Shtetet e Bashkuara kanë siguruar lirimin e dy amerikaneve të marra peng nga grupi islamik palestinez Hamas gjatë një sulmi ndaj Izraelit më 7 tetor, tha presidenti Joe Biden me anë të një deklarate të premten.
Më herët Izraeli i identifikoi ato si Judith dhe Natalie Raanan, nënë e bijë. Presidenti Biden falënderoi Katarin dhe Izraelin për partneritetin e tyre në përpjekjet për të siguruar lirimin e tyre.
Ato ishin rrëmbyer nga Hamasi në vendbanimin Nahal Oz më 7 tetor.
Pas lirimit, ato po shkojnë drejt një pikëtakimi në një bazë ushtarake në pjesën qendrore të Izraelit, ku po i presin anëtarët e familjes, sipas zyrës së kryeministrit të Izraelit.
Mediat izraelite i identifikuan ato si shtetase amerikane nga Evanston, në shtetin e Ilinoit.
Ndërkohë, përmes një deklarate për media, Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Pagjeturve tha se mirëpret lirimin e pengjeve nga Hamasi.
“Mbajtja e vazhdueshme e pengjeve është krim lufte. Qindra familje presin ndihmën e udhëheqësve të shteteve arabe pas veprimeve të Hamasit që tronditën mbarë botën,” tha ky forum. “Hamasi ka kryer krime lufte. Shumë udhëheqës në shtetet arabe kanë ndikim të madh ndaj drejtuesve të organizatës dhe duhet të veprojnë për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve dhe të pagjeturve që mbahen në Gazë.”
Grupi islamik Hamas tha se i kishte liruar pengjet amerikane për “arsye humanitare” pas përpjekjeve të ndërmjetësuara nga Katari.
Zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Abu Ubaida lëshoi një deklaratë ku njoftoi për lirimin e tyre, rasti i parë i tillë që kur grupi militant islamik sulmoi Izraelin më 7 tetor.
Izraeli vazhdon sulmet ajrore në Gaza
Izraeli bombardoi një zonë veriore të Gazës më herët të premten, pasi u dha një paralajmërim 30 minuta përpara familjeve që të largoheshin, si edhe goditi një kishë të krishterë ortodokse ku po strehoheshin qindra të krishterë dhe myslimanë.
Patriarkana Ortodokse e Jeruzalemit tha se gjatë natës forcat izraelite kishin goditur Kishën e Shën Porfirit në qytetin e Gazës dhe se vënia në shënjestër e kishave ku strehohen civilët për t’u shpëtuar bombardimeve është “një krim lufte që nuk mund të injorohet”.
Një punonjës i mbrojtjes civile tha se dy persona në katet e sipërme kishin mbijetuar; ata në katet e poshtme ishin vrarë dhe trupat e tyre ishin ende në rrënoja.
Zyra e mediave e Hamasit në Gaza tha se 18 palestinezë të krishterë ishin vrarë, ndërsa ministria e shëndetësisë tha më pas se bëhej fjalë për 16 persona.
Ushtria izraelite tha se një pjesë e kishës u dëmtua nga një sulm me avionë luftarakë ndaj një qendre komande të Hamasit aty pranë, që ishte përfshirë në hedhje raketash dhe mortajash drejt Izraelit dhe se po e hetonte incidentin.
“IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) mund të deklarojnë pa mëdyshje se kisha nuk ishte objektiv i sulmit,” tha ushtria.
Izraeli vazhdoi gjatë ditës sulmet ajrore në Rripin e Gazës mes shqetësimeve se mund të ndërhyjë në çdo moment me trupa tokësore në territorin që kontrollohet nga Hamasi.
Palestinezët në Gazë njoftuan për sulme të rënda ajrore në Khan Younis në jug, një zonë ku atyre iu tha të shkonin për të qenë të sigurt.
Forcat e mbrojtjes izraelite postuan në rrjetin social “X” , i njohur më parë si Twitter se “gjatë natës, u kryen sulmet ajrore që goditën organizatat terroristë në Rripin e Gazës duke shkatërruan hyrjet e tuneleve, baza armatimesh dhe dhjetra qendra që përdoreshin për organizimin e sulmeve”.
Ndërkohë, Izraeli pritet të evakuojë qytetin verior Kiryat Shmona. Autoritetet thanë sot se banorët do të zhvendosen në shtëpi të financuara nga shteti. Qyteti verior ndodhet në kufi me Libanin dhe ka qenë objektiv sulmesh me raketa nga grupe militante palestineze.
Të premten u bënë 14 ditë që nga nisja e luftimeve që ka shkaktuar numrin më të lartë të viktimave në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve. Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që drejtohet nga grupi i Hamasit, më shumë se sa 4137 palestinezë kanë mbetur të vrarë dhe 13,000 mijë të tjerë janë plagosur
1400 izraelitë janë vrarë, shumica nga sulmi i befasishëm i 7 tetorit nga grupi militant i Hamasit. Ushtria izraelite tha se besohet se 203 persona janë marrë peng nga Hamasi dhe po mbahen në Gazë.
Disa informacione janë marrë nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press