Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u mblodhën të hënën në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë.
Jetmira Delia-Kaci
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të jetojë me “frikën e një konflikti nesër”, duke thënë se Serbia “po vazhdon ta kërcënojë me pushtim” Kosovën.
“Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, tha Kurti duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe grumbullimit të trupave serbe në afërsi të kufirit kosovar më vonë.
Ai tha se në vend se të jetojnë me frikën e konfliktit, qytetarët në Ballkanin Perëndimor “sot duhet të punojnë për një të ardhme së bashku. Ne, si udhëheqës të tyre, kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim.”
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, Kurti tha në takim me liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin e Shqipërisë se “ne e mbështesim ‘planin me katër hapa’ të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian. BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlerat të BE-së.”
Gjatë samitit të Procesit të Berlinit në të cilin, përveç prezantimit të një pakoje të re të investimeve nga Bashkimi Evropian, po diskutohet edhe për sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator.
“Plani i ri i rritjes” është një paketë e gjerë investimesh e Bashkimit Evropian, që pritej të shpalosej gjatë punimeve të samitit.
“Ky plan ka potencial nëse vihet në zbatim siç duhet, ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e përbashkët të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, deklaroi më 15 tetor presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk pranoi të merrte pjesë në fotografinë familjare me liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në prapavijën e së cilës në mesin e flamujve të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit ishte edhe ai i Kosovës.
Para nisjes së samitit, von der Leyen, ndërkaq tha se takimi do të sjellë një mesazh të fortë.
“Është një samit shumë i veçantë ky që kemi sot. Besoj se përcjell një mesazh të fuqishëm, se sa të përkushtuar jemi ndaj zgjerimit [të BE-së]. Një nga temat kryesore do të jetë ekonomia e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye kam prezantuar planin e rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët evropian. Për këtë, na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, do të marrin financim nga Bashkimi Evropian. Është një stimul për ata që vërtet duan të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura, kështu që le të punojmë për këtë të çuar para këtë plan rritjeje”, tha shefja e KE-së.
Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, tha se shpreson që gjatë këtij samiti të rritet bashkëpunimi mes vendeve të rajonit dhe se BE-ja është e shqetësuar për situatën e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë.
“S’mund të lëmë konfliktet dypalëshe të na mbajnë peng. Tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë e kanë sjellë sërish këtë në plan të parë. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Kjo kërkon kurajë politike me fokus tek e ardhmja. Kjo do të jetë fryma e samitit të ardhshëm që do të mbahet në Bruksel”, tha ai.
Edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se do të diskutojë për këtë çështje me kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë.
“Ne kërkojmë që të shtensionohet situata. Kam folur me presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiç pak javë më parë. Sot kam mundësi të flasë me kryeministren e Serbisë [Ana Bërnabiq] dhe kryeministrin e Kosovës [Albin Kurti]. Shpresojmë që të gjithë të kontribuojmë në shtensionim”, tha Rutte.
Ndërkaq, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se me Ramën do të bisedojë për çështjen “Beleri”.
“Nuk kam ndërmend të ndërhyj në çështjet e drejtësisë shqiptare, por Fredi Beleri ka të drejtën të betohen ndonëse ndodhet në paraburgim dhe këtë do ta bëj shumë të qartë”, tha lideri grek.
Fredi Beleri ndodhet në paraburgim, pasi u arrestua nga policia pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, i akuzuar për blerje votash. Ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës dhe po vijon kërkesat në gjykatë për të kërkuar leje për të dalë nga burgu për të kryer betimin. Kjo kërkesë deri më tani i është refuzuar nga gjykata.
Çështja e Belerit shpesh ka shkaktuar përplasje mes Ramës dhe zyrtarëve grek. Kryeministri shqiptar ka thënë se kjo çështje nuk i takon politikës, por drejtësisë.
Kjo është hera e parë që një takim i procesit të Berlinit organizohet jashtë kufijve të BE-së. Përveç zyrtarëve të bllokut evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor, në samit marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Hapja zyrtare e samitit u bë me fjalimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, shefes së KE-së, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Pas sesionit të parë që për temë do të ketë integrimin e rajonit në tregun e përbashkët evropian dhe përmirësimin e konvergjencës me BE-në, do të mbahet një drekë pune ku do të diskutohet për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe çështjet dypalëshe: Drejt një paradigme të re evropiane”.
Në këtë drekë pune, temë do të jenë për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, pasi një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, sulm që rezultoi me vrasjen e rreshterit, Afrim Bunjaku.
Ky sulm, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë – por, për të cilin Beogradi thotë se nuk ka gisht në të – është dënuar ashpër nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.
Të dielën, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, deklaroi në Tiranë se “Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut dhe se rruga e vetme për normalizimin e raporteve është Marrëveshja e Ohrit”.
Ajo iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që u arrit në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër, Kosova dhe Serbia arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.
Gjatë samitit të Procesit të Berlinit, po ashtu, pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja rajonale për njohjen reciproke të kualifikimit profesional.
Pasdite, në orën 17:30 do të jetë konferenca e përbashkët për media e kryeministrit shqiptar, kancelarit gjerman dhe presidentes së KE-së.
Procesi i Berlinit është një nismë e ish-kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Kjo nismë shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.