Shkrimtari norvegjez, Jon Fosse e ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi këtë vit.
Jon Fosse (Haugesund, 29 shtator 1959) është një shkrimtar dhe dramaturg norvegjez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë 2023.
Në vitin 2007 ai u nderua me një kalorës të Ordre National du Mérite në Francë dhe, nga Daily Telegraph, u konsiderua si një nga 100 gjenitë e gjallë. Atij iu lejua gjithashtu, për merita letrare, të banonte në rezidencën mbretërore të Grotten-it.
Më 5 tetor 2023 ai u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë “për veprat e tij teatrale dhe prozën e tij novatore që i jep zë të pathënave”.
Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Jon Fosse ka thënë se është “i tronditur dhe disi i frikësuar” që e ka fituar këtë çmim prestigjioz.
Ky çmim e ka vlerën e rreth 1 milion dollarëve amerikanë.
Ai është bërë i njohur si dramaturg me veprën “Nokon kjem til å komme” ( Dikush do të vijë).
Fosse, 64-vjeçar, i cili shkruan në versionin më të pazakonshëm të dy versioneve zyrtare të gjuhës norvegjeze, ka thënë se e konsideron çmimin si njohje të gjuhës që përdor dhe lëvizje për promovim të saj, duke thënë se Nobelin ia dedikon vetë asaj.
E njohur si “norvegjishtja e re” dhe e përdorur nga rreth 10 për qind e popullsisë së Norvegjisë, versioni që përdor Fosse është krijuar në shekullin e 19-të në zonat rurale, duke e bërë atë alternativë ndaj gjuhës daneze që është përdorur përgjatë një bashkimi 400-vjeçar me Danimarkën.
Anders Olsson, kryetar i komitetit të Nobelit për letërsinë, tha se puna e tij i ka rrënjët “në gjuhën dhe natyrën e prejardhjes së tij norvegjeze”.
“U habita kur më telefonuan, por në të njëjtën kohë edhe e prisja. Jam përgatitur me kujdes gjatë 10 viteve të fundit që kjo mund të ndodhë,” i tha 64 vjeçari Fosse, televizionit publik norvegjez, NRK.
“U gëzova shumë”, tha ai.
Fosse ka shkruar rreth 40 drama, si dhe romane, tregime të shkurtra, libra për fëmijë, poezi dhe ese.
Mats Malm, sekretar i përhershëm i Akademisë Suedeze të çmimit Nobel e telefonoi shkrimtarin për t’i komunikuar përzgjedhjen e tij si fitues.
Fosse është shkrimtari i katërt norvegjez që merr çmimin më të lartë të letërsisë. Bjørnstjerne Bjørnson e mori atë në vitin 1903, Knut Hamsun në 1920 dhe Sigrid Undset në 1928.
Libri i tij “Një emër i ri: Septologjia VI-VII” – i cilësuar nga Olsson si “opus magnum” (një vepër madhështore) i shkrimtarit Fosse – ishte finalist për Çmimin Ndërkombëtar Booker në vitin 2022.
Në një deklaratë të lëshuar nga shtëpia e tij botuese, Samlaget, Fosse tha se ai e shihte çmimin “si një vlerësim për një letërsi që mbi të gjitha synon thjesht të jetë letërsi, pa konsiderata të tjera”.