Si sot një javë më parë, ndërsa po flisja në viber me një miken time në SHBA, më kërkoi në messanger Teuta, vajza e tezes. I dërgova mesazh se do ta merrja më vonë. Tezja ime e vetme jetonte me vajzën e dytë dhe familjen e saj, ndërsa dy vajzat e tjera i ka jashtë Atdheut, e vogla në Shtetet e Bashkuara, e madhja në Suedi. Vajza e dytë mësuese, gjeti punë si edukatore kopshti në Tiranë dhe, dy vjet më parë, lanë Bilishtin për t’u vendosur në kryeqytetin e stërpopulluar. Teska, kështu e thërrisja, e priti me dëshirë kthimin në Tiranë, ku kish studiuar në Institutin Pedagogjik dhe më pas kishte jetuar me gjyshen deri kur u martua me Xhaxhi Muharremin dhe e la Tiranën për Stravaj, një fshat i thellë malor në rrethin e Librazhdit, ku të dy bashkë me të shoqin jepnin mësim në shkollën e fshatit dhe aty rritën tri vajzat e tyre.
Një herë të vetme shkuam i vizituam të dyja me mamin. Unë sapo kisha mbaruar maturën. Jetonin në një shtëpizë të vogël fshati me dy kthina. Tek dhoma e madhe ku rrinin ishte një sobë me këmbë të ngritura si mobilje, që në dimër rrinte ndezur ditën e natën sepse në Stravaj dimri ishte shumë i ftohtë. Aty Teska piqte lakrorë, ndërsa poshtë sobës dukej një mal i vogël me arra të shpërndara nëpër dysheme, që Xhaxhi Muharremi e mbushte rregullisht, sepse tri vajzat e vogla ishin mësuar t’i thyenin e t’i hanin. Arra na sillnin edhe ne çdo vit sa herë që vinin në Tiranë, se në Stravaj bëheshin shumë dhe ishin shumë të mira.
Jeta në Stravaj ishte vajmedet. Pa asnjë kusht jetese. Për të larë teshat, Teska shkonte tek një burim, ku Xhaxhi Muharremi kishte rregulluar disa rrasa guri për t’i fërkuar. Aty Teska i lante rrobat në vjeshtë, dimër dhe pranverë, pasi verën e kalonin në Bilisht, në vendlindjen e Xhaxhi Muharremit. Shtëpiza qendronte mes vetmisë së pyllit. Shtëpi të tjera për rreth nuk dukeshin gjëkund. Të dyja me mamin, prej asaj që pamë me sy, kuptuam se çfarë hiqte Teska e Xhaxhi Muharremi. Por Teska nuk ishte ankuar kurrë, edhe sepse ime më i ishte lutur që të mos e linin Tiranën, pasi si e pashaportizuar ajo kishte mundësi të tërhiqte Xhaxhi Muharremin. Nuk kishte pranuar se Teska ime kishte kokën e saj.
Shkolla ku jepnin mësim të dy, burrë e grua, ishte shumë larg dhe rruga kalonte nëpër pyll. Këtë rrugë e bëmë edhe ne disa herë ato pak ditë sa qendruam. Të trija vajzat e vogla, që kishin lindur njëra pas tjetrës prej 1971 deri më 1974, kalonin me orë të tëra vetëm në atë që shtëpi i thënçin. Teska dhe Xhaxhi Muharremi rrinin me gjak të ngrirë kur jepnin mësim. Pastaj bindnin veten se tri çupkat i mbronin ëngjëjt. Dhe ëngjëjt i mbronin vërtetë. Dikur u ndërtua një pallat afër shkollës në qendrën e fshatit dhe familja u vendos aty. Jeta e familjes u përmirësua, por me rritjen e vajzave sipari i vështirësive u ngrit rishtas, se në Stravaj kishte vetëm shkollë 8 vjeçare.
Kur ndodhën ndryshimet e regjimit, familja ishte vendosur në Bilisht. Pastaj, me kohë, tri vajzat mbaruan shkollat, u martuan, krijuan familjet e tyre, lindën fëmijët dhe Teska e Xhaxhi Muharremi i gëzonin ato me nipat e mbesat deri kur një ditë tek ne në Zvicër ra zilja e telefonit. Xhaxhi Muharremit i kishte pushuar zemra tak-fak në mes të rrugës. Sa ishte lodhur në jetë Xhaxhi Muharremi, ai e dinte, sepse biografia e keqe e kishte degdisur mësues deri në Stravaj. Gjithë jetën nuk kishte pushuar. Ishte një bashkëshort dhe baba i shkëlqyer, që u përkujdes në kushte shumë të vështira për tri vajzat të vijonin shkollimin. Për shembull Marjana, vajza e madhe shkollën e mesme e kreu në Vlorë. Xhaxhi Muharremi shkonte në Vlorë rregullisht. Nga Stravaj deri në Librazhd lëvizja bëhej zakonisht nëpër kamionët e mëdhenj që transportonin trungje drush nga pyjet e pafund që priteshin e sharroheshin dhe mbeteshin prapë për t’u sharruar. Pastaj rruga vijonte nga Librazhdi në Vlorë e kthim, dimër, vjeshtë e pranverë.
Gjyshja dhe gjyshi im nga mami patën katër fëmijë. Dy djem dhe dy vajza. Fëmijët e Gani Pretushës ose Mr.Ganes, si e thërrisnin në Pogradec dhe Safije Starovës. E thërrisnin Mr.Gane sepse emigroi në Amerikë në vitin 1907 kur ishte adoleshent. U vendos afër Detroitit, në shtetin e Miçiganit, atje ku Henri Ford posa kishte themeluar Ford Motor Company. Gjyshi ishte anëtar i Vatrës, njihte Fan Nolin dhe paguante kuotizacionin e shoqatës. Në vitin 1919 kthehet në Pogradec të martohet me një vajzë shqiptare, gjyshen time, të bijën e Abdullah Starovës, nga një familje me emër dhe shumë e pasur në Pogradec. Abdullah Starova kishte qenë ish zyrtar i lartë i perandorisë turke, prefekt dhe shef i xhandarmërisë në Sarajevë. Pronë e tij ishte edhe gjithë Driloni i sotshëm, por që ende nuk e kemi trashëguar ne pasardhësit e bijve të bijve të tij. Abdullai ishte vëllai i madh i Sulejman Starovës, disa herë ministër financash në qeveri të ndryshme pas krijimit të shtetit shqiptar dhe i Yzeirit, gjyshi i kuartetit të vëllezerve artistë Darova. Mr.Gane shkoi në Pogradec të martohej dhe të kthehej me nusen në Amerikë ku kishte hapur biznesin dhe kishte zënë pasurinë. Por në Amerikë nuk u kthye dot. Në Pogradec lindën katër fëmijët e tyre. Të bukur yje dhe më të mirët e botës. Kështu thonë të gjithë ata që i kanë njohur. I pari që u largua nga kjo botë ishte Dajo Gaferi, në moshën 64 vjeçare, pastaj Dajo Fatmiri, pastaj Lili, ime më. E fundit e fëmijëve të Mr.Ganes dhe zonjës Safije ishte teze Bukurija ose Teska, si i thërrisja unë deri një ditë më parë. Se Teska ime tani nuk është më.
Iku sa hap e mbyll sytë, duke na shokuar e tronditur të gjithëve ne njerëzit e saj më të afërt, të shpërndarë nëpër botë si pëllumba në kërkim të paqes.
Përpara një jave, kur ra zilja e celularit dhe pashë se më kërkonte Teuta, ndërsa unë po flisja në viber, mendova se Teskën e kishte marrë malli për mua. Flisnim përmes messanger-it. Një moment e largova mendjen nga telefonata e Teutës, por pastaj u kujtova dhe i rashë ziles menjëherë. Meqë nuk po më përgjigjej, i telefonova mbeskës së Teskës, Adelës. Sapo e hapi telefonin më tha menjëherë se Nëna ka disa ditë që nuk ha ushqim, vetëm pi ujë dhe pak lëngje, duke e kthyer kamerën e celularit nga Teska e shtrirë në shtrat. U preva në çast. U trondita, u shemba. Fillova të bëj pyetje, njëra pas tjetrës, po si nuk ha, po përse nuk ha, po çfarë ka ndodhur, po çfarë i dhemb, po si është e mundur? Teuta dhe Adelka më thanë shkurt se Teska nuk pranon të hajë. Në sekondë m’u kujtua koha kur im atë papritmas ra në depresion dhe refuzonte ushqimin dhe sa mundohej Mami duke e mëkuar si të ishte fëmijë. Ideja e vdekjes m’u faneps dhe më tmerroi. E largova tutje mendimin se vdekja kishte ardhur për të marrë Teskën time. Fillova që t’i lutem e përgjërohem. Ajo ishte fare e qetë, nuk dukej e sëmurë, ngjante si në ditët e shkuara kur kishim folur dhe ishim parë përmes telefonit, vetëm kishte një ngjyrë pakëz të verdhë, pasi kishte rreth një javë pa ngrënë. Mendjen e kishte top dhe kishte ende energjinë e një njeriu normal, faleminderit Zotit nuk kishte asnjë dhimbje. Fillova të ngashërehem, megjithëse pa zhurmë po gulçi i shurdhët e trembi Prizrenin që erdhi menjëherë nga dhoma e tij, Endriti kishte dalë me shokët, ndërsa Skënderi edhe ai i tronditur më shtrëngonte dorën e lirë, teksa të dy shihnim e dëgjonim Teskën e vendosur për të vdekur. “Unë e kam jetuar jetën”, më thosh. “Jam 83 vjeç. Ka ardhur koha të vdes. Ju mos u mërzisni.” Mua po më plaste shpirti. Teska ime njihej në fis për vendimet e saj, që kur i merrte, nuk hiqte dorë prej tyre. Teuta dhe Adelka më tregonin se Teska nuk ua dëgjonte lutjet dhe se nuk ua pranonte ushqimin. Unë pyesja veten se çfarë u thye në shpirtin e Teskës time, që hoqi dorë prej jetës, ashtu pa provuar asnjë dhimbje fizike. Nuk kam biseduar ende me Teutën dhe Adelën që t’i pyes me hollësi. Nuk kam ende fuqi ta bëj. E mbaj dhimbjen për veten time. Ndofta kishte vështirësi në fyt, më tha vajza e dajës së madh, Moza.
Si sonte një javë më parë, si tani në mbrëmje, fola gjatë me Teskën. Ajo më qeshte dhe më bindte se vendimi i saj ishte i drejtë, sikur do të shkonte për banim në ndonjë qytet tjetër, jo në botën e përtejme. Unë kisha marrë fund. Ajo pamje nuk më shqitet më nga sytë.
Më në fund, biseda jonë duhej të mbaronte. Filluam të putheshim. Distanca ishte zhdukur. Unë e afroja telefonin tek faqja e saj dhe e puthja, ajo më dërgonte të puthura me dorë, nuk lodhej duke më dërguar të puthura me dorë, deri sa dikur Teuta i tha, po mjaft mama, se u lodhe.
Dhe kështu u ndamë të dyja përgjithmonë, për të mos u parë më në këtë botë. Nuk munda më ta merrja në telefon Teskën. Nuk kisha fuqi. Ajo ishte gjallë por unë nuk mundja t’i ktheja mendjen për ta ndalur nga rruga që kishte marrë. Nuk kisha asnjë mundësi nga Zvicra. Nuk kam parë njeri në këtë botë që të shkojë drejt vdekjes me atë qetësi dhe vullnetplotë. Ime më donte të jetonte, e donte jetën me mish e me shpirt. Im atë po ashtu, edhe në depresion. Ndërsa Teska ime shkonte drejt vdekjes sikur po e priste një jetë e re. Si ndodhi kjo përmbysje? Veçse kur folëm, si sonte një javë më parë, i thashë Teskës se do t’i lutem Mamit në Parajsë që t’ia kthente dëshirën për të ngrënë e jetuar. Lutju më tha dhe qeshi. Nuk e di se çfarë do të thoshte me atë të qeshur. Të nesërmen që i thamë lamtumirë përgjithmonë njëra-tjetrës u lidha që në mëngjes me Adelkën. Është njëlloj, më shkruajti në inbox. Kishte pirë më pak lëngje frutash se zakonisht dhe forcat i kishte me të pakta se kur folëm të dyja. Në mbrëmje u lidha përsëri me Adelkën dhe fillova t’i tregoj historitë e fëmijërisë time me Teskën. Unë shkruaja, Adelka i lexonte me zë ato që shkruaja dhe Teska qeshte. Dikur Adelka më tha se Teska nuk po qeshte më dhe kishte mbyllur sytë. Edhe unë ndala së shkruajturi.
Të gjitha ditët e kësaj jave pas lamtumirës, ndërsa jeta e Teskës po mbaronte sikur Lëkura e Shagrenit, ishin ankth fund e krye. Që më kthyen ditët kur u ndanë nga kjo jetë Babi dhe Mami. Teskës time për çdo ditë forcat i dobësoheshin. Deri sa nuk mundi më të shkonte në banjë e shoqëruar natyrisht nga e bija. E megjithatë Teska ime jetonte. Kur biseduam bashkë nuk e di sa ditë kishte që mbahej vetëm me ujë dhe lëngje. Gjatë ditëve të fundit i preu edhe lëngjet. Pinte vetëm ujë. Pastaj edhe ujin nuk po e përcillte dot më. Dhe ndërsa po gdhihej e premtja e 2 tetorit, mora mesazhin nga Adelka se Teska ime e kishte mbyllur kapitullin e kësaj jete për të hapur kapitullin e jetës tjetër.
Kisha një javë që merrja çdo ditë qetësues, sikur gjatë kohës kur u sëmur dhe u nda nga jeta Mami. Nuk desha të komunikoja me askënd. Nuk i ngushëllova vajzat. U mbylla me dhimbjen time. Kujtova gjithë kohën kur isha fëmijë dhe Teska ishte pjesë e jetës time. Të dyja me gjyshen kishin një apartament në rrugën Bardhyl, ku kam kaluar ditë të mrekullueshme të fëmijërisë. Kur shkoja aty kisha liri të plotë. Apartamenti i tyre ishte në katin e parë. Unë bëhesha aq trime sa hidhesha edhe nga dritarja për në oborr. Megjithëse një fëmijë nazeli që haja me zor, kur shkoja tek gjyshja dhe tek Teska më vinte oreksi. Tek Rruga Bardhyl ishte një treg i vogël fshatar. Gjyshja ime blinte zarzavate dhe fruta të freskëta dhe i gatuante në mënyrën e saj të jashtëzakonshme. Teska ime kishte një trup të vogël, por si skulpturë, vepër arti. Numrin e këmbës e kishte 34 dhe, kur ajo ishte në punë, unë ia provoja këpucët me taka dhe i vishja rrobat e saj. Një kohë Teska ishte librare tek Libraria ku sot ngrihet 15 katëshi. Atje më çonte ime më dhe im at rregullisht dhe Teska më jepte libra me figura për fëmijë. Libra më sillte edhe në shtëpi, libra për mua mbante që m’i lexonte edhe tek shtëpia e tyre tek Rruga Bardhyl. Edhe sot e kam parasysh apartamentin e thjeshtë ku jetonin të dyja. Në njërën nga dhomat gjyshja kishte një sënduk të madh të mbyllur me çelës. Unë bëja rrëmujë gjithë shtëpinë, por nuk e gjeta kurrë dot çelësin. Ndofta gjyshja e mbante në ndonjë xhep të rrobave që vishte. Kur lodhesha së kërkuari, sa herë që shkoja, merrja ndonjë gozhdë dhe e hidhja në vrimkën e çelësit dhe i thosha gjyshes: “E dëgjove Nënkë zhurmën si bëri “trink”. Aty ti Nënkë ke florinjtë”. Gjyshja ime dhe Teska qeshnin me të madhe. Dhe pastaj filluan ta tregonin si historinë e Lidës me sëndukun dhe florinjtë. Erdhi dita që Teska u martua dhe u largua nga Tirana. Edhe gjyshja iku tek daja i madh në Pogradec. Për mua dhe mamin ishte një trishtim i madh, se na u mbyll një derë aq e dashur. Vajzën e parë, Marjankën tezja e lindi në Tiranë. Marjana lindi shumë e vogël, premature dhe të dyja me Teskën ndejtën tek ne deri sa bebja u rrit pak dhe një ditë erdhi Xhaxhi Muharremi për t’i marrë të dyja. Nuk kaloi pak e Teska lindi Teutën. Pastaj vdiq gjyshja dhe vajzës së tretë në kujtim të Nënkës, Teska ia vuri emrin Sofi. Kur lindi Marjana, ishte tetor dhe unë fillova të mendoj se tani Teska nuk do të më donte mua më shumë, por këtë bebkën që edhe unë e desha aq fort dhe kur na ikën të tre, shtëpia m’u duk bosh.
Këto histori kam kujtuar këto dy ditë që kur Teska tani prehet pranë Xhaxhi Muharremit në Bilisht. Kujtoj se si sonte një javë më parë ajo më dërgonte të puthura pa u lodhur fare, duke më porositur që të mos mërzitem kur ajo nuk do të ishte më midis nesh!
Tezja ime kishte qenë gjithmonë një shpirt i lirë, ishte një njeri shumë i veçantë, ishte ëngjëllore, asnjëherë nuk më kishte sharë kur unë u bëja rrëmujë në shtëpinë kur jetonte me gjyshen, vetëm më përkëdhelte. Por ajo asnjëherë nuk kishte lejuar që të tjerët të merrnin vendimet në emër të saj. Kishte vendosur vetë për fatin e saj deri në momentin e fundit!
Teska ime, nuk e di nëse më sheh tani që po i shkruaj këto rradhë për ty! Fluturat nuk po shfaqen në këtë natë të ftohtë tetori. Por mua do të më mbetet kujtim i gjithë jetës se kur u ndamë bashkë, shkëmbyem plotfuqishmërisht, në atë kohë të shkurtër, dashurinë që kishim patur për njëra tjetrën gjatë gjithë jetës, duke marrë me vete gjithmonë mallin që na ndau për së gjalli!
U prehsh në Paqe Teska ime!
3 tetor 2020-2023