VETEN NUK E AKUZOJ
Më donin familja dhe shoqëria,
Po për shtat unë nuk u shkoja,
As vetes, bile, s’i shkoja për shtat.
E shtrenjtë për mua ish vetëm fëminia;
.
Në dhomën e errët të gjumit,
Në dhomën ku studioja, si kamare,
Ku s’hynin lojrat shqetësuese,
Unë ëndërroja vetëm për dritare;
.
Po qeshja, qeshja sa gajasesha
Dhe desha diellin krejt ta shkrija,
Dhe tokën ta lajthisja së qeshuri,
Dhe si dyshek të gjelbër ta shtrija…
.
Me një diplomë të gjelbër në xhep
Njëzet e dy vjeçar në punë shkova
Se padronët donin djersën e rinisë
Dhe veten time krejt e harrova…
BOTA E ZOTIT
.
Bota, e dashur, s’ka më qetësi
Me një çmendinë ajo më ngjan.
Çfarëdo që të bëjmë unë dhe ti
Me dashuri s’ia dalim mbanë…
.
Ti nuk trëmbeshe kur në qiell
Netëve kishte yje shumë
Shallin në supe shpesh ta hidhja
Që të të fshihja nga yjet unë…
.
Sa shumë paska, më the, sonte,
Meteorë në qiellin e përflakur!
Kur nëpër tym hëna lundronte
Fenerët ndriçonin të përgjakur…
.
Yjet, e dashur, i zëvendësuam
Me aeroplanë edhe raketa
Thonë vetë Zotin e verbuam
S’do ketë më dit’ e netë të qeta…
.
Dhe më thua se s’rri dot vetëm
Që unë të shkoj vetë në luftë,
Pastaj si ti të tjerë më pyetën:
“Me kë do luftosh, o njeri i urtë?!”
.
Unë dhe ti i duam njerëzit
Kudo që janë në këtë botë
Me siguri dhe ata na duan
Dashurinë s’e vrasim dot…
.
Bota e Zotit ka shumë mërzi
Si të ishte burg ajo më ngjan
S’na mbetet asgjë mua dhe ty
Veç me dredhi t’ia dalim mbanë…
.
Në se dikush një ditë na thotë
Po ku ishit ju deri tani?
Mos u përgjigj, se është e kotë,
As Zoti vet nuk ka qetësi…
* * * * *
Në fusha ndihet ajri i pastër,
Kënga e zogjve në çdo anë,
Shqiponja ngrihet në qiell të kaltër
Shikon Botën anembanë…
.
VALLJA “OSMAN TAKA”
.
Këmba lehtë tokën e shkel
Një fije bari prek, i dhëmb;
Sfidë i bën vdekjes tinzare
Sikur thjesht e shpon një gjëmb;
.
Dhe kërcen ashtu papritur
Shkrepëtimë mbi fushë e mal,
I thotë vdekjes ballëndritur:
“Një krëhër flokësh as ma fal!”
.
Me këta flokë të pikëlluar
Si ka hije një kaçaku!…
Jeta ime qënka e shkruar
Të kërcej rreth një zambaku!”
.
Vrenjtet Pashai, hesht ushtria
Valltari trupin e bën urë…
Lumë gjaku…, lart liria
Liria jonë lulebozhur;
.
Zambak ish vajza e Pashait,
E përpiu vallja si hon,
Në këmbim të zemrës së saj
Jetën trimit ia dhuron…
.
Dhe iku tutje i shkujdesur
Me vallen çame hapkusari
Unazë e varur tej nën diell
Mbeti prapa lak-litari;
.
E përlotur vajzë e pashait
Trimit nuk ia ndan vështrimin
Gazin, dhimbjen bashkë e ndajn’
Zemrat në ëndje dhe përvëlimi…
.
DITARI
.
Me droje po e hap kapakun tani
Si besimtari te dera e faltores,
Kujtoj kaçurrelat plot hijeshi
Tek i krihja me gishtat e dorës.
.
I heshtur, si murg, sot vështroj
Me pëllëmbën mbi flokët e lëpirë
Çdo fjalë, çdo rresht e dëshiroj
Posi lulet diellin ndaj të gdhirë.
.
Kjo fletë e pastër, e bardhë
Endërr rinore plot shkëlqim,
Të gjitha do vyshken me radhë
Siç do vyshket dikur shpirti im.
.
Si në një pyll të gjelbër pa fund
Nga çdo fletë i përpirë krejt,
Kujtoj si m’ikën ditët ngjyrë blu
Kur vargjet i thurja aq shpejt.
Në thellësi të fletëve të shenjta,
I përhumbur në çdo rresht qëndroj,
Duke prekur ndjenjat e shtrenjta
Pa dashur shpirtin lëndoj…
.
IKIM, E DASHUR
.
Ngado hajna, e dashur, hajna të zinj,
Që rrëmihin në xhepat e ëndërrat tona.
Burokratë – prostituta, e dashur,
Që luftojnë me shkresa e gjinj;
.
Ngado prapaskena, e dashur, labirinthe
Me shumë porta e me shumë roje.
Ku hyjmë dhëndurrë e dalim të thinjur
Për një firmë, për një vulë boje…
.
Ngado korba, e dashur, krimba dhe minj
Që brejnë mishin dhe ashtin e besës,
Ne rrekemi në degët krahthara të frikës,
Të varim trastën e tretur të shpresës;
.
Njerëz-maska, e dashur, injorant’ e mediokër
Na fshehin të nesmen në sirtare e zyra,
Shpinëkrrusur e gardianë si zotër,
Ulokë mendorë pa indenditet e fytyra;
Ngado plehra, e dashur, krimba dhe minj
Që kolerën përhapin anembanë,
Dhe askush s’beson se ka më shërim
Nga xherahët-hajna që dhe krojet i thajnë;
.
Ikin, e dashur, ikin të mënçurit, të urtët
E lënë Atdheun shpirtzbrazur, lehonë
Nëpër udhët e ngushta ikin pa u dukur,
Ikin derisa ende nuk është vonë;
.
Ngado hajna, e dashur, hajna të zinj,
Që rrëmihin në xhepat e ëndërrat tona,
Burokratë e prostituta, e dashur,
Që luftojnë me shalë e me gjinj;
.
DASHURI DHE URREJTJE BALLKANASE
.
Ballkanas, komshinjtë e mi të dashur!
Sa gjëra kam në mend për t’i gjetur…
Toka jonë pjellore si portokalli e kaltër
Kur ne vështrojmë në sy njëri-tjetrin
.
Në këtë gadishull me brigje të ujshme!
I njëjti diell na zgjon herët në mëngjes
E njëjta erë na zbulon pjesët e turpshme
Këmbët na lagen nga po e njëjta vesë.
.
Të njëjtat male, i njëjti det, dallga e njëjtë
I njëjti peshk, e njëjta bukë, e njëta kripë
Të shenjtë e kemi vdekjen, lindjen të shënjtë
Dhe vajzat i përcjellim po ashtu me prikë.
.
Në të njëjtin krua lajmë e shplajmë teshat
Në të njejtin tel i ndejmë për t’u tharë,
Në të njëjtën kapse i mbërthejmë shpresat
Inatet, dashuritë dhe urrejtjet për t’na i parë…
.
E njëjta zënkë dëgjohet në shtëpitë tona
Të njëjtat të bërtitura, të njëjtat të qara
Me të njëjtat fjalë i përkëdhelim fëmijët
Të njëjtën kafe i vëmë mikut përpara.
.
I njëjti tingull na ngre, hop, të kërcejmë
Me të njëjtat meze i mbushim tryezat në dasmë
Ekzaltohemi, kapardisemi dhe dehemi
Patjetër, të njëjtat gjëra vjellim dhe më pas…
.
Të njëjtët zogj na vijnë në pranverë
Me të njëjtin kënd vjeshtës shtegëtojnë
E njëjta fishkëllimë dëgjohet sa herë
Kur vashat e bukura para na kalojnë…
.
E njëta kukuvajkë na lajmëron për mort
E njëjta kukuvajkë mbi të njëjtën çati
Në të njëjtën kohë flemë…i njëjti murë na ndanë
I njëjti rënkim dëgjohet kur bëjmë dashuri…
.
I shajmë me mllef perënditë njëri-tjetrit…
Themelet e shtëpive… Dreqin dhe shejtanin…
Të parët i zgjasim dorën njëri-tjetrit në skamje…
I zgjasim kripën, hirin, kafen e duhanin…