VOA
Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pranoi të premten fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumenteve në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.
Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.
Çdo pikë e aktpadisë përmban disa akuza.
Arritja e marrëveshjes do të thotë që çështja nuk do të shkojë në gjyq. Kjo gjithashtu do të thotë që nuk do të bëhen publike të dhëna të tjera për këtë çështje.
Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.
I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.
Zoti McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.
Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.
Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal.
Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.
“Përpara se të largohesha nga FBI në shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence për çështje sigurie me një mik. E dija se kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur më vonë të nisja biznesin”, tha ai në gjykatë duke iu referuar kontakteve me qeverinë e Shqipërisë.
Ai shtoi më tej, ashtu siç thuhej edhe në aktpadi edhe në deklaratën e fajësisë, se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i kishte marrë hua nga miku i tij dhe partneri i mundshëm i biznesit, duke iu referuar Nezës si edhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.
Zoti McGonigal pranoi në seancë faktin që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të zotit Duçka që vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.
I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.
Në të njëjtën mënyrë ai u përgjigj kur u pyet nëse me kërkesë të Personit A, ai i kishte bërë thirrje kryeministrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte licenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guacë, ndërkohë që personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare.
Po ashtu ai pohoi që gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.
Pas seancës avokati i tij Seth Ducharme foli për gazetarët.
“Megjithëse ai mund të ketë pasur ose ka pasur, mendoj unë, disa interesa mjaft legjitime që përputheshin me Shtetet e Bashkuara për të mbajtur ato marrëdhënie, ai gjithashtu kishte qartazi interesa personale që të përgatiste terrenin pasi të largohej nga detyra t’i vazhdonte ato marrëdhënie. Pra, sigurisht që ishte diçka e papjekur”, tha ai.
Ai shtoi se kur mendon të hapësh një firmë private konsulence, kur largohesh nga qeveria, “sa më shumë kontakte të kesh në të gjithë botën, aq më të shumta mundësitë për e biznes”.
“Kështu, për disa prej njerëzve me të cilët ai (McGonigal), konsideroi zhvillimin e mundshëm të biznesit dhe burime për marrëdhënie të mëtejshme, ai aludoi në pranimin e fajësisë sot dhe ata hyjnë në këtë kategori”, tha ai.
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë në një gjykatë në Nju Jork lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.
Vepra penale për të cilën pranoi fajësinë zoti McGonigal në Uashington, parashikon një dënim deri në 5 vjet burg, por dënimi mund të jetë më i zbutur. Kushtet e marrëveshjes parashikojnë që zoti McGonigal nuk ka të drejtën ta apelojë vendimin, i cili parashikohet të jepet në shkurt të vitit të ardhshëm.