M’KA MARRË MALLI
Diku nisi me folë legjenda
E ketëj nuk zihet vendi vend
Disa thonë se i ka ra mortja
Kinse dy pika shiu prekën
Unë nuk flas ma me gurin
Ka kohë që mori hark tjetër
E shoh sirtarëve si ngjitet
Gjurmët ja pata dhanë amanet
Nuk e di kah vjen ky mall
Njerëzia paska Halle
Medaljon ishte secila etapë
Kur emrat heshtin nga pendimi
Akoma ja mbaj mend shikimin
Si për dreq kjo zemer e butë
Sikur ta kisha një hekur
Si permendore ta mbaj lotin
Ngrirë në secilën leter të shkruar
Ku jeta nuk qenka tjetër Pos harresë
Por…. për inat paskam mall.
E DHIMBSHME
Ti ikën rrugës së fjetur;
Unë trastës pa medalje.
Të shoh që shton çmimet,
Tek ia hedh një valleje
Për një Zero ma tepër
Zemër;
Zerot na çojnë në zerO.
Aty Ku e gjitha fillon
Prapë ti ngel dhe fal kalimtarin..
Tek mbetet kujtesë pa neon
Unë ngrij në Janar
Që nuk pres ma kthimin.
NUK BESON
E marr lapsin të qendis
Xhamadan flamur apo ide
Ti hedh pluhur heshtjes time
E unë akoma qesh thuajse luaj
Nuk kam ditur kurrë ta lë rrugën
Aty ku fund e krye niset zhurma
Kambana jote filloi sërish
Nuk pata më as kureshtje të shoh
E lëre më llafet e tua me korin
Tashmë kanë marrë edhe dirigjent
Pijanecët moti i ka dehur dështimi
Çdo ditë vritet liria jote e imja
Sepse bota është ylber pa shi
Paska festë madje kam dilema
Rri zgjuar ylli im polar i bukur
Fshehur çadrave pa ditur adresën
Tashmë do këndoj këngën e re.
KAM NIS ME HARRU
Vitet paskan marrë emra
E ti kot troket maleve vetëm
Liria kushton aq sa paguhet
Ashtu ma mësoj gjyshi hero
Nuk ke si të jesh ndryshe
Kur çdo ditë lexon Lahutë
Ama të Malsisë së Madhe
Këtej është ndryshe zemër
Dita ja nis bukur me vargun
Krahët nuk t’i ktheva kurrë
Nuk doja ta tradhtoja veten
E di tashmë kah lind Dielli
Ai i imi që aq shumë e prita.
NJË EMËR GUR
Nuk kanë të sosur udhët e tua
Kryefjalë e lirisë time
Kalëruar laps e shkrime
Jermërova disi përgjumshëm
Sapak të më thyhet zhgënjimi
Ndezur shoh emrin në gur
Lapidari im i lotit që thur
Dejtë e botës që rrjedhin gjak blu
Shfleto sirtarin e kujtimeve
Aty do gjesh emrin provë
Që do të thotë duhet pritur
Tek thinjat stolisin emrin
E mua përmallshëm po më ik fjala.
MOS SHKRUAJ
Tento të mbledhesh valën e detit
Përqafo zenitet e fundit fjalë
Mbylli sytë të harrosh imazhin ma të bukur
Andej kah niset itenerari i radhes mungesa
Mate fjalën dhe kafsho heshtjen
Mos shkruaj lapidarët e humbjes
Belaja e fundit pa premtime fjalësh
Gurit kush i paska dhënë dhurata
Ma butë se fija e borës
Nuk gjeta tjetër emër
Jo
Portës që hap kuvende
Manastiri pa kund dritare morti
Trimat lënë armët kur duhet
Pushkë revole shpatë
Sipas epokës
Sepse të luftosh me heshtjen
Është krejt tjetër gjë
Qyshkur një ëndërr e keqe më përsëritet
Një si mbyllje hermetike në vetvete
Edhe pse sytë i qeshin vetmisë
Herë çiltër herë me grimasa
Jo jo dhe jo
Nuk e ndal kurrë shkrimin
Duhet falur edhe veten
Se vetëm kështu arrihet fundi
Që je ti
Mos më thuaj jo.
MË NUK SHKRUAJ
Të gjithë në këmbë himni filloi
Kohë ceremonie flamuri e nderi
Unë strukem pamjesh ekrani
Sa kohë që ndjenjat ngulfatin
Dhe ja tek del fytyrë e humbur
Tek fillon ta zgjojë kujtesën
Nga të ik me vrap
Të mos gënjej botën
Pastaj dhe veten
Rri qetë shpirt i bardhë marsi
Nuk shkruaj më për gjethet
As kur vjeshta ime të vijë
Mos u merakos nga pranvera
E di kujdesi im do të të mungojë
Këngët i do dhe mbreti
Si dhuratat pa fund
Mbretëro të lutem letrave pa fund
Tek ngrin imazh dimri
Lulëzon syth pranvere
Midis lotësh asnjëherë laraskë
Edhe pse ta vodha heshtjen
Që e ke me aq plotëni
Jo më nuk do të shkruaj
Pas himnit mjafton duartrokitja
Të zgjojë atdheun
Në secilin nga ne.
KËRKIM
Lart doli hëna
Poshtë një luftë hienash
Fillon ndryshimi
Mendësitë anash e anash
Vetes nuk i mjafton uni
Ti qiri i pashuar shpirti im
Diku tek qesh fryma bukur
Tek sillet bota njëjtë
Edhe pse lart hëna
Edhe pse poshtë hienat
Me mua me ty
Luftës pa mua pa ty
Histori pas historie
Tek lumi tek fusha tek mali
Nuk do të ulim kokën trishtushem
Gëzuar t’i themi vetes dehur
Pa i zbrazur gotat e jetës
Një gëzuar për ty
Me mua dikund
Në kërkim.
MOS HARRO
Mos harro atë trazim çasti
Shqelm dere e frike e ikje
Ndërhyrë degëve të zemrës
Ngadalë tek ndalet numërimi
Pikasur aty mu tek cepi
Frymënajës njëemnakëshe
Njëcopëshe të ëmbëlnjeriu
Gjetiu vdes mu në lugë uria
Teksa tjetri qesh nën kurorë
Fatet falin sytë e retinës
Gabim t’i falesh ajrisë
Një deti mosmirënjohjesh
Me dallgë pa fund lutjesh
Err e terr eterit të huaj
A thua mbëltohet qenia
Vetëm fare vetëm
Me ujin tokën harresën
Duke pritur kthimin.
RA BORË ZEMËR
Lind dielli një ditë
Edhe pse rruga e gjatë
Ti që më je zemër
Zemër shkuar zemrash
Frymë që frymon shqip
Me rrokjet e fatit që i falen vargut
Ti frymë që je ndryshe atje
Kilometrat nuk i numëron ajri
Atje ku shkëlqen busti
Natën e zjarreve
Qe natë e acartë atëbotë
Kur shkruhej historia
Ti tani stolisesh me retë e ftohta
Të ngroh liria
Zemër ti gjakftohtë si.