Papa Françesku takohet në Vatikan me 7500 fëmijë nga 84 vende të ndryshme dhe thekson sa e rëndësishme është që bota të mësojë nga gëzimi i tyre i lindur dhe nga mënyra me të cilën qëndrojnë të bashkuar
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku u takua sot pasdite me 7500 fëmijë nga 84 vende të botës, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Me ta u gëzua, qeshi, foli dhe i këshilloi në një veprimtari, që pati për temë “Të mësojmë nga djemtë dhe vajzat”. Kuptimplote skena e fundit e takimit, gjatë së cilës Ati i Shenjtë i ftoi vogëlushët të kapen për dore në një zinxhir njerëzor, për të bërë një thirrje për paqen.
“Folëm për shumë gjëra të bukura – u tha Françesku. – Më e bukura është paqja. Le t’i japim një shenjë paqeje njëri-tjetrit”, nënvizoi Papa, para se t’u kërkonte t’i jepnin dorën njëri-tjetrit.
Duhet mësuar gjithmonë prej fëmijëve
“Nuk jemi armiq, apo jo?”, i pyeti Papa fëmijët, të clët iu përgjigjën në kor. Duke bërë sikur nuk i dëgjonte, Ati i Shenjtë u tha: “Nuk ju dëgjoj… jemi vëllezër apo jo?” Fëmijët u përgjigjën me zë të lartë e me duartrokitje. “Ju lumtë, ju lumtë, u përgjigjët mirë!”, shtoi Papa.
“Kemi nevojë të mësojmë nga ju. Jam gjithmonë i lumtur kur ju takoj, sepse çdo herë më mësoni diçka të re. Për shembull, më kujtoni sa e bukur është jeta në thjeshtësinë e saj, më mësoni edhe sa bukur është të rrimë bashkë! Janë dy dhurata të mëdha të Zotit. Të jetojmë e të kemi mundësinë të rrimë së bashku. Jeta është dhuratë, dhuratë e mrekullueshme. Ne jemi të gjithë vëllezër”, nënvizoi Françesku.
Kush nuk ka miq, është njeri i trishtuar
Duke iu përgjigjur pyetjes së një fëmije, Papa vuri në dukje se ka mjaft miq si “njerëzit, që jetojnë me mua në shtëpi”, por edhe jashtë Vatikanit, në ndonjë famulli e, edhe ndonjë kardinal. “Kam hirin të kem miq e ky është hir hyjnor, sepse njeriu pa miq është i trishtuar”, vërejti Françesku, i cili foli edhe për mënyrën me të cilën duhen trajtuar të tjerët. “Nganjëherë – tha për vetveten – zemërohem, por nuk kafshoj”. “Kur inatoseni – u tha fëmijëve – para se të reagoni, pini një gotë ujë”. “Ta lëmë zemërimin për qentë dhe të përpiqemi të jemi të butë”.
Mos e shpërdoroni ushqimin, është mëkat
Më pas, duke folur për varfërinë në botë e për ekologjinë e gjithanshme, Ati i Shenjtë u kërkoi vogëlushëve të mos e shpërdorojnë ushqimin, “sepse ka njerëz, që nuk kanë ç’të hanë”.
“Secili prej nesh – vërejti Papa – duhet të mësojë të mos e shpërdorojë ushqimin. Dreka e darka janë hir i Zotit. E nëse tepron në mesditë, hajeni në darkë, por mos e hidhni. Shpërdorimi i ushqimit është mëkat i shëmtuar”.
“Natën fle e nuk di ç’ëndrra shoh”
Një fëmijë e pyeti Atin e Shenjtë nëse sheh ëndrra e ai u përgjigj: “Nuk e di ç’ëndërroj natën, sepse fle. Nganjëherë më vijnë në ëndërr kujtime nga koha e rinisë, ose nga fëmijëria, por në pjesën më të madhe të natës, fle. Vetëm se kur ëndërron është bukur, kur ëndërron e ke jetën brenda vetes”, nënvizoi Françesku më pas.
Dita e fëmijëve me Papën
Dita e fëmijëve me Papën u organizua, me patronazhin e Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, nga Bashkësia e Shën Egjidit, Kooperativa Auxilium, Trenitalia e Busitalia, Zyrat Shkollore Rajonale, me mbështetjen e botës françeskane, të Fondacionit PerugiaAssisi dhe të Federatës përkatëse. Takimi me Atin e Shenjtë u shoqërua nga publikimi i “Enciklikës së fëmijëve”, libër i shkruar nga françeskani At Enzo Fortunato dhe nga gazetari italian Aldo Cagnoli, me parathënie të Papës. Në të, Françesku shkruan: “Të dashur fëmijë, ju përqafoj e, ta dini se Papa juaj është ‘gjysh’ e do të bëjë gjithçka që ju të jetoni në një botë më të bukur e më të mirë”./Radio Vaticana