Pranimi i fajit nga Charles McGonigal për dosjen shqiptare është kryelajm në mediat amerikane.
Rrjeti i njohur televiziv, CNN, raporton se ish-agjenti i lartë i kundërzbulimit ka pranuar fajin duke deklaruar se ka marrë mijëra dollarë nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare.
Bëhet fjalë për Agron Nezën. Por CNN raporton se McGonigal krijoi miqësi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe mori prej tij një licencë për shpim në fusha nafte.
“McGonigal, i cili u deklarua fajtor për një akuzë të fshehjes së fakteve materiale në Uashington, i tha gjykatësit federal gjatë seancës së tij për pranimin e fajësisë se individi ishte miku i tij dhe se ata po planifikonin të nisnin një firmë këshillimi së bashku kur McGonigal të dilte në pension nga FBI.
Paratë, tha McGonigal, ishin pjesë e një kredie për atë biznes- megjithëse në deklaratën e fakteve që lidhen me marrëveshjen e pranimit të fajësisë, McGonigal ra dakord se nuk kishte kushte për kredinë dhe se ai nuk e ktheu kurrë atë.
Gjatë kohës që McGonigal ishte në FBI, të dy udhëtuan disa herë në Shqipëri dhe u takuan me kryeministrin e vendit. McGonigal kërkoi te kryeministri licencë për shpimin në fushat e naftës për llogari të ish-punonjësit të inteligjencës, i cili kishte interesa financiare në këtë drejtim.
Takimet jashtë shtetit, të cilat ai nuk ia zbuloi FBI-së, ishin për të zhvilluar marrëdhënie të mundshme biznesi, tha McGonigal. Ai gjithashtu i tha gjykatës se e dinte se përfshirja në biznes personal nuk lejohej, ndërsa punonte për FBI-në dhe i kërkoi falje byrosë dhe gruas së tij.
Sipas deklaratës së fakteve, FBI hapi gjithashtu një hetim ndaj një shtetasi amerikan, i cili po lobonte për një parti politike në Shqipëri, ‘bazuar pjesërisht në informacionin e dhënë nga i pandehuri McGonigal dhe drejtimin e tij’.
Në hetim, partneri i mundshëm i biznesit i McGonigal veproi si një burim njerëzor konfidencial për hetimin, dhe një kontakt i huaj shqiptar që kishte takuar McGonigal, ndihmoi në lehtësimin e takimeve me dëshmitarët në Europë dhe në FBI, përfshi këtu pagesat për shpenzimet e udhëtimit të dëshmitarëve.
McGonigal do të dënohet për rastin e Uashingtonit në shkurt. Ai përballet me një maksimum prej pesë vitesh, megjithëse mund të dënohet me shumë më pak,” raporton CNN.syri.net