Fillimet e democracisë në Shqipëri filluan me emocione dhe pasionin për ndryshim të shpejtë për të fituar kohën e humbur, si dhe me premtime në erë si “çeku i bardhë”, por jo me qetësinë dhe arësyetimin e duhur për të zgjedhur strategjinë që do të na dërgonte në rrugën më të mirë e të përshtatshme për ndërtimin e një shteti ligjor ku të gjithë shqiptaret të ndjeheshin relativisht mirë në vëndin e tyre dhe mos merrnin arratinë në vënde të tjera nga viti në vit.
Pjesa më e madhe e shqiptareve në atë kohë e dëshironte Shqipërinë një vend të lirë, me institucione përfaqësuese të forta, me një shoqëri ku morali dhe ligji për të gjithë do ishin si në vëndet perëndimore. Por ata u zhgënjyen shumë shpejt.
Ende sot shume të rinj e të reja, por edhe brezat në moshë më të avancuara, të cilët nuk kanë lidhje me kastën e re që u krijua mbas rënies së komunizmit, nuk ndjehen të respektuar dhe nuk kanë shanse të barabarta në vendin e tyre. Perkundrazi, ata ndjehen të tillë në vende të tjera. Për të gjetur një vënd pune normal mbi bazë meritokracie ka qene dhe eshte shumë e vështirë per ta.
Shumë në Shqipëri, por edhe jashtë saj, mendojne qe shtetit të sotem i mungon krejtësisht morali.
Në Gjermaninë e pas luftës bashkëpunëtorët e makinerisë naziste nuk patën shans të punonin në administratën shtetërore qëndrore apo si mësues për edukimin e brezit të ri. Në Shqipërinë e pas diktaturës së proletariatit nje numer i madh ish-hetues, ish-sekretarësh partie, ish-drejtuesish të organeve të niveleve të larta të diktaturës, si dhe plot të tjerë që kishin zhvilluar me egërsi luftën e klasave u vendosën dhe janë ne çdo hallkë të administratës shtetërore, pa asnjë ndjenjë faji apo pendese për çfarë kishin bërë për 45 vjet ndaj pjesës tjetër të shoqërisë. Per me teper nje dukuri tjetër në këto 30 vjet është që mjafton të jesh aktiv në fushata elektorale gjatë zgjedhjeve per te siguruar nje vend në administratë për vehte dhe per farefisin, pa pasur asnjë eksperiencë apo kualifikim. Rezultati miks është krijimi i një administrate në pjesën më të madhe të saj jo efiçente, të paaftë, të korruptuar e te pamoralshme.
Ndryshe nga ne, shumë vende kur ndryshuan rregjimin nga komunizëm në demokraci liberale i kushtuan më shumë vëmendje anës së forcimit te ligjit dhe respektimit të pronës private, se sa demokracisë.
Funksionimi i shtetit ligjor për të gjithë e bën shoqërinë më të moralshme, të civilizuar, qytetare dhe jetesën më të sigurtë se sa në një shtet në demokraci liberale me liri fjale, por me korrupsion në çdo hallkë të saj.
Në përgjithësi demokracia liberale nuk siguron vazhdimësi për të ardhmen nëqoftese nuk egziston një shtet ligjor i vërtetë me institucione të konsoliduara, pasi demagogë të ndryshëm mund t’i fitojnë zgjedhjet me premtime dhe mbas tyre të bëhen liderë autoritarë, duke forcuar pushtetin personal e duke dobësuar pushtetet e tjera të domosdoshme për një shtet normal.
Një nga autoritarët e sotëm në pushtet për shumë vite në një vënd të madh mik, kur u pyet përse nuk po sillej sikurse kish premtuar në fushatën e tij elektorale, u përgjigj: “Demokracia është si një taksi që unë e përdora për të kapur pushtetin dhe mbas e kapa atë, nuk më duhet më për të drejtuar vëndin”.
Ne jemi larg modelit perëndimor te shtetit të balancuar të një vendi me demokraci funksionale, me shtet ligjor dhe ekonomi tregu reale, konkuruese e të pavarur nga qeveria, si dhe me oligarkë që nuk pasurohen duke përdorur paratë e taksapaguesve me tenderat e qeverisë. Nuk është e keqja e biznesmenit të pasur që bën aktivitet ekonomik të pavarur nga qeveria, pasi ai duhet të jetë për ne të tjerët model pune, sakrifice, inisiative private dhe përkushtimi, por e biznesmenit që pasurohet nga makinacionet që bën me pushtetarë të korruptuar. Monopolet, korrupsioni madhor dhe oligarkia e kanë devijuar krejtësisht ekonominë e tregut në Shqipëri.
Vazhdimisht bëhen renditje të universiteteve në botë në lidhje me arritjet e përvitshme akademike dhe te kërkimit shkencor. Duke patur parasysh që universiteti i parë shqiptar nuk ka mbushur akoma 70 vjet, nuk mund të pretendohet të krahasohet me vënde të mëdha dhe të pasura që kanë traditë në arsim, por pretendimi që universitetet shqiptare të mos rreshtohen gjithmonë ndër të fundit është normale. Gjithashtu në mediat serioze, të cilat supozohen të jenë zëri i njerëzve me hallet dhe problemet e tyre, shqetësimi për arsimin dhe edukimin duhet të ishte shumë më i lartë. Po ashtu biznesi dhe bota akademike duken që janë të shkëputura nga njëra-tjetra në interesa dhe nuk ja kanë nevojën njëra-tjetrës, ndryshe nga vënde të tjera ku universitetet kanë nevojë për fonde nga biznesi dhe ku ky i fundit ka nevojë për projekte dhe zgjidhje problemesh nga universitetet. Drejtuesve të katedrave, fakulteteve dhe universiteteve as u shkon në mendje që duhet të largohen, kur nuk kanë rezultate në punë, nuk arrijnë objektivin për të cilin i kanë punësuar, apo kanë premtuar kur kanë marrë postin, sikurse ndodh në gjithë botën e civilizuar. Dhënia e dorëheqjes nuk është fundi i botës, pas saj mund të bësh edhe një punë tjetër që të përshtatet. Arsimi në çdo vënd të përparuar të botës sjell progres shoqëror dhe mirëqenie të qëndrueshme. Në fushën e arsimit një shprehje fondamentale qarkullon në botë “Nëqoftëse do të shkatërrosh një vend, dëmto sistemin e tij të arsimit dhe të edukimit”. Arsimi cilësor duhet të fillojë që nga kopshtet për të krijuar një zinxhir të fortë ku universitetet të jenë hallka e fundit. Është e dhimbshme kur shikon që paaftësia dhe korrupsioni kanë shtrirë metastazat edhe në sistemin shkollor të vëndit. Figura e mësuesit dhe pedagogut duhet të jetë e respektuar në shoqëri dhe jo të flitet për marrje parash për të kaluar provimet apo për favore të tjera. Miku i madh i shqiptarëve Bill Clinton thotë se vëndi zhvillohet me edukim, edukim dhe vetëm me edukim.
Një shembull interesant është Polonia, e cila ka kaluar në një stad tjetër të zhvillimit ekonomik dhe nuk ofron më krahun e lirë të punës si vite më parë, por nëpërmjet studiove të saj prestigjoze bën shitje projektesh në Europë, duke siguruar të ardhura shumë më të larta. E gjithë kjo vjen nga cilësia e universiteteve të vendit, të cilët nxjerrin kuadro të përgatitur të nivelit europian. Rumania në vitet e fundit ka rritjen më të shpejtë ekonomike në Europe. Ajo eksporton tashti software, produkte farmaceutike, automobila, nënprodukte nafte, etj.
Sllovakia, një shtet i vogël, tërheq vazhdimisht fonde të mëdha nga Europa në saje të seriozitetit dhe profesionalizmit, të përmbushjes së objektivave në kohë, si dhe të nivelit të ulët të korrupsionit.
Me këto vende ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por ajo që na ndan e na dallon prej tyre është:
1. Ata janë më seriozë dhe tregojnë më shumë kujdes për edukimin e brezave të rinj.
2. Sistemet e tyre gjyqësore ofrojnë besueshmëri më të lartë tek investitorët e huaj.
3. Administrata e tyre është shumë më efiçente, profesionale dhe më pak e korruptuar.
Deri tashti shumë pak korporata të mëdha e prestigjoze (krahasuar me vende te tjera te Europes Lindore) kane ardhur per aktivitet afatgjatë, duke punësuar kështu në masë kuadrot e dalë nga bankat e universiteteve shqiptare.
Vitet e fundit, me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duket sikur shteti ligjor po e forcon praninë dita ditës, me SPAK dhe Gjykatën e Posaçme, por është e pamjaftueshme dhe shumë e vonuar. Duhej të ishte kërkesë imediate e shoqërisë dhe politikës shqiptare te emacipuar dhe të maturuar në këto 30 vite që ta kërkonin ndryshimin dhe jo ndryshimet të vinë si gjithmone nga jashtë.
Vendet e zhvilluara të cilat e kanë kaluar kohën e adoleshencës i shikojne sukseset tyre politike dhe ekonomike jo për momentin, por për një kohë më të ardhshme në perspektivë, i përgatisin dhe ndryshojnë elitat politike paqësisht, duke i bërë një shërbim të madh cilësor vëndit. Politikanët e vjetër i mësojnë dhe u hapin rrugën politikaneve të rinj, duke parë interesat e atdheut para atyre personale. Zëvendësimi i elitave politike me njerëz të rinj është domosdoshmëri.
Këto vende bëjnë gjithashtu përpjekje që nëpërmjet politikave qeverisëse afatgjata të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe standardin ekonomik të njerëzve, duke zbutur polarizimin ekonomik e duke shmangur propagandën e tepruar qeveritare për rezultatet e arritura.
Jo pak politikanë në botë janë të korruptuar apo tentojnë të bëjnë korrupsion, por ata kanë frikë sepse është ligji që i pengon e i ndëshkon. Shumë prej tyre nuk u mungon oreksi për korrupsion, por e ndjejnë që levat e shtetit i survejojnë. Nuk e besoj që politikanët shqiptarë bëjnë përjashtim në këtë drejtim, pasi edhe opinioni në Shqipëri është që ata notojnë në kënetën e korrupsionit për dekada, të pa shqetësuar nga zbatimi i ligjit, i cili duhet të zbatohet për të gjithë njësoj, dhe nuk është këshillë apo rekomandin. Mençuria popullore në botë thotë që politikanët krahasohen me çorapet të cilat sa më shumë i mban në këmbë aq më shumë vinë erë. Atje ku flet ligji dhe ai zbatohet me paanëshmëri, flet qytetërimi dhe hesht makutëria dhe barbaria.
Qeveritari duhet ta konsiderojë veten si administrator të devotshëm të vendit të tij, dhe jo si abuzues të fondeve shtetërore.
Vendit i duhen institucione të vërteta, të pavarura dhe efiçente që të sigurojnë stabilitet të përhershëm, që të mos ndikohen nga partia e radhës ne pushtet apo nga kryeministri i vendit si posti më i fuqishëm, nëqoftese vërtet duam të jemi një shtet i denjë europian dhe jo një shtet si në Azinë Qëndrore me udhëheqës popullor autoritar, i cili i fiton zgjedhjet gjithmonë edhe pa pasur nevojë ti vjedhë ato, pasi ai zotëron pothuaj të gjithë pushtetin.
Erën demokratike që na erdhi nga jashtë në vitet ’90 le ta përdorim për ta drejtuar anijen tonë të bukur, Shqipërinë, në vendin dhe nivelin e duhur që meritojmë.
Të mos harrojmë se kemi nxjerre gjatë kohërave shumë trima me shpatë dhe armë në dorë, por edhe shumë dijetarë të mençur, bile edhe Nobelistë të shquar në botë.