Sot rastësisht dëgjova një bisedë online mes disa përfaqësuesve të “Diasporës për Shqipërinë e Lirë” dhe dy juristëve të njohur Marash Logut dhe Eduart Halimi, ky i fundit edhe ish ministër i drejtësisë gjatë qeverisjes së fundit të PD-së.
Këta bënë zhurmë edhe njëherë rreth një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të marrë në fund të vitit 2022 në përgjigje të ankimimit të DPSHL e cila siç dihet është shoqatë e regjistruar në Zvicër.
Kjo zhurmë bëhet në një kohë kur pushteti që kontrollon çdo institucion përfshirë edhe atë të Gjykatës Kushtetuese kanë marrë hapat më të fundit për zhbërjen e opozitës reale duke ngritur padi penale ndaj një anetari të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe masave kufizuese në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit të Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Për kujtesë të miqëve të mi dua të sjell në vëmendje që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që ….është cënuar e drejta e diasporës për të votuar!
Një lexues i thjeshtë do të thoshte: WOW Çfarë zbulimi!?
A duhej të na e thoshte GJK diçka kaq të dukshme dhe të prekshme nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit?
Gjykata Kushtetuese na tha që na qenka cënuar e drejta e votimit të 1.7 milionë shqiptarëve në vitin 2021 por duke u bazuar në këtë konstatim nuk na tha nëse këto zgjedhje ishin LEGJITIME apo jo!? Pra nuk i shpalli ato të pavlefshme.
Për juristët Marash Logu, Eduart Halimi por edhe ekspertët ligjorë të Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi unë kam këtë pyetje:
A ka të drejtë ligjore një organizatë e regjistruar në vend të huaj (pra jo në gjykatat dhe institucionet shtetërore shqiptare) të ankimojë një çeshtje në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë?
Marash Logu bëri edhe njëherë avokatinë e shtetësisë së Florian Haçkajt i cili me zë e figurë ka gënjyer në një intervistë dhënë Adi Krastës në emisonin javor të tij por edhe në media të tjera sikur shteti shqiptar i ka hequr shtetësinë në vitin 2022.
Në fakt në arësyetimin e saj Gjykata Kushtetuese ka bërë ose një gafë të pafalshme ose ngatërresë të qëllimshme kur dekretit të presidentit Bamir Topi të heqjes së shtetësisë shqiptare të shtetasit Florian Haçkaj (me kërkesën e tij) me numër 7294 datë 1/3/2012 i vendos datën 22 korrik 2022.
E sigurisht një dekret me këtë kombinim të dhënash nuk ekziston.
Dekreti i saktë është i marsit 2012 dhe ka datë dhe numer të saktë.
Florian Haçkaj pasi ju përplas dokumenti i lenies së shtetësisë së vitit 2012 në fytyrë e pranoi më në fund që ai e ka dorëzuar shtetësinë shqiptare në vitin 2012 por pretendon se ai e ka marrë atë më vonë bile ka rimarrë pasaportën shqiptare dhe kartën e identitetit në vitin 2016.
Për Marash Logun dhe Eduart Halimin kam disa pyetje të cilat ja kam bërë bashkëpresidentit të DPSHL Florian Haçkajt;
A e kanë verifikuar Eduart Halimi dhe Marash Logu se kur e ka rimarrë shtetësinë shqiptare Florian Haçkaj dhe në bazë të cilit dekret presidencial pasi në bazë të kërkimeve të mia një i tillë nuk ekziston!
Nëse Florian Haçkaj nuk e ka rimarrë shtetësinë shqipare si ka mundur ai të marrë pasaportë dhe kartë identiteti pa patur shtetësi?
E kujt është përgjegjësia ligjore për një shkelje të tillë dhe abuzimi me dokumentat e shtetit shqiptar?
Apo mos vallë në shtator të vitit 2022 kur GJK kërkoi verifikimin e shtetësisë së Florian Haçkajt nga Ministria e Brendshme kjo e fundit zbuloi se pavarësisht se shtetasi Florian Haçkaj kishte lenë shtetësinë shqiptare që në vitin 2012 emri dhe statusi i tij figuronte njëlloj aktiv si në rregjistrin e gjendjes civile ashtu edhe regjistrin elektoral dhe për këtë arësye i bëri të pavlefshme pasaportën dhe i hoqi emrin nga regjistrat shtetërorë akt të cilin Haçkaj e quan heqje shtetësie!?
Nëse Florian Haçkaj ishte i vetëdijshëm që nuk ka shtetësi shqiptare dhe ka përdorur dokumentat e shtetit shqiptar për të votuar më 25 Prill të vitit 2021 a përbën kjo një vepër penale të dënueshme më ligj?
Këtu nuk i futem shkeljes së ligjit gjerman i cili deri në ato momente nuk lejonte dy pasaporta për shtetas të natyralizuar si z.Haçkaj!
Shtetësia e Florian Haçkajt nuk ka implikime ligjore në dijeninë time sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese por mos regjistrimi i DPSHL në Shqipëri sigurisht që ka.
Po ashtu ky viktimizim dhe genjeshtra ne median shqiptare dhe përballë gazetarëve serioze e nxjerrin Haçkajn një mashtrues 24 karatsh që dëmton rëndë kauzën e votës së Mergatës e cila është një çeshtje vërtet serioze dhe meriton të trajtohet nga individë seriozë tē cilët mergata i ka me shumicë e jo nga falangat e rilindjes!
Ajo që e dekonspiron Florian Haçkajn është viktimizimi i tij në media sikur po persekutohet nga regjimi duke u paraqitur si faktor opozitar kur në fakt loja që ai udhëheq për gjoja votën e Diasporës është kryekëput për llogari të regjimit.
Me çtë drejtë dhe me të kujt mandat Diaspora për Shqipërinë e lirë merr karrige në KQZ të diskutojë votën në emer të 1.7 milionë shqiptarëve të Diasporës?
Kush ju a ka dhënë atë të drejtë?
Eduart Halimi tha sot se partia socialiste është shumëfish më e organizuar në Diasporë krahasuar me partinë demokratike!
Në kohë kur vota brenda vendit ka dalë totalisht jashtë sistemit dhe është nën kontrollin e plotë të AKTIVIST1T dhe patronazhistëve të rilindjes këta sajojnë një “fitore” në Gjykatë Kushtetuese që veç e tillë nuk është.
Siç e kam thënë edhe në të shkuarën këtë projektligj të DPSHL të cilin në nuk e kemi parë akoma pavarësisht se ata betohen e përbetohen se është publik unë e shoh si zgjatje tentakulash të regjimit për të garantuar vota shtesë për bandën e rilindjes përmes votimit më postë pasi ata kanë garantuar votat e shtetasve që jetojne brenda vendit.
Ju bëj thirrje ekspertëve të partise demokratike të rithemeluar dhe opozitës në tëresi ta marrin seriozisht këtë çeshtje pasi jemi para një manipulimi shumë të madh të votës së mërgatës shqiptare.
Do jete shume me e lehte ta parandaloni se sa te merreni me pasojat e saj pasi të bëhet ligj e siç po duken bathët është në proces.
Kopja e dekretit është marrë nga faqja online e Fletores Zyrtare.