MISTERI I LUTJEVE
Në familjen time
lutjet bëheshin fshehtas,
me një hundë të skuqur nën jorgan, me zë të ulët,
gati mërmëritje,
me një psherëtimë në fillim dhe në fund,
të hollë e të pastër si një garzë.
Përreth shtëpisë
kishte vetëm një palë shkallë për t’u ngjitur,
ato të drunjtat, të mbështetura gjithë vitin pas murit,
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.
Në vend të engjëjve
hipnin e zbritnin burra
që vuanin nga shiatiku.
Ata luteshin duke u shikuar sy më sy me Të,
si në një marrëveshje kryezotash,
duke kërkuar një shtyrje afati.
“Zot, më jep forcë!” e asgjë më shumë,
se ishin pasardhësit e Esaut,
të bekuar me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit
– shpatën.
Në shtëpinë time
lutja ishte një dobësi
që nuk përflitej kurrë,
si të bërit dashuri.
Dhe njësoj
si të bërit dashuri
pasohej nga nata e frikshme e trupit.
BERLIN, HOTEL CITADINE
Është mbrëmje. Jashtë dy-tri taksi të vëna në pritje
të ndonjë kalimtari që ka humbur rrugën.
Dhoma është ashtu siç e lashë në mëngjes,
përveç çarçafëve të ndërruar
dhe zhurmës së lehtë të shiut që mbi xhama kërcet
si një tufë lulesh të thara
kur u ndërrojmë vendin.
Dhe i njëjti mesazh në sekretarinë telefonike:
një zë burri, i regjistruar muaj më parë, për një tjetër grua,
për dikë që është fshirë me të njëjtët peshqirë
të larë dhe të parfumuar.
E kthej mesazhin mbrapsht, e dëgjoj disa herë…
Kryqëzohem si direku me një erë të panjohur
duke shmangur pyetjen: “Çfarë mund të ketë ndodhur më pas?”
Më në fund, mund të shtrihem në atë shtrat
të rregulluar nga duar anonime,
do të tendosem midis gjërave të mia të humbura
(pyetjeve që u ngutën të merrnin përgjigje)
si një fill tregues prej mëndafshi
midis fletëve të sapolexuara të librit.
DËBORA E PËRVITSHME
Në këtë qytezë
dëbora e përvitshme,
e mbështetur mbi drurët e rrallë e të vetmuar,
nuk sjell asgjë të re.
Ajo nuk është as më pak e as më shumë
se ecejaket e zakonshme të veteranit
mbështetur mbi patericën e tij të drunjtë.
E njëjta histori lufte
e treguar me qindra herë,
e njëjta markë cigaresh që i zgjatet miqësisht
dhe po të njëjtët sy që e përcjellin,
të errët e dembelë,
atë dhe goditjen e thatë ritmike
derisa silueta e tij të zhduket
midis hijeve të nënshtruara të çative
dhe pikëlimit të tyre
tmerrësisht të ngadaltë…
FËMIJËRIA
…apo çajniku
që fishkëllente
përjetësisht me hundë të zëna.
Kur jashtë binte borë
e në oborr
trëndafilat bënin gjumë fëmije nën mjegull,
me thonj të ngulur në fytyrë.
GRUAJA DHE GJIRAFAT
Gruaja kujton
se dikur bënte pjesë
në një familje gjirafash.
Lëkura e tyre e ngrohtë
e piqte ajrin si tjegull.
Fuqia e gjirafave qëndronte te qafa,
qafa e gjatë dhe muskuloze.
Vuajtja e tyre ishte po qafa,
përkulja mbi drurët tropikalë, të shkurtër.
Peizazhi u fshi një ditë,
u fshinë kokat, gjunjët delikatë, kurrizet pullalie,
mbetën vetëm qafat, qafa e pjerrët e gjirafës
e hutuar midis fletës së bardhë
si shkallë lëvizëse aeroportesh
që tërhiqet ngathët mbi pistën e lagësht
pas ikjes së avionit.
KOHË SHIRASH
Edhe pak
dhe shirat do të kapen me kthetra pas dritareve
si shpendë të uritur.
Vijnë nga errësira,
shfaqen vetëm një çast të shkurtër asteroidik
dhe pastaj kridhen prapë në errësirë.
Paqja zbret mbi enët dekorative të bakrit
ekspozuar mbi muret e bardha të kuzhinës,
në enët e fërkuara deri në të shkuarën e tyre të largët.
Shira,
as të ëmbla e as të njelmëta,
filozofia asnjanëse e jetës
që s’ndalet e as nxiton.
Nga goja e dragoit në një emblemë vikinge
del frikshëm një flakë transparente
e bardhë…
Zjarri i përjetshëm i shirave.
LIBRA TË VERDHË
Një kohë që s’ka shumë të vërteta,
nuk ka as tabu.
Ndoshta ky libër i verdhë është një nga të paktat,
ndonëse gjithçka që mbetet prej tij në mendje
është akti i fshehjes.
Është vapë. Darka shërbehet me ngathtësi dhe si çdo natë
në orën e caktuar. Ora kur ne mbulojmë njëri-tjetrin në ekuinoks.
Diçka e gatuar shpejt, një kokë viçi. Hisja ime është gjuha.
Thonë se, po të hash gjuhë, gjuha të rritet;
po të hash syrin, do të kesh shenjë të mirë.
E nëse ha libra, do të hash veten,
pak e nga pak, nga qoshet në qendër,
si makinat korrëse në fermat kolektive.
Nga kreu i tavolinës vijnë leksione mbi evolucionin,
“Të fortët vdesin; më të dobëtit mbijetojnë!”
në një mënyrë krejt origjinale,
duke mëshiruar lythat me dorë.
Dhe asgjë nuk e dallon nga një darkë e shenjtë
ku në porcione të barabarta ndahet buka dhe shpirti,
të vërtetat e vetme – të lexuara fshehtas
e të mistifikuara gjatë shkëmbimit
njëlloj si librat e verdhë.