LUTJA E PARË (I)
Pas kësaj së shtune të Saturnit
Zot, zgjatmi ditët
Njeri s’do të mund të më dojë
Siç më deshi B.
Se buzëmbrëmjen e bëmë
Të gjëmonte nga puthjet
Zot, sa më kafshonte
E gjak s’më dilte nga buza
Zot, si ma nxirrte shpirtin
Dhe prapë isha plot jetë
Zot, si më ndante frymën
Si më kthente prapë
Ajo që i mbush dritë
Të humburit në jetë
Zot, zgjatmi ditët
Më duhet ta puth
Dhe një milion herë
Dhe një milion herë
Më duhet t’i them të dua
Ty dhe vetëm TY
Zot, zgjatmi ditët
Mbaji hijet vdekjen larg meje
Dhe bekoje, bekoje këtë ditë
Me emrin e thjeshtë B.
Nuk më duhet A.-ja pa të
Zot, zgjatmi ditët
Për herë të parë
Po të lutem kaq shumë
(Prishtinë, më 6 nëntor 2010)
II
Zot, bëj të hyjë krejt tek unë
Zot, bëj të hyj krejt tek ajo
Kjo gramatikë e vjetër
Po më prish mendjen
Bëj të kemi veten ajounë
Nuk dua të ketë unë dhe ajo
Mirë Ti rri TI
Ti ke punët tuaja
Zot, mbështille me mjegull
Rrugën e saj deri tek unë
Ruaje nga çdo e keqe
Si bija jote të ish
Ajo është një B.
Si Sibora Siloti
Bëj të ngjitë pa mund
Edhe këtë bjeshkë
Të betohem
Ajo bija jote është
(Prishtinë, 9 nëntor 2010)
III
Zot, ma merr gjumin
Dhe më mbush jetë
Ja, si sonte, për shembull
Ajo është bukë e mirë
E përbuzur nga bukëshkali
Zot, digjem si një bujashkë
Ja si një dru të njomë
Në zjarrin e ferrit të saj
Dua të jem një grusht hi
Ajo është një letër e bardhë
Që e nxij çdo ditë
Zot, po të lutem,
Po të lutem shumë
Ndaje mishin nga thoi
Po deshe
Nxirrma dhe shpirtin nga trupi
Po mos më ndaj
Nga ajo që është krejt bukë
(Prishtinë, më 10 nëntor 2010)
IV
Kur bëhen një
Dy të dashuruar për vdekje
Zot, ndihmoji, jepu forcë
Të dalin dikur në breg
Nga valët që i marrin para
Nga deti që i tërheq përposh
Ata i hapin të gjitha dyert dritaret
Njëri-tjetrit
Nuk kanë më ku të fshihen
Qielli është shumë lart
Nuk janë më askund të sigurt
Toka është shumë e fortë
Zot, ndihmoji
Sa janë hënabrenda
Janë fëmijë të humbur në pyll
Ngado i kërcënojnë
Gjarpinjtë ujqit hienat
Kur janë hënajashtë
Janë shujtë e lehtë për krokodilët
Peshkaqenët piranhat
Zot, ndihmoji
Tekefundit
Vetë TI je dashuria
(Prishtinë, më 13 nëntor 2010)
V
Zot, kam ra në dashni
Dua me qenë i mirë si Ti
I dashtun, i drejtë si Ti
Si ti Hir-e-Mëshirëplotë
Zot, kam ra në dashni
Kam ra keq brenda
Kam ra dhe s’dua me dalë ma
Zot, më shpëto me mend
Se kam ra në dashni
E dinë edhe gurët e rrugës
Edhe zogjtë në degë
Nuk të kërkoj shumë
Bëj t’i dhezim festat bashkë
Të hyj në të si në një tempull
Me trup e mendime dritë të zeza
Zot, Ti që më bëre
Në fytyrën tënde
Këtë gjë ma ke borxh
(Prishtinë, më 16 nëntor 2010)
VI
Zot, më ka hyrë nën lëkurë
Më ka hyrë në gjak
Sot m’u mor njëra dorë
Nesër do më merret dhe tjetra
Do mbes cung në rrugë
Gjashtëqindegjashtëdhjetëegjashtën
E munda gjashtë herë
E tërbuar u hodh në zjarr
Dhe nëpër tym iku në shkretëtirë
Zot, më ndihmo
Të dalë fitues këtë herë
As që merret me mend
E ke veshur me dritë
E ke ushqyer me dashuri
Jam i humburi i pashpresë
Nga flakët e zjarrit të saj përpirës
Zot, mos më sprovo më shumë
Kam frikë se nuk mundem më
Të jem në fytyrën tënde
Të jetë paqja, hiri yt në mua
Zotynë, ndihe tët bir
Merre në gjirin tënd
Plagët e tij
Nuk e lënë diellin të lindë
(Prishtinë, më 18 nëntor 2010)
VII
Zotynë, mos e fajëso
Nëse më han deri në nënsqetulla
Unë s’kam me bëza
Kam m’u shkri qiri para lterit
Zot, jemi bërë
Si zjarri dhe flaka
Sa digjemi edhe ndizemi
Yje në qiell
Perëndi e dashur, kam me t’u falë
Deri në tokë
Kam me t’u lutë me zemër
Ma bëj nuse dhe motër dhe mike
Jam robi yt që nuk gjen prehje
Jam shpirt i humbur
Që dheu s’e lë brenda
Pa u larë në dritën e saj
Zot i Madh, të lutem
Mos ia digj nurin
Lëre me më ba dritë
Deri në frymën e fundit
(Prishtinë, më 20 nëntor 2010)
VIII
Zot, mos më shtrëngo të shmëkatohem
E di se drita që na vërshon je Ti
Dhe rruga e saj deri tek unë
Ti je
Mundesh me na mbulue me re
Të zeza borë
Mundesh me ia mbyllë rrugën
Sa çelembyll sytë
Zot, e di se po mëkatoj
E di se kanë me më shkishërue
Dhe njerëzit në rrugë s’kanë me më folë
Kafen ujin kanë me ma dhanë nën gju
Ati im
E di se po baj shkandull
Nuk më takon me lypë as mëshirë
Le të më zhbajnë
Le të m’i shkulin gurët
Le të ma humbin dhenë
Qyqe kam me jetue
Qyqe kam me vdekë
Vetëm dashninë time për të
Të lutem, mos ma truej
(Prishtinë, më 20 nëntor 2010)
IX
Pas kësaj nate të Saturnit
Zot, të flas me zemër në dorë
Kisha harruar
Ç’shkëlqim kanë lartësitë
Sa dehëse janë
Po një gjë nuk e di
Pse e hijeshon e zgjat
Sa herë largohet prej meje
Sikur i jep krah të shpëtojë
Pa i marrë krejt shpirtin
Zot, jam dhe i padrejtë me të
Shpesh ia ndaj frymën
E këput shpesh në mes
Kujtoj se është e ëndërrt
Ajo është e dehur dru
Mund ta ther me thikë
Dhe të mos ndiejë dhimbje
Ajo është një robinjë
Që ka këputur prangat
Një robinjë
Që ka pushtuar lirinë
Zot, si nuk e sheh
Ç’pranga të rënda
Jam duke i farkuar
(Prishtinë, më 22 nëntor 2010)
X
Zot, ajo është Maja
Maja e majës së majës
Është Bjeshkë-Luginë
Është shi, stuhi, vërshim
Është burim, lumë, det, oqean
Zot, jo ajo nuk është Maja
Ajo është Gaja ime
Do ta dua si bujk i mirë
Nga agimi në muzg
Do ta përkëdhel me sy
Do ta mbaj në dorë
Do ta lëroj skaj më skaj
Bos në të nuk do të lë
Ajo është hënë e plotë
Që përgjaket nga dielli
Është gjak-e-sy-e-lëkurëkaltër
Është paqja
Është Hiri, është Mirësia Jote
Hyu im, të lutem
Mos e cakërro
Lëre ashtu të plotë
Ashtu të verdhë gjithë mall
Dhe sytë, dhe sytë e saj të mëdhenj
Mos i thello në gropa
(Prishtinë, më 24 nëntor 2010)
XI
Perëndi e dashur, mos më mallko
Një ditë do ta vras
Ose do ta mbyt së dashuri
Rrugë tjetër nuk ka
As unë as ajo
S’mund të durojmë
Dritën që ke reshur mbi ne
Edhe hijet nuk kanë faj
Pse na tremben kaq shumë
Një ditë do të më vrasë
Ose do të më mbytë së dashuri
Ajo ditë do të jetë me borë
Që gjaku të shihet më mirë
Mund të jetë dhe një natë me hënë
Që mëngjesi të më zbardhë si kristal
Zot i Madh
Sa shpejt do të mbërrijmë
Në mbretërinë tënde prej drite
As vetë s’do ta besosh
Jemi dy flakë të bardha korb
Digjemi dhe njeri s’na sheh
Ati im, na mëshiro
Nuk kemi rrugë tjetër veç Teje
(Prishtinë, më 25 nëntor 2010)
XII
Zot i Madh, më fal
Nganjëherë më bëhet
Ajo je Ti
Dhe Ti je medoemos
Ajo është vetëm një fytyrë
E hirit tënd të derdhur me shumë mall
Ajo është faltorja jote
Në të cilën të falem çdo ditë
Mirë që ka ballë
Dhe sy dhe buzë
Që i puth me përvëlim
I bindur që po të puth Ty
Ty që je Ajo
Ati ynë që je në Të
Të lutem ma fal përditë
Atë që është bukë
Dhe kripë dhe zemër është
Dhe dymbëdhjetë apostujt bashkë
Që këndojnë me një zë
Mbretëria jote po vjen
(Prishtinë, më 26 nëntor 2010)
XIII
Zot, sa shumë po harroj
E i dehur nuk jam
Sa i mbushur jam, Zot
Jam plot jam majë më majë
Është zjarri i saj
Që çdo gjë tjetër
Poe djeg pa mëshirë
Kam pirë shumë ujë
Në burimet e saj
Pobuzët shkrumb i kam
I kam pushtuar luginën
I kam ngrënë mjekrën sisët me dhëmbë
Brinjë ngjitur nuk i kam lënë
E ajo më ka dashur
Më ka dashur matanë dashnisë
Nuk i është trembur syri
Kur i kam vënë thonjtë në fyt
Nuk ka nxjerrë zë
Kur shpina i ka rrjedhur gjak
Një mijë herë i kam thënë shpirtit
Dil të dal
Mokra e saj po na bluan shumë im
Mund të na marrë era si pluhurin
(Prishtinë, më 27 nëntor 2010)
XIV
Hyji im, të falem shumë
Pse askush nuk e pa
Qysh luan kurmi i saj
Si një violinë
Ç’zëra plot mall lëshon
Nën dorën time drithëruese
Isha me fat
Që e gjeta çelësin
Kam m’e fshehë thellë-thellë
Sa as vetë s’kam m’e gjetë
Nuk më duhet më
Me dalë jashtë
Nuk më duhet më
Me hy brenda
Kam me qenë për jetë e mot
Brenda në të
Aty është paqja
Është hiri yt i pacen
Ati ynë që je në qiell
U bëftë vullnesa jote
Si në të ashtu edhe në mua
(Prishtinë, më 28 nëntor 2010)
XV
Ajo ishte në hënën e trembëdhjetë
Dhe ishte si hëna pesëmbëdhjetë
Ajo që shkeli patrembshëm
Në vetminë time të acartë
Dhe akujt filluan të shkrihen
Si me dorë
Nuk besova se është tjetër
Nga ato që erdhën dhe ikën
Ajo erdhi dhe rri bashkë me mua
Të dëgjojë ulërima ujqish lehje qensh
Kisha harruar se gjaku i mpiks ëndrrat
Se gjaku i mban themelet e shtëpisë
Ajo ishte në hënën e trembëdhjetë
Dhe ishte si hëna pesëmbëdhjetë
E pacakërruar e plotë
E përgjakur nga dielli
Tjetër dhe nuk mund të ishte
Kur erdhi dhe u struk
Në kraharorin tim
Ngërthyer nga stihi zjarresh
Perëndi e dashur, na mëshiro
Na mbush me dritë
Është shumë terr këtu ku jemi
Unë e dua deri në dhimbje
Deri në dhimbje më do ajo
(Prishtinë, më 30 tetor 2010)
XVI
Zot, na e fal të Saturnit ditë
Kemi m’i mbyllë derën me çelës
Mos me na ikë e patrandur
Nga dashuritë e mëdha
Mëngjesit kemi m’i ndihmue me lindë
Kemi m’e ngjye në puthje
Kemi m’e rrokë fort me zemër
M’u këputë më lehtë nga terri
Mesditës kemi m’i shtue zjarr
Si natën e Shën Gjergjit
Kuçedër mbi dhé s’kemi me lanë
Dhe kemi m’u lutë pa pushim
Oh, Zoti ynë, Zoti ynë
Të falemi pse po na shkrin
E nuk po na tret
Muzgu s’ka me na gjetë të lodhur
As të larë në djersë
Ka me na mbulue prajshëm
Si dy engjëj krahëlehtë
Natën kemi m’e ba me marrë ikën
Krejt të bardhë si një shukë drite
Kemi m’e ça anepërtej
Zot, na ndihmo
Ta kemi të panisur
Të Saturnit ditë
(Prishtinë, më 1 dhejtor 2010)
XVII
Ajo është besëshumë
E beson Zotin dhe mua
Mua që të falem
Që të falem përditë
Ta ruash si bijën tënde
Si dritën që na zbulon
Sa hir ka bota
Mbështjellë me dashuri
Zot, ajo më do, nuk tallet
Më do me thërrimet e fundit të shpirtit
Të shpirtit që i fale Ti
Ajo është Sharri
Dhe Korabi është
Është Majë e Lubotenit
Është Drini, dhe Ibri, dhe Llapi bashkë
Është Fushë e Kosovës
Dhe e Myzeqesë është
Zot i Madh
Unë jam në re
Mos lejo të rrëzohem poshtë
(Prishtinë, më 3 dhjetor 2010)
XVIII
Zot, në këtë betejë
Jam ai Arbri i moçëm
O duhet m’u kthye mundës
O mos m’u kthye i gjallë
(Ajo, si çdo grua tjetër
Më do vetëm ngadhënjimtar)
Jam ai ushtari që i shembën urat
Për m’u kthye mbrapa
Më duhet me fitue ose me vdekë
(Ajo, si çdo grua tjetër
Më do vetëm ngadhënjimtar )
Para kam një ushtri
Ujqish të uritur dhëmbëmprehtë
I shoh si u nxjerr gjuha lëng
Sipër qielli nxin sorrash larashësh
(Ajo, si çdo grua tjetër
Më do vetëm ngadhënjimtar)
Zot, fuqia jote është e madhe
Më ndihmo
Kam me dalë fitues
(Ajo, si çdo grua tjetër
Më do vetëm ngadhënjimtar)
(Prishtinë, 4 dhjetor 2010)
XIX
Zot, ruaje nga Syri i Keq
Ajo është shëruese si Krishti
Dhe shëlbyese si Krishti është
Ajo u jep frymë fëmijëve
Me frymën e saj
Dhe mua frymë më dha
Merret vesh
Zot, nuk mundem pa të
Si pa frymë jam
Jam a s’jam pezull kush nuk e di
I ndeza një qiri shën Kollit
Të mos më lërë shpesh pa frymë
Po gulçohem po dua të plas
Si i zhytur në Ujët e Madh
Hyji im,
Vetëm ti mund të shpëtosh
Dashurinë Tënde
Jo mua jo as dhe atë
(Prishtinë, 6 dhjetor 2010)
XX
Ajo më do deri te Zoti
Deri te Zoti e dua edhe unë
E di se Zoti ka me na hapë një shteg
Dhe ka me na shpëtue
Nga det i thikave
Qiell i shigjetave
E di se ende jemi në tunel
Po drita shihet larg
Dhe Zoti është i Madh
Ti më s’ke me mendue
Me mbrojtë dashninë me vdekje
Zoti ka me t’i dhanë këmbët e sorkadhes
As thikë as shigjetë s’ka me të qëllue
E unë kam me të pritë
Si një ujk kam me të pre në fyt
Dhe as nga gëzimi s’ke me vdekë
Bota kanë m’e mësue
Njëherë e mirë
Njeri s’ka tagër m’i nda
Ata që i bashkon Zoti
(Prishtinë, më 6 dhjetor 2010)
XXI
Ajo është evgjitja ime
Zot, krejt cigane është
Të ishte e mbuluar me prush
Më lehtë do ta kisha
Do të bëhesha gjarpër zjarr i ftohtë
Dhe do t’i lidhesha për shtat
Zot, ajo është cigane
Flakët e saj të bardha
Më ndajnë shpesh frymën
E unë s’mund t’ua mbathë këmbëve
Që m’u kanë prerë në gjunjë
Nuk di si të shpëtoj
Kur dua të zhytem poshtë e më poshtë
Në thellësitë e saj dritë të errëta
Zot, ajo është cigane
Më rrotullon në majë të gishtit
Si një thikë të mprehtë të gjatë
Dhe më hedh në hapësi të tjera
Që vetëm ajo i di
Zot, mos më ngarko
Le të më bëjë shkrumb e hi
Si cigane që është
(Prishtinë, më 8 dhjetor 2010)
XXII
Ajo nuk do
Të muroset në kala
As unë nuk dua
Të pikojë gjiri i saj
Fiskajë nga shkëmbinjtë
Jo nuk dua
Ajo nuk do
Të muroset në urë
As unë nuk dua
Do të shtrihem breg më breg
Le të shkelin mbi mua
Ajo nuk do
Të bëjnë me gisht drejt saj
As unë nuk dua
Le të na djegë zjarri të gjallë
Agimi le të çelë dhe pa mua
Ajo nuk do
Të dalë nga ky hon i errët
As unë nuk dua
Dita le të na zbardhë
Të bërë varrë
Ja këtë dua
Ajo nuk do
Të vdesim ende
As unë nuk dua
Zot, bëj të shkruhen
Histori ngjethëse dashurie
Pa të dhe pa mua
(Prishtinë, më 9 dhjetor 2010)
XXIII
Vjen vjedhurazi si vjedull
Ma luan dhenë nën këmbë
Derën e nxjerr gojësh
Dhe me kërcënon:
Pse të është tharë pena
Ti më përdor si kallamar
Zot, ktheje në rrugën tënde
Ajo nuk është me mend
Legjione djajsh
I kanë pushtuar trupin
Legjione djajsh
I kanë dëbuar shpirtin
Shumë shpejt do na bëjë gropën
Ka mall të bëhemi me baltë
(Pi gjakun tim
Të kthyer në verë
Ha korpin tim
Të kthyer në bukë
Nuk di ç’do tjetër)
Zot, krejt është verbuar
Po s’na dhe dorën
Do shembemi në humnerë
(Prishtinë, më 11 dhjetor 2010)
XXIV
Zot, ajo ka zënë të dyshojë
Nuk besoi se u ringjall
Edhe kur doli nga varri
Kishte harruar të hidhej përpjetë
Të merrte frymë thellë
Unë të falem
Nga toka në qiell
Pse më ktheve në këtë jetë
Pse nuk më le të shkoja në Graz
Graz ka vënë shajkaçën në krye
Ka marrë thikën në gojë
Si një çetnik
Graz moti ka vdekur
Është vetëm hija e tij
Që tmerron fëmijët në bark
Zot, bëje të vijë në vete
Të ketë sy me pa diellin
Dhe mbushja mendjen
Unë jam këtu në Prishtinë
Unë jam me të
(Prishtinë, më 13 dhjetor 2010)
XXV
Ajo ka shumë diell lëbyrës
Dhe pak borë, shumë pak
Si kjo e mërkurë dhjetori në Prishtinë
Me të shkuar ajo
Bora prapë ka me ra
Dhe dielli s’ka me dalë
Si këtë të enjte dhjetori
Unë kam me ditë
Kur ka me ardhë përsëri
Prapë ka me pasë shumë diell
Dhe pak borë, shumë pak
Ajo gënjehet se po largohet
Çdo hap që bën
Hyn më shumë tek unë
Një ditë ka me mësue
As nga trupi im i vdekur
S’ka me mundë m’u nda
Zot, jepi forcë
Mos m’u frikësue
(Prishtinë, më 16 dhjetor 2010)
XXVI
Tash po e shoh
Sa pisk e kam
Ajo e ka jetën time në dorë
Me dashtë më fal
Me dashtë më mbyt
Ky mall është
Majë që nuk shihet
Dhe gropë që nuk ka fund
Është ky
Zot, vetëm Ti
Ke fuqi me na shpëtue
Ajo nuk ma kthen shpinën
As para ujit, as para zjarrit
As Caesarin vë në vesh
Le të bëhen tokë e qiell bashkë
S’kemi m’u ndalë
Dhe në vdekje s’kemi me pra
Me këndue
Zot, na beko
Na mbulo me hirin Tënd
Jemi vetë Fryma Jote
(Prishtinë, më 17 dhjetor 2010)
XXVII
Sa herë jam gati
Me shkelë në çmendinë
Ajo shfaqet papritur
Si një diell i padukshëm
Dhe më thotë:
Ti që ke shpirtin e zgalemit
Këto rrëmbimet
si furtunë në behar,
ja këto ke ti!
Kur qielli im nxin resh
Dhe merr me m’u shembë mbi
Ajo bëhet stuhi
Dhe e bën të paqtë si loti
Ajo është Bhagavad Gita
Është Bibla është Kurani
Dhe djepi dhe varri im është
Zot, mos ma luaj fenë
Mos lejo m’u tundue
Me dalë bese
Me më dënue si një tradhtar
(Prishtinë, më 19 dhjetor 2010)
XXVIII
S’bën me rrejtë më
Kam m’i kallëzue fije e për pe
Nuk mundem
Pa t’i rrokur flokët
Pa ta marrë kryet në gji
Pa të shtrënguar fort
Nuk mundem
Pa të lëpirë veshët qafën
Pa të kafshuar buzët mjekrën
Nuk mundem
Pa t’i marrë sisët në gojë
Pa t’i thithur si foshnjë
Nuk mundem
Pa të shtruar
Pa të bërë tokë
Nuk mundem
Me këputë këtë ëndërr
Me këputë këtë ëndërr
Është si me gjuejtë Zotin me gurë
Nuk mundem
Pa i futur në vargje
Sytë e saj të mëdhenj
Zjarrin e saj të fshehtë
Zot i Madh
Krejt kam m’i kallëzue
Lakuriq kam me dalë para saj
Si para Teje
Nuk kam me fshehë asgjë
Zotynë që je një
Ti mos më ndëshko
Në këtë pasqyrë rrëfimi
Kam me folë me yjet për Të
Kam m’u lutë çdo ditë
Me marrë vesh një herë
Nuk mundem pa të
Nuk mundem dhe pikë
(Prishtinë, më 21 dhjetor 2010)
XXIX
Kam m’i folë një ditë rëndë
Pse më ka lënë shpesh vetëm
Pse kam qenë vetë i njëqindti
Kam me qortue idhët
Pse nuk e shtynte bjeshkën
Me ardhë tek unë
Send s’kam me lanë pa i thënë
Kam m’i thanë se nuk ka zemër
Se më ka lidhur keq për vete
Nuk di kur jam ajo
Nuk di kur jam unë
Kam m’i lypë me më dalë lëkure
Kam m’i lypë m’i hy nën lëkurë
Me pa dhe ajo
Se nuk është aq lehtë
Ka me pa ajo
Kush jam unë
Ka m’u pendue
Pse më ka lënë të gjallë
Bëhet se nuk e di
Që më janë verbuar sytë
Me pa ngat
Shtihet se nuk e ndien
Si thahet zemra
Si këputet shpirti
Send s’kam me lanë pa i thënë
Nëse mundem me çelë gojën
Kur kam me pa prapë
Cok ka m’u pendue
Pse më ka lënë të gjallë
Zot, ktheja mendjen
Dhe lidhe fort për mua
Unë nuk dua tjetër
(Prishtinë, më 23 dhjetor 2010)
XXX
Pa zbardhur mirë dita
Ka me shkue në Kukës
Me gjetë barin e harrimit
Këtë të shtunë
Gjithçka kam me harrue
As emrin tim s’kam me ditë
Të dielën kam m’u la
Me ujë të pavdekshëm
Kam m’u ngjallë krejt i ri
Ti ke me më pa
Por s’ke me më njoftë
Edhe shenjat e plagëve
S’ke m’i besue
Unë s’kam me ecë më
Kam me fluturue
Ke me ikë prej meje
Si prej dreqit
Por s’ki me pasë ku m’u fshehë
Kam me qenë krejt prej drite
Një njollë kund s’kam me pasë
Ti ke m’u tmerrue
Kur ta shohësh engjëllin në mua
Ke me ra në gjunjë
Dhe ke me më lypë mëshirë
E unë Zotin kam me lutë
Me t’i falë mëkatet
(Prishtinë, më 25 dhjetor 2010)
XXXI
Ajo më do
Edhe këtu
Poshtë
Në fund
Të ferrit
Të gjithë e shohin
Si zbret nga lartësitë
Dhe vjen e struket
Në gjirin tim
Në gjirin tim
Që merr e zien
Ajo s’e ka frikë
Tiranin Th
Që mund ta rrëzojë në qiell
Me një shigjetë
Ajo nuk i trembet
Tiranit S
Që mund ta vrasë
Me një plumb
Aq i bën për Merkën
Dhe dorën e saj të gjatë
Që kur të dojë
Mund të na futë në grusht
Ajo i urren tiranët
Ajo e do lirinë
Dhe mua këtu
Poshtë
Në fund
Të ferrit
(Prishtinë, më 26 dhjetor 2010)
XXXII
Lavdí Zotit
Që s’më la
Me dalë m’u tretë
Lavdí Zotit
Që më ktheu në vete
Me sytë e saj të mëdhenj
Lavdí Zotit
Që më fali
Duart e saj të sedefta
Lavdí Zotit
Që më mbushi zemrën
Me dashni
Lavdí Zotit
Që më solli
Në mbretërinë e saj
Lavdí Zotit
Që nuk mora malin
Që nuk provova burgun
Thellë atje nën dhé
Lavdí Perëndisë
Që s’më nërkëmbi
Dorë e këmbë perandori
Lavdí dhe orës dhe ditës
Që e takova
Ashtu të ngrohtë
Prej drite dhe zjarri
Lavdí së shtunës
Ditës së madhërishme të Saturinit
Lavdí…
(Prishtinë, më 29 dhejtor 2010)
XXXIII
Zot, pikë-pikë
po më shteron gjaku
Dhe pikë e fundit
Le të derdhet
Mua aq më bën
Po na kërcënojnë, Zot
Duan me na nxjerrë në gjyq
Me na vjerrë në litar
Fali, o Zot
Nuk e dinë ç’është me vuejtë
Nuk e dinë ç’është me dashtë
Vdekja është fytyra tjetër e dashnisë
Nuk kanë me mësue kurrë
Ata që nuk i preku dora Jote
Zot, ki mëshirë për dashninë tonë
Ajo është drita dhe rruga është
Deri te mbretëria Jote
Prej malli dhe dashurie
Ani, mua më merr
Ajo le të jetojë
(Prishtinë, më 31 dhjetor 2010)
XXXIV
Sa ftohtë e kam pa ty
Sa ftohtë
Dimri rus më ka hyrë në dhomë
Kam frikë ka me më mundë
Si Napolonin si Hitlerin
Sa terr e kam pa ty
Sa terr
Si këtu poshtë në gropë të varrit
Kam drojë s’kam me dalë
Në Shëngjergj
Errët është shumë errët
Nuk shoh gjë
Me ma futë gishtin në sy
Zot, ti ke me m’i ruejtë mendtë
Ke me ma kthye diellin në kraharor
Ke me ba me mundë dimrin rus
Me dalë në Shëngjergj
Nga kjo gropë e ftohtë e errët
Unë kam ardhur në skaj
S’kam ku mbahem më
Po ma heqin palcën
Po ma shkoqin zemrën
Ti ke fuqi, të lutem
Ose më merr vetëm mua
Ose më lër bashkë me të
(Prishtinë, 2 janar 2010)
XXXV
Ajo luan në mes dy zjarresh
Sikur kur ishte fëmijë
Flakë e zezë i lëpin
Këmbët gjunjët kofshët
Flakë e verdhë i merr
Gjinjtë zemrën qafën
Janë shumë që duan ta qëllojnë
Janë shumë që duan ta djegin
Sa shpëton nga të parët
E dejgin të dytët
Po fytyrë e saj
Fytyrë e saj është e njomë
Sikur kur del nga uji
Një ditë do të lodhet
Në këtë lojë mes dy zjarresh
Flakë e zezë do të rritet shumë
Do t’i marrë krejt trupin
Dhe fytyrë e saj s’do të jetë
Sikur e dalë nga uji
Zot, hidhi shumë akuj
Dhe ma ruaj
Kështu të njomë plot zjarr
Paçka se flakë e verdhë
Të tërën do ta marrë
(Prishtinë, më 6 dhjetor 2010)
XXXVI
Fytyrë e saj merr dritë
Sa herë marrë plagë në beteja
Nuk dua të shërohem
Nga gjuhë e saj farmak
I dua dhëmbët e saj plot helm
Qe ku më ke
I them shpesh
Më ha të gjallë
Më ha të tërin
Fytyrë e saj bën dritë
Kur jam larg betejash
Kur fjalët më marrin
Dhe mendjen dhe zemrën
Dhe sytë
Nuk e ka lehtë as Ajo
Me një që i digjet hiri
Që e lëshon zemrën aq shumë
Në fjalët e ajërta
(Prishtinë, më 17 mars 2011)
XXXVII
Ajo është një flakë
Që vallëzon rreth meje
Një flakë që djeg e s’përcëllon
Ajo është fryma që marr
Është buka që ha
Është uji, është vera që pi
T’i nxjerr zemrën në shuplakë
Prapë nuk më beson
Se u truhem çdo çast
Syve të saj të mëdhenj
Duarve të saj të sedefta
Ajo e ka frikë shumë
Një burrë-fëmijë si unë
As për Ditë të Verës
Nuk vishet me hënë
Nuk mbathet me erë
Nuk di si ta gjej
Fshehur në errësirë
Diellin e saj rrëzëllues
Zoti ynë
Është shumë e patënzonë
Ktheje në fytyrën tënde
Po të lutem shumë
(Prishtinë, më 18 mars 2011)
XXXVIII
Ajo nuk është me mend
Shenjat janë
I ka pirë sorra mendtë krejt
Më akuzon se ia dredh
Me mashtruesen
Perëndeshë të luleve
E më mban nën shtatë dryna
E më ka krejt brenda
Në thellësitë e shpirtit të saj
Lehtë e ka
E di se më lë mendja
Dhe shpirtin lë
Si një i ri i Tiranës
Mund të lahem krejt në gjak
Po të mundja
Nuk do ta doja më kurrë
E bardhë shumë
Është mendje e saj e zezë
E mendja do të merrte fushat
Dhe malet do të merrte
Po të mos ishte në vargonjtë e saj
Nuk është me mend
Kur më pret kështu në thika
Për mashtruesen Perëndeshë të luleve
E unë e dua
E unë dehem
Vetëm në dritën e saj
Zot, më shpëto këtë herë
Të mos më dalin mendtë prej kresë
(Prishtinë, më 23 janar 2011)
XXXIX
Ajo ka me ardhë
Me më çue nga shtrati i vdekjes
Si në poezinë e Fishtës
Deti ka m’u dyndë tallazi
Qielli ka m’u trandë rrufesh
Derisa të enden stina e moti
Atë kam me pasë mbi krye
Si një rrufe zhgjetare
Ka me ma prapsë lëngatën
Dhe hijen e vdekjes ka me djegë
Si bijë
E të Bukurit të Qiejve
Ajo di me ba mrekulli
Di m’i lidhë grykën errësisë
Di m’i hapë udhë dritës
Mjerë ju që nuk e keni parë
Stuhinë që përndan retë
Dorën e butë mbi ballë
Që shuan zjarr e mall
Ajo ka me ardhë
Me më çue nga shtrati i vdekjes
Si në poezinë e Fishtës
Deti ka m’u dyndë tallazi
Qielli ka m’u trandë rrufesh
(Prishtinë, më 19 shkurt 2011)
XL
I verbuar nga dritë e saj
Një ditë
Do t’i ha kryet
Ajo shemb mure
Çel shtigje shkëmbinjve
Të vij tek unë
Me kokë në trastë
E di shumë mirë
Mungesë e saj
Më çmerit
Dhe mirë shumë e di
Jam unë
Ai që po mbytet
Dhe mund ta marr
Me vete në greminë
Ajo është një stuhi
Dhe një puhi është
Që më rrëmben lehtë
Nga kthetrat e vdekjes
Zot
Le të jetë fundi ynë
Dy skelete që duhen
(Prishtënë, më 19 mars 2011)
XLII
Nëse e di Zotin
Të lutem, mos më lër
(Se jam një vrasës i pashpirt
Kjo shihet në dritë të hënës)
Pse më vrau fjala jote
Gjarpër e ftohtë
Pse më mundi vetmia
Dhe mora ujët e detit
Të lutem, mos më lër
Kujto
Si dolëm fitues mbi bishat
Sa lehtë i ngjitëm yjet
Të lutem, mos më lër
Edhe nëse verbohem sysh
Nëse shurdhohem veshësh
Dhe vurratat e djallit
Më mbesin gjatë në trup
Të lutem, mos më lër
Edhe po nuk lindi dielli
Dhe hëna po nuk rrezoi
Nuk pritet gjë e mirë
Nga një vrasës si unë
Të lutem, mos më lër
Nëse tërmeti e shemb prapë Dardaninë
Dashuri jona do jetojë mbi gërmadha
Si një shpirt i mirë
Të lutem, mos më lër
Unë jam krejt i humbur
Pa sytë e tu të mëdhenj
Çudi
Si nuk po e merr vesh
Se unë jam një vrasës dashurish
Një vrasës i pashpirt
Kur kjo shihet në dritë të hënës
(Prishtinë, 27 mars 2011)
XLII
Ajo është një det i qetë
Mbytur në ëndërrime të kaltra
Unë jam ai tufani
Që shtjellë-shtjellë i merr kërthizën
Dhe e nxjerr nga shtrati
Dhe e përplas në shkëmbinj
Ajo nuk e sheh se ç’po bëj
Si po hap një gji të thellë të thellë
Ta përpij të tërën brenda
Dhe zgjohet valë-valë
Nga prekja ime
Dhe kreshpërohet
Nga zjarri im përcëllues
Dikur e shoh se dal i mashtruar
Ajo më hap gjirin thellë-thellë
Dhe vjen e më struket brenda
Si një zonjë e rëndë
Kot pres të vijë vjeshta
Me burjet me furjet e saj
Ajo e ka bërë pranverë ngado
Dhe e ledhaton vetëm puhiza
Kot lutem
Zot bëj ta zgjoj peshë përsëri
Të mos dijë ku ka kryet ku këmbët
Ajo e ka marrë veten
Dhe fle qetë-qetë
E mbytur në ëndërrime të kaltra
(Prishtinë, më 28 mars 2011)
XLIII
Ai çast
Ai bir bushtre
Deshi të na tundonte
Si djalli në shkretëtirë
Ai çast
Ai zemërvrasës
Deshi të çante likpërmjet
Përjetësinë e mbyllur në kristale
Ai çast
Që ishte i verbër si një Homer
S’kishte si të shihte
Se gjilpëra
S’mund të zinte vend
Mes nesh
Ai s’kishte si ta dinte
Se ne duheshim në gjumë
Njësoj si të zgjuar
Zot mallkoje
Atë çast të verbër
Atë bir bushtre
Të betohem
Janë lotët e saj
Që e ruajnë nga çdo e ligë
Mbretërinë e mallit tonë
(Prishtinë, më 31 mars 2011)
XLIV
Zot, lutem të jetë nesër
Takimi D
I vërshuar i mbytur dashurie
Lutem
Të ketë shumë diell
Dhe qiell të kulluar
Të fluturojnë shpirtrat tanë
Të patrembur nga hijet
Le të më hajë kjo vjershë
Gjysmën e zemrës
Dhe sytë le të m’i marrë
Dua ta dëgjoj tingëllimën e saj
Derisa të vdes
Zot
Tash, që pushoi stuhia
Dhe erërat më nuk ulërijnë
Le të nisë nesër
Dhe le të zgjasë
Deri te Ti
Një ditë e vërshuar
E mbytur dashurie
(Prishtinë, më 6 prill 2011)
XLV
Ajo di çdo gjë për mua
Por nuk flet
E di se vjershëtori në mua
Vuan të jetë një Adonis
Që lind-vdes-rilind
Ajo çdo ditë
Bëhet një femër tjetër
Pas së cilës lë mendjen
Thërras Zotin në ndihmë
Ajo di çdo gjë për mua
Por nuk flet
E di se më ka shigjetuar Kupidi
Dhe lehtë mundem me vdekë
Nuk lodhet pse një stinë
Mundet me më pasë
Hyjneshë e territ
Ajo di çdo gjë për mua
Por hesht me shumë zhurmë
E di se ka me më plague
Derri i egër
Dhe s’kam m’u ngjallë më
Ti i Bukuri i Qiejve
Mos i prish fytyrën
Kur të jap frymë
Në krahët e saj
(Prishtinë, 8 prill 2011)
XLVI
Ti m’i mbyll dyert me jashtë
T’i m’i hap dyert me brenda
Si çdo pushtues dhe ti
Më more lirinë
Ti më ke përthithur
Si nata dritën
Kur m’i mbyll portat
Dhe ikën larg
Unë vuaj urie thahem eti
Se ti je buka
Dhe uji je ti
Me të rënë muzgu
Ti patjetër hap portat
Muga e mallit të hyjë brenda
Si një qiri që digjet në erë
Ti e Papërlyera Virgjën
Mos e lër
T’i hapë portat
Pa zbardhur mirë dita
(Prishtinë, më 10 prill 2011)
XLVII
Ti bëre të më hapen sytë
Si një foshnjë
Të shoh botën me habi
Ti bëre të më vijë zëri
Të më ngjitë fjala
Të më vrasë mendimi
Ti bëre të mos i lakmoj shpesët
Të marr krahë të rrok majat
I dehur nga lartësitë
Të mos zbres më poshtë në tokë
Ti bëre të më mbyllen plagët
Të zgjohem lehtë nga shtrati
Të hap dritaret
Të marr frymë thellë
Ti bëre të kaloj në ty
I ëndërrt si liria
Ti që më bëre krejt tjetër
Bëj të jem i mallkuar
Po dola një ditë nga kjo rrugë
(Prishtinë, 19 prill 2011)
XLVIII
Unë jam Hëna
Në netët e saj të errëta
Jam ai që i marr frymën
Dhe ai që i jap jetën jam
Mirë që ajo s’di gjë
Për zorrët në prush
Për detin që nxin stuhish
Sa herë merr e largohet
Në dhomën me shpirt
Ajo ka frikë kur hapet vetë dera
Kur një shuk i portokalltë drite
Na rri mbi si një engjëll
E trembur
Ajo më bën
Të pi ujë me lugë
Dhe unë
Të pijë ujë me lugë e bëj
Zot, ne që po duam
T’i marrim shpirtin njëri-tjetrit
Të lutem na shpëto
(Pashkët, Prishtinë 2011)
XLIX
Kam me këputë një copë qiell
Me mbështjellë dashninë tonë
Me ruejtë nga Sy i Keq
Ka me qenë e diel
Ditë e Madhe e Zotit
Kur kam me fshehë thellë nën dhé
Kanë me marrë vesh shpejt
Se është gjaku ynë
Kur kanë me çelë lulëkuqet
Në tokën e zezë
Dashninë dhe vdekjen
Kanë m’i pa bashkë
Syshkruar flokëzez
Ti ke m’u hapë fushave
Si vetë Frymë e Zotit
Ti
Shoqe
Mike
Motër
Ke me m’u ngulë thikë në zemër
Kush s’ka me ditë
Pse e kam la me lot
Këtë ditë maji
Mbështjellë me një copë qiell
Zot na ruaj
Nga njerëzit në tokë
(Prishtinë, më 1 maj 2011)
L
Kur në të çel dashuria
Asht ngjitur nuk më lë
Qetësi yjesh
Duhet me reshë
Me m’u kthye eshtrat në vend
Portret i saj jam unë
Ajo është Dorian Gray
Kur në mua çel dashuria
Unë zbres poshtë
Marr një copë nga ferri
Dhe e djeg të gjallë
Vurratat e djallit
I shihen kudo
Portret imi është ajo
Unë jam Dorian Gray
Zot, ti e di si
Bëj të plakemi
E të mbesim të rinj
(Prishtinë, më 12 maj 2011)
LI
Ajo më thuri me fijet e shpirtit
Më hoqi pezhishkat
Më largoi pluhurin
Si një dhomë të pabanuar
Më mbushi me frymë
Më ushqeu me thërrimet e shpirtit
Si një të dalë nga një grevë e gjatë urie
Më ktheu përsëri në fenë
Bota nuk është e pashpirt
Bota banohet aty-këtu nga engjëjt
Foshnjë që vjen në jetë
Ngarend t’i rrijë pranë
Të mos ketë frikë
Kur të dalë nga errësira në dritë
Drita është Perëndi e saj
E dua kur djersin
Duke më nxjerrë nga balta
Ku bota më tërheq me forcë
E dua edhe kur dritë e saj
M’i vranë sytë
Zot, mos lejo ta harroj
Edhe nëse një ditë më kthen shpinën
E lodhur nga errësira që më rrethon
(Prishtinë, më 12 korrik 2011)
LII
Nuk mund t’i bëj ballë
Fytyrës së saj të përlotur
Basi im
Bëj të më merret dora
Kur dua ta përkëdhel
Mbyllma gojën me dry
Kur dua ta puth
E di se s’mund të më lërë
Kështu në baltë
Duar-e-kokëprerë
Ajo nuk e sheh
Nuk jam unë vala që e njom
As dielli që e than
Jam në fund të rrugës
Nuk mund të kthehem më prapa
Ajo rrehet se e ka çelësin
Për të më kthyer në jetë
Për të më shpëtuar nga ky moçal
Zot, hiqe meje
Para se të më marrë shpirtin
Fytyrë e saj e rrëzuar në shuplakë
Është fundi im
(Prishtinë, 25 gusht 2011)
LUTJA E FUNDIT LIII
Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash kur kaluam matanë dashnisë
Nuk e sheh se lodhja vdekja
Më zënë pritë në çdo hap
Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash që po më murosin të gjallë
Hijet e ethshme për gjak
T’i lus me ma lanë njërin sy
Me të shikue kur ke me ardhë
Veshur në të zeza
T’i lus me ma lanë njërën dorë
Me t’i përkëdhel flokët ngjyrëgruri
Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash, kur fundi po më afrohet
Si një qen i çartur
Po m’i skërmit dhëmbët
Ç’të bëjmë tash, e dashur
Të bëjmë atë që s’mund të bëhet
Të lutem
Udhë tjetër nuk ka.
Komentet