Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jon Finer, në Nju Jork.
Gjatë takimit me Finerin, Osmani tha se pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.
Ajo theksoi se Kosova ka nevojë “për më shumë bashkëpunim politik” me SHBA-në.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-së, është përcaktues në dialog”, tha Osmani sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e saj, ku u shtua se në takim u bisedua për tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Osmani tha se Kosova ka ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës “dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me SHBA-në, për të adresuar sfidat e sigurisë”.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimeve të serbëve lokalë, të cilët bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës që të ndërmarrë masa për shtensionimin e situatës. Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave ndërkombëtare, blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në fillim të korrikut.
SHBA-ja – që e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli – ndërkaq ka porositur se themelimi i Asociacionit duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet të bëjë Kosova.
Rundi i fundit i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i mbajtur më 14 shtator, dështoi pa asnjë rezultat.
Pas takimit në Bruksel, nga BE-ja thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.
Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.
Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.
Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh,mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Në takimin me zyrtarin amerikan, Osmani tha se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje.rel