Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese dhe njohëse e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbështesin Serbinë, sepse së bashku me Shqipërinë, shihen si “shtylla të stabilitetit” në rajon, porse sipas saj, kjo strategji është e destinuar të dështojë.
Stradner, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në platformën “X”, ka vlerësuar se mbështetja e SHBA-ve për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, karakterizohet kryesisht nga shpresa për ta tërhequr Serbinë drejt Perëndimit dhe për ta larguar nga krahët e presidentit rus, Vladimir Putin, përpjekje që, sipas saj, do të dështojë gjithashtu.
“SHBA-të gjithashtu shpresojnë që Serbia t’i thotë jo Rusisë në mënyrë që të mund të pretendojë fitoren (kjo nuk do të ndodhë sepse Vuçiçi nuk do të braktisë Moskën, ai ka nevojë për Putinin për mbijetesën e tij politike)”, ka shkruar ajo, duke shtuar se strategjinë e njëjtë SHBA-të e kanë ndjekur edhe kundrejt Sllobodan Millosheviçit, ish-udhëheqësit fashist të Serbisë.
“Kjo është pikërisht strategjia që Uashingtoni ka përdorur në fillim të viteve ’90 me Millosheviçin (pavarësisht nga raportet dhe paralajmërimet e CIA-s, të cilat tani janë të deklasifikuara) nga frika e përshkallëzimit. Strategjia qartësisht nuk ka funksionuar”, ka shkruar ndër të tjera Stradner të dielën.
Shumë ekspertë kanë vlerësuar se situata politike në Ballkanin Perëndimor kërkon pashmangshmërisht një qasje të re nga ana e SHBA-ve për të adresuar krizën aktuale, posaçërisht në rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.syri.net