Izraeli është në luftë me militantët e Hamasit, tha kryeministri izraelit pas sulmeve masive të palestinezëve që u morën jetën dhjetëra izraelitëve mëngjesin e së shtunës. Perëndimi e dënoi sulmin e befasishëm të Hamasit në Izrael. Frocat e armatosura izraelite po vazhdojnë luftimet me militantë brenda Izraelit ndërsa forcat ajrore godasin objektiva të Hamasit në Rripin e Gazës. Materiali në vazhdim sjell një përmbledhje të ngjarjeve të sotme deri në momentin e publikimit të kronikës.
Militantët palestinezë në Rripin e Gazës lëshuan mijëra raketa drejt Izraelit mëngjesin e së shtunës. Sirenat e alarmit u ndezën në të gjithë vendin duke lajmëruar israelitët për sulme ajrore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është “në luftë” me militantët e Hamasit.
“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion por në luftë. Kam urdhëruar një mobilizim të gjerë të rezervistëve dhe ta kthejmë sulmin në përmasa që armiku nuk e ka parë ndonjëherë. Ne jemi në luftë dhe do ta fitojmë atë”, tha Kryeministri Netanyahu.
Gjatë një takimi me Këshillin e Sigurisë disa orë më vonë, zoti Netanyahu njoftoi për tri perparësitë e ushtrisë izraelite.
“Qëllimi ynë i parë është pastrimi i zonës nga forcat armike që kanë depërtuar dhe rivendosja e sigurisë dhe paqes në vendbanimet që u sulmuan. Objektivi i dytë është të bëjmë që armiku të paguaj një çmim të madh, përfshirë edhe Rripin e Gazës. Synimi i tretë është të forcohen zona të tjera që askush të mos gabojë që t’i bashkohet kësaj lufte”, tha ndër të tjera Kryeministri Netanyahu.
Zhurmat e raketave që shiheshin në qiell dëgjoheshin pandërprerë në Gaza dhe sirenat e alarmit mund të dëgjoheshin nga Jerusalemi deri në Tel Aviv, kryeqyteti i Izraelit, rreth 80 kilometra në veri.
Komandanti ushtarak i Hamasit, grupit që kontrollon Rripin e Gazës, njoftoi se militantët palestinezë kanë filluar një operacion të gjërë kundër Izraelit.
“Sulmet fillestare kanë vënë në shënjestër pozicionet e armikut, aeroportet e tij dhe fortifikimet ushtarake gjatë 20 minutave të para, me më shumë se 5000 raketa të lëshuara”, tha Mohammad Deif, komandanti ushtarak i Hamasit.
Shërbimet e urgjencës thonë se dhjetëra izraelitë janë vrarë dhe qindra janë plagosur gjatë sulmit të militantëve palestinezë.
Agjencitë e lajmeve kanë publikuar një mori pamjesh që tregojnë zona brenda Izraelit të përfshira nga flakët pas shpërthimit të raketave të Hamasit.
Pamjet filmike në një zonë kufitare tregojnë momentin e kapjes së një ushtari izraelit nga militantët, të cilin më pas e marrin me vete në një motoçikletë. Një një video tjetër të filmuar pranë kufirit shihet trupi i pa jetë i një viktime.
Disa orë pas fillimit të sulmit të Hamasit, militantët që kaluan kufirin vazhduan sulmet brenda disa lagjeve izraelite. Një video e filmuar nga një telefon celular tregon se si civilë izraelitë dhe individë të armatosur luftojnë me militantët palestinezë që ishin futur në një rajon policie në Sderot, një qytet izraelit rreth 2 kilometra nga kufiri me Gazën.
Pamjet filmike nga agjencia e lajmeve “Associated Press” në një zonë tjetër të këtij tregojnë viktimat izraelite në rrugë, të mbuluara me batanije.
Spitalet në Izrael po trajtojnë qindra të plagosur, përfshirë dhjetëra në gjendje kritike.
Ushtria izraelite tha se nisi sulme ajrore në Gaza, ku dëshmitarët raportuan për shpërthime të forta dhe të vrarë.
Pamjet e publikuara nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tregojnë sulme ajrore kundër objektivave të Hamasit.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se lufta po zhvillohet ndërsa forcat izraelite kanë po godasin zonën kufitare jugore.
Në Iran, i vetmi vend që e ka përkrahur sulmin e Hamasit, deputetët në parlament thirrën me zë të lartë: “Vdekje Izraelit” dhe “Palestina do të Fitojë, Izraelit do të Shkatërrohet”.
Sulmi masiv nga Hamasi e kapi Izraelin të papërgatitur. Zhvillimet e së shtunës ndodhin pikërisht në 50 vjetorin e një lufte tjetër që gjithashtu e kishte zënë Izraelin në befasi.
Lufta e vitit 1973 e çoi Izraelin në prag të një humbje katastrofike. Beteja filloi me një sulm të befasishëm në dy fronte nga një mori tankesh siriane dhe brigadash egjiptiane. Plotësisht e papërgatitur dhe me shumë ushtarë në pushime, ushtria izraelite dukej sikur u mund fillimisht përpara se të zmbrapste armiqtë e saj në një seri sulmesh vendimtare.
Mbi 2,600 izraelitë u vranë gjatë luftës, humbja më e madhe që Izraeli ka pësuar ndonjëherë në një luftë të vetme. Nga ana tjetër, megjithëse nuk ka shifra të konfirmuara të viktimave, raportohet për 15,000 egjiptianë dhe 3,500 sirianë të vrarë gjatë kësaj lufte.