ndaj nesh? Atje kam konceptuar si asnjëherë më parë dy prej fragmenteve më të bukura muzikore të muzikës shqiptare të shkruara prej saj “Ilegale ju dhane emrin
Vitet qe s’ harrohen kurre” dhe “Dhe syte i kish aty gjithë Shqiperia, Ajo dinte si duronte
Po i shkuleshin filizat”. Sa shumë na ka dhuruar dhe sa të vegjël jemi para saj!!!
Por surpriza e madhe ishte dalja në skenë e Frederik Ndocit, bashkëpuntorit dhe mikut të saj të hershëm, të cilin nuk e kishte parë prej vitesh. Ndoci këndoi hite të pakapërcyeshme të pentagramit shqiptar që mbanin firmen e Zhulianës. Dhe rrugëtimi ynë vazhdoi në atë tangon e rallë mes muzikës dhe historisë që e zbukuronin nota, emocione dhe lotë.
E ndërsa në sallë kishte një heshtje që të kujtonte një ceremoni fetare me një paradë emocionesh të njëpasnjëshme, përfaqësuesja më e re e familjes, Dorina Doryland Leka, doli në skenë së bashku me kitaristin Nuçiel Doko për të interpretuar vetëm dy këngë nga qindra këngë të shkruara nga e madhja Zhuliana Jorganxhi. Ajo shpjegoi se arsyeja e zgjedhjes së këtyre dy këngëve ishin gratë shqiptare në momente të ndryshme të historisë, të lidhur me faktin që dy gratë e familjes së saj patën role të veçanta në historinë muzikore shqiptare. Këngët ishin “vajzat e fshatit tim” me muzike nga Enver Shëngjergji dhe “Gonxhe në pemën e lirisë” me muzikë nga Limoz Dizdari.
Populli thotë me mençuri “se ëmbëlsira hahet në fund” dhe ka absolutisht të drejtë. Kështu dhe ky event u mbyll me një tjetër surprizë. Pikërisht me ardhjen e Gjergj Kostandin Leka New, (që askush nuk e dinte përtej kastit të spektaklit). Mbrëmjen e mbylli në mënyrën më të bukur dhe kreative, duke i dhuruar korçës një këngë të re të mbusbur plot me emocione.
Pra, udhëtuam me këngën e Gjergj Lekës dhe zbuluam se Korça, është një nga destinacionet kryesore kulturore në Shqipëri, një vendndodhje gjeografike, por dhe një hapësirë në kohë e lidhur me vepren e jetën e familjes Jorganxhi. Historia e pasur e qytetit dhe e njerëzve që e kanë banuar, përveçse ka lënë gjurmë të pashlyeshme në peizazhin e Artit dhe Kulturës, është njëkohësisht dhe një mundësi për dikë që të studiojë të djeshmen që i la shenjat identitetin tonë kombëtar. Një referencë e gjerë për Artin Muzikor dhe skenik që shënoi dhe shënon ende jetën dhe traditën e qytetit. Leka i frymëzuar nga bukuria e pakrahasueshme e qytetit të nënës së tij, eci mbi skenën e Çajupit nëpër kohë me një nostalgji për të shkuarën, por edhe me optimizëm për vitet në vazhdim.
Gjergj Leka na foli për “karakterin” dhe krijimtarinë e njerëzve, të cilët në këtë qytet shpesh herë u bënë pionierë dhe hapën shtigje të reja. Se muzika fundja nuk është vetëm një krijimtari, por edhe një laburator marrëdhëniesh me njerëz që krijojnë, që luftojnë, që takohen, që kujtojnë, shtojnë dhe këndojnë.
Gjithashtu u ekzekutua edhe një duet bashkë me vajzën e tij Dorina në skenë. Një bashkim të tre brezave, meqense teksti është i Zhulianes dhe i vetmi prodhim familjar Leka-Jorganxhi që ka bashkuar në skenë Zhulianen, Gjergjin dhe Dorinen, e krijuar kohë më parë për një event të transmetuar nga Rai2.
Duke u larguar nga teatri pata ndjesinë: se Qyteti ishte një grua e ulur pas xhamit të derës së një ballkoni në një nga shtëpitë karakteristike korçare, e cila shikonte të kaluarën pak e hutuar duke kujtuar njerëzit që u larguan. Një grua që pavarësisht viteve që mbart, është gjithmonë e gatshme dhe mikpritëse për të dëgjuar ata që kanë mbetur. Isha shumë i lumtur që qyteti im e mban gjallë kujtimin dhe i hap gjithmonë dyert për ngjarje të tilla. Gjithsesi, më shumë u gëzova për qytetarët e saj, të cilët një ditë si gjithë të tjerat mbushën sallën e teatrit të saj dhe e pritën me gëzim takimin e historisë me muzikën. Kjo është Korça ime dhe Korça e familjes Jorganxhi.
Skenari, regjia dhe realizimi i këtij eventi i përket Hektor Lekës, drejtimi muzikor Lambert Jorganxhi, ndërsa moderatore ishte Zamira Kita.