Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vazhdoi orvatjet e furishme diplomatike në Lindjen e Mesme rreth luftës Izrael-Hamas në Bregun Perëndimor të dielën, duke u takuar me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në përpjekjen e tij për të lehtësuar vuajtjet e civilëve në Rripin e Gazës dhe për të filluar hartimin e një skenari për periudhën pas konfliktit.
Sekretari Blinken udhëtoi për në Ramallah në vizitën e tij të paparalajmëruar, në një autokolonë të blinduar dhe nën masa të rrepta sigurie, vetëm disa orë pasi avionët luftarakë izraelitë goditën një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 40 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, thanë zyrtarët shëndetësorë të territorit. Pavarësisht fshehtësisë dhe refuzimit të Departamentit të Shtetit që të konfirmonte udhëtimin deri pas largimit të sekretarit Blinken nga Bregu Perëndimor, protestat shpërthyen kundër vizitës së tij dhe mbështetjes amerikane për Izraelin, pasi rrodhën fjalët për mbërritjen e tij.
Asnjëri nga burrat nuk foli teksa u përshëndetën para kamerave dhe takimi përfundoi pa ndonjë koment publik. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse mungesa e komenteve tregonte se takimi kishte shkuar keq.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se sekretari Blinken riafirmoi angazhimin e SHBA-së për ofrimin e ndihmës humanitare dhe rifillimin e shërbimeve thelbësore në Gaza, si dhe e bëri të qartë që palestinezët nuk duhet të zhvendosen me forcë.
Sekretari Blinken dhe presidenti Abbas diskutuan përpjekjet për të rivendosur qetësinë dhe qëndrueshmërinë në Bregun Perëndimor, duke përfshirë nevojën për t’i dhënë fund dhunës ekstremiste kundër palestinezëve dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës, tha zëdhënësi Miller, në lidhje me dhunën e ushtruar nga kolonët izraelitë.
Takimi me zotin Abbas, president i Autoritetit Palestinez me seli në Ramallah, i cili nuk ka qenë një faktor në Gaza që kur Hamasi e mori atë me forcë në vitin 2007, u zhvillua në fillimin e ditës së tretë të një turneu të ngjeshur të sekretarit Blinken në Lindjen e Mesme, i dyti që nga fillimi i luftës me një sulm të papritur të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Sekretari Blinken vizitoi Izraelin dhe u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të premten, përpara se të largohej për në Jordani për takime me zyrtarë të lartë arabë ditën e shtunë.
Në çdo ndalesë, sekretari Blinken shprehu mbështetjen e fortë të SHBA-së për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por gjithashtu theksoi se ai duhet t’u përmbahet ligjeve të luftës, të mbrojë civilët dhe të lejojë furnizimet me ndihma humanitare në Gaza. Për ta bërë këtë, si dhe për të lehtësuar valën e të huajve që ikin nga Gaza, ai ka kërkuar që Izraeli të zbatojë pauza të vazhdueshme humanitare në sulmet e tij ajrore dhe operacionet tokësore, kërkesë që kryeministri Netanyahu deri më tani e ka hedhur poshtë kategorikisht.
Zyrtarët amerikanë besojnë se kryeministri Netanyahu mund ta zbusë kundërshtimin e tij nëse mund të bindet se është në interesat strategjike të Izraelit të lehtësojë gjendjen e civilëve palestinezë në Gaza. Numri në rritje i të vdekurve ka nxitur zemërim ndërkombëtar, me dhjetëra mijëra njerëz nga Uashingtoni në Berlin që dolën në rrugë gjatë fundjavës për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm.
Ministrat e jashtëm arabë të Jordanisë, Egjiptit, Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, me të cilët sekretari Blinken u takua të shtunën në Aman, theksuan kërkesën e njëjtë.
Por sekretari Blinken tha se SHBA-ja nuk do të kërkojë një armëpushim të tillë.
“Është pikëpamja jonë që një armëpushim thjesht do ta linte Hamasin në gjendje të rigrupohet dhe të përsërisë atë që bëri më 7 tetor”, tha ai. Në vend të kësaj, ai tha se pauzat e përkohshme humanitare në luftime do të ishin thelbësore për mbrojtjen e civilëve, ofrimin e ndihmave dhe largimin e shtetasve të huaj “ndërsa do t’i mundësonin Izraelit të arrijë synimin e tij, mposhtjen e Hamasit”.
Zyrtarët arabë thanë se ishte shumë herët për të diskutuar një nga pikat kryesore të agjendës së sekretarit Blinken, të ardhmen e Gazës pas luftës. Ndalimi i vrasjeve dhe rivendosja e ndihmës së qëndrueshme humanitare janë të menjëhershme dhe duhet te trajtohen pikë së pari, thanë ata.
Shtetet arabe po u rezistojnë sugjerimeve amerikane për një rol më të madh të tyre në zgjidhjen e krizës, duke shprehur zemërim për numrin e civilëve të vrarë në operacionet ushtarake izraelite, dhe duke pohuar se Gaza është një problem kryesisht i krijuar nga Izraeli.
Por, zyrtarët amerikanë besojnë se mbështetja arabe, sado modeste, do të jetë thelbësore në përpjekjet për të lehtësuar kushtet e përkeqësuara në Gaza dhe për të hedhur themelet për atë që do të zëvendësonte Hamasin si autoritet qeverisës të territorit, nëse dhe kur Izraeli do të ketë sukses në çrrënjosjen e grupit.
Idetë për qeverisjen e ardhshme të Gazës janë ende të pakta. Sekretari Blinken dhe zyrtarë të tjerë amerikanë po ofrojnë një përshkrim të paqartë që mund të përfshijë një kombinim të ripërtëritjes se Autoritetit Palestinez së bashku me organizatat ndërkombëtare dhe një forcë paqeruajtëse të mundshme. Zyrtarët amerikanë pranojnë se këto ide janë përballur me një mungesë të dukshme entuziazmi.