Kina shkarkoi nga detyra Ministrin e Mbrojtjes të martën, zyrtari i dytë i lartë që largohet brenda tre muajsh, duke nxitur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e kabinetit të Presidentit Xi Jinping.
Gjenerali Li Shangfu, i cili nuk ishte shfaqur në publik prej 2 muajsh, u shkarkua nga detyra si Ministër i Mbrojtjes dhe këshilltar, njoftoi media shtetërore kineze.
Kina njoftoi gjithashtu se Qin Gang, i cili u shkarkua nga posti i Ministrit të Jashtëm në korrik, u lirua gjithashtu edhe nga detyra e këshilltarit.
Ligjvënësit më të lartë të Kongresit Kombëtar Popullor miratuan largimin e dy zyrtarëve, njoftoi televizioni shtetëror kinex CCTV, por pa dhënë më shumë detaje.
Nuk u emërua një zëvendës për vendin e lënë bosh nga zoti Li, çka do të thotë se Kina është pa një ministër mbrojtjeje ndërsa përgatitet të mirëpresë zyrtarët e huaj të mbrojtjes në dialogun për siguri rajonale, që do të mbahet në Pekin, mes datave 29-31 tetor.
Zoti Li u shfaq për herë të fundit publikisht në 29 gusht. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi muajin e kaluar se zoti Li ishte nën hetime për korrupsion.
Ai mbajti detyrën vetëm disa muaj, pas emërimit në mars. Zoti Li, i cili është vënë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara për shkak të blerjeve të avionëve luftarakë rusë dhe sistemeve raketore të avancuara, është ministri më jetëshkurtër i mbrojtjes në Kinë.
Ish ministri i Jashtëm, Qin Gang mbajti detyrën më pak se një vit përpara se të mos dilte më publikisht dhe të zëvendësohej nga Wang Yi. Nuk janë dhënë shpjegime zyrtare mbi shkarkimin e tij, por gazeta “Wall Street Journal” citoi burime sipas të cilave zoti Qin pati një marrëdhënie jashtëmartesore gjatë kohës që shërbeu si ambasador në Shtetet e Bashkuara.
Mos shfaqja publikisht e dy zyrtarëve dhe shkarkimi i tyre kanë nxitur pikëpyetje tek diplomatët në lidhje me ndryshimet e papritura në udhëheqjen e Kinës në një kohë kur rritja ekonomike e vendit është e ngadaltë dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë tensionuar për një sërë çështjesh.
Dy zyrtarët u panë nga analistët e politikës kineze si të zgjedhur me kujdes nga Presidenit Xi, duke e bërë veçanërisht të dukshme mungesën e tyre, pas më pak se një viti në detyrë. Ata kishin role të larta dhe të ekspozura gjerësisht ndaj opinionit publik dhe gjithashtu shërbyen si këshilltarë të Këshillit Shtetëror të Kinës, pozitë që tejkalon kompetencat e ministrit.