PORTRET I PAAUTORIZUAR
Një burrë shtatshkurtër, rënd ashtu kokulur nën peshën e mendimeve, kalon nga një skaj në tjetrin të rrugët që përshkon, duke shtrënguar gjithnjë e më fort librat e letrat që mban në dorë. Duket sikur del nga një përfytyrim dhe shfaqet ëndërrtar në realitetin e një dite të zakontë shkodrane. Hapat e tij hidhen të lehtë në udhën që ai mund ta bëjë symbyllur, për të shkuar aty ku e presin, për të biseduar për artin, për të bashkëndarë mendime për autorë dhe vepra, për të shoshur ide dhe përftuar konkludime.
E kush nuk e njeh Xhajen?! Ai është aty te çdo rrugicë e kthinë. Te gjithçka që ndodh në këtë qytet, është syri, shpirti dhe pena. Po, është ajo shpirtja që mëkon shpirtje çdo shpirti që erdhi për të mbetur shkrepëtim drite në Shkodrën e kulturës dhe krijimit, në Shkodrën e tamëlt të zërit dhe zemrës, siç është zë i ngrohtë që u flet fëmijëve, rrëfimtarë i urtë që u zgjon atyre përfytyrimet, këndues i tamëlt që mylmen ëndje dhe adhurim.
***
Shkodra ka patur fatin të përfaqësohet me një fuqi të jashtëzakonshme krijuese, të krejt atyre që ju dhanë me mish e me shpirt, pasionit dhe përkushtimit. Kontributorët e këtij qyteti me zemër të madhe janë të panumërt, kudo dhe në çdo copëz të pazullit, në histori e në art, në politikë dhe sport, krejtkund vlera dhe vepra, janë dëshmim i një dimensioni përjetësie. Që gjithëky begatim shpirtëror dhe potencial etern, të shndërrohen në yje që shndrijnë, duhet të jetë një shkëndi zelli dhe ofrimi, për ta lartësuar këtë vullnet qiellor, që ai t’i përkasë gjithmonshmërisë, që ai ti flasë të sotmes dhe tu rrëfehet brezave që do të vijnë.
Kanë shkruar për Shkodrën dhe figura të ndryshme që e përfaqësojnë atë, ata janë të shumtë, por Xhahid Bushati ua kalon të gjithëve. Ai ka një galeri të pasur portretesh, jetëshkrimesh, monografish, esse-sh, përjetimesh, të cilat janë dhe do të mbeten faqe në historinë e këtij qyteti, siç e ka të begatuar eshte lëmin e krijimit pikënisur për fëmijë e lartësuar për të rritur. Puna dhe përpjekjet e pandalshme të Bushatit është e vlertë dhe cilësisht korrekte. Përmes një bibliografie të pasur, një pamjaftueshmërie për të shfaqur interes për çdo zë dhe çdo rrëfyes, ai shpërfaq me një besnikëri dhe saktësi të admirueshme, për atë çfarë është ngjarje, për të gjithë ata që jetuan, dhanë dhe u larguan, duke lënë në themelet e legjendares Shkodër, secili gurin e vet të rënde në bedenat e qëndresës përballë rrëmeteve të kohës.
***
Po cili është ky ciceron i Shkodrës, kjo penë dhe parmendë zëshmërie, e shpirtërores dhe ëndërrtares?!
Xhahid Bushati u lind më 17 maj të vitit 1953, në qytetin e Shkodrës. Shkollat 8-vjeçare, të mesme (viti 1973) i ka kryer në vendlindje. Në vitin 1977 mbaron studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik 3-vjeçar, në fakultetin Gjuhë Shqipe-Letërsi, po në Shkodër ( më vonë Universiteti i Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”), duke fituar titullin “Mësues i Gjuhës shqipe dhe i Letërsisë”. Më pas fillon rrugën e mësuesisë. Në vitet 1977-1981 u emërua mësues në fshatin, Buzëmadhe (Kukës), më pas në vitet 1981-1983 u transferua dhe u emërua mësues në Breglumi, Dukagjin (Shkodër). Në vitet 1983-1986 punon në Komitetin e rinisë Shkodër (instruktor pionierësh), ndërsa në vitet 1986-1987 mbaron specializimin pasuniversitar për kritikë letrare në Universitetin e Tiranës (Histori – Filologji). Më pas, për shkak të refuzimit të detyrës që i’u dha, në vitet 1987-1988, dërgohet mësues në Obot të Ri (Shkodër); në vitet 1988-2003 fillon punë si gazetar në Radio Shkodra. Pas 15 vitesh punë, largohet dhe fillon angazhimin e tij më 2003 si Mësues në gjimnazin jopublik (Medrezeja “Haxhi Sheh Shamia”, dega e djemve), Shkodër. Kjo periudhë zgjati 15 vjet derisa ai del në pension.
Në vitin 1988 dekorohet me medaljen “Naim Frashëri”, klasit III (në fushën e mësuesisë), po me të njëjtën medalje dekorohet në fushën e gazetarisë, në vitin 1989.
Në vitin 2011 zgjidhet N/ kryetar i Shoqatës së Pavarur të Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj Shqiptarë. Gjithashu, Xhahid Bushati është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1980.
Krijimtarinë letrare për fëmijë e ka nisur që fëmijë. Poezia e parë e titulluar “Hekurudhës së re” u botua në revistën “Fatosi”, ndërkohë që ai ishte vetëm 10 vjeç. Vitet kalonin dhe veprimtaria e tij krijuese letrare shtohet ndjeshëm. Rrugëtimi mëkues i së bukurës dhe vlerës letrare i Bushatit është i gjatë dhe i pranishëm në botime dhe publikime, në promovime dhe konsiderime.
Për të patur një ide më të qartë se cilat janë zotwrimet e Xhahid Bushatit, duhet të shfletojmë arealin e tij krijues. Dhe nis ky rrugëtim i gjatë me, “Dita e parë e dëborës”, skica dhe tregime, “Hyni në çadrën time”, vjersha, “E fshehta e xhamit të thyer”, pjesë për kukulla, 1985, “Kurthi i korbave”, pjesë për kukulla, 1986, “Kush i hëngri manaferrat?”, përralla, 1986, “Ndihmojeni arushin e vogël!”, përrallë me figura për fëmijët e kopshteve, 1986.
Për të mëtuar një vlerë që konsiston në “Personazhi dhe koha” – kërkime, studime…, “Kush e zgjoi këngën e zogut?”, vjersha, 1987. “Kush t’i solli yjet, hënën?”, vjersha, 1989. “Ditëlindja e arushit”, pjesë për kukulla”, 1993. “Përrallat e babit tim”, përralla, 1994; Fitues i çmimit “Sirena e vogël, 1994”, “Djali dhe pema”, pjesë për kukulla, 1995. “Historitë e arushit, ketrushit dhe xixëllonjës së vogël”, përralla në vargje, 1995. “Djali i vogël sa një kokërr arrë”, përralla sipas motiveve popullore, 1996, “Historia e kallzës së vogël flokartë”, novelë-përrallë, 1996, “Loti i pyllit”, përralla, 1997; Fitues i çmimit “Viktor Eftimiu”, akorduar nga Ambasada Rumune në Tiranë.
Për të vijuar me “Drita e kujtimeve…”, studime mbi artin skenik, botim i Pen – Club ORANA, Shkodër, 1998, “Shshshsht, se zogjtë po bëjnë gjumë!”, vjersha, 1998; Fitues i çmimit Kombëtar të Letërsisë për fëmijë 1998, akorduar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve. “Dredhia e gjinkallës”, përralla, 2000. Fitues i çmimit “Kësulkuqja”. “Maço Maçoku mbeti gojëhapur”, përralla, 2001.
“Historia e tre pëllumbave”, tregime, 2002, “Porosia e diellit”, vjersha2003, “Gabimi i diellit”, përralla, Shkodër, 2004, “Historia e zogut verdho”, përrallë në vargje, 2006, “Gabimi i gjethes së dytë, pjesë për kukulla, 2006, “Çuditë e rrezes lodërtare”, vjersha, 2007, “Si u bë fole kapela e gjyshit”, 2008, “Fytyra e kujtesës”, shkrime mbi artin skenik, pjesa e dytë, “Historia e Gjembit dhe e Gjembaçit”, përralla, ribotim me përmirësime, Shkodër, 2011. “Gjyshi, bastuni dhe zogu”, poemë për fëmijë, 2010; Fitues i çmimit “Tasim Gjokutaj”, “Katër pyetje erës”, vjersha, 2010, “Një maçok dy herë budalla”, përralla, EXTRA.
Kulmon kjo begati e shpërblesës krijuese dhe mëtuese e Xhahid Bushatit me “Personazhi dhe Koha – kërkime, studime… 2012, “Foleja me ëndrra zogu”, vjersha, 2015; Fitues i librit më të mirë poetik për vitin 2015. (Fitues i çmimit “Skënder Hasko”). “Ah, moj mace!…”, vjersha, 2016. “Burra të vdekur, të gjallë” (vëllimi i parë), esse, 2018. Teatri “Migjeni” – Kujtesa e një qyteti”, 2019, “Aroma e pyllit”, vjersha, 2020, “O trumcak, bredharak”, vjersha, 2021, Fitues i Çmimit të parë në konkursin e shpalluar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, 2021.; Fitues si Libri më i mirë i Letërsisë shqipe për fëmijë në Panairin e Ulqinit, 2022; i nominuar në fushën e Letërsisë shqipe për fëmijë në Çmimet Kombëtare 2021.
“Magjia e një letërsie” (v-1), studime dhe ese për autorë dhe vepra të letërsisë për fëmijë e të rinj, 2022. Dhe vijon kjo kalanë me: “Fredi…”, koha e poetit”, kritike e interpretim, 2022. (Fitues i Çmimit. të parë “At’ Zef Pllumi” (memuaristikë) në Konkursin Mbarëkombëtar zhvilluar në Lezhë, më 24.02.2023. Tashmë, Bushati ka zgjedhur një fokus, i është dedikuar një akti të epërm mëkimi, që përmes punës dhe përkushtimit sjell, portrete në kohë, biografi, në “Pikëllime”, 2022. Për të vijuar me “Bepi”, kushtuar aktorit Bep Shiroka, (v-1), 2023, “Personazhi dhe koha”, kërkime, studime e skeda letrare, 2023.
E ndërsa shkruaj për Xhahid Bushatin, diçka tjetër ka në duar ai, tjetërgjë pret të frymojë prej pasionit dhe përkushtimit të tij të pashoq. Sepse ai nuk di të ndalet, ai nuk e pranon që gjithë këto vepër t’i kosniderojë si punë e përfunduar. Lutemi dhe urojmë që Xhaja të ketë jetë të gjatë, të na mundësojë të tjera kryevepra, të tjera zëshmëri krijuese.
Gjithëçfarë ai ka sjellë në jetë, të të gjitha gjinive dhe zhanreve, qasjeve dhe ambicies mëtuese, padyshim janë një kapacitet i jashtëzakonshëm dhe vlerë e pakontestueshme. Kudo ai shkëlqen si një vullnet i shkrepëtimrë, për të sjellë shpirtin dhe mendjen e tij prej drite; në poezi dhe vjersha, kumtime për fëmijë e të rritur, ese dhe jetëshkrime, monografi dhe impresiono. Kudo, kudo ai ka përcjellë përmes një gjuhe të pasur dhe një shpirtëroreje të mylmyuer me shndritje, veten e tij të themeltë, atë pasuri dhe pastërti që e përfaqëson dhe përkatëson si krijues dhe mëtues.
Shkodra në veçanti dhe vetëdija krijuese shqiptare në përgjithësi, do i jenë mirënjohës veprës dhe vlerave që Xhahid Bushati solli dhe do të na bëjë ende të pranishme, si në një rrugëtim të pandalshëm që ai i ka vënë vetës si qëllim të bëjë, si një amanet që ai rreket të përmbushi.