Nëna ime më tregonte shumë histori, veçanërisht për kohën kur ishte vajzë në kalanë e Beratit, që ishte vendlindja e saj, por edhe e babait. Ajo kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe çdo histori që tregonte e lidhte me një ngjarje të veçantë. Sot, pak nga historitë që tregonte ajo mbaj mend, njëra prej tyre është edhe kjo që po shkruaj:
1.
-Në kala, – më tregoi një ditë nëna, – jetonte një grua e vetme e moshuar, që ne e thërrisnim zonja Ana. Dikur familja e saj kishte qenë e lumtur, kur jetonte ende xha Jani, bashkëshorti i saj, i cili ishte gurskalitës i zoti. Ata kishin tre djem, njëri më i mirë nga tjetri: Koli, Mitrushi dhe Thanasi. Pas vdekjes së parakohshme të Xha Janit, familja u varfërua. Atëherë të tre djemtë morën rrugët e kurbetit. Kjo e dëshpëroi shumë zonjën Ana, e cila vuante vetminë dhe e digjte malli për djemtë e saj që kishin mërguar shumë larg, në Australi. Thuhej se djemtë i dërgonin para, por sado që t`i dërgonin, paratë nuk e ngushëllonin, ajo donte djemtë, t`i kishte pranë, t`i përqafonte, t`u ndiente rrahjet e zemrave, t`i martonte, t`i gëzonte… Ditën ajo i mbante sytë nga porta e jashtme e
shtëpisë dhe nga rruga me kalldrëm e kalasë se mos dëgjonte hapat e djemve apo trokitjet e tyre në portë. Kurse natën i shihte ata në ëndrra dhe mbante veshët në përgjim. Sa herë që ndiente ndonjë zhurmë, “po vijnë djemtë”, – thoshte, por jo, ishte era, apo zhurma që bënin zogjtë kur uleshin mbi tjegullat e shtëpisë.
2.
Një mesnatë disa hajdutë i vunë syrin shtëpisë së saj. Pasi ia arritën të hapnin portën e jashtme, ata u futën në oborr dhe u gjendën pranë derës së shtëpisë. Zonja Ana ndjeu zhurmën e tyre të pazakontë dhe u ngrit gjithë shqetësim nga shtrati. Kush ishin këta njerëz të dyshimtë, që po i vinin nëpër natë në shtëpi? I shkoi mendja tek hajdutët që bënin namin aso kohe në lagjet e Beratit. Ata, për të marrë paratë apo çfarë donin, bënin edhe vrasje apo edhe e digjnin të gjithë shtëpinë me qëllim që të zhduknin çdo gjurmë. “Më mirë që s`i kam djemtë këtu, se hajdutët mund të bëjnë çdo gjë të keqe!”, – tha me vete dhe kushedi pse iu ngjall një kurajë e madhe. Duket se edhe frika, edhe halli e bëjnë njeriun trim. E, ndërsa hajdutët përpiqeshin të hapnin derën, ajo doli në korridor me hap të lehtë dhe, nga pas derës i pëshpëriti gjoja dikujt që ndodhej brenda shtëpisë. Pëshpërimën e ngriti aq sa ta dëgjonin edhe hajdutët jashtë derës.
-Kol, mos fol! – pëshpëriti ajo.
Hajdutët dëgjuan pëshpërimën e plakës dhe u vunë në dyshim. U shkoi mendja se djali i saj i madh, Koli ishte kthyer nga kurbeti dhe ata s`dinin gjë?! E, kur ata ndalën përpjekjen për hapjen e derës dhe mbajtën frymën, plaka e sigurt që ata po e dëgjonin, foli përsëri, gjoja duke iu drejtuar kësaj here djalit të dytë:
-Mitrush, mos e mbush!
-O bobo, po na dështon kjo vjedhje! – pëshpëritën hajdutët me njëri – tjetrin, duke menduar se plakës i kishte ardhur jo njëri, por dy nga djemtë. Të frikësuar ata u larguan pak nga dera dhe
qëndruan një çast pranë një shkurreje. Flisnin mes tyre se çdo të bënin: të futeshin me forcë në shtëpi, apo të iknin. Druanin se po të përpiqeshin të hynin, do t`u duhej të ndesheshin me dy djemtë e zonjës së shtëpisë, por edhe druanin se zhurma e tyre do të shkaktonte alarm në kala, atëherë zor se shpëtonin. Banorët e kalasë ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ndërkaq, u dëgjua përsëri nga brenda shtëpisë zëri i zonjës Ana, që thirri:
-Thanas, mos e zbraz!
Hajdutët ia mbathën të lebetitur nga frika, por dhe të bindur se në shtëpinë e plakës ndodheshin jo dy, por të tre djemtë e saj dhe të tre ishin të armatosur me armë të mbushura, gati për t`i
shkrehur…
-Kështu shpëtoi zonja Ana nga hajdutët, o bir. Ata s`guxuan t`i afroheshin më shtëpisë ku ajo po ngryste pleqërinë.
3.
-U kthyen nga kurbeti djemtë e zonjës Anë, o nënë?
Ajo më pa në sy dhe kushedi pse u përlot.
-Jo, o bir, nuk u kthyen, i hëngri kurbeti. Mbaj mend që vitet e fundit të jetës ajo dilte në njërën nga tabjet (një nga 24 kullat e kalasë) dhe me vështrim të përhumbur nga qielli thërriste djemtë: Kol, Mitrush, Thanas, o bijtë e nënës, si jeni? Ku jeni? Ka atje vend të shenjtë si këtu? Ka atje kala me bedena stolisur, si këtu? Ka atje vajza hyjnesha kaq të ëmbla e të bukura, si këtu? Ka atje Tomor e Shpirag, si këtu? Ka atje kisha të zografisura kaq bukur, si këtu? Dielli, si këtu lind, kaq i ngrohtë e i shndritshëm? Po Hëna bukuroshe, si këtu në kala vezullon? Po yjet, si këtu ndizen e gëzojnë? Po gjuha që flisni, gjuhë e shenjtë perëndie është, si këtu? Ejani, o bij, ne po ju presim! Zonja Ana e shkoi pleqërinë e vetme duke thirrur deri në frymën e fundit djemtë e saj.
Kurbeti është i rëndë, o bir, asnjëherë nuk i dihet se çfarë ndodh atje larg. Edhe vëllai im, Tokliu nuk u kthye. S`them gjë të keqe për ata të huaj që të mirëpresin, por ata të duan vetëm për t`u shërbyer. Ndryshe është dheu yt. Sado i vështirë, sado keq të jetosh, por është yti, aty ke edhe nënën, edhe babanë… Ne atëherë thoshim: ”Bukë e hi në shtëpi”. Në dheun e huaj edhe mund të gjesh gjithçka, por askush s`të bëhet nënë e babë. Që në kohët e vjetra, në gjuhën tonë kemi thënë dhe themi fjalën atdhe, që do të thotë dheu i babës; themi edhe fjalën mëmëdhe, që do të thotë dheu i nënës. Njeriu siç do nënën dhe babanë, ashtu duhet të dojë edhe atdheun, o bir!
……………..
P S. Mund të ketë edhe variante të tjera të kësaj historie. Unë
shkrova këtë që më tregonte nëna ime e mirë dhe e urtë si të
gjitha nënat.