Nju Jork, 21 shtator 2023
Si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënoj ashpër dhe i hedh poshtë në tërësi si të pavërteta dhe tentim për shtrembërim të historisë deklarimet lidhur me Republikën e Kosovës, të bëra nga Presidenti i Serbisë në paraqitjen e tij të sotme para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku ai, mes të tjerash, zanafillën e agresonit rus në Ukrainë e sheh tek pavarësimi i Kosovës, dhe paturpshëm pretendon se më 2008 Serbisë i ka ndodhuir kjo që i ndodhë Ukrainës sot.
Për opinionin publik vendor e ndërkombëtarë e ndiej të nevojshme të përsëris këto fakte të pamohueshme historike:
– Pavarësia e Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, është përmbushje e vullnetit të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe ka ardhur pas një përpjekjeje të organizuar të shtetit të Serbisë për të zhdukur popullin shqiptar në Kosovë, për të cilën disa nga zyrtarët më të lartë shtetërorë, ushtarakë e policorë të Serbisë të atyre viteve janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Krimeve të Luftës i OKB-së, në Hagë.
– Deklarata e Shpalljes së Pavarësia e Kosovës nuk është shkelje e Ligjit Ndërkombëtar, e as rezolutave dhe dokumenteve të tjera relevante të OKB-së, rrjedhimisht as Kartës së OKB-së. Këtë e ka gjykuar dhe vendosur trupi më i lartë juridik i OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj të nxjerrë më 22 korrik 2010,me kërkesë të vet Serbisë.
Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, Presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës.
Kjo edhe është arsyeja pse Republika e Kosovës sot përkrah pa asnjë hezitim Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresorit kriminal rus. Kjo njëkohësisht duket qartë se është arsyeja pse Serbia vazhdon të mbështesë Rusinë e Putinit, siç e konfirmoi hapur dhe pa dilemë vet Presidenti i Serbisë në të njejtin fjalim në OKB.
Njëkohësisht, MPJD tërheq vëmendjen se në paraqitjen e tij në OKB, Presidenti i Serbisë i ka shkelur, edhe një herë, edhe zotimet që i ka dhënë para Bashkimit Evropian kur e ka pranuar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, të datës 27 shkurt 2023, dhe Aneksin Zbatues të datës 18 mars 2023, neni 2 i së cilës përcakton qartë se raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të ndërtohen bazuar në parimet e Kartës së OKB-së, posaçërisht atyre që ndërlidhen me barazinë sovrane të shteteve, respektimin e ndërsjelltë të pavarësisë dhe integritetit territorial.
Më atë Marrëveshje, Presidenti i Serbisë është pajtuar edhe që Serbia të mos flasë në emër të Republikës së Kosovës në forumet ndërkombëtare, dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.
Në harmoni me atë Marreveshje, të cilën BE dhe SHBA dëshmojne se Presidenti i Serbisë e ka pranuar dhe do ta zbatojë në tërësinë e saj, ai sot, në paraqitjen e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është dashur të bëjë thirrje për anëtaresimin e Republikës së Kosovës në OKB, apo, së paku, të mos flas fare për Republikën e Kosovës!
Në vend të kësaj, para audiencës ndërkombetare në OKB, ai ka zgjedhur të lansojë të pavërteta dhe insinuata, që përveç Kosovës njollosin edhe partnerët ndërkombëtarë Perëndimorë, BE-në dhe SHBA-në.
Sa i përket Dialogut të Brukselit, për të cilin Presidenti i Serbisë tha se është i bllokuar dhe akuzoi Repbulikën e Kosovës për këtë gjë, më lejoni t’i përsëris edhe një herë këto fakte:
– Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Ankesin e Ohrit
– Ka kërkuar që ajo të nënshkruhet si dokument obligues ndërkombëtar
– insiston në zbatimin e plotë dhe urgjent të Marrëveshjes në tërësinë e saj.
Bllokues i dialogut është Serbia dhe Presidenti i saj, i cili ka refuzuar nënshkrimin e Marrëveshjes, ndërmjetësve ndërkombëtarë u ka thënë se e pranon, ndërsa publikut në Serbi i thotë se nuk e pranon Marrëveshjen e plotë.
Ndoshta deklarimet e tilla të njeriut që ka qenë bashkëpunëtor i afërt i krimineleve të luftës Slobodan Milosheviq e Vojislav Sheshel mbase mund edhe të befasojnë dikë në Perëndim që vazhdon të besojë se Presidenti aktual i Serbisë është një partner i mundshëm demokratik i BE-së dhe NATO-s. Por, kjo nuk është befasi për Repubikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, të cilët e njohin shumë mirë ish-ministrin e propagandes të Milosheviçit, sot sundimtarin e Serbisë dhe aleatin e Putinit në Ballkan. E njohin edhe politiken që ai përfaqëson, e cila fatkeqësisht vazhdon të mbajë peng te gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e para se gjithash edhe vet popullin serb.
I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht BE-së dhe SHBA-së, që të dënojnë një gjuhë të tillë të përdorur nga Presidenti i Serbisë në OKB, dhe t’ia rikujtojnë atij obligimet që ka marrë me pajtimin e shprehur në Bruksel dhe Ohër.